Impulsi qytetar #22 – pasqyrë mujore mbi aktivitete e përfituesve të granteve
Tetori 2026
Pjesëmarrja qytetare fillon me informimin, vazhdon me dialogun dhe merr kuptim kur qytetarët i identifikojnë problemet, propozojnë zgjidhje dhe kërkojnë llogaridhënie nga institucionet. Gjatë tetorit, organizatat qytetare e nxitën këtë lloj pjesëmarrjeje përmes takimeve me pushtetin lokal, aktiviteteve edukative, forumeve publike, iniciativave kreative dhe avokimit për politika më të mira.
Në festivalin “Dita e organizatave qytetare”, Promo Idea dhe Novus e prezantuan rrjetin për edukimin financiar të të rinjve. Rrjeti, i cili filloi të zhvillohet në Rajonin Juglindor, synon të zgjerohet edhe në nivel kombëtar. Anëtarësimi është falas dhe vullnetar, ndërsa të rinjve u mundëson qasje në informacione për ngjarje, trajnime dhe materiale edukative.



Përmes një iniciative kreative, Shoqata Maqedonase e Juristëve të Rinj i nxiti vizitorët të mendojnë për problemet e përditshme në Shkup. Përmes një ekspozite me pesë kartolina u prezantuan të dhëna për sigurinë e grave, transportin publik në Shuto Orizari, përfaqësimin gjinor në hapësirën publike, riciklimin e mbeturinave dhe qasshmërinë e vendvotimeve për personat me aftësi të kufizuara. Vizitorët patën mundësi t’u shkruajnë mesazhe institucioneve kompetente, të cilat organizatorët do t’ua përcjellin. Aktiviteti është pjesë e projektit “Mentorim në drejtësi dhe angazhim rinor për barazi gjinore”.
Shoqata Maqedonase e Juristëve të Rinj filloi me mentorimin e mentorëve të ardhshëm në Akademinë për Gjykatës dhe Prokurorë Publikë. Programi synon të kontribuojë në vendosjen e një qasjeje mentoruese të ndjeshme gjinore në sistemin e drejtësisë, përmes sesioneve tematike, analizës së rasteve reale dhe të simuluara dhe shkëmbimit të përvojave. Njëkohësisht, me rastin e 35-vjetorit të Kushtetutës, shoqata organizoi një seri bisedash me rastin e “Ditëve të kushtetutës”. Juristët e rinj biseduan me Presidenten e RMV-së, prof. dr. Gordana Siljanovska-Davkova, e cila në vitin 1991 ishte anëtare e jashtme e Komisionit Kushtetues dhe me profesorin Ljubomir Frçkoski, një nga autorët e Kushtetutës. Në fokus ishin garancitë kushtetuese, barazia, të drejtat e njeriut në epokën digjitale dhe edukimi kushtetues.



Në festival mori pjesë edhe shoqata “Gjithmonë bashkëjetesë”, pjesëmarrëset e së cilës nga trajnimi për grim prezantuan shkathtësitë praktike të fituara. Ato organizuan edhe takime me gra dhe aktorë lokalë në Resnjë dhe Krivogashtan, ku u diskutua për pjesëmarrje më të madhe ekonomike dhe shoqërore të grave. Në takimin në Krivogashtan, të mbajtur më 29 tetor, me kryetarin e komunës Igor Karavillovski, përfaqësues të komunës dhe gratë e komunës, u hapën çështje që lidhen me punësimin dhe vetëpunësimin, mbështetjen financiare, grantet, programin IPARD dhe sfidat me të cilat përballen gratë në zonat rurale. Aktivitetet zbatohen si pjesë e projektit “Zëri dhe pjesëmarrja e grave dhe të rinjve në: Krijimin e politikave publike dhe mjedisit mundësues për pjesëmarrje qytetare”, të cilin e zbatojnë Iniciativa Qytetare e Grave Antiko, “Gjithmonë bashkëjetesë” dhe ZOK Adrion.



Për të drejtat dhe sigurinë e fëmijëve u diskutua edhe në shkollën fillore “Dimitar Makedonski” në Aerodrom. Më 27 tetor, Ambasada e Parë e Fëmijëve në Botë Megjashi, në partneritet me Impetus – Qendra për Internet, Zhvillim dhe Qeverisje të Mirë, mbajti dy punëtori me nxënës të klasës së tetë. Përmes bisedave dhe shembujve praktikë, nxënësit mësuan për të drejtat e tyre në internet, mbrojtjen e të dhënave personale dhe privatësisë, si dhe për njohjen e rreziqeve dhe mënyrat e kërkimit të ndihmës. Aktivitetet janë pjesë e projektit “Hapësirë e sigurt në internet për fëmijë dhe të rinj”.



Qytetarët patën mundësi që drejtpërdrejt të raportojnë probleme nga mjedisi i tyre. Qendra për Aktivizëm Rinor KRIK i prezantoi rezultatet e analizës së mjetit “Raporto problem”, përmes të cilit qytetarët mund të sinjalizojnë probleme lokale. Analiza përfshin 87 raportime dhe 53 përgjigje në anketë. Nga raportimet, 31 lidhen me mbeturinat në Rajonin e Shkupit, ndërsa vetëm pesë nga të anketuarit kanë konfirmuar se problemi i raportuar prej tyre ishte zgjidhur. Asnjëri prej tyre nuk ishte kontaktuar drejtpërdrejt nga komuna. Mjeti u prezantua edhe në festivalin “Dita e organizatave qytetare”, ku vizitorët patën mundësi të raportojnë probleme. Aktivitetet janë pjesë e projektit “Së bashku për avokim të gjelbër – ZZZ”.



Përmes projektit “Rrjeti qytetar për ajër të pastër në Rajonin Jugperëndimor”, më 15 tetor në Strugë, përfaqësuesit e shoqatës “Natyra” – Strugë mbajtën forumin e parë publik për cilësinë e ajrit. Në forum u prezantuan të dhëna nga sensorët e platformës Klimerko.org, të vendosur në Strugë, Ohër, Vevçan, Dibër dhe Kërçovë. Në diskutim morën pjesë përfaqësues të komunës, qytetarë, mësimdhënës, nxënës, aktivistë dhe organizata qytetare. Projekti zbatohet në partneritet me Njësitin e Skautëve “Mirko Mileski” – Kërçovë.



Nevoja për zbatim më të fuqishëm lokal të Agjendës së Gjelbër ishte në fokus të forumit rajonal “Agjenda e Gjelbër: nga politikat kombëtare te mundësitë ekonomike lokale”, të mbajtur më 30 tetor në Shkup. Në ngjarjen e organizuar nga Qendra për Ndryshime Klimatike, përfaqësues të institucioneve, komunave, rajoneve planifikuese dhe organizatave qytetare diskutuan për mbështetjen, kapacitetet, financimin dhe monitorimin e politikave të gjelbra, si dhe për mundësitë për investime të gjelbra dhe partneritete lokale. Forumi ishte ngjarja përmbyllëse e projektit trevjeçar “Partneritet rajonal për zbatim më të mirë të Agjendës së Gjelbër në nivel lokal”, të cilin Qendra për Ndryshime Klimatike e zbaton me shtatë organizata të tjera partnere.



Se si mbeturinat mund të shndërrohen në burim e treguan Qendra për Burime në Mjedisin Jetësor (REC), Eko Logik dhe Florozon. Në festival ata ekspozuan produkte të përpunuara nga mbeturinat dhe mbajtën punëtori për përpunimin dhe ripërdorimin e mbetjeve biologjike, me eksperimente praktike për përfitimin e pektinës dhe biodizelit. Më 27 tetor, në SHF “Dimo Haxhi Dimov”, nxënësit dhe mësimdhënësit demonstruan se si mbeturinat organike nga amvisëritë mund të shfrytëzohen për nevojat e oborrit të shkollës. Aktivitetet janë pjesë e projektit “Aktivizëm qytetar për realizimin e ekonomisë qarkore në menaxhimin e mbeturinave organike”.



Edukimi mediatik dhe roli i mediave lokale ishin tema të punëtorisë për nxënës të shkollave të mesme dhe studentë nga Gostivari dhe Rajoni i Pollogut, të organizuar nga Këshilli i Etikës në Media i Maqedonisë (KEMM) dhe Instituti RESIS. Të rinjtë diskutuan për verifikimin e informacioneve, besimin në mediat lokale dhe influencuesit, përmbajtjet e rreme dhe të dëmshme dhe standardet gazetareske. Ata propozuan edhe tema për të cilat dëshirojnë të dëgjojnë më shumë, ndër të tjera problemin me qentë endacakë, dhunën kibernetike dhe ndikimin e rrjeteve sociale. Punëtoria është pjesë e projektit “Media të komunitetit për shoqëri civile më të fuqishme”.



Konekt avokon për ndryshime në kornizën ligjore që do ta lehtësojnë dhurimin dhe sponsorizimin në veprimtaritë publike. Pas më shumë se 15 vjetësh punë në këtë fushë, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, institucionet, sektorin e biznesit dhe organizatat qytetare, organizata propozon ndryshime në Ligjin për donacione dhe sponsorizime në veprimtaritë publike. Propozimet synojnë thjeshtimin e procedurave, uljen e barrës administrative, rritjen e transparencës dhe sigurisë juridike, si dhe digjitalizimin e proceseve.
Se sa nga masat e premtuara të Qeverisë zbatohen realisht e analizuan Finance Think dhe partnerët, përmes dy dokumenteve të reja (policy briefs) të politikave publike, të publikuara si pjesë e projektit “Kapërcimi i hendekut ndërmjet premtimeve politike dhe realizimeve në katër fusha zhvillimore”. Në dokumentin për arsimin monitorohen 38 masa, prej të cilave 12 janë realizuar plotësisht, 22 janë në proces, tri nuk janë realizuar, ndërsa për një nuk ka të dhëna të mjaftueshme. Analiza tregon se reformat në arsimin e lartë, shkencë dhe arsimin parashkollor janë ngadalësuar, ndër të tjera edhe për shkak të zgjidhjeve ligjore të papranuara. Sipas dokumentit për politikat rinore, nga 23 masa, pas dy vjetësh janë realizuar vetëm katër, ndërsa për shtatë nuk ka të dhëna të mjaftueshme publike. Veçanërisht mbeten prapa masat për punësimin e të rinjve, qasjen digjitale, punën praktike dhe infrastrukturën lokale rinore.
Nga iniciativat lokale dhe aktivitetet edukative deri te analizat dhe propozimet për politika më të mira, aktivitetet e tetorit tregojnë se pjesëmarrja qytetare ka forma të ndryshme, por një qëllim të përbashkët: problemet të bëhen të dukshme, zëri i qytetarëve të dëgjohet dhe institucionet të marrin përgjegjësi.








