граѓански импулс (10)

Impulsi qytetar #21 – pasqyrë mujore mbi aktivitetet e përfituesve të granteve

Shatori 2026

Shtatori solli iniciativa të reja për një mjedis më të pastër, pjesëmarrje më të madhe të qytetarëve në vendimmarrje dhe punë më të përgjegjshme të institucioneve lokale. Organizatat përfituese të granteve të Civika mobilitas punuan për zgjidhje që u përgjigjen nevojave të komuniteteve të tyre. Një pjesë e aktiviteteve sollën rezultate konkrete, ndërsa të tjerat hapën hapësirë për dialog dhe bashkëpunime të reja.

Në lagjen Zelen Rid në Kumanovë, 200 familje morën kosha falas për ndarjen e plastikës dhe kanaçeve. Komuna e Kumanovës, me mbështetjen e Qendrës për Ndryshime Klimatike (CKP), filloi ngritjen e një sistemi të ndarjes parësore, që mbetjet të ndahen që në amvisëri.

Njëzëri u miratua Udhërrëfyesi për Agjendën e gjelbër për Rajonin planifikues lindor 2025–2030, i hartuar nga CKP në konsultim me komunat e rajonit. CKP dhe partnerët informuan edhe për krijimin e Partneritetit rajonal për monitorimin aktiv të Agjendës së gjelbër për Ballkanin Perëndimor në nivel lokal, një platformë vullnetare dhe joformale bashkëpunimi.

Qendra e Burimeve për Mjedisin Jetësor (REC), në partneritet me Eko Logik dhe Florozon, pas një procesi tremujor të ndarjes së mbetjeve organike, e përdori kompostin për gjelbërimin e shkollave. Më 15 shtator komposti u përdor në SHFK “Jan Amos Komenski”, ndërsa më 16 shtator nxënësit e SHFK “Avram Pisevski” e përdorën plehun natyror për kopshtin e tyre me bimë dhe oborrin e shkollës. Aktiviteti, i mbështetur nga Komuna e Karposhit, është pjesë e projektit “Aktivizëm qytetar për realizimin e ekonomisë qarkulluese në menaxhimin e mbetjeve organike”.

Qendra për Aktivizëm Rinor KRIK, në bashkëpunim me Institucionin Shëndetësor Publik Spitali Psikiatrik Shkup, realizoi pesë punëtori praktike me pacientë në spitalin ditor dhe një trajnim për zbatimin praktik të parimeve të punës sociale të gjelbër, përfshirë edhe terapinë përmes kopshtarisë.

Në Vallandovë, gjatë aksionit të pyllëzimit pranë kishës “Shën Gjergji”, përfitues të ndihmës minimale të garantuar, nxënës dhe përfaqësues të “Pyjeve të Maqedonisë” mbollën së bashku mbi 100 fidanë selvi të Arizonës, ndërsa “Karvani i Gjelbër” i fundit u mbajt në parkun “Frederik Shopen” në Kisella Vodë.

Projekti “Politika rinore sipas nevojave të të rinjve” përfundoi me 24 masa rajonale të miratuara, prej të cilave 13 tashmë janë realizuar, një Platformë rajonale për të rinjtë në nëntë komuna të Rajonit të Pellagonisë dhe vlerësimin e parë kombëtar për zbatimin e Ligjit për pjesëmarrjen rinore. Rezultatet u prezantuan në aktivitetin përmbyllës më 28 shtator në Manastir, para më shumë se 100 pjesëmarrësve, mes të cilëve edhe ministri Gjoko Vellkovski. Bazuar në vlerësimin, Pro Lokal do të paraqesë propozime për ndryshimin e Ligjit. Platforma nxiti edhe një konkurs për ide inovative biznesi të të rinjve nga 15 deri në 29 vjeç, ku nga 18 aplikime u përzgjodhën tri ide.

Pjesëmarrja e të rinjve u nxit edhe përmes debateve. Më 15 shtator në Likovë u mbajt debati interaktiv “Zëri i të rinjve në vendimmarrjen lokale”, i organizuar nga Adrion. Më 17 shtator nxënësit e shkollës së mesme “Saraj” në Saraj morën pjesë në debatin publik “Si merren vendimet në komunitetin tonë?” dhe përmes simulimit të një seance të këshillit komunal, votuan për një çështje prioritare. Në Makedonski Brod, Antiko organizoi forumin tematik “Mekanizma funksionalë për pjesëmarrjen rinore”, propozimet e të cilit do të shërbejnë si bazë për një dokument publik. “Të rinjtë munden” dhe “Suportko” nga Koçana mbajtën një sërë takimesh avokuese për protokollin e ri dhe doracakun për veprimin ndaj të rinjve në situata krize.

Në Shtip, Vinicë dhe Dellçevë u dokumentuan nevojat dhe prioritetet e 545 grave dhe vajzave, nga të cilat dolën nëntë nisma për buxhetim gjinor. Komuna e Shtipit mbështeti tri nismat e EHO-s, ndërsa për njërën po shqyrtohet përfshirja në buxhetin e vitit 2027. Kjo ishte një nga temat kryesore të aktivitetit përmbyllës në Vinicë më 22 shtator.

Qasja në transportin publik ishte temë edhe e forumit që Antiko organizoi më 16 shtator në Veles. Ndërkaq, në Resnjë, gratë dhe aktorët lokalë diskutuan për fuqizimin ekonomik, sipërmarrjen e grave, vetëpunësimin dhe hartimin e politikave e buxheteve lokale të përgjegjshme gjinore, në një takim të “Gjithmonë Bashkëjetesë”.

Analiza e kornizës ligjore për mbikëqyrjen inspektuese lokale, e hartuar nga ISPPI dhe IDSCS, tregon se ligji u jep mundësi komunave të krijojnë shërbim inspektues, por nuk i detyron. Indeksi i hapjes 2026 tregoi se niveli mesatar i hapjes së 81 komunave është 39 për qind, ndërsa Kriva Pallanka është sërish më e hapura, me 73 për qind. Rezultatet u prezantuan në forumin tematik “Nga komuna e hapur te komuniteti aktiv: Indeksi i hapjes 2026 dhe pjesëmarrja qytetare në nivel lokal”, të organizuar nga Metamorfozis, Koalicioni Rural dhe Blink 42-21.

Një aspekt tjetër i luftës kundër korrupsionit është qasja në informacionet për pronarët e vërtetë të kompanive. Qendra për Komunikime Qytetare përgatiti një dokument politikash publike për përmirësimin e përdorimit të këtyre informacioneve, i cili propozon qasje me kosto më të ulët ose falas dhe publikimin e emrave të pronarëve të kompanive që fitojnë kontrata të prokurimit publik. Konekt dhe YMCA Manastir organizuan një debat publik për ndryshimet e Ligjit për donacione dhe sponsorizime në veprimtaritë publike, me 65 pjesëmarrës nga institucionet, organizatat qytetare dhe sektori i biznesit.

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) mbajti trajnim për Kodin e ri të gazetarëve të Maqedonisë më 17 dhe 18 shtator në Mavrovë, me tema si inteligjenca artificiale dhe dezinformimi. Instituti Maqedonas për Media (MIM) publikoi video promovuese për standardet etike në gazetari dhe prezantoi në RTVM analizën e Kodit etik ekzistues të shërbimit publik radioteleviziv.

Në Kriva Pallankë rreth njëzet nxënës morën pjesë në një punëtori për mediat e komunitetit. Një punëtori e ngjashme u mbajt edhe në Gjevgjeli, ku më shumë se 20 nxënës të shkollave të mesme dhe studentë mësuan si t’i shndërrojnë problemet lokale në storie gazetareske me interes publik. Punëtoritë u organizuan nga Këshilli i Etikës në Mediat e Maqedonisë (SEMM) dhe RESIS. Edhe gjatë shtatorit, BIRS publikoi një seri kolumnash për reformat në arsimin e lartë, autonominë universitare dhe tregun e punës.

Aktivitetet e shtatorit treguan se ndryshimet ndërtohen përmes bashkëpunimit, dijes dhe pjesëmarrjes aktive. Na ndiqni edhe në numrin e ardhshëm të “Impulsit qytetar” për një pasqyrë të re të zhvillimeve në shoqërinë civile.

Продолжи со читање