Mbi 80 organizata qytetare ua prezantuan qytetarëve punën e tyre në Festivalin e Civika мobilitas
Festivali i gjashtë i Civika мobilitas “Dita e organizatave qytetare” u mbajt më 3 tetor 2026, nga ora 11 deri në orën 15, në Parkun e Qytetit në Shkup, pranë shatërvanit “Lotos”. Mbi 80 organizata qytetare nga i gjithë vendi erdhën për t’ua prezantuar qytetarëve aktivitetet dhe rezultatet e tyre. Programi u zhvillua në skenën kryesore, në pesë tenda dhe në këndin e fëmijëve, ndërsa vizitorët mund të bisedonin me organizatat në stendat e tyre.
“Ky Festival është një festë e aktivizmit qytetar dhe e kontributit të tij për shoqërinë dhe qytetarët dhe dua t’i falënderoj organizatorët dhe t’u shpreh mirënjohjen time”, tha ambasadori i Zvicrës, Sh.T. Kristof Somer, në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve. Ambasadori rikujtoi se Zvicra prej pothuajse 15 vitesh i mbështet organizatat e shoqërisë civile në Maqedoninë e Veriut dhe theksoi se shoqëritë demokratike janë nën presion, ndërsa organizatat duhet të mbështeten në informacione të besueshme dhe të krijojnë hapësirë për debat të mbështetur në argumente. “Ky është një moment i mirë që ne, si qytetarë, ta rikujtojmë rolin kyç të një shoqërie civile aktive dhe të gjallë për demokracitë tona. Në këtë frymë, jam veçanërisht i lumtur që shoh një numër gjithnjë e më të madh vizitorësh, qytetarësh të interesuar për punën e organizatave të shoqërisë civile. Rilidhja e organizatave me qytetarët, ndihma për konsolidimin e komuniteteve të tyre dhe rritja e besimit të qytetarëve tek organizatat e shoqërisë civile janë qëllime të rëndësishme të Civika mobilitas dhe sfida kyçe në këto kohë”, tha Somer.



Drejtori i Qendrës Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar (MCMS), Aleksandar Kërzhallovski, theksoi se organizatat i prezantojnë arritjet e tyre pikërisht para atyre për të cilët punojnë. “Prandaj, i ftoj të gjithë t’i vizitojnë stendat, të bisedojnë me organizatat dhe të binden se sa shumë mund të bëjë shoqëria civile kur është e lidhur me qytetarët.”
Organizatat qytetare pjesëmarrëse në Festival u përpoqën t’ua afronin qytetarëve punën e tyre përmes shembujve interesantë dhe të thjeshtë. Më poshtë përcjellim një pjesë të aktiviteteve, të ndara në disa tema.



Qendra për Ndryshime Klimatike nga Gjevgjelia dhe Fondacioni për Zhvillim Lokal dhe Teknologji Informatike nga Gjevgjelia u treguan vizitorëve si ta zvogëlojnë konsumin e energjisë elektrike përmes shprehive të duhura dhe përzgjedhjes së përshtatshme të pajisjeve. Me një pajisje për matjen e konsumit, krahasuan aparate shtëpiake me konsum të ndryshëm. “Qëllimi i punëtorisë së sotme është që qytetarët të informohen si mund të kursejnë energji elektrike në shtëpitë e tyre. Kur shohin sa energji harxhon secila pajisje, mund ta dallojnë më lehtë se ku ka mundësi për kursim”, tha Filip Stojanovski nga Qendra për Ndryshime Klimatike.
Nxënësit e shkollës fillore “Said Najdeni” nga Dibra, me mbështetjen e Qendrës për Zhvillim të Qëndrueshëm të Komuniteteve nga Dibra, ngritën një shteg edukativ për ndryshimet klimatike. Vizitorët kalonin pranë tabelave me shkaqet dhe pasojat e ndryshimeve klimatike, si dhe me mundësitë për mbrojtje dhe përshtatje. Përmbajtjen e përgatitën vetë nxënësit, përmes hulumtimit dhe përpunimit të informacioneve.
Qendra e Burimeve për Mjedisin Jetësor (REC), së bashku me Eko-logik dhe Florozon, ekspozoi produktet që nxënësit krijuan në konkursin “Ide të gjelbra biznesi”. Në stendë kishte pllaka ekologjike izoluese, shkumës ekologjik nga lëvozhgat e vezëve, parfum nga lëkurat e portokallit, etanol, sapun ekologjik nga vaji i përdorur, pjata nga niseshteja e përftuar prej mbetjeve të patates dhe peleta nga lëkurat e mollëve. Të tri organizatat mbajtën edhe punëtori eksperimentale për përpunimin e mbetjeve biologjike. Njëri grup punonte me lëkurat e mollëve dhe prej tyre përftonte pektinë, një ëmbëlsues natyral, ndërsa grupi tjetër përftonte biodizel nga vaji i përdorur. “Qëllimi i punëtorisë është t’u mësojmë fëmijëve se mbetjet organike ose biologjike mund të shndërrohen në produkte të dobishme”, tha Tamara Radovanoviq Angjellkovska nga REC. “Është shumë mirë që kemi mundësi të punojmë për një temë kaq të rëndësishme, të përdorim pajisje profesionale dhe të mësojmë si të riciklojmë, të përpunojmë dhe të përftojmë produkte të reja të përdorshme, duke bërë diçka pozitive për mjedisin jetësor”, tha një nga pjesëmarrësit në eksperiment, nxënës i shkollës së mesme.
Shoqata ekologjike Ekozvon nga Shkupi e shndërroi stendën në një vend për bisedë, me mesazhin: “Nuk kemi ardhur t’ju themi çfarë duhet të mendoni për mjedisin jetësor, kemi ardhur t’ju pyesim çfarë mund të bëjmë së bashku.” Nga shoqata thonë se donin të mësonin çfarë mendojnë qytetarët për mjedisin jetësor dhe të merrnin propozime prej tyre, të cilat më pas do të ishin kyçe për kërkimin e ndryshimeve pranë institucioneve kompetente. “Besoj se ndryshimi fillon nga njerëzit që kanë vendosur të mos jenë vetëm spektatorë”, tha Sllagjana Stamenkovska nga shoqata.
Këtë vit, në të njëjtin vend ku u mbajt festivali edhe Slow Food Vodno zhvilloi një aktivitet për biodiversitetin, duke organizuar një diskutim tematik për kopshtet shkollore. Projekti “Kopshtet shkollore” zbatohet prej 13 vitesh në shkollat fillore të vendit. Vasillka Stefanovska, koordinatore e projektit, shpjegoi se puna praktike u mundëson fëmijëve ta ndjekin drejtpërdrejt të gjithë procesin, nga mbjellja e farave dhe e bimëve deri te prodhimi i ushqimit. “Qëllimi është që fëmijët që nga mosha më e vogël të kenë kontakt me natyrën, të mësojnë për mbjelljen dhe të ndjekin rrugën nga fara deri në tryezë. Me këtë ligjëratë duam t’i njohim vizitorët me aktivitetet tona, që të bëhen pjesë e projektit dhe së bashku ta mbrojmë mjedisin jetësor”, tha Stefanovska. Krahas kopshteve shkollore, organizata zhvillon edhe punëtori në natyrë. “Mësuam cili është qëllimi i kopshteve shkollore dhe si i afrojnë ato fëmijët me natyrën, por edhe si e nxisin punën në ekip dhe kreativitetin. Na u treguan edhe shembuj praktikë nga kopshtet shkollore”, tha Matillda Bakova, mësimdhënëse në SHFK “Vera Ciriviri-Trena”.



HERA, Asociacioni për Edukim Shëndetësor dhe Hulumtim, në stendën e vet ofroi informacione për shëndetin seksual dhe riprodhues, HIV-in, shëndetin mendor dhe dhunën me bazë gjinore. Vizitorët mund të bënin testim konfidencial dhe falas për HIV, të merrnin teste për vetëtestim, teste shtatzënie dhe mjete kontraceptive, si dhe fletëpalosje. Ata u njohën edhe me qendrat rinore “Dua të di”, Qendrën MM për Këshillim dhe mbështetje të djemve dhe burrave në krizë dhe Qendrën e parë familjare. “Qëllimi ynë është t’i afrojmë informacionet, parandalimin dhe shërbimet te qytetarët. Besojmë se informimi, parandalimi dhe qasja në kohë në mbështetje janë kyçe që njerëzit të mund të kujdesen për shëndetin e tyre dhe të marrin vendime të informuara”, tha Goran Jakimoski nga HERA.
Shoqata për Politika dhe të Drejta Shëndetësore “Së bashku më të fortë” nga Shkupi, organizatë e personave që jetojnë me HIV, u ofroi qytetarëve lojëra interaktive për qasjen në shërbimet shëndetësore dhe parandalimin e HIV-it e të infeksioneve seksualisht të transmetueshme. Kuizi për mitet i sfidoi vizitorët të kontrollonin njohuritë e tyre. Në murin e kujdesit për veten, qytetarët linin mesazhet e tyre. “Festivali i Civika mobilitas është një mundësi e shkëlqyer për ta prezantuar organizatën tonë dhe qëllimet e saj, si dhe për të gjetur aleatë mes të tjerëve për këto qëllime”, theksoi Andrej Seniq nga shoqata.
Shoqata HOPS – Opsione për Jetë të Shëndetshme Shkup, e cila punon për zvogëlimin e dëmeve nga droga dhe parandalimin e HIV-it, prezantoi programet për përfshirjen sociale të komuniteteve të cenueshme dhe të margjinalizuara. Vizitorët mund të blinin punime nga punëtoritë e shprehjes krijuese, ku kishin marrë pjesë përfituesit e HOPS-it, duke u mundësuar atyre të siguronin të ardhura modeste. Qytetarët morën edhe materiale të shtypura për zvogëlimin e dëmeve nga përdorimi i drogës. “Është e rëndësishme që HOPS të jetë e pranishme në këtë aktivitet, sepse është një mundësi për të prezantuar drejtpërdrejt një pjesë të punës sonë, përvojat nga terreni dhe problemet me të cilat përballen njerëzit me të cilët punojmë. Prania këtu na jep dukshmëri, mundësi për t’u lidhur me organizata të tjera dhe rastin për të treguar qartë pse puna e HOPS-it është e rëndësishme”, tha Irina nga HOPS.
Shoqata për Ndihmë dhe Mbështetje të Personave me Afazi HOUP mbajti një punëtori për ndërgjegjësimin për këtë gjendje. Lenka Ugrinovska, kryetare e Shoqatës së Grave Menaxhere “ELIT” dhe anëtare e HOUP-it, theksoi se afazia nuk është sëmundje, por një gjendje neurologjike që më së shpeshti shfaqet pas një goditjeje në tru ose dëmtimi të trurit. Ajo mund të ndikojë në të folur, lexim, shkrim dhe të kuptuar, por jo në inteligjencë, mendime dhe ndjenja. Ugrinovska përcolli edhe historinë e avokates Mirjana Markovska, themeluese e HOUP-it, e cila pas një goditjeje në tru u përball me afazi. “Askush nuk duhet të jetë vetëm në këtë betejë. Së bashku mund të krijojmë një shoqëri ku secili mund të komunikojë dhe të jetojë me dinjitet”, tha Ugrinovska. Mes pjesëmarrësve ishte edhe 29-vjeçarja Jasmina Ivanovska-Filipovski, anëtare dhe juriste në HOUP, e cila gjithashtu u përball me afazi pas një goditjeje në tru. “Kalova një periudhë të vështirë, por e kapërceva. Sot punoj, kam dy fëmijë dhe jam aktive në HOUP për t’i ndihmuar personat e tjerë me afazi. Unë jam shembull se nuk duhet të dorëzohemi”, tha ajo.



Instituti për Demokraci Societas Civilis Shkup (IDSCS), përmes kuizeve interaktive, ua bëri më të kuptueshme qytetarëve funksionimin e institucioneve, qeverisjen e mirë, Kuvendin dhe integrimin evropian. Pyetjet lidhen me numrin e deputetëve dhe kohëzgjatjen e mandatit të tyre, Agjendën e reformave, Planin e rritjes dhe institucionet që luftojnë korrupsionin. Pjesëmarrësit morën shpërblime. “Një nga qëllimet e kuizeve interaktive është t’i edukojmë qytetarët dhe të rrisim ndërgjegjësimin e tyre për temat me të cilat punojmë. Por, gjithashtu, duam të kontribuojmë në forcimin e besimit mes organizatave qytetare dhe qytetarëve, si dhe të besimit mes njerëzve në shoqëri në përgjithësi. Besimi është pjesë e rëndësishme e kapitalit social”, tha Misha Popoviq, drejtor programi në IDSCS.
Qendra për Komunikime Qytetare prezantoi platformën në internet Open Data, përmes së cilës qytetarët shohin si shpenzohen paratë publike. Me mjetin “Ku shkojnë paratë e mia”, vizitorët merrnin një përllogaritje të tatimeve dhe kontributeve që paguajnë çdo ditë, sipas shumës së pagës së tyre. Shumë prej tyre u habitën nga shuma. “Kur njerëzit e dinë sa para ndajnë, kanë më shumë dëshirë të përfshihen në hartimin e buxhetit dhe kërkojnë më shumë përgjegjësi për shpenzimin e parave publike”, theksoi German Fillkov nga Qendra për Komunikime Qytetare.
Shoqata Maqedonase e Juristëve të Rinj (MZMP) ngriti ekspozitën interaktive “Shkupi është më shumë se një kartolinë”, e cila fillon me pyetjen “Çfarë nuk shohim kur e shikojmë Shkupin?”. Në themel të ekspozitës janë situata që lidhen me diskriminimin, ndaj nën kartolinat turistike vizitorët zbulonin fakte që pamja zyrtare e qytetit i anashkalon. Vizitorët shkruanin një kartolinë drejtuar institucionit kompetent, të cilën MZMP do ta dorëzojë dhe i përgjigjeshin pyetjes “Cila kartolinë mungon?” në kartolina të zbrazëta ose përmes një ankete të shkurtër anonime. “Secili prej nesh njeh një Shkup që nuk gjendet në kartolina. Duam që këtë Shkup ta shohin edhe institucionet”, tha Martina Drangovska Martinova nga MZMP. Në stendë, qytetarët merrnin edhe informacione për ndihmën juridike falas.
Përfaqësues të Programit për mbështetje parlamentare – NDI mbajtën trajnim për avokim legjislativ. Forumi për Politika të Arsyeshme dhe BIRS shfaqën filmin dokumentar “Universitetet në udhëkryq: reformat, autonomia dhe e ardhmja”, ndërsa Qendra Kombëtare Rome shfaqi një video prezantim për jetën në lagjet rome.



Të rinjtë e Lidhjes së Nxënësve të Shkollave të Mesme nga Tetova, përveçse e hapën festivalin me shfaqje muzikore, ishin pjesë e minifestivalit rinor “Zëri në veprim”, të organizuar nga Iniciativa Qytetare e Grave Antiko dhe Adrion, së bashku me “Gjithmonë bashkëjetesë”. Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme nga Tetova (NIMBUS) punoi me vizitorët në punëtori interaktive gjatë gjithë festivalit. Nxënësit prezantuan bashkëpunimin mes shkollave, vullnetarizmin dhe angazhimin në komunitet. Me prezantimin “Zëri i nxënësve” shpjeguan rolin e organizimit të nxënësve, ndërsa në këndin “Ideja ime për shkollën”, vizitorët linin propozime për ndryshime. Në rubrikën “60 sekonda”, të rinjtë tregonin historinë e tyre dhe atë që kishin mësuar përmes aktivizmit, ndërsa me aktivitetin “Vizato zërin tënd” krijuan një vepër kolektive me temën “Si duket zëri i të rinjve?”.
Programi “Zëri ka shumë forma” solli muzikë, recitime dhe shfaqje të nxënësve. Nxënësit e shkollës së mesme të mjekësisë, në këndin “Dija në shërbim të shëndetit”, matnin tensionin e gjakut dhe nivelin e glukozës, ndërsa nxënësit e shkollës së tekstilit prezantuan ekspozitën “Nga ideja te veshja”, me skica, materiale dhe veshje të përfunduara. Artistë të rinj vizatonin karikatura për vizitorët, ndërsa përmes instalacionit “Zëri im për komunitetin”, publiku shprehte ndryshimet që dëshiron të shohë në komunitetin e vet.
Instituti për të Drejtat e Njeriut nga Shkupi bisedoi me të rinjtë për dhunën mes bashkëmoshatarëve. Instituti bashkëpunon me shkolla fillore dhe të mesme dhe fokusohet veçanërisht në bullizmin ndaj vajzave. Të rinjve u shpjegoi se, pasi mbushin 14 vjeç, mund të mbajnë përgjegjësi penale për veprimet e tyre. Si ofrues i ndihmës juridike falas, Instituti u ofroi mbështetje këshilluese vizitorëve që donin të dinin kujt t’i drejtoheshin nëse përballen me dhunë.
Punëtoria e RastUm-it iu kushtua një teknike mnemonike për të mbajtur mend. Fëmijët, përmes përfytyrimit, mësonin fazat e rritjes së bimës. “Fazat e rritjes mund të duken të ndërlikuara për t’u mbajtur mend, por kur e vizualizojmë këtë proces, mund t’i kujtojmë më lehtë”, tha Marija Hana Trajkoska, bashkëthemeluese, edukatore dhe organizatore në RastUm. “Kjo punëtori është për këdo që dëshiron ta zhvillojë kujtesën në mënyrë krijuese dhe t’i mësojë në mënyrë krijuese fazat e rritjes dhe zhvillimit të një bime”, shtoi edukatorja Tijana Kosteska.
Shoqata për Edukimin e Fëmijëve dhe të Rinjve “Të rinj të fuqishëm” nga Shkupi i përfshiu fëmijët nga 5 deri në 14 vjeç në lojën edukative “Rrota e dijes”. Pyetjet përfshinin të drejtat e fëmijëve, mirësinë dhe vullnetarizmin, ushqimin e shëndetshëm, ekologjinë dhe marrëdhëniet në familje. Një nga sfidat ishte që fëmija t’i thoshte një kompliment një anëtari të familjes. Për prindërit, shoqata hapi këndin “Pyet pedagogun”, për pyetje që lidhen me shkollën, motivimin për të mësuar, marrëdhëniet me bashkëmoshatarët dhe stilet e prindërimit.
Slow Food Vodno u organizoi fëmijëve një punëtori për mbjelljen e bimëve dhe vizatim, “Mbjellim fara, mbjellim bimë dhe përgatitemi për kopshtin tonë”, ndërsa te iluzionisti Kristijan Shopov – Kiko Magiko, siç pritej, kishte shumë fëmijë, ndaj shpërthyen të qeshura, gëzim dhe zëra të gjallë.
Organizata Oslon tregoi “Fuqinë e fjalëve të mira”. Fëmijët vizatuan së bashku një pemë dhe varën në të fjalë me kuptim pozitiv, si dashuri, miqësi, respekt dhe mbështetje. “Qëllimi i punëtorisë është t’i nxisim fëmijët t’i njohin dhe t’i shprehin emocionet e tyre në mënyrë pozitive, të mësojnë si ta kanalizojnë energjinë negative dhe, përmes punës së përbashkët, të zhvillojnë bashkëpunimin dhe sjelljen pozitive”, theksuan nga Oslon. “Shkrova fjalën miqësi, sepse është një fjalë pozitive dhe e bukur. Ajo është pjesë e jetës sime dhe kam shumë miqësi që i dua dhe i kultivoj”, tregoi një nga pjesëmarrësit.



Teknologjitë digjitale u trajtuan nga përfaqësuesit e SFERA International dhe YMCA Manastir. SFERA International mbajti një punëtori për shkrimin e një skenari mbi rreziqet e përdorimit të teknologjive digjitale. Morën pjesë gjashtë persona, ndërsa punëtorinë e udhëhoqi Martin Mojanovski, asistent projekti në SFERA International. Përmes historisë së një nxënëseje 17-vjeçare të shkollës së mesme, pjesëmarrësit biseduan për presionin që krijojnë rrjetet sociale: krahasimin me jetë të idealizuara, pritjet joreale dhe cenimin e privatësisë. Në skenar, pas një grindjeje, i dashuri publikon fotografi private të vajzës pa pëlqimin e saj. Përmes këtij shembulli, pjesëmarrësit hapën edhe çështjen e dhunës digjitale. Ata ndryshonin sjelljen e personazheve dytësore për të shqyrtuar se si mbështetja në kohë mund ta ndryshojë rrjedhën e ngjarjeve. Biseduan për rolin e bashkëmoshatarëve, miqve dhe familjes, si dhe për ndihmën nga psikologu, pedagogu, punonjësi social dhe policia. Mojanovski theksoi se është e rëndësishme të shqyrtohet nëse zgjidhjet e propozuara do të ndihmonin edhe në jetën reale. “Pasi ndajmë një mesazh, fotografi apo vendndodhje, nuk kemi më kontroll të plotë se ku do të përfundojë ajo përmbajtje. Prandaj duhet të mendojmë me kujdes se çfarë ndajmë dhe me kë e ndajmë”, theksoi Mojanovski. Ai shtoi se prindërit duhet të bisedojnë hapur me fëmijët për aktivitetet e tyre në internet. “Nëse duam, mund të gjejmë zgjidhje: të ndajmë përmbajtje në mënyrë përzgjedhëse, të ruajmë privatësinë dhe të edukojmë si fëmijët, ashtu edhe prindërit”, theksoi njëra nga pjesëmarrëset.
Pjesëmarrësit përfunduan se njohja në kohë e rreziqeve, komunikimi i hapur dhe njohuritë digjitale janë kyçe për përdorim më të sigurt të teknologjive digjitale.
YMCA Manastir mbajti një orë falas për edukimin digjital. “Edukimi digjital duhet të jetë falas dhe i qasshëm, sepse jo të gjithë mund të përballojnë kurse me pagesë, programe kompjuterike apo pajisje të përshtatshme. Platforma HP LIFE i ofron këto përmbajtje falas, ndërsa ne i ndihmojmë njerëzit t’i përdorin”, theksoi Viktor Iliev, drejtor ekzekutiv i organizatës. Për të hyrë në HP LIFE, përdoruesit fillimisht regjistrohen me adresën e postës elektronike dhe hapin një profil. Më pas mund të zgjedhin mes mbi 30 kurseve falas në fusha të ndryshme. Mësojnë me ritmin e tyre dhe, pasi përfundojnë me sukses secilin kurs, marrin certifikatë.
YMCA Manastir e zbaton programin që nga viti 2023 dhe përfshin çdo vit rreth 700 të rinj, nga klasa e shtatë deri në vitin e katërt të arsimit të mesëm. “Kurset janë të dobishme si për jetën private, ashtu edhe për atë profesionale. Kjo përvojë më motivon të vazhdoj të mësoj dhe t’i ndaj mundësitë me mësimdhënësit dhe nxënësit në shkollën time”, tha Enisa Ramiqeviq, mësimdhënëse e gjuhës boshnjake dhe maqedonase.



Pjesëmarrësit patën mundësi të fitonin edhe aftësi praktike falë shoqatës “Punime artizanale maqedonase” dhe “Biser”, të cilat, përmes punëtorive kreative, u mundësuan vizitorëve më të vegjël të mësonin si të punonin byzylykë, bizhuteri dhe aksesorë mode nga materiale natyrore, si dhe të njiheshin me teknikat tradicionale të thurjes. Në punëtorinë e shoqatës “Punime artizanale maqedonase”, Gordana Llazarevska, sekretare e shoqatës, shpjegoi se këto aktivitete, krahas argëtimit, synojnë të nxisin kreativitetin e fëmijëve. “Sot punuam byzylykë të përshtatur për fëmijët e vegjël dhe ata mësuan të krijojnë vetë punime unike. Përmes këtyre aktiviteteve zhvillohen edhe vëmendja dhe përqendrimi”, tha Llazarevska.
Snezhana Jankullovska nga “Biser” – Manastir, ndërkaq, u prezantoi vizitorëve teknikën tradicionale të thurjes “çingellake”, si dhe punimin e bizhuterive dhe aksesorëve të modës nga materiale natyrore. Përmes punës praktike, pjesëmarrësit u njohën me aftësi që përcillen brez pas brezi. “Me këto aktivitete përpiqemi ta ruajmë traditën e thurjes me teknikën çingellake dhe t’ua përcjellim të rinjve, që ata të mund ta vazhdojnë. Thurja zhvillon aftësitë motorike te fëmijët, ndërsa për më të moshuarit është një mënyrë e mirë për të mbetur aktivë”, tha Jankullovska. “Punëtoritë më dukeshin shumë interesante. Mësova si të thur me llastiqe, ndërsa pamë edhe si punohet bizhuteri nga materiale natyrore. Ishte interesante të mësoja diçka të re”, tha Nina Haçik, e cila mori pjesë në të dyja aktivitetet. Punëtoritë treguan se tradita mund t’u afrohet më të vegjëlve përmes aktiviteteve praktike, kreative dhe argëtuese.
“Gjithmonë bashkëjetesë” zhvilloi një trajnim për grim. Përmes kurseve për gra dhe vajza të reja, shoqata punon për zhvillimin e aftësive praktike që mund t’i ndihmojnë ato të përfshihen në tregun e punës dhe të fuqizohen ekonomikisht. Pjesëmarrëset e kursit të grimit i prezantuan në praktikë njohuritë dhe aftësitë e fituara. Ato grimonin vizitoret në stendë, duke shpjeguar njëkohësisht procesin dhe fazat e ndryshme të grimit. “Ky aktivitet është pjesë e një projekti në kuadër të të cilit organizuam kurse për gra dhe vajza të reja, me qëllim përfshirjen e tyre aktive në tregun e punës dhe fuqizimin ekonomik. Sot pjesëmarrëset tona prezantuan njohuritë dhe aftësitë që fituan gjatë kurseve. Ajo që synojmë është një grua e fortë, një shoqëri e fortë dhe një e ardhme e fortë”, tha Umugjullsum Jusufovska nga “Gjithmonë bashkëjetesë”. “Ishte interesante të shihja fazat e ndryshme të grimit dhe të mësoja disa hollësi të rëndësishme. Sot mësova edhe se fillimisht punohet te sytë dhe më pas kalohet te fytyra”, tha Fulia Jusufovska, pjesëmarrëse në aktivitet. Përmes këtyre aktiviteteve, “Gjithmonë bashkëjetesë” i lidh trajnimet me zbatimin praktik të njohurive të fituara, në mënyrë që gratë dhe vajzat e reja të përvetësojnë aftësi që do t’i ndihmojnë të përfshihen në tregun e punës dhe të ndërtojnë një pavarësi më të madhe ekonomike.
Ndërsa zhvilloheshin të gjitha këto aktivitete, muzikantët e gjallëronin atmosferën. Grupi The Ringtones dhe më pas DJ UX, Andreja Jovanovski, së bashku e bënë festivalin edhe më argëtues dhe tërhoqën mbi 1000 vizitorë, të cilët erdhën, u përfshinë dhe u shoqëruan me organizatat qytetare, aktivistët dhe në përgjithësi, me njerëzit e sektorit civil.



Besojmë se kontribuuam për një kuptim më të mirë të rolit të organizatave qytetare. Shpresojmë që kjo t’i motivojë qytetarët të bëhen pjesë e aktiviteteve, që së bashku ta forcojmë aktivizmin qytetar dhe të luftojmë për një shoqëri më të mirë për të gjithë!








