[Aggregator] Downloaded image for imported item #46356

Qeveria e hapi procesin për mekanizëm anti-SLAPP: tani priten zgjidhje konkrete

Pas mbajtjes së takimit të parë të grupit punues për vendosjen e mekanizmit anti-SLAPP më 25.03.2026, nis një fazë e rëndësishme në adresimin institucional të një prej presioneve më të sofistikuara, por gjithnjë e më të rrezikshme ndaj gazetarisë dhe interesit publik.

Grupi punues u themelua formalisht me vendim të Qeverisë të miratuar në seancën e 27 janarit 2026, pas një iniciative paraprake nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM). Me këtë vendim, grupi mori detyrë të analizojë praktikat vendore, rregulloret evropiane dhe rekomandimet për paditë strategjike kundër pjesëmarrjes publike – SLAPP, si dhe të propozojë zgjidhje konkrete në drejtim të harmonizimit me standardet evropiane.

Për një pjesë të gazetarëve kjo mund të jetë ende një temë e re ose e pamjaftueshme e shpjeguar. SLAPP janë padi strategjike kundër pjesëmarrjes publike, pra procedura ligjore që nuk përdoren kryesisht për të fituar drejtësi, por për të ushtruar presion, për të heshtur fjalën kritike, për të frikësuar të paditurin dhe për të shteruar burimet e tij financiare, profesionale dhe psikologjike. Këshilli i Evropës paralajmëron se këto procedura kanë efekt negativ mbi lirinë e shprehjes dhe pjesëmarrjen në çështje me interes publik.

Pikërisht për këtë arsye, SLAPP sot njihet si një rrezik i ri dhe serioz për gazetarët. Në kushte kur censura formale është më e rrallë, presioni gjithnjë e më shpesh vjen përmes proceseve të gjata dhe të kushtueshme gjyqësore, përmes të cilave qendra të fuqishme politike, biznesi apo ndikimi përpiqen të dekurajojnë raportimin hulumtues, pyetjet kritike dhe hapjen e temave me interes publik. Rreziku nuk qëndron vetëm në rezultatin e mundshëm të procesit, por edhe në vetë procedurën, koston, kohën, stresin dhe mesazhin që u dërgohet gazetarëve të tjerë, se çdo trajtim i një teme të ndjeshme mund të ndëshkohet përmes gjykatës.

Për SHGM-në, kjo çështje nuk fillon me vendimin e Qeverisë për formimin e këtij grupi punues në janar 2026. Përkundrazi, bëhet fjalë për një temë që SHGM e ka trajtuar prej kohësh dhe e ka shtyrë në mënyrë institucionale në hapësirën publike dhe politike, përmes komunikimit të drejtpërdrejtë me vendimmarrësit, ngjarjeve publike, analizave dhe publikimeve. Që në vitin 2023, SHGM përgatiti dhe prezantoi analizën “Si të arrihet mbrojtje më efektive nga paditë strategjike kundër pjesëmarrjes së publikut (SLAPP)?”, e cila u publikua si pjesë e një projekti kushtuar pikërisht kësaj problematike. Në të jo vetëm që shpjegohet fenomeni, por janë përpunuar edhe Indikatorët për identifikimin e SLAPP dhe Udhëzimet dhe rekomandimet e përgjithshme për mbrojtje nga SLAPP.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme edhe për shkak të kontekstit kohor. Analiza e SHGM-së u përgatit dhe u prezantua para se Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës ta miratonte Rekomandimin CM/Rec(2024)2 më 5 prill 2024. Me fjalë të tjera, SHGM e hapi këtë temë në mënyrë sistematike dhe në kohë, madje para se ajo të merrte një kornizë më të fortë institucionale evropiane. Në hapësirën publike, kjo publikim u konsiderua edhe si i pari i këtij lloji në Ballkanin Perëndimor.

Prandaj, SHGM në këtë grup nuk hyn vetëm si një pjesëmarrës i zakonshëm, por si një organizatë me memorie institucionale, bazë analitike dhe njohuri praktike për këtë temë. Kjo përvojë është e rëndësishme sepse kjo çështje kërkon jo vetëm vullnet të mirë, por edhe kuptim të qartë të kontekstit lokal, boshllëqeve ligjore, rreziqeve për gazetarët dhe standardeve evropiane që duhet të ndiqen.

Pozitive është që kjo çështje më në fund po merr një kornizë formale institucionale dhe që ka nisur një proces i strukturuar me përfshirjen e institucioneve relevante, përfaqësuesve të drejtësisë dhe sektorit civil. Por po aq e rëndësishme është që ky proces të rezultojë me zgjidhje të qarta, të zbatueshme dhe të qëndrueshme. Pritet që grupi punues të hapë debat thelbësor për mënyrën se si këto padi do të njihen në legjislacionin vendor, si do të kufizohet keqpërdorimi i tyre, çfarë mbështetjeje do të kenë gazetarët dhe si do të forcohet siguria juridike për raportimin mbi çështje me interes publik.

Njëkohësisht, kjo çështje ka edhe një dimension të qartë evropian. Direktiva (BE) 2024/1069 parashikon që vendet anëtare të Bashkimit Evropian duhet të ndërmarrin masa për harmonizim më së voni deri më 7 maj 2026. Edhe pse Maqedonia e Veriut është vend kandidat për anëtarësim, afrimi me këto standarde është i rëndësishëm si për mbrojtjen e gazetarisë, ashtu edhe për kredibilitetin e shtetit në procesin e eurointegrimeve.

SHGM, përmes përfaqësuesit të saj, do të vazhdojë të marrë pjesë në këtë proces në mënyrë konstruktive dhe me propozime konkrete, me pritjen që puna e nisur të rezultojë me një mekanizëm që realisht do të kontribuojë në mbrojtjen e gazetarëve, të lirisë së shprehjes dhe të drejtës së publikut për t’u informuar.

Sipas regjistrit të brendshëm të SHGM-së për paditë SLAPP, nga viti 2021 deri më sot në Maqedoninë e Veriut janë evidentuar gjithsej 25 raste të këtij lloji të presionit juridik ndaj gazetarëve dhe punonjësve të mediave. Prej tyre, nga një rast janë regjistruar në vitet 2025 dhe 2026, tetë raste në vitin 2024, gjashtë në vitin 2023, pesë në vitin 2022 dhe katër në vitin 2021.

Ky lajm u publikua fillimisht në faqen e Shoqata e gazetarëve të Maqedonisë (SHGM)

Продолжи со читање