Nga ideja te një rrjet prej 134 organizatash: kur solidariteti bëhet forcë për ndryshim
Para tetë viteve, Shoqata Konekt dalloi diçka që ndoshta pak veta dëshironin ta thoshin me zë të lartë: qëndrueshmëria financiare nuk është sfidë e një organizate të vetme, por çështje e përbashkët e të gjithë sektorit civil. Nga kjo ide lindi iniciativa për të bashkuar rreth njëzet organizata qytetare në një angazhim të përbashkët për ndryshimin e Ligjit për donacione dhe sponsorizime në veprimtaritë publike. Ajo që nisi si një grup i vogël, i përkushtuar për zgjidhjen e një problemi konkret, sot është Rrjeti për qëndrueshmërinë financiare të organizatave qytetare, i cili bashkon 134 organizata anëtare nga i gjithë vendi.
Ndër vite, Rrjeti ka dëshmuar se, kur organizatat veprojnë në mënyrë solidare, zëri i tyre dëgjohet më fort, argumentet janë më bindëse dhe zgjidhjet më të realizueshme. Sot në të bëjnë pjesë organizata me madhësi, misione dhe fusha të ndryshme veprimi. Rrjetit i bashkohen edhe organizata të reja e më të vogla nga bashkësitë lokale, të cilat pikërisht përmes tij fitojnë mundësinë që sfidat e tyre të dëgjohen dhe të merren parasysh në proceset e krijimit të politikave.

Pas shifrave qëndrojnë mijëra aktivitete dhe qindra mijëra qytetarë, të cilët çdo vit marrin mbështetje përmes punës së këtyre organizatave. Prandaj, çështja e qëndrueshmërisë financiare të sektorit nuk është çështje vetëm e organizatave, por edhe e cilësisë së jetës në komunitete.
Kjo çështje ishte në qendër të aktivitetit të Rrjetit për qëndrueshmërinë financiare të organizatave qytetare, i cili u mbajt më 20 gusht në hotelin “Milenium” në Manastir.

Rreth 40 përfaqësues – anëtarë të Rrjetit, përfaqësues të institucioneve dhe kompanive, mes tyre edhe persona kyç nga Drejtoria e të Ardhurave Publike, si nga zyra e Shkupit ashtu edhe nga ajo e Manastirit – diskutuan për sfidat që e përcaktojnë gjendjen aktuale të sektorit civil.
Nga Konekt theksuan se edhe pas publikimeve për aktivitetin në rrjetet sociale, kishin mbërritur disa kërkesa të tjera të reja për anëtarësim. Ndër temat që nxitën diskutimin më të gjallë, u veçua një çështje veçanërisht aktuale: nevoja për të avokuar pranë donatorëve të huaj për kritere më të buta në kushte “krize”. Në mënyrë të veçantë u theksua se tërheqja e një pjese të donatorëve ndërkombëtarë dhe ndryshimet në strategjitë e tyre krijojnë nevojën për ngritjen urgjente të burimeve të reja dhe më të qëndrueshme të financimit. Prandaj, arsyeja pse kjo çështje po merr tani një urgjencë të re është e thjeshtë: një pjesë e madhe e organizatave përballen me mungesë fondesh, gjë që e bën real rrezikun për mbijetesën e tyre.

Në rrethana të tilla, shumë organizata vlerësojnë se reformat e paralajmëruara prej vitesh nuk mund të shtyhen më. Ndryshimi i Ligjit për donacione dhe sponsorizime është ndër prioritetet më të rëndësishme, sepse hap mundësi për përfshirje më të madhe të qytetarëve dhe kompanive në mbështetjen e interesit publik. Sot lehtësimet tatimore ekzistojnë, por shpesh arrijnë t’i shfrytëzojnë vetëm më këmbëngulësit, përmes procedurave të ndërlikuara administrative që krijojnë barrë për të gjitha palët në proces. “Takime të këtilla janë të rëndësishme, sepse na mundësojnë të diskutojmë së bashku për sfidat me të cilat përballet sektori civil, të ndajmë përvoja, të identifikojmë problemet e përbashkëta dhe të gjejmë zgjidhje të mundshme. Rrjeti krijon hapësirë për dialog, bashkëpunim dhe avokim të vazhdueshëm, ndërsa nisma të tilla kontribuojnë për një sektor civil më të fuqishëm dhe më të qëndrueshëm. Përmes rrjetëzimit krijohen kontakte të reja, shkëmbehen njohuri dhe forcohen lidhjet me organizata të tjera. Kur veprojmë së bashku, përvojat dhe qëndrimet tona kanë peshë më të madhe”, rrëfeu Marija Markovska nga “Sfera International”.
Por, kur i pyetëm se çfarë kishte qenë më e vlefshme për ta si organizatorë, përgjigjja nuk ishte numri. Ishte solidarizimi i sektorit dhe kuptimi se rrjetëzimi krijon ndikim jo vetëm në pjesën zyrtare të aktivitetit, por edhe gjatë pushimeve, madje edhe në diskutimet në autobus. Pikërisht aty, thonë ata, shkëmbehen informacione, dakordohen bashkëpunime, lindin ide për projekte të reja me ndikim dhe ndërtohet mbështetja kolegjiale.

Nga ana tjetër, anëtaret e Rrjetit nuk folën vetëm për donacionet. Ato folën edhe për sipërmarrjen sociale, financimin shtetëror të organizatave qytetare, vullnetarizmin, marrëdhëniet e punës në sektor dhe nevojën për zvogëlimin e barrierave administrative në veprimtarinë financiare. Për shumë prej këtyre çështjeve, organizatat presin prej vitesh zgjidhje ligjore që do të mundësojnë një veprimtari më të sigurt dhe më të qëndrueshme dhe ky është fokusi i projektit “Ndryshime për qëndrueshmëri” të Konekt dhe Shoqatës Rinore YMCA Manastir, i mbështetur nga Qeveria e Zvicrës përmes Civika mobilitas.

Projekti vepron në dy fronte kryesore: nga njëra anë, për ndryshimin e Ligjit për donacione dhe sponsorizime në veprimtaritë publike, me qëllim që qytetarëve dhe kompanive t’u lehtësohet shfrytëzimi i lehtësimeve tatimore kur dhurojnë për organizatat qytetare; dhe nga ana tjetër, për zvogëlimin e barrierave që rregullativa për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit (Rekomandimi 8 i FATF-së) ua imponon organizatave qytetare në qasjen në shërbimet bankare. “Organizatat qytetare punojnë nga ne dhe për ne. Ato janë nxitëse të ndryshimeve pozitive në komunitete, por, që ta përmbushin rolin e tyre në afat të gjatë, nevojiten zgjidhje sistemore. Duhet të krijojmë mekanizma përmes të cilëve shteti do ta mbështesë punën e organizatave qytetare, kompanitë do të kontribuojnë përmes donacioneve të tyre, ndërsa qytetarët do të kuptojnë se edhe me donacione të vogla individuale mund të krijojnë ndryshime të mëdha. Është e rëndësishme të krijojmë edhe një rregullativë ligjore të favorshme, e cila do t’i zvogëlojë barrierat ligjore dhe administrative me të cilat përballen organizatat qytetare gjatë punës së tyre”, thotë Nikica Kusinikova, drejtoreshë ekzekutive e Konekt dhe kryetare e Këshillit për bashkëpunim ndërmjet Qeverisë dhe shoqërisë civile.

Procesi i ndryshimit të Ligjit deri më tani ka dhënë rezultate dy herë: në vitin 2017 dhe në vitin 2018, në pjesën e tatimit mbi të ardhurat personale dhe tatimit mbi fitimin. Tani, thonë nga Konekt, presin që ministri i ri i Drejtësisë ta vazhdojë punën e grupit të punës për ligjin, i cili gjatë mandatit të kaluar tashmë kishte përcaktuar një propozim-tekst.
Përmes këtyre përpjekjeve shihet një nga vlerat më të mëdha të Rrjetit. Ai është një vend ku ekspertë nga organizata të ndryshme bashkojnë njohuritë dhe përvojat e tyre praktike për të përgatitur propozime konkrete dhe të zbatueshme për përmirësimin e ligjeve dhe politikave. Në vend të reagimeve individuale, Rrjeti krijon zgjidhje të përbashkëta që burojnë drejtpërdrejt nga praktika e organizatave që punojnë çdo ditë me qytetarët.

“Të gjithë do të përfitojnë nga ndryshimi i Ligjit për donacione dhe sponsorizime: kur lehtësimet tatimore të mund të shfrytëzohen më lehtë, më shumë qytetarë dhe kompani do të vendosin të ndihmojnë, organizatat do të kenë më shumë motivim për të mbledhur mjete për interesin publik, ndërsa institucionet do të çlirohen nga procedurat e panevojshme administrative. Me digjitalizimin, procesi do të bëhet më i shpejtë, më transparent dhe më i sigurt. Ky është një ndryshim që sektori civil dhe donatorët e presin prej më shumë se 15 vjetësh”, thotë Viktor Iliev, drejtor ekzekutiv i Shoqatës Rinore YMCA Manastir.
Zhvillimi i Rrjetit tregon se qëndrueshmëria financiare nuk mund të ndërtohet në izolim. Ajo kërkon partneritete, njohuri të përbashkëta dhe avokim të bashkuar. Me mbështetjen e Civika mobilitas, siç thonë zbatuesit e projektit dhe përmes partneritetit ndërmjet Konekt dhe Shoqatës Rinore YMCA Manastir, Rrjeti vazhdon të rritet dhe t’i bashkojë organizatat rreth një vizioni të përbashkët: më shumë mundësi financimi, më pak pengesa administrative dhe organizata qytetare më të fuqishme, të cilat do të mund të kontribuojnë në afat të gjatë për zhvillimin e komuniteteve në mbarë vendin.







![[Aggregator] Downloaded image for imported item #48964](https://civicamobilitas.mk/wp-content/uploads/2026/06/1196980-copy-1024x683-1-768x512.jpg)
