20260402 112446 1024x768

U mbajt konferenca për fillimin e procesit të bashkë-krijimit të Planit Kombëtar të Veprimit për Partneritetin për Qeverisje të Hapur 2026–2028

Sot, në organizim të Ministrisë së Administratës Publike, në bashkëpunim me Fondacionin Metamorfozis dhe Qendrën për Komunikime Qytetare, u mbajt Konferenca për fillimin e procesit të bashkë-krijimit të Planit Kombëtar të Veprimit për Partneritetin për Qeverisje të Hapur 2026 – 2028. Në konferencë morën pjesë Drejtoresha e Programeve në Fondacionin Metamorfozis, Dançe Danillovska-Bajdevska, Ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, Sekretarja e Përgjithshme e Parlamentit, Marina Dimovska, Koordinatorja Kombëtare për PQH, Gordana Gapiç-Dimitrovska, si dhe përfaqësues të disa institucioneve dhe organizatave të shoqërisë civile.
“Partneriteti për Qeverisje të Hapur nuk është thjesht një proces, ai është një model pune që tregon se kur institucionet dhe shoqëria civile punojnë së bashku, rezultatet janë më të mira, më konkrete dhe më të dobishme për qytetarët. Mund të them se ky proces gjatë viteve është dëshmuar si një nga mekanizmat e rrallë në të cilin ekziston një partneritet i vërtetë dhe i barabartë, ku shoqëria civile dhe institucionet ulen në të njëjtën tavolinë, me numër të barabartë përfaqësuesish, me votë të barabartë dhe me përgjegjësi të përbashkët për arritjen e rezultateve” – tha Danillovska-Bajdevska.

Ajo theksoi se qasja e partneritetit sjell rezultate reale, duke përfshirë rritjen e transparencës proaktive të institucioneve, gjë që kontribuoi në rritjen e publikimit të të dhënave dhe informacioneve me interes publik, vendosjen e standardeve për të dhënat e hapura, përmirësimin e qasjes në informatat me karakter publik dhe zhvillimin e shërbimeve digjitale.
Sipas Ministrit të Administratës Publike, Goran Minçev, Partneriteti për Qeverisje të Hapur është një instrument i rëndësishëm për avancimin e transparencës, llogaridhënies dhe pjesëmarrjes së publikut në hartimin e politikave, dhe ajo që e bën atë veçanërisht të rëndësishëm është fakti se ai nuk është iniciativë e një institucioni të vetëm, por një përpjekje e përbashkët që e bashkon pushtetin ekzekutiv, parlamentin, gjyqësorin dhe shoqërinë civile.
Për Minçevin, suksesi i procesit varet nga institucionet dhe përkushtimi i tyre për t’i zbatuar angazhimet e ndërmarra, por presioni pozitiv nga organizatat e shoqërisë civile paraqet një vlerë të shtuar, e cila kontribuon për një ambicie, transparencë dhe llogaridhënie më të madhe në zbatimin e reformave.

Gordana Gapiç-Dimitrovska, Koordinatorja Kombëtare për PQH, theksoi se bashkëkrijimi i Planit të ri Kombëtar të Veprimit ofron një mundësi për të krijuar angazhime dhe prioritete të reja.

“Partneriteti për Qeverisje të Hapur është më shumë sesa një iniciativë, është një platformë ku institucionet dhe shoqëria civile i përcaktojnë së bashku reformat, ndërsa vlera e shtuar është se ato punojnë së bashku për zbatimin e tyre. Kemi punuar për të çuar përpara reformat tashmë të vendosura, kemi institucione që kanë punuar që nga fillimi për të ndryshuar kulturën e punës dhe për të vënë në dispozicion sa më shumë informacion për publikun. Kemi punuar në lidhje me të dhënat e hapura, duke rritur procesin e konsultimeve, qasjen në drejtësi, transparencën në nivel lokal dhe kemi shembuj se ky proces po bën ndryshime në shoqërinë tonë” – tha Gapiç-Dimitrovska.

German Fillkov nga Qendra për Komunikime Qytetare i vuri në dukje institucionet që gjithmonë kanë vepruar si partnerë në këtë proces dhe i theksoi rezultatet konkrete të këtij bashkëpunimi.

“Rëndësia e Partneritetit për Qeverisje të Hapur shihet përmes faqes së internetit të qeverisë data.gov.mk, e cila është një angazhim nga një plan veprimi. Sapo u lëshua në përdorim faqja e internetit ener.gov.mk, pati një angazhim për ta optimizuar atë dhe për ta bërë një mjet konsultimi për miratimin e dispozitave ligjore, dhe ajo tani ekziston. Këshilli për Bashkëpunim midis Qeverisë dhe Sektorit të Shoqërisë Civile është gjithashtu një nga angazhimet. Strategjia e Qeverisë zhvillohet me pjesëmarrjen e sektorit të shoqërisë civile, ndërsa të dhënat për të gjitha organizatat e shoqërisë civile janë të disponueshme publikisht në Regjistrin Qendror. Iniciativat nga Planet e Veprimit përfshijnë Ligjin për Sinjalizuesit, sistemin e integritetit institucional, Regjistrin e funksionarëve të zgjedhur dhe të emëruar, dorëzimin elektronik të deklaratave për gjendjen pronësore dhe të tjera” – theksoi Fillkov.

Ai gjithashtu potencoi se falë këtij procesi, sot ka informacion publik për të gjitha kompanitë në Regjistrin Qendror, të gjitha programet shëndetësore dhe zbatimi i tyre janë shpallur publikisht, ndërsa një nga ndryshimet më të rëndësishme që rezultuan nga partneriteti, ai e theksoi Thesarin e Hapur dhe publikimin e emrave të pronarëve të vërtetë që lidhin kontrata përmes Byrosë për Furnizime Publike.

This post was originally published on this site

Продолжи со читање