0 5 800x450 1 768x432

Punëtori mbi platformat digjitale: Në RMV nevojitet Ligj i ri për mediat dhe rregullimi i platformave sociale

Ligj i ri gjithëpërfshirës për Mediat, rregullimi i platformave të mediave sociale, mbrojtja e mediave të vogla lokale dhe institucionet kompetente duhet të sigurojnë që të gjitha fazat e përgatitjes së legjislacionit të ri për median online të jenë transparente, gjithëpërfshirëse dhe të zbatohen përmes bashkëpunimit me të gjithë palët e interesuara përkatëse. Këto janë vetëm disa nga rekomandimet e theksuara në punëtorinë e sotme mbi “Platformat digjitale dhe menaxhimi i medias online” të mbajtur sot, më 29 prill, në Hotelin “Solun”, transmeton Portalb.mk.

Eventi u hap nga Zoran Trajçvski, drejtor i Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale (ASHMAA), ndërsa fjalime u mbajtën edhe nga Joshua Masarenti, koordinator rajonal i Projektit në zyrën e UNESCO-s në Sarajevë, Ana Toskiq Cvetinoviq, drejtore Ekzekutive e “Partners Serbia”, si dhe drejtoresha e programit në “Metamorfozis” Dançe Danilovska Bajdevska.

Aneksi i studimit dhe rekomandimet për rregullimin e platformave të mediave sociale dhe mediave online në Maqedoninë e Veriut u prezantuan nga Mihajlo Lakhtov, studiues kombëtar në Institutin Maqedonas për Media (IMM).

“Maqedonia po bën përpjekje për t’u përshtatur me mjedisin digjital, një shembull i të cilit është ligji për regjistrimin e mediave online. Kjo është një mundësi për të treguar se ekosistemi digjital menaxhohet në një mënyrë që mbron gazetarinë dhe besimin në institucione. Liria e medias është diçka që është baza për zhvillim dhe paqe. Raporti i UNESCO-s tregon se liria është ulur me 10 përqind që nga viti 2012, dhe censura është rritur me 60 përqind. Këto probleme në Maqedoni janë specifike”, theksoi Masarenti në fjalimin e tij.

Toskiq Cvetinoviq, nga ana tjetër, tha se nëse flasim për rregullimin, shërbimet digjitale kanë ndryshuar.

“Ato ofrojnë një kornizë institucionale kur bëhet fjalë për të drejtat digjitale. Ajo që ofron DSA (Ligji për shërbime digjitale) është besim specifik në rregullim, u ofron palëve të angazhohen në këto procese”, tha ajo.

Rekomandimet, të cilat janë zhvilluar në përputhje me udhëzimet e UNESCO-s për qeverisjen e platformës digjitale, Ligji për shërbime digjitale të BE-së dhe dokumente të tjera ndërkombëtare, synojnë palë të ndryshme të interesuara, duke përfshirë institucionet kompetente, mediat online dhe platformat e mediave sociale.

“Institucionet kompetente duhet të sigurojnë që të gjitha fazat e përgatitjes së legjislacionit të ri për mediat online të jenë transparente, gjithëpërfshirëse dhe të zbatohen përmes bashkëpunimit me të gjithë palët e interesuara përkatëse. Kjo përfshin pjesëmarrjen e organizatave profesionale, përfaqësuesve të medias, shoqërisë civile dhe akademisë. Institucionet kompetente duhet të miratojnë ligj të ri gjithëpërfshirës për median, në përputhje me standardet evropiane, dhe gjithashtu duhet të iniciojnë diskutime me shumë palë të interesuara mbi rregullimin e platformave të mediave sociale, të cilat duhet të jenë në përputhje me Ligjin për shërbime digjitale (DSA) dhe Aktin Evropian të Lirisë së Medias (EMFA), si dhe standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, siç përcaktohen në Udhëzimet e UNESCO-s për menaxhimin e platformave digjitale”, thuhet në rekomandimet drejtuar institucioneve.

Lidhur me rekomandimet për median, thuhet se, për të siguruar integritetin dhe ekspertizën e platformës, është thelbësore që mediat të zhvillojnë dhe zbatojnë sisteme efektive për shqyrtimin dhe redaktimin e përmbajtjes së gjeneruar nga përdoruesit në faqet e tyre të internetit dhe platformat e mediave sociale, veçanërisht në seksionet e komenteve. Kjo përfshin monitorimin aktiv, filtrimin dhe heqjen e komenteve që përmbajnë gjuhë urrejtjeje, gjuhë diskriminuese ose retorikë të dëmshme.

“Media duhet të bashkëpunojë me verifikuesit e fakteve, organizatat e shoqërisë civile dhe media të tjera për të ndarë praktikat e mira dhe për të zhvilluar nisma të përbashkëta që synojnë zbulimin e dezinformimit dhe rritjen e besueshmërisë së përmbajtjes. Gjithashtu, nevojitet plan gjithëpërfshirës për mediat sociale,përkatësoisht, mediat duhet të krijojnë një plan të qartë dhe të dokumentuar për mediat e tyre sociale që integron standardet editoriale me praktikat specifike për secilën prej platformave”, thuhet në rekomandime.

Kujtojmë se ndryshimet në Ligjin për Media të Maqedonisë së Veriut që u miratuan vitin e kaluar në Kuvend synojnë, siç është shkruar nga Qeveria dhe ministria kompetente, të përmbushin Udhërrëfyesin për Reformat në seksionin e Kapitullit 23 dhe të harmonizohen me legjislacionin evropian, duke përfshirë deri tani mediat online në sferën e rregulluar. Edhe pse ndryshimet e fundit respektojnë disa nga kërkesat nga dëgjesat publike, këto ndryshime janë ende vetëm harmonizim i pjesshëm me legjislacionin evropian, që nënkupton një zgjidhje të pjesshme.

This post was originally published on this site

Продолжи со читање