Më së shumti ankesa për shkelje të Kodit mbeten ende për mediat online
Këshilli për Etikë në Media i Maqedonisë (KEMM) në konferencën e sotme për shtyp prezantoi detaje për numrin e ankesave të pranuara dhe të shqyrtuara në vitin 2024 dhe shkeljet e vërtetuara të Kodit të Gazetarëve gjatë raportimit.
Pranë Komisionit për Ankesa në KEMM vitin e kaluar janë dorëzuar gjithsej 84 ankesa, nga qytetarët, institucionet dhe organizatat joqeveritare, prej të cilave në 33 raste është vërtetuar shkelje e një ose më shumë neneve të Kodit të Gazetarëve, ndërsa në 21 nuk është vërtetuar shkelje. Më së shumti ankesa, si edhe në disa vitet e kaluara, janë dorëzuar kundër përmbajtjeve në mediat online, gjithsej 66, ndërsa të tjerat janë për përmbajtje në televizione dhe gazeta.

Pjesa më e madhe e ankesave janë dorëzuar nga organizatat e sektorit civil (27), pastaj nga qytetarët (26), nga institucionet publike (9) dhe nga bartësit e funksioneve publike (8). Politikanët dhe partitë politike, vitin e kaluar kanë dorëzuar gjithsej 8 ankesa kundër përmbajtjeve mediatike.
Neni më i shpeshtë i shkelur i Kodit të Gazetarëve është neni nr. 1, i cili thotë se „gazetari duhet të publikojë informacione të sakta, të verifikuara aq sa është e mundur“. Nga numri i përgjithshëm i vendimeve dhe opinioneve të sjella nga Komisioni për Ankesa, neni nr. 1 është shkelur në 22 raste, gjegjësisht në 34,4%.
I dyti sipas numrit të shkeljeve në vitin 2024, sikurse edhe në vitin paraprak, është neni nr. 10 i Kodit, i cili thotë: „gazetari nuk do të krijojë as nuk do të përpunojë me vetëdije informacione që rrezikojnë të drejtat e njeriut, nuk do të flasë me gjuhën e urrejtjes dhe nuk do të nxisë dhunën…“. Komisioni për Ankesa vërtetoi se neni 10 është shkelur in 12 ankesa, gjë që paraqet 18,75% të numrit të përgjithshëm të shkeljeve.

Më tej, sipas numrit të shkeljeve pasojnë nenet nr. 13 (gazetari nuk bën dallim mes lajmit dhe komentit), neni nr. 8 (informimi in raste të fatkeqësive duhet të jetë i çliruar nga sensacionalizmat), neni 7 (gazetari do të respektojë privatësinë e personit…) etj.
Nga numri i përgjithshëm i ankesave të shqyrtuara (59), me pajtim mes ankuesit dhe medias (mediacion) janë zgjidhur 5 raste.
Në krahasim me vitin 2023, numri i ankesave të pranuara në vitin 2024 është ulur për pothuajse një të tretën, gjë që mund të interpretohet në mënyra të ndryshme: më pak shkelje në media ose interesim më i vogël i qytetarëve për korrigjimin e përmbajtjeve mediatike përmes mekanizmit të vetërregullimit mediatik, veçanërisht në periudhën e zgjedhjeve të përgjithshme dhe presidenciale që u zhvilluan në vend në vitin 2024.
KEMM u bën thirrje mediave t’i respektojnë „rregullat e lojës“, përkatësisht standardet për raportim etik dhe profesional, si mënyra më e mirë për mbrojtjen e lirisë së fjalës dhe pavarësisë mediatike. Njëkohësisht, KEMM u bën thirrje institucioneve të jenë sa më transparente për të mundësuar informimin e kohëpaskohshëm dhe të saktë të publikut. Të kërkohet profesionalizëm nga mediat dhe gazetarët, e ndërkohë të mos u mundësohet informim i saktë dhe i shpejtë me interes publik, i vë mediat në pozitë të pabarabartë dhe pengon informimin e kohëpaskohshëm dhe transparent të qytetarëve.
Puna e Komisionit për Ankesa pranë KEMM-it mbështetet nga projekti i UNESCO-s „Ndërtimi i besimit në media në Evropën Juglindore: Mbështetja e gazetarisë si e mirë e përbashkët“, financuar nga BE. Qëllimi kryesor i projektit është të avancojë dhe kultivojë lirinë e shprehjes në Evropën Juglindore përmes promovimit të mediave të lira dhe të pavarura, njohjes së gazetarisë si e mirë e përbashkët dhe luftës kundër dezinformimit.
![]()


This post was originally published on this site


![[Aggregator] Downloaded image for imported item #48191](https://civicamobilitas.mk/wp-content/uploads/2026/02/press1.jpg)





