Deklaratë rajonale për përdorimin e IA-së në media
Përfaqësuesit e këshillave për etikë në mediat në Evropën Juglindore dhe Turqi, të cilët në Ohër morën pjesë në takimin e katërt rajonal me radhë nën patronazhin e UNESCO-s, miratuan një Deklaratë të përbashkët Rajonale për përdorimin etik dhe transparent të inteligjencës artificiale në redaksi.
Dokumenti thekson rëndësinë e gazetarisë për krijimin dhe shpërndarjen e informacionit me interes publik, veçanërisht në kohë krizash dhe procesesh zgjedhore, duke nënvizuar se është jashtëzakonisht e rëndësishme që ky rol të mbetet i lirë nga ndikimet dhe kontrolli.
Në Deklaratë theksohet roli kyç i vetërregullimit mediatik për mbrojtjen e interesit publik dhe promovimin e gazetarisë së përgjegjshme në epokën digjitale, përmes respektimit të standardeve etike gazetareske, uljes së ndërhyrjeve shtetërore në lidhje me lirinë e medias dhe minimizimit të procedurave gjyqësore kundër mediave.
Dokumenti kujton kërcënimet e vazhdueshme për sigurinë e gazetarëve në rajon dhe shpreh shqetësim “për shkak të përsëritjes së presioneve politike ndaj pavarësisë së mediave, siç janë keqpërdorimi i burimeve shtetërore, përfshirë reklamimin, përpjekjet e politikanëve për të marrë kontrollin mbi mediat, heqja e akreditimeve gazetareske, sulmet e ashpra me qëllim stigmatizimin dhe diskreditimin e mediave, si dhe përdorimi i synuar i procedurave gjyqësore kundër tyre”, siç thuhet në deklaratën përfundimtare.
Sa i përket përdorimit të inteligjencës artificiale, Deklarata Rajonale thekson se IA-ja duhet të shërbejë si mjet për mbështetjen e gazetarëve dhe redaksive, por kurrë si zëvendësim për gjykimin njerëzor, gjykimin profesional dhe përgjegjësinë redaktuese.
“Përgjegjësia përfundimtare për përmbajtjen mediatike duhet të mbetet te gazetarët dhe redaktorët. Para përdorimit të sistemeve të IA-së, veçanërisht në kontekste të ndjeshme si zgjedhjet, konfliktet ose krizat shëndetësore, organizatat mediatike duhet të kryejnë vlerësime të rrezikut, të përshtatura me kontekstin dhe me ndikimin e mundshëm mbi besimin publik, komunitetet e cenueshme dhe integritetin e informacionit.

Algoritmet nuk duhet të kenë rol vendimmarrës pa një kontroll të rëndësishëm njerëzor.”, thuhet në deklaratë.
Në përfundimin e deklaratës, përfaqësuesit e Këshillave për etikë në mediat në rajon angazhohen për:
- -Avancimin e kodeve etike gazetareske në dritën e sfidave të reja etike;
- -Nxitjen e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të praktikave të mira midis organeve të vetërregullimit dhe shoqatave mediatike në rajon.
- -Sigurimin e trajnimit të vazhdueshëm për zbatimin e përgjegjshëm të IA-së në media.
- – Promovimin e vetëdijes publike dhe rritjen e shkrim-leximit kritik për IA-në te gazetarët, profesionistët e medias dhe qytetarët.
“Jemi të bindur se vetëm përmes etikës, transparencës dhe vizionit të përbashkët mund të ndërtojmë një sistem mediatik që është rezistent, gjithëpërfshirës dhe i denjë për besimin publik në epokën digjitale” thuhet në dokumentin e përbashkët të Këshillave për etikë të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë.
Takimi rajonal i 19 dhe 20 majit që u mbajt në Ohër është pjesë e aktiviteteve të projektit „Ndërtimi i besimit në mediat e Evropës Juglindore: Mbështetje për gazetarinë si e mirë e përbashkët“, i mbështetur nga UNESCO, dhe i financuar nga Bashkimi Evropian.
![]()
This post was originally published on this site


![[Aggregator] Downloaded image for imported item #48193](https://civicamobilitas.mk/wp-content/uploads/2025/05/ohrid-deklaracziјa.jpg)





