656324893 122124884853139643 5688434979570850601 n

Teknologjia duhet të jetë e drejtë, jo privilegj

Para disa vitesh, një nxënës i Qendrës për Teknologji Asistive “Hapni dritaret” mësonte dhe shoqërohej po aq lehtë sa bashkëmoshatarët e tij në shkollë. Më pas, për shkak të një gjendjeje me origjinë gjenetike, filloi dalëngadalë të humbiste shikimin. Talenti i mbeti i njëjtë, po ashtu edhe dëshira për të mësuar, por qasja në dije u bë shumë më e vështirë. Mësimdhënësit në shkollën ku mëson nuk kanë njohuri të mjaftueshme për teknologjinë asistive, ndërsa vetë shkolla nuk ka as kompjuter të përshtatur për nevojat e tij.

Që të vazhdojë të mësojë në kushte të barabarta me të tjerët, i duhen vetëm disa gjëra: një kompjuter personal, tastierë me taste të zmadhuara dhe teste të përshtatura në mënyrë elektronike. Në dukje, hapa të thjeshtë. Por, në rastin e tij, si edhe në rastin e shumë fëmijëve të tjerë me aftësi të kufizuara, ato nuk sigurohen nga shkolla apo sistemi. Sigurohen vetëm nëse familja arrin t’i sigurojë vetë ose me ndihmën e donatorëve, pa asnjë garanci se mbështetja do të vazhdojë edhe nesër.

Qendrën, e cila funksionon prej 21 vitesh, e frekuentojnë fëmijë dhe të rinj me aftësi të kufizuara, kryesisht të moshës shkollore. Historia e këtij nxënësi, i cili për momentin dëshiron të mbetet anonim, ndahet si shembull që konfirmon sfidat sistemore të zbuluara nga hulumtimi që po kryejnë dy organizatat.

Për çështje si ajo e tij, përgjigje kërkojnë Shoqata për Teknologji Asistive “Hapni dritaret” dhe ZETA – Shoqata për Aftësi të Kufizuara dhe Drejtësi nga Shkupi, përmes projektit “Avokim për përfshirje digjitale”, të mbështetur nga Qeveria e Zvicrës përmes Civika mobilitas. A është rasti i këtij nxënësi përjashtim apo përditshmëri për shumë fëmijë në shkollat e Maqedonisë? Projekti zhvillohet në tri nivele: hulumtim që pasqyron gjendjen në terren, punëtori që fuqizojnë organizatat e personave me aftësi të kufizuara për të mbrojtur të drejtat e personave të prekur dhe bashkëpunim i drejtpërdrejtë me institucionet, që çështja të mos mbetet vetëm në letër.

Hapi i parë ishte hulumtimi, i kryer me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe Byrosë për Zhvillimin e Arsimit. Në të u përfshinë 304 shkolla fillore dhe të mesme, pothuajse dy të tretat e shkollave në vend, ndërsa rezultatet treguan se problemi i këtij nxënësi nuk është përjashtim, por një dukuri e përhapur. Mjetet digjitale përdoren në klasa, por kur bëhet fjalë për teknologjinë asistive, për ato mjete ndihmëse më të vogla e konkrete që bëjnë dallimin mes pjesëmarrjes dhe përjashtimit, gjendja në masë të madhe ngjan me atë të djalit në këtë artikull.

Çfarë tregojnë rezultatet e hulumtimit? Së pari, i ndihmojnë institucionet të kuptojnë se nuk ka të dhëna të sakta për nxënësit që kanë nevojë për mbështetje. Së dyti, tregojnë se mungojnë mësimdhënës të trajnuar për të punuar me teknologjinë asistive dhe së treti, se nuk ka financim të qëndrueshëm: mbështetja aktuale mbështetet kryesisht te projektet dhe donacionet. “Pikërisht këto gjetje tani bëhen argument, bazë mbi të cilën mund të kërkohet një zgjidhje e përhershme, në vend që çdo vit të kërkohet sërish e njëjta mbështetje e përkohshme”, shpjegojnë nga “Hapni dritaret”. Sipas tyre, shkollat i njohin parimet e barazisë dhe të mbështetjes së individualizuar, ndërsa teknologjitë digjitale janë të pranishme në mësim; megjithatë, ekziston një hendek i madh mes “shkollës së pajisur” dhe “shkollës së qasshme”.

Për të verifikuar këto gjetje, në tetor do të mbahen takime në tetë qytete të vendit: Shkup, Prilep, Makedonski Brod, Kumanovë, Strumicë, Tetovë, Shtip dhe Kavadar. Në këto takime, drejtorët e shkollave fillore dhe të mesme, prindërit, mësimdhënësit dhe vetë nxënësit do të mund të konfirmojnë ose të plotësojnë drejtpërdrejt atë që ka treguar hulumtimi, në mënyrë që gjetjet të marrin edhe një dimension cilësor, krahas atij sasior, përpara se t’u paraqiten institucioneve.

Paralelisht, është punuar që vetë organizatat e personave me aftësi të kufizuara të forcohen në avokimin për të drejtat e personave të prekur. Pesë punëtori, tri në Shkup dhe nga një në Strumicë e Ohër, mblodhën 110 pjesëmarrës, më shumë se gjysma e të cilëve ishin vetë persona me aftësi të kufizuara. Temat u përzgjodhën në konsultim me pjesëmarrësit dhe përfshinë identitetin kulturor të personave me aftësi të kufizuara përmes një punëtorie artistike, dhunën ndaj tyre, qasjen në drejtësi dhe ndihmën juridike falas.

Edhe pse të ndryshme, temat treguan se përfshirja digjitale ka rol kyç në jetën e përditshme të personave me aftësi të kufizuara, pavarësisht fushës. Sot, teknologjia digjitale është mjeti kryesor për marrjen e shpejtë të informacionit dhe për qasje të barabartë në shërbimet shoqërore, sociale dhe administrative. Prandaj, shpjegojnë nga “Hapni dritaret”, përfshirja digjitale është parakusht i domosdoshëm për pjesëmarrje të plotë dhe për të drejtën për jetë të pavarur.

Punëtoritë në Ohër dhe Strumicë e nxorën qartë në pah dallimin mes kryeqytetit dhe mjediseve të tjera të vendit. Një nga pjesëmarrësit e përshkroi kështu: “Nëse unë jam anëtar i Këshillit të komunës dhe jam aktiv në lëvizjen për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, por nuk kam informacion për këtë temë, atëherë çfarë mund të presim nga personat e tjerë me aftësi të kufizuara?”

Ngjashëm u shpreh edhe një pjesëmarrës tjetër në një punëtori jashtë Shkupit: “Maqedonia nuk është vetëm Shkupi. Personat me aftësi të kufizuara në Shkup kanë njëfarë qasjeje në informacione dhe shërbime. Nuk them se gjithçka është e përsosur, por është më mirë se në vendet më të vogla. Ne në qytetet e tjera jemi krejtësisht të izoluar. Të mos flasim për fshatrat në Maqedoni. Çfarë përfshirjeje digjitale? Gjysma prej nesh këtu as nuk e dimë çfarë është ajo.”

Pjesëmarrësit kërkuan që përvojat e tyre të mos bëheshin publike, ndaj deklaratat përcillen në mënyrë anonime. “Punëtori e mirë. Është mirë që hapen këto çështje, por institucionet duhet t’i marrin parasysh kur hartojnë politikat. Nëse nuk vjen ndonjë organizatë joqeveritare të mbajë një aktivitet të tillë, ne mbetemi të harruar”, tha një nga pjesëmarrësit. Kjo fjali, më shumë se çdo statistikë, tregon pse fuqizimi i këtyre organizatave që të flasin vetë në emër të tyre është pjesë thelbësore e projektit dhe jo thjesht një veprimtari shoqëruese.

Rezultatet e kësaj pune tashmë shihen edhe jashtë sallave të punëtorive. Kuvendi, përmes Grupit Ndërpartiak Parlamentar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, mori katër rekomandime për ndryshimin e legjislacionit, të paraqitura bashkë me organizatat e personave me aftësi të kufizuara. Në sistematizimin e vendeve të punës në Kuvend, për herë të parë u përfshi edhe pozita e këshilltarit për interpretimin e gjuhës së shenjave. Ky hap ua lehtëson personave të shurdhër dhe atyre me dëgjim të dëmtuar qasjen në institucion dhe përbën një ndryshim që mbetet edhe pas përfundimit të projektit.

Interesimi i të rinjve është ndoshta pjesa më shpresëdhënëse. Përfshirja e tyre në organizatat e personave me aftësi të kufizuara është në një nivel shqetësues të ulët, gjë që vë në pikëpyetje vazhdimësinë e vetë lëvizjes, ndërsa shumica e tyre nuk janë as të informuar për të drejtat e veta. Prandaj, thonë përfaqësuesit e projektit, treguesi më i rëndësishëm i suksesit të debatit për të rinjtë me aftësi të kufizuara në epokën digjitale është gatishmëria e tyre më e madhe për t’i shprehur hapur qëndrimet para deputetëve, përfaqësuesve të pushtetit ekzekutiv, vetëqeverisjes lokale dhe organizatave qytetare. Nga 54 pjesëmarrës në debat, 23 ishin persona me aftësi të kufizuara, prej të cilëve 14 të rinj. Përfshirja e brezit të ri, sipas zbatuesve, është gjithmonë fillimi i një vale të re që sjell ide dhe energji të re në avokimin për mundësi të barabarta.

Ajo që i lidh të gjitha këto rezultate, hulumtimin, punëtoritë dhe avokimin pranë institucioneve, është i njëjti mesazh që përcjell edhe historia e nxënësit me të cilin filloi ky artikull. Teknologjia digjitale dhe ajo asistive nuk duhet të varen nga mundësia e një familjeje për t’i siguruar vetë, apo nga ekzistenca e një projekti në një moment të caktuar. Ato duhet të bëhen pjesë e rregullt e sistemit arsimor dhe shoqëror, të qasshme për çdo fëmijë, në çdo shkollë dhe në çdo qytet.

Продолжи со читање