SHGM dhe SPGPM: Refuzimi i ankesës së IRL nga Gjykata e Apelit në Shkup na motivon edhe më shumë të qëndrojmë pas gazetarisë hulumtuese
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dhe Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve të Medias (SPGPM) shprehin shqetësim serioz për presionin gjyqësor ndaj gazetarisë së pavarur hulumtuese, pas vendimit të sotëm të Gjykatës së Apelit në Shkup, me të cilin është refuzuar ankesa e IRL-së.
Në këtë moment, sipas informacioneve të disponueshme publikisht, vendimi për ankesën e IRL-së është publikuar, por arsyetimi ende nuk është bërë publik dhe pritet të pasojë në aktgjykimin me shkrim.
Kujtojmë se bëhet fjalë për një rast për shpifje dhe fyerje, në të cilin paditës është ish-zëvendëskryeministri dhe biznesmeni Koço Angjushev, ndërsa të paditur janë Laboratori i Reporterëve Hulumtues (IRL) dhe kryeredaktorja Sashka Cvetkovska, në lidhje me dokumentarin hulumtues “Komploti kundër ajrit”, i transmetuar në vitin 2021.
Aktgjykimi i shkallës së parë në këtë rast u mor në vitin 2023 dhe edhe atëherë u reagua publikisht, pasi vendimi nuk hynte në thelbin e padisë për shpifje të pretenduar ndaj ish-zëvendëskryeministrit Angjushev në emisionin e transmetuar në vitin 2021 në Radiotelevizionin e Maqedonisë, por diskreditonte gazetarët dhe median jofitimprurëse IRL me qëllim arsyetimin e vendimit të shkallës së parë.
Në arsyetimin e atij aktgjykimi, i cili tani është konfirmuar edhe nga Apeli, po vendoset një precedent i rrezikshëm që nuk është parë deri më tani, sipas të cilit gjykata dhe institucionet shtetërore mund të përcaktojnë se çfarë është media, kush është gazetar dhe kush lejohet të merret me veprimtari gazetareske. SPGPM dhe SHGM vlerësojnë se pikërisht këto interpretime arbitrare dhe të përgjithësuara të Ligjit për media, si dhe të Ligjit për shoqata dhe fondacione, paraqesin mbi të gjitha mashtrim të opinionit publik nga ana e gjykatës, me qëllim arsyetimin e kësaj vendimmarrjeje skandaloze dhe deri më tani të paprecedentë në sistemin gjyqësor të Maqedonisë.
SHGM dhe SPGPM mbeten në qëndrimin se do të vazhdojnë të qëndrojnë pas gazetarisë hulumtuese dhe do ta ndjekin procedurën e mëtejshme pas pranimit të vendimit me shkrim, përfshirë edhe shfrytëzimin e të gjitha mekanizmave juridikë të disponueshëm para instancave më të larta vendore dhe ndërkombëtare.
Theksojmë se SHGM, për një periudhë më të gjatë se pesë vjet, ka siguruar mbështetje juridike falas, ndërsa të dyja organizatat e kanë ndjekur publikisht këtë rast dhe kanë theksuar rëndësinë e tij për lirinë e shprehjes, interesin publik dhe mbrojtjen e gazetarisë hulumtuese, përfshirë edhe në kontekstin e rreziqeve nga paditë strategjike kundër pjesëmarrjes publike (SLAPP).
Për më tepër, ky rast është regjistruar dhe kualifikuar si rast SLAPP në Platformën Ndërkombëtare për Hartëzimin e Lirive të Mediave (Mapping Media Freedom – MMF), ndërsa reagime dhe dënime ndaj kësaj praktike të rrezikshme për lirinë e mediave në Maqedoni kanë pasur edhe Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve dhe Federata Evropiane e Gazetarëve, organizata ku anëtare janë SHGM dhe SPGPM.
Ky lajm u publikua fillimisht në faqen e Shoqata e gazetarëve të Maqedonisë (SHGM)


![[Aggregator] Downloaded image for imported item #45552](https://civicamobilitas.mk/wp-content/uploads/2026/02/naslovna-8.jpg)
![[Aggregator] Downloaded image for imported item #45511](https://civicamobilitas.mk/wp-content/uploads/2026/03/169-31-1536x864-1-768x432.jpg)
![[Aggregator] Downloaded image for imported item #45519](https://civicamobilitas.mk/wp-content/uploads/2026/03/cover-photo-02.03.2026-768x399.jpg)
![[Aggregator] Downloaded image for imported item #45542](https://civicamobilitas.mk/wp-content/uploads/2026/02/4-1-768x432.jpg)
![[Aggregator] Downloaded image for imported item #45435](https://civicamobilitas.mk/wp-content/uploads/2026/02/untitled-design-2-768x432.png)
![[Aggregator] Downloaded image for imported item #45440](https://civicamobilitas.mk/wp-content/uploads/2026/02/untitled-design-1-768x576.png)
![[Aggregator] Downloaded image for imported item #45445](https://civicamobilitas.mk/wp-content/uploads/2026/02/untitled-design-768x576.png)