„E-Shoqëri: Institucionet duhet të heqin dorë nga “xhelozia” ndaj të dhënave“ – Portalb
Në një kohë kur të dhënat janë shndërruar në pasurinë më të rëndësishme të shoqërisë digjitale, mbetet ende e hapur dilema se kush i kontrollon ato, kush përfiton prej tyre dhe si përdoren. Inteligjenca artificiale po e përshpejton kapacitetin për të përpunuar sasi të mëdha informacioni dhe për të gjeneruar vlerë, por bashkë me përfitimet rriten edhe rreziqet. Këto dilema dhe perspektiva ishin në qendër të panelit që shqyrtoi rolin e Intelegjencës Artificiale dhe të dhënave të hapura në avancimin e demokratizimit të informacionit, në kuadër të edicionit të 21-të i Konferencës Ndërkombëtare e-shoqëri.mk, shkruan Portalb.mk.
Lupka Ivanovska, shefe e Njësisë për Çështje Juridike dhe Normative në Ministrinë e Transformimit Digjital, theksoi se institucionet po përgatiten për hapa konkretë në muajt e ardhshëm, duke u mbështetur në ekspertizën vendore dhe duke përfshirë të gjithë palët e interesit, përfshirë shoqërinë civile.
“Një nga parimet tona është që proceset t’i përfundojmë deri në fund. Hapja ndaj qytetarëve do të thotë përmirësim i besimit në institucione”, tha ajo.
Ivanovska u shpreh se zhvillimet e shpejta të AI, të paimagjinueshme vetëm pak vite më parë, kërkojnë kujdes të shtuar në hartimin e zgjidhjeve ligjore: “Do të jemi të kujdesshëm se si do të përdoret në shtetin tonë.”
Nga ana tjetër, Viktor Mitevski, Drejtor Ekzekutiv i Shoqatës për Hulumtime dhe Analiza – ZMAI, nënvizoi se të dhënat e hapura nuk mund të funksionojnë pa kërkesë dhe presion nga përdoruesit.
“Duhet të ecim përpara dhe t’u japim hapësirë përdoruesve të krijojnë presion, sidomos për të dhënat që dalin nga puna e tyre,” tha ai.
Sipas Mitevskit, AI mund të jetë një mjet kyç për hapjen më të madhe të institucioneve dhe përpunimin më të shpejtë të të dhënave. Por ndryshimi më i rëndësishëm duhet të ndodhë brenda administratës:
“Institucionet duhet ta ndryshojnë mënyrën se si i shohin të dhënat. Ato nuk janë pronë e punonjësve që punojnë aty. Duhet të largohemi nga modeli ku me xhelozi i ruajmë të dhënat. Nuk është puna e institucioneve kush dhe si i përdorë, përgjegjësia e tyre është t’i ndajnë të dhënat,” tha mes tjerash Mitevski.
Perspektivë teknike mbi ritmin marramendës të zhvillimit të AI dha Hristijan Gjorevski, profesor në FETI, i cili pranoi se edhe vetë komuniteti shkencor është befasuar nga progresi i tre viteve të fundit.
“Përpiqemi të jemi një hap me të. Ky mjet mund të shkaktojë edhe probleme dhe huti,” tha ai, duke theksuar nevojën për qasje të disiplinuar dhe të menduar mirë.
Edhe ai nënvizoi se institucionet nuk duhet të fokusohen te përdoruesi final i të dhënave, por te vet procesi i ofrimit të tyre.
Ndërsa Irena Bojaxhievska, eksperte për politikat e të dhënave të hapura, hodhi dritë mbi sfidat që mbeten të pandryshuara pavarësisht përparimit teknologjik.
Ajo vuri në dukje se të dhënat e hapura do të mbeten po aq të rëndësishme edhe në vitet që vijnë, por pyetjet që shtrohen sot në kontekstin e AI janë akoma më komplekse.
“Për AI gjithçka është e dhënë çdo gjë që vendosim në internet. Por saktësia varet nga ajo që ne vetë kemi publikuar,” tha ajo.
Bojaxhievska paralajmëroi se AI nuk pret që institucionet të hapin të dhënat, sepse ajo mund të gjenerojë përmbledhje edhe pa referenca të sakta: “Kur e pyes AI nga vijnë të dhënat, më përgjigjet ‘ashtu është’, pa ma dhënë burimin.” Ajo tha se ligji i ri për të dhënat e hapura është një bazë e mirë, por “nuk i zgjidh të gjitha problemet.”
Sot në Shkup mbahet edicioni i 21-të i Konferencës Ndërkombëtare e-Shoqëri.Mk Nga Fondacioni Metamorfozis.
Link deri tek origjinalit: E-Shoqëri: Institucionet duhet të heqin dorë nga “xhelozia” ndaj të dhënave – Portalb
The post „E-Shoqëri: Institucionet duhet të heqin dorë nga “xhelozia” ndaj të dhënave“ – Portalb first appeared on Metamorphosis.
This post was originally published on this site







