“Ubavka Janevska dhe Vesna Kollovska janë fituese të çmimit “Ilija Zhupanoski” të Metamorfozis” – Portalb
Ubavka Janevska dhe Vesna Kollovska janë fituese të çmimit “Ilija Zhupanoski” për punimin më të mirë gazetaresk, përkatësisht punimin ekspert të përgatitur nga organizata të shoqërisë civile dhe individë, të cilin Fondacioni “Metamorfozis” e ndau për herë të dytë në Konferencën e-Shoqëri.mk. Punimi i tyre “Konti me lidhje kineze nën maskë britanike i mori kursimet e qytetarëve të Maqedonisë” fitoi çmimin në vlerë prej 2.000 euro me kundërvlerë në denarë, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.
Çmimi për përmbajtje multimediale edukative të përgatitur për të rinj të moshës nga 18 deri në 28 vjet, në vlerë prej 1.000 euro me kundërvlerë në denarë, iu nda Igor Stojanovit dhe Toni Mihajllovit për projektin “Identiteti i vjedhur: Si u keqpërdor emri i doktor Nikolla Panovskit me inteligjencë artificiale?”
Ubavka Janevska, e cila është nga Velesi, i falënderoi anëtarët e Komisionit dhe Fondacionin “Metamorfozis”, i cili është një nga organizatat e rralla që e njeh punën e gazetarëve nga qytetet e tjera të vendit.
“Tema e stories së shpërblyer hulumtuese është në fakt një histori e ndërtuar pikërisht mbi demaskimin e dezinformatave lidhur me piramidën Konti dhe përfshirjen e mijëra qytetarëve jo vetëm nga Velesi, por edhe nga Negotina, Shtipi, Radovishi dhe Shkupi, të cilët i zbuluam në disa grupe në Telegram ku vetëm njëri prej tyre kishte më shumë se 14.200 anëtarë,” tha Janevska.
Ajo shtoi se në fakt bëhej fjalë për një lojë dhe pjesa dërmuese e qytetarëve ishin mashtruar se po merrnin pjesë në ndërtimin e vlerësimit (rating) të një prodhimi filmik të Hollivudit, ndërkohë që ishin pjesë e një piramide ku vetëm të parët fitojnë dhe të tjerët i humbasin paratë e tyre.
“Hulumtimi, nëpërmjet Sllovenisë, na çoi në Britaninë e Madhe, ku Konti kishte deklaruar se ndodhej selia e tyre, si dhe deri te personat në Kinë, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Kamboxhia që qëndronin pas kompanisë,” tha Janevska.
Ajo pastaj foli për vetë Ilija Zhupanoskin për të cilin tha se e kishte njohur si një aktivist të suksesshëm rinor të Forumit Rinor Arsimor (FRA) i cili e kreu në mënyrë të përkryer funksionin e drejtorit të FRA-së.
“Më kujtohen të gjitha takimet që i patëm, por dua të them se për mua është një nder i veçantë që jam një nga fitueset e këtij çmimi dhe dëshiroj që ai të vazhdojë të ndahet dhe emri i Ilija Zhupanoskit të hyjë në shumë shtëpi të gazetarëve në vendin tonë,” tha Janevska.

Edhe Igor Stojanov nga Goce.mk shprehu mirënjohje për “Metamorfozis” dhe shtoi se është një nder për të që po i jepet ky çmim.
“Duke pasur parasysh se Goce.mk është një portal për të rinj, kjo është një storie nga e cila dolën 25 produkte, video të shkurtra, infografikë, madje dhe një udhëzues për sigurinë në internet
. Ne të dy vetëm nuk mund të bëjmë kaq shumë, kjo është puna e të gjithë ekipit të Goce.mk, faleminderit të gjithëve,” tha Stojanov. Ai shtoi se storia për Doktor Panovskin është jashtëzakonisht e rëndësishme sepse bëhet fjalë për shëndetin e njeriut dhe manipulime të tilla mund të ndikojnë në mënyrë drastike në jetën e qytetarëve.
Elida Zylbeari, menaxhere projekti në Fondacionin “Metamorfozis”, theksoi se çmimet u janë kushtuar atyre që punojnë çdo ditë për demaskimin e manipulimeve dhe për përhapjen e informacionit të saktë.
“Këta janë njerëzit që i qëndrojnë besnikë të së vërtetës kur parimet shoqërore vendosen në pikëpyetje nga aktorë të ndryshëm që nuk ia duan të mirën vendit tonë. Në emër të Komisionit: të përbërë nga profesionist të njohur nga sfera mediatike dhe publike: Katerina Bllazhevska, Dejan Donev, Arta Tahiri, Biljana Georgievska dhe Petrit Saraçini si dhe në emër të Fondacionit “Metamorfozis” dua të falënderoj secilin që aplikoi në konkurs. Puna e tyre u jep qytetarëve të drejtën e patjetërsueshme për t’u informuar drejt, qartë dhe saktë, një nevojë e domosdoshme në kohët kur pasiguria informative synon të zëvendësojë arsyen”, tha Zylbeari.
Çmimi u ndahet gazetarëve, organizatave të shoqërisë civile dhe individëve që kontribuojnë në përballjen me dezinformatat në vend, pra që janë të përkushtuar ndaj këtij misioni jashtëzakonisht të rëndësishëm
. Për ndarjen e çmimeve vendoste një komision i pavarur, i përbërë nga persona të shquar nga sfera mediatike dhe publike.
Kandidatëve që u radhitën në vendin e dytë në të dy kategoritë, Bobi Badarevski dhe Martina Llozanoska Najdovska, si dhe Shoqatës për avancimin e barazisë gjinore “Akcija Zdruzhenska” Shkup, iu ndanë mirënjohje për kontribut të veçantë
. Ato kishin të bënin me krijimin e chat-boteve dhe një udhëzuesi nga të cilët të rinjtë marrin mbështetje të drejtpërdrejtë, të shpejtë dhe interaktive për njohjen dhe përballjen me dezinformatat, gjë që e përforcon edukimin e tyre digjital, mendimin kritik dhe aftësinë për të qenë rezistent ndaj manipulimeve.“Në kushte kur në vend mungon seriozisht një strategji e gjerë kombëtare për përforcimin e rezistencës së të gjithë shoqërisë nga përmbajtjet manipuluese dhe dashakeqe që shpërndahen me shpejtësi të madhe dhe përthithen si sfungjer, mbetet të mbështetemi dhe të ndihmohemi ne në sektorin civil dhe të qëndrojmë si një ombrellë derisa ta ndërtojmë një çati që do të na mbrojë nga dezinformatat,” tha anëtarja e komisionit, Biljana Gjorgjievska, drejtoreshë ekzekutive e Këshillit për Etikë në Media.Çmimi mban emrin e Ilija Zhupanoskit, aktivist i sektorit civil i cili një pjesë të rëndësishme të jetës së tij ia kushtoi luftës kundër dezinformatave dhe kërcënimeve hibride ndaj demokracisë.
Zhupanoski ia kushtoi një pjesë të rëndësishme të jetës së tij vlerësimit të efektit të dezinformatave dhe ndikimeve të huaja mbi proceset demokratike në Maqedoninë e Veriut
. Ai ishte aktivist shoqëror për demokracinë dhe këshilltar qeveritar për komunikimet digjitale dhe luftëtar kundër sulmeve hibride dhe kibernetike ndaj demokracive në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Edhe pse, për fat të keq, na la shumë herët, puna e tij e palodhur la një gjurmë të pashlyeshme në shoqëri, ndërsa angazhimet e tij do të jetojnë përmes të gjithëve ne, që vazhdojmë të luftojmë kundër dezinformatave në mbrojtje të së vërtetës, pra të ndërtojmë një shoqëri në të cilën liria e fjalës është e pacenueshme.
Link deri tek origjinalit: Ubavka Janevska dhe Vesna Kollovska janë fituese të çmimit “Ilija Zhupanoski” të Metamorfozis – Portalb
The post “Ubavka Janevska dhe Vesna Kollovska janë fituese të çmimit “Ilija Zhupanoski” të Metamorfozis” – Portalb first appeared on Metamorphosis.
This post was originally published on this site







