Liria e medias, një parakusht për zgjerimin e BE-së
Për të përparuar në rrugën e tyre të integrimit evropian, vendet kandidate të Ballkanit Perëndimor duhet të sigurojnë lirinë dhe pluralizmin e medias. Për Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, kjo nënkupton tejkalimin e angazhimeve formale dhe dëshmimin përmes veprimeve konkrete se reformat demokratike janë më shumë sesa fjalë në letër.
Disa javë më parë, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, vizitoi vendet kandidate të Ballkanit Perëndimor përpara publikimit të Paketës së Zgjerimit 2025 dhe raporteve të vendeve, në të cilat Komisioni vlerëson përparimin e secilit shtet në përafrimin me normat dhe standardet e BE-së.
Ndër temat e ndryshme që u trajtuan gjatë vizitës së saj, von der Leyen theksoi se liria dhe pluralizmi i medias janë parakushte kyçe për të ecur përpara në procesin e integrimit në BE.
Më 20 tetor, partnerët nga iniciativa “Reagimi i Shpejtë për Lirinë e Medias” (Media Freedom Rapid Response – MFRR) dhe “Avokimi Transnacional për Lirinë e Informacionit në Ballkan” (Transnational Advocacy for Freedom of Information in the Balkans ATLIB) organizuan një uebinar për të diskutuar zhvillimet e fundit në sektorin e medias në rajon, duke u përqendruar në Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut. Duke hapur aktivitetin, Këshilltari i Ambasadës, Thomas Botzios, nga Njësia për Adriatikun dhe Ballkanin në Ministrinë Italiane të Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar, e theksoi rëndësinë e ndërtimit të lidhjeve transnacionale me partnerët ballkanikë për të promovuar mediat e lira dhe të pavarura dhe për të siguruar që standardet demokratike të respektohen nga të gjitha vendet kandidate.
Situata e lirisë së medias në rajon mbetet komplekse dhe kontradiktore, vuri në dukje Maja Sever, Presidente e Federatës Evropiane të Gazetarëve. Ndërkohë që është bërë përparim — siç është protokolli i ri i Malit të Zi për të rritur sigurinë e gazetarëve — vazhdojnë të ekzistojnë shqetësime serioze. Dezinformimi, manipulimi i informacionit nga jashtë, presioni politik, brishtësia ekonomike, dobësia e tregjeve lokale të medias dhe mungesa e rregullimit të mjaftueshëm të mediave online vazhdojnë të paraqesin sfida të mëdha.
Edhe pse këto probleme janë të zakonshme në të gjithë rajonin, secili vend përballet me çështje specifike që kërkojnë përgjigje të përshtatura sipas konteksteve politike lokale.
Në Mal të Zi, dobësitë strukturore vazhdojnë të minojnë pavarësinë dhe lirinë e shumë mediave, veçanërisht në nivel lokal. Kushtet e këqija socio-ekonomike e bëjnë gazetarinë një profesion të brishtë, gjithnjë e më të ekspozuar ndaj fushatave të shpifjes — shpesh në internet — dhe ndaj padive abuzive të hartuara për të heshtur zërat kritikë. Ky fenomen, i njohur si SLAPPs, më në fund po fillon të marrë më shumë vëmendje në peizazhin mediatik të Malit të Zi.
Një shqetësim tjetër urgjent është mungesa e pavarësisë së transmetuesit publik, i cili mbetet i përfshirë në marrëdhënie klienteliste që e kufizojnë rëndë aftësinë e tij për të vepruar në interes të publikut, siç theksoi Olivera Nikoliç nga Instituti i Medias i Malit të Zi.
Në Maqedoninë e Veriut, ritmi i reformave mbetet i ngadaltë. “Kemi bërë disa përparime, por qëllimet përfundimtare janë ende të largëta” – tha Zoran Riçliev nga Fondacioni Metamorfozis. Tregu mediatik i vendit është i vogël dhe shumë i fragmentuar, duke i bërë mediat të ndjeshme ndaj presioneve të jashtme politike dhe ekonomike. Financimi dhe reklamat shtetërore vazhdojnë të pasqyrojnë kontroll të fortë politik mbi mediat, duke nxitur klientelizmin dhe korrupsionin.
Megjithëse ka pasur disa hapa pozitivë — siç është përmirësimi i sigurisë së gazetarëve dhe ndryshimi i Kodit Penal për të njohur sulmet ndaj gazetarëve si sulme ndaj zyrtarëve publikë — përputhshmëria me standardet evropiane mbetet e paplotë. Një nga praktikat më shqetësuese është reklamimi i politik i paguar nga buxheti i shtetit gjatë fushatave zgjedhore,gjë që e shtrembëron tregun mediatik dhe e minon pavarësinë redaksionale.
Nga një perspektivë më e gjerë rajonale, dhe në dritën e procesit të anëtarësimit në BE, ka ende hapësirë të konsiderueshme për përmirësim. Megjithëse vendet kandidate mund t’u referohen shteteve anëtare të BE-së për udhëzime në zbatimin e normave evropiane, shkëmbimi nuk duhet të jetë njëkahësh. Edhe shtetet anëtare përballen me kërcënime ndaj lirisë së mediave dhe me sfida në zbatimin e rregulloreve të miratuara rishtazi. Në këtë kontekst, avokimi ndërkombëtar paraqet një mjet të vlefshëm.
Duke iu referuar zbatimit të Ligjit Evropian për Lirinë e Mediave në Kroaci, Maja Sever theksoi rëndësinë e përpjekjeve të përbashkëta — ndarjen e njohurive, strategjive dhe veprimeve — për të siguruar zbatimin adekuat të standardeve dhe llogaridhënien e plotë nga vendimmarrësit.
Në fund, siç ua kujtoi pjesëmarrësve bashkëpunëtori i OBCT-së, Massimo Moratti, liria e mediave mund të garantohet vetëm kur sundimi i ligjit në përgjithësi funksionon në mënyrë efektive, p.sh. kur një gjyqësor i pavarur është në gjendje të zbatojë ligjin dhe ta mbajë përgjegjës pushtetin politik. Miratimi i ligjeve të reja, në vetvete, nuk është i mjaftueshëm për të forcuar lirinë e mediave. Këto ligje duhet edhe të zbatohen.
Ndërtimi i partneriteteve transnacionale midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor është thelbësor për të mbajtur vëmendjen të përqendruar te liria e mediave në një kohë kur demokracia në të gjithë Evropën përballet me kërcënime në rritje dhe kthim prapa. Ndërkohë që progresi legjislativ duhet të mirëpritet, është koha që ndryshimi të bëhet i dukshëm në terren. Për ta arritur këtë do të kërkohet një përpjekje e koordinuar dhe shumë-nivelëshe, që përfshin të gjitha palët e interesuara përkatëse, si në vendet kandidate ashtu edhe brenda vetë Bashkimit Evropian.
Ky botim është rezultat i aktiviteteve të zhvilluara në kuadër të iniciativës “Reagimi i Shpejtë për Lirinë e Medias” (Media Freedom Rapid Response – MFRR) i bashkëfinancuar nga BE-ja dhe në kuadër të projektit “Avokimi Transnacional për Lirinë e Informacionit në Ballkan” (Transnational Advocacy for Freedom of Information in the Balkans – ATLIB), një projekt i bashkëfinancuar nga Ministria Italiane e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar. Të gjitha mendimet e shprehura përfaqësojnë pikëpamjet e autorit të tyre dhe jo ato të institucioneve bashkëfinancuese.
The post Liria e medias, një parakusht për zgjerimin e BE-së first appeared on Metamorphosis.
This post was originally published on this site





![[aggregator] downloaded image for imported item #40576](https://civicamobilitas.mk/wp-content/uploads/2025/10/photo-output-scaled-1-768x117.jpeg)

![[aggregator] downloaded image for imported item #40576](https://civicamobilitas.mk/wp-content/uploads/2025/10/grate-per-kryetare-komunash-al-768x884.png)