Universitet bolonja 1230x767

BARRIERAT E (PA)KAPËRCYESHME TË PROCESIT TË BOLONJËS NË MAQEDONINË E VERIUT

Edhe pse Maqedonia e Veriut është pjesë e Hapësirës Evropiane të Arsimit të Lartë që nga viti 2003, zbatimi formal i Procesit të Bolonjës shpesh përplaset me sfida strukturore, financiare dhe kulturore, duke kufizuar potencialin e tij të vërtetë për modernizim, mobilitet akademik dhe harmonizim të arsimit me standardet evropiane.

 

Procesi i Bolonjës përfaqëson një nga transformimet më të rëndësishme në arsimin e lartë evropian. Ky proces, i filluar në vitin 1999, synon krijimin e një Hapësire Evropiane të Arsimit të Lartë, ku studentët, profesorët dhe kërkuesit shkencorë të kenë mundësi për lëvizje të lirë, njohje reciproke të diplomave dhe zhvillim të kulturës akademike të përbashkët. Për Maqedoninë e Veriut, Procesi i Bolonjës përfaqëson një mundësi për modernizimin e arsimit të lartë, për rritjen e cilësisë së studimeve dhe për integrimin në standardet evropiane.

Megjithatë, përkundër deklarimeve publike gjatë gjithë kohës nga përfaqësues qeveritarë, eksprtët në vend theksojnë se rezultatet e zbatimi të Procesit të Bolonjës në Maqedoninë e Veriut nuk ka qenë lineare dhe shpesh janë përcjellë me vështirësi të shumta. Reforma shpesh është perceptuar si një proces burokratik, ndërsa potenciali i saj për të zhvilluar aftësi të reja, për të rritur mobilitetin dhe për të përmirësuar cilësinë e arsimit nuk është shfrytëzuar plotësisht.

Sipas Raportit të Komisionit Evropian për vitin 2024, Maqedonia e Veriut ka  shënuar përparim të kufizuar në arsim, me rekomandime të vitit paraprak që janë zbatuar vetëm pjesërisht, ndërkohë qe thekson se vendi mbetet anëtare e Zonës Evropiane të Arsimit të Lartë, pa hyrë në detaje për zbatimin e Procesit të Bolonjës. Ndërkohë, ekspertët theksojnë se edhe pse vendi është pjesë Procesit të Bolonjës që nga viti 2003 dhe ka shënuar progres në mobilitetin e studentëve dhe profesorëve, sfida kryesore mbetet përmirësimi i cilësisë së arsimit të lartë, sigurimi i akreditimit dhe harmonizimi i diplomave me standardet evropiane. Sipas tyre, mobiliteti ekziston, por shpesh shihet më shumë si eksperiencë personale sesa si avancim akademik e profesional. Përgjithësisht, vlerësojnë ekspertët e fushës së arsimit, Maqedonisë së Veriut, i nevojitet një strategji më gjithëpërfshirëse, financim i qëndrueshëm dhe vetëdijësim më i madh i publikut akademik për ta bërë Procesin e Bolonjës një instrument real të modernizimit dhe konkurrueshmërisë në arsimin e lartë.

Sfidat strukturore, mes formës dhe përmbajtjes

Shtetet e Ballkanit, përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut, e kanë parë Procesin e Bolonjës, si një mundësi për të modernizuar arsimin e lartë dhe për të rritur integrimin në Bashkimin Evropian. Megjithatë, në rastin e Maqedonisë së Veriut ky proces ka reflektuar tensionet e tranzicionit politik dhe ekonomik, si dhe sfidat e zhvillimit të institucioneve të qëndrueshme.

Profesori i rregullt në Fakultetin e Shkencave të Arsimit në Universitetin “Goce Dellçev” në Shtip, Kiril Barbareev, në një intervistë për BIRC-in, në kuadër të projektit “Përfaqësim për zhvillim gjithëpërfshirës”,  thotë se një nga mangësitë kryesore që shfaqen që nga fillimi i zbatimit të Procesit të Bolonjës është perceptimi i tij kryesisht si një reformë e thjeshtë e arsimit të lartë. Ai vë në dukje se në të vërtetë Procesi i Bolonjës lidhet ngushtë me ndryshimet ekonomike, teknologjike dhe kulturore, që çojnë drejt standardeve globale dhe kërkesave të tregut ekonomik, duke përfshirë shfaqjen e profesioneve dhe zanateve të reja, intelektualizimin e fuqisë punëtore, nevojën për nivele më të larta të arsimit, zhvillimin e shoqërive të hapura, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe përdorimin e mjeteve të reja të komunikimit.

Ai nënvizon se shumë vende kanë zhvilluar dhe përgatitur gradualisht infrastrukturë dhe burime njerëzore për t’iu përgjigjur këtyre ndryshimeve, ndërsa tek shfaqet dilema se aa jemi të aftë të përshtatemi me Procesin e Bolonjës si sintezë për studime moderne, për modernizim, për harmonizim dhe njohje të diplomave në tregun evropian, si dhe për mobilitetin e studentëve dhe profesorëve.

Një nga problemet thelbësore Procesit të Bolonjës mbetet një boshllëk mes formës dhe përmbajtjes. Profesor i rregullt në Fakultetin e Shkencave Sociale pranë Universitetit të Evropës Juglindore (UEJL) në Tetovë,Veli Kreçi, thotë se reformat janë zbatuar në mënyrë të nxituar: “U ngutëm me zbatimin e sistemit pa e përshtatur modelin ekzistues arsimor”, thotë ai.

Sipas tij, çdo transformim kërkon një plan të mirëpërgatitur dhe një periudhë të caktuar për zbatim gradual. “Nuk arritëm t’i shfrytëzojmë plotësisht përfitimet që ofron Procesi i Bolonjës, i cili nuk nënkupton vetëm mobilitet, por mbi të gjitha një ndryshim në mënyrën e mësimdhënies dhe të nxënies.Është thelbësore të theksohet gjithëpërfshirja në procesin arsimor dhe zhvillimi i aftësive përmes metodave praktike, siç janë shkrimi i punimeve kërkimore, përdorimi i mjeteve kërkimore, prezantimi i rezultateve etj. Përmes një qasjeje të tillë, studentët jo vetëm që fitojnë dije, por zhvillojnë edhe aftësinë për ta analizuar dhe transmetuar atë në mënyrë kritike”, thotë Kreçi.

Ky problem nuk është tipik vetëm për Maqedoninë e Veriut. Edhe vende të tjera të rajonit, si Shqipëria apo Bosnja dhe Hercegovina, kanë pasur vështirësi të ngjashme, duke e parë Procesin Bolonjën shpesh si një proces burokratik më shumë se si një transformim substancial. Sipas ekspertëve, në Maqedoni, këto vështirësi janë gërshetuar edhe me mungesë investimesh të qëndrueshme në arsim dhe kërkime shkencore dhe kjo e bën këtë proces edhe më të ngadalshëm.

Mobiliteti akademik, arritjet dhe kufizimet

Një nga shtyllat kryesore të Procesit të Bolonjës është mobiliteti i studentëve dhe stafit akademik. Në këtë drejtim, Maqedonia e Veriut ka përfituar nga programe siç është Erasmus+, duke u bërë pjesë e një rrjeti të gjerë bashkëpunimi me universitete të Evropës.  Udhëheqësi i Sektorit për Arsimin e Lartë në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Ahmed Qazimi thekson se çdo vit një numër i madh studentësh, pedagogësh dhe studiuesis po bëhen pjesë e projekteve dhe programeve të ndryshme të mobilitetit në universitete të shumta në Evropë dhe anasjelltas.

Sipas tij, Ministria e Arsimit dhe Shkencës po punon në eliminimin e pengesave administrative dhe të gjitha llojeve të tjera të barrierave me qëllim rritjen e numrit të studentëve që marrin pjesë në programet e mobilitetit, përmes përmirësimi i kuadrit ligjor, mbështetje financiare, gjegjësisht sigurimit të bursave më të mëdha për mobilitet përmes fondeve kombëtare dhe ndërkombëtare, mbështetjes për institucionet, respektivisht inkurajimit të universiteteve për të krijuar programe studimore fleksibile që mundësojnë më shumë ndërveprim me institucionet akademike evropiane si dhe fuqizimit të bashkëpunimit me universitetet e huaja.

Vlerësohet se kjo është një nga arritjet më të prekshme të procesit. Studentët kanë pasur mundësi të studiojnë për një semestër ose një vit në universitete evropiane, duke u njohur me sisteme më të zhvilluara të arsimit, metoda të reja pedagogjike dhe një frymë më ndërkombëtare. Profesorët, po ashtu, kanë pasur rastin të shkëmbejnë përvoja dhe të krijojnë partneritete të reja kërkimore.

Megjithatë, eksprtë të fushës së arsimit të lartë theksojnë se mobiliteti shpesh kufizohet në nivele individuale dhe nuk arrin që të etablohet si ndryshim strukturor në institucionet e vendit. Ish-zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe profesori universitar, Petar Atanasov,  thekson se te ne nuk funksionon as mobiliteti i brendshëm, gjithçka duket statike në arsimin e lartë. Sipas tij, ndërsa studentët lëvizin jashtë vendit, bashkëpunimi mes universiteteve brenda Maqedonisë është minimal.

Profesori në Universitetin e Evropës Juglindore (UEJL) në Tetovë, Ali Pajaziti, thekson se Maqedonia e Veriut është pjesë e Procesit të Bolonjës që nga viti 2003 dhe se kjo përfaqëson një qasje të re në arsimin e lartë. Ai vë në dukje se, sipas Raportit të Komisionit Evropian të vitit 2024, sfida kryesore mbetet përmirësimi i cilësisë së arsimit të lartë përmes zhvillimit të proceseve të akreditimit dhe sigurimit të cilësisë, si dhe nevoja për një model të ri financimi të arsimit të lartë. Pajaziti thekson gjithashtu se, sipas Bankës Botërore, shumë kompani hasin vështirësi në gjetjen e punonjësve me aftësi teknike dhe kognitive, sociale e emocionale të mjaftueshme, ndërsa një e treta e të diplomuarve nuk përputhet me kërkesat e tregut të punës, dhe një e treta tjetër është tepër e arsimuar për pozicionin që mban.

“Procesi i Bolonjës më tepër është reduktuar në formë sesa në esencë”, thekson ai.  Pajaziti thekson se gjatë periudhës 2014–2020, 3.291 studentë dhe 893 profesorë kanë realizuar mobilitet akademik ndërkombëtar në kuadër të projekteve të ndryshme, ndërsa 107 mësimdhënës kanë kryer trajnim apo mësimdhënie jashtë vendit. “Mundësitë janë shumë të mëdha, por nga universitetet shqiptare shfrytëzimi i fondeve për mobilitet është i pakënaqshëm. Ka raste kur mobiliteti më tepër shihet si aventurë, turizëm sesa si eksperiencë dhe shans për avancim akademik dhe profesional”, thekson ai.

Krahasuar me vendet e tjera të rajonit, mobiliteti në Maqedoninë e Veriut është i moderuar. Sipas ekspertëve, Maqedonia e Veriut duhet të intensifikojë përpjekjet për të mos mbetur pas në integrimin akademik rajonal dhe evropian.

Arsimi, tregu i punës dhe ndërgjegjësimi publik

Një nga dimensionet më të rëndësishme të Procesit të Bolonjës është përshtatja e arsimit të lartë me nevojat e tregut të punës.Ish-punëtorja tekstile nga Shtipi, aktualisht aktiviste në hulumtimin dhe mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve tekstilë në qytetet më të vogla të Maqedonisë së Veriut përmes shoqatës “Glasen Tekstil”, Kristina Ampeva, thekson se raportet mbi Procesin e Bolonjës tregojnë qartë se çdo transformim kërkon një plan të mirëpërcaktuar dhe periudha të caktuara për zbatimin e tij të plotë. Sipas saj, Procesi i Bolonjës nuk përfshin vetëm lëvizjen dhe ndryshimet në të dhënat akademike dhe njohjen e diplomave. Praktika, thotë ajo, duhet të përmirësohet, duke mundësuar më shumë vende për studentë në programet studimore dhe lehtësimin e procedurave për njohjen e diplomave në nivelin bachelor, master dhe doktoraturë.” Vetëm në këtë mënyrë, vlerëson ajo, studentët mund të përfitojnë njohje cilësore dhe të zhvillojnë aftësime të mira për kërkime shkencore dhe avancim profesional.

Ajo thekson se për të garantuar një debat të vërtetë dhe gjithëpërfshirës mbi ndërgjegjësimin mbi Procesin e Bolonjës, duhet të organizohen diskutime publike dhe të krijohet një kulturë e mendimit kritik. “Këto diskutime duhet të mbahen rregullisht, të paktën tre herë në vit, duke përfshirë ekspertë, institucione arsimore dhe studentë,” thekson Ampeva, duke nënvizuar rëndësinë e përfshirjes aktive të të gjithë aktorëve të sistemit arsimor.

Për një ndërgjegjësim të publikut mbi Procesin e Bolonjës, profesori universitar, Ali Pajaziti sugjeron të organizohen fushata edukative nga institucionet qeveritare, universitetet dhe organizatat profesionale përmes seminareve, punëtorive dhe burimeve online. Ai nënvizon se është e rëndësishme të shpjegohen qëllimet dhe përfitimet e Procesit të Bolonjës jo vetëm për studentët dhe mësimdhënësit, por edhe për shoqërinë më të gjerë. Sipas tij, duhet të theksohen avantazhet afatgjata për studentët, edukatorët dhe ekonominë, duke përfshirë rëndësinë e hulumtimit dhe inovacionit, mobilitetin e studentëve, standardizimin e strukturave akademike, arsimin e bazuar në kompetenca, njohjen ndërkombëtare të kualifikimeve, transparencën, përgjegjësinë dhe mësimin e bazuar te studenti.

Sa i përket rritjes së ndërgjegjësimit të publikut dhe ekspertëve për rëndësinë e Procesit të Bolonjës, profesori universitar, Petar Atanasov thekson se në fakt, ndërgjegjësimi duhet të rritet mbi nevojën për një arsim më cilësor dhe për më shumë projekte kërkimore. “Procesi i Bolonjës është vetëm një tregues për të parë se ku jemi dhe sa duhet të përparojmë për të arritur standardet e kërkuara”, thekson ai.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës vë në dukje se po punon aktivisht për të rritur ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e Procesit të Bolonjës përmes një qasjeje shumëdimensionale që përfshin komunitetin akademik, studentët dhe publikun e gjerë. “Brenda universiteteve, organizohen në mënyrë sistematike forume strategjike, diskutime në panele dhe punëtori, ku profesorët universitarë, studentët dhe ekspertët përkatës zhvillojnë dialog konstruktiv mbi sfidat dhe mundësitë që ofron Procesi i Bolonjës. Këto aktivitete shërbejnë si platforma për shkëmbimin e praktikave më të mira evropiane dhe përshtatjen e modeleve të suksesshme në sistemin tonë arsimor”, thekson udhëheqësi i Sektorit për Arsimin e Lartë në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Ahmed Qazimi.

Profesori universitar, Veli Kreçi vë në dukje se vetëm përmes diskutimeve dhe analizave gjithëpërfshirëse mund të sqarohet se çfarë përfaqëson dhe çfarë nuk përfaqëson Procesi i Bolonjës. “Kam ndjesinë se publiku i gjerë i lidh drejtpërdrejt problemet në arsimin e lartë me këtë proces. Si komunitet profesional, kemi detyrimin ta sqarojmë këtë supozim me argumente të forta, në mënyrë që të mos mbetemi prapa zhvillimeve arsimore evropiane. Procesi i Bolonjës në Evropë është në një fazë të avancuar, dhe ne nuk mund të lejojmë që të mbetemi prapa në zbatimin e tij”, thotë ai.

Kërkimi shkencor, që është një tjetër dimension i rëndësishëm i Procesit të Bolonjës, përkundër faktit që për vitin 2025 ka një mbështetje shumë më të madhe financiare nga qeveria, megjithatë mbetet  në nivele të ulëta të investimit në Maqedoninë e Veriut.

Sipas ekspertëve, Procesi i Bolonjës në Maqedoninë e Veriut është zbatuar vetëm pjesërisht dhe shpesh në mënyrë formale. Më tepër rezultatet ka në rritjen e mobilitetit ndërkombëtar, por mungesa e mobilitetit të brendshëm dhe shfrytëzimi i kufizuar i fondeve mbeten pengesa të mëdha. Në gjithë peizazhin që përfaqëson Procesi i Bolonjës, harmonizimi mes arsimit të lartë dhe tregut të punës është ende në nivele të pamjaftueshme. Ndërgjegjësimi publik dhe perceptimi për Procesin e Bolonjës janë gjithashtu sfida të mëdha. Për t’i tejkaluar këto, është e domosdoshme që universitetet dhe institucionet shtetërore të zhvillojnë fushata informuese, të forcojnë partneritetet me tregun e punës dhe të ndërtojnë politika që mbështesin kërkimin shkencor dhe inovacionin. Sipas ekspertëve, vetëm në këtë mënyrë, Maqedonia e Veriut mund ta konsiderojë Procesin e Bolonjës jo si një barrë burokratike, por si një mundësi të vërtetë për integrim, modernizim dhe zhvillim të qëndrueshëm akademik dhe shoqëror.

 

Teksti është zhvilluar në kuadër të projektit “Përfaqësim për zhvillim gjithëpërfshirës”, i mbështetur financiarisht nga Qeveria e Zvicrës përmes programit Civica Mobilitas.

Përmbajtja e këtij teksti është përgjegjësi e vetme e Forumit për Politika të Arsyeshme, IOHN dhe BIRC dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se pasqyron pikëpamjet e Qeverisë së Zvicrës, Civica Mobilitas ose organizatave të saj zbatuese.

 

This post was originally published on this site

Продолжи со читање

  • Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Qasjes Universale në Informacion – 28 shtatorin, Metamorfozis promovoi rezultatet e Indeksit të Hapjes së pushtetit ekzekutiv

    Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Qasjes Universale në Informacion – 28 shtatorin, Metamorfozis promovoi rezultatet e Indeksit të Hapjes së pushtetit ekzekutiv. Rezultati i përgjithshëm i pushtetit ekzekutiv në Maqedoninë e Veriut (qeveria, ministritë dhe organet ekzekutive) sipas Indeksit të Hapjes të pushtetit ekzekutiv, në vitin 2024 pati një rënie të lehtë krahasuar me […]
    The post Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Qasjes Universale në Informacion – 28 shtatorin, Metamorfozis promovoi rezultatet e Indeksit të Hapjes së pushtetit ekzekutiv first appeared on Metamorphosis.

  • Vetëqeverisja lokale ende larg hapjes së vërtetë – mesatarja është rritur në 40%

    Fondacioni Metamorfoza dhe Koalicioni Rural i prezantuan gjetjet nga Vlerësimi i Qeverisjes së Mirë në Njësitë e Vetëqeverisjes Lokale në Republikën e Maqedonisë së Veriut i përgatitur përmes Indeksit të Hapjes për vitin 2025 në forumin tematik “Komuna e Hapur – Komuniteti Aktiv”. Vlerësimi është një analizë e thelluar e punës së vetëqeverisjes lokale, dhe […]
    The post Vetëqeverisja lokale ende larg hapjes së vërtetë – mesatarja është rritur në 40% first appeared on Metamorphosis.

  • Komuna e hapur – Komuniteti aktiv

    Luftimi i korrupsionit përmes rritjes së transparencës së institucioneve dhe bashkëpunimit aktiv me qytetarët dhe organizatat e shoqërisë civile është çelësi për forcimin e besimit në vetëqeverisjen lokale, dhe pikërisht teknologjitë digjitale janë ato që mund të ndihmojnë në luftën efektive kundër korrupsionit në nivel lokal. Ky ishte mesazhi i dërguar nëpërmjet forumit tematik “Komuna […]
    The post Komuna e hapur – Komuniteti aktiv first appeared on Metamorphosis.