Mark Zakerberg.webp

Letër e hapur drejtuar Mark Zuckerberg-ut nga verifikuesit e fakteve në mbarë botën

Rrjeti Ndërkombëtar i Verifikimit të Fakteve (International Fact-Checking Network) ka publikuar një letër të hapur drejtuar Mark Zuckerberg-ut, pronarit të kompanisë teknologjike “Meta”, nën të cilën janë rrjetet sociale Facebook, Instagram dhe Threads, në lidhje me deklaratën e fundit të Zuckerberg-ut se për anulimin e programit për verifikimin e fakteve në SHBA,

Në këtë letër Rrjeti përkujton se qëllimi i programit në të cilin marrin pjesë organizata të pavarura dhe të verifikuara është zvogëlimi i dukshmërisë së përmbajtjeve të rrejshme pa i censuruar ato. Sipas gazetarëve kjo qasje ka kontribuar që përdoruesit të kenë informacion më të besueshëm, i cili është në pajtim me vlerat themelore të lirisë së fjalës.

Në reagim shtohet se anulimi i programit mund ta rrisë përhapjen e dezinformatave, sidomos në momente politikisht të ndjeshme.

“Komentet tuaja sugjerojnë se verifikuesit e fakteve kanë qenë përgjegjës për censurimin edhe pse Meta nuk u dha kurrë autorizim për heqjen e përmbajtjeve ose profileve. Njerëzit në internet shpesh i fajësonin dhe keqtrajtonin verifikuesit e fakteve për veprimet e Meta-s. Komentet tuaja të fundit padyshim që do t’i nxisin perceptimet e këtilla. Por realiteti është se punonjësit e Meta-s vendosnin nëse përmbajtja të cilën verifikuesit e fakteve e kanë shënuar si të rrejshme duhet të jetë më pak e arrtitshme apo të etiketohet”, thuhet në letër.

Fondacioni Metamorfozis, pjesë e të cilit është edhe Agjencia e Lajmeve Meta.mk, është nënshkrues i letrës dhe është pjesë e Rrjetit Ndërkombëtar për Verifikimin e Fakteve.

I nderuar z. Zuckerberg,

Nëntë vite më parë ju shkruam për dëmet reale që i shkaktojnë informacionet e rrejshme në Facebook. Si përgjigje të kësaj Meta krijoi një program për verifikimin e fakteve që ndihmoi për mbrojtjen e miliona përdoruesve nga mashtrimet dhe teoritë e konspiracionit. Këtë javë ju njoftuat se do t’i jepnit fund këtij programi në Shtetet e Bashkuara për shkak të shqetësimeve për “censurë të tepërt” – një vendim ky që e kërcënon progresin e pothuajse një dekade të promovimit të informacionit të saktë online.

Programi i cili filloi në vitin 2016 ishte një hap i rëndësishëm para për nxitjen e saktësisë faktike në internet. I ndihmoi njerëzit që të kenë një përvojë pozitive në Facebook, Instagram dhe Threads duke e reduktuar përhapjen e informacionit të rremë dhe manipulues në përmbajtjet e tyre. Ne besojmë – por këtë e tregojnë edhe të dhënat – se shumica e njerëzve në mediat sociale kërkojnë informacion të besueshëm për të marrë vendime për jetën e tyre dhe për të pasur ndërveprime të mira me miqtë dhe familjarët e tyre. Qëllimi ishte që përdoruesit të informohen për informacionet e rrejshme me qëllim që të ngadalësohet përhapja e tyre, pa i censuruar ato. Verifikuesit e fakteve e mbështesin fuqimisht lirinë e fjalës dhe këtë e kemi thënë disa herë, përfshirë këtu edhe në Komunikatën e Sarajevës vitin e kaluar. Liria për të thënë pse diçka nuk është e vërtetë gjithashtu është liri e fjalës.

Por, ju po thoni se programi është kthyer në një “mjet censurimi” dhe se “verifikuesit e fakteve kanë qenë shumë të njëanshëm politikisht dhe më shumë e kanë shkatërruar besimin se sa që e kanë krijuar atë, sidomos në SHBA”. Kjo është e pasaktë dhe ne duam ta sqarojmë, si në kontekstin e sotëm, ashtu edhe për shkrimet historike.

Meta kërkonte që të gjithë partnerët e verifikimit të fakteve t’i përmbushin standardet rigoroze për paanshmëri nëpërmjet verifikimit nga ana e Rrjetit Ndërkombëtar të Verifikimit të Fakteve. Kjo nënkuptonte se ata nuk do kishin të drejtë të kenë asnjë lidhje me partitë politike apo kandidatët politikë, as edhe të avokonin për politika dhe se duhej t’i përmbaheshin paanshmërisë dhe transparencës. Çdo media çdo vit i nënshtrohej një verifikimit rigoroz, përfshirë këtu edhe një vlerësimi dhe verifikimi të pavarur nga kolegët. Meta vazhdimisht i ka vlerësuar këto standarde si rigoroze dhe efektive. Vetëm një vit më parë Meta e zgjeroi programin edhe në Threads.

Komentet tuaja sugjerojnë se verifikuesit e fakteve kanë qenë përgjegjës për censurën, edhe pse Meta nuk u dha kurrë autorizim për të hequr përmbajtje ose profile. Njerëzit në internet shpesh i fajësonin dhe i keqtrajtonin verifikuesit e fakteve për veprimet e Meta-s. Komentet tuaja të fundit padyshim që do i nxisin perceptimet e këtilla. Por realiteti është se punonjësit e Meta-s janë ato që vendosnin nëse përmbajtja që verifikuesit e fakteve e kanë shënuar si të rrejshme duhet të kufizohet apo të etiketohet. Disa verifikues të fakteve me vite i kanë sugjeruar Meta-s se si t’i përmirësojë këto etiketa që të jenë më pak imponuese dhe ta shmangin edhe censurën në dukje, por Meta nuk i ka dëgjuar kurrë këto sugjerime. Krahas kësaj, Meta i përjashtoi politikanët dhe kandidatët politikë nga verifikimi si masë kujdesi, edhe kur ata përhapnin gënjeshtra të njohura. Verifikuesit, nga ana tjetër, thonin se politikanët duhet të kontrollohen si gjithë të tjerët.

Gjatë viteve Meta jepte vetëm informacion të kufizuar për rezultatet e programit, edhe pse verifikuesit dhe studiuesit e pavarur vazhdimisht kërkonin më shumë të dhëna. Por nga ajo që mund të shihnim, programi ishte efektiv. Hulumtimet treguan se etiketat e verifikimit të fakteve e zvogëlojnë besimin dhe shpërndarjen e informacionit të rrejshëm. Edhe në dëshminë tuaj para Kongresit, ju u mburrët për “programin për verifikimin e fakteve në industri“ të Meta-s.

Thatë se keni në plan të filloni një program “Shënime të Komunitetit” (Community Notes) të ngjashëm me atë në X. Ne nuk besojmë se ky lloj programi do të rezultojë me një përvojë pozitive tek përdoruesit, siç tregon edhe X. Hulumtimet tregojnë se shumë “Shënime të Komunitetit” nuk shfaqen kurrë, sepse varen nga një pëlqim e gjerë politik dhe jo nga standardet dhe dëshmitë për saktësinë. Megjithatë, nuk ka asnjë arsye se pse “Shënimet e Komunitetit” nuk mund të koekzistojnë me programin për verifikimin e fakteve të palëve të treta; ato nuk e përjashtojnë njëri-tjetrin. Modeli i “Shënimeve të Komunitetit” që punon në bashkëpunim me verifikuesit profesionistë të fakteve do të kishte potencial të fortë si një model i ri për promovimin e informacionit të saktë. Nevoja për këtë është e madhe: nëse njerëzit besojnë se rrjetet sociale janë plot mashtrime dhe manipulime, ata nuk do të duan ta kalojnë kohë atje apo të bëjnë biznes në to.

Kjo na sjell deri tek konteksti politik në Shtetet e Bashkuara. Koha e publikimit të kumtesës tuaj është pas konfirmimit të fitores zgjedhore të Donald Trump dhe si pjesë e përgjigjes më të gjerë nga industria e teknologjisë ndaj administratës së re. Vetë z Trump tha se deklarata juaj “mbase” ishte një përgjigje ndaj kërcënimeve që ai bëri ndaj jush. Disa nga gazetarët që janë pjesë e komunitetit tonë të verifikimit të fakteve janë përballur me kërcënime të ngjashme nga qeveritë në vendet ku ata punojnë, prandaj ne e kuptojmë se sa e vështirë është për një person që t’i rezistojë këtij presioni.

Plani për anulimin e programit për verifikimin e fakteve në vitin 2025 për momentin vlen vetëm për Shtetet e Bashkuara. Por Meta ka programe të ngjashme në më shumë se 100 vende që janë shumë të ndryshme, në faza të ndryshme të demokracisë dhe zhvillimit. Disa nga këto vende janë posaçërisht të ndjeshme ndaj dezinformatave që nxisin destabilitet politik, ndërhyrje në zgjedhje, dhunë të turmave, madje edhe gjenocid. Nëse Meta vendos ta anulojë programin në mbarë botën, kjo pothuajse me siguri do të ketë si rezultat dëme të vërteta në shumë vende.

Ky moment e thekson nevojën për më shumë financime për gazetarinë në shërbim të interesit publik. Verifikimi i fakteve është i një rëndësie qenësore për mbajtjen e një realiteti të përbashkët dhe diskutimit të bazuar në dëshmi – si në Shtetet e Bashkuara ashtu edhe globalisht. Sektori filantropik ka një mundësi për ta rritur kontributin e tij në gazetari në një moment kritik.

Më e rëndësishmja është se ne besojmë se vendimi i Meta-s për t’i dhënë fund programit të saj për verifikimin e fakteve nga palët e treta është një hap prapa për ata që duan të shohin një internet që i jep përparësi informacionit të saktë dhe të besueshëm. Shpresojmë që në vitet në vijim do të jemi në gjendje në njëfarë mënyre ta kompensojmë këtë progres të humbur. Ne mbetemi të përgatitur për të punuar përsëri me Meta-n ose me çdo platformë tjetër teknologjike të interesuar për ta përfshirë verifikimin e fakteve si një mjet për t’u ofruar njerëzve informacionin që u nevojitet për të marrë vendime të informuara për jetën e tyre të përditshme.

Qasja tek e vërteta e përforcon lirinë e fjalës, duke ju mundësuar komuniteteve t’i përafrojnë zgjedhjet e tyre me vlerat e tyre. Si gazetarë mbetemi të përkushtuar ndaj lirisë së shtypit, duke siguruar që kërkimi i së vërtetës të vazhdojë të jetë një themel i demokracisë.

Me respekt,

15min – Letoni

AAP FactCheck – Australi

AFP – Francë

AkhbarMeter Media Observatory – Egjipt

Animal Político-El Sabueso – Meksikë

Annie Lab – Hong Kong

Aos Fatos – Brazil

Beam Reports – Sudan

BOOM – Indi

Check Your Fact – SHBA

Chequeado –Argjentinë

Civilnet.am – Armeni

Colombiacheck – Kolumbi

Congo Check – Kongo, RD e Kongos, Republika e Afrikës Qendrore

Doğruluk Payı – Turqi

Dubawa – Nigeri

Ecuador Chequea – Ekuador

Ellinika Hoaxes – Greqi

Estadão Verifica – Brazil

FactCheckHub – Nigeri

Fact-Check Cyprus – Qipro

FactCheck.org – SHBA

FactCheckNI –Irlandë e Veriut

Factcheck.Vlaanderen – Belgjikë

Factchequeado – SHBA

Factly – Indi

FactReview – Greqi

Factnameh – Iran

Faktisk.no – Norvegji

Faktograf – Kroaci

Fakt Yoxla – Azarbajxhan

Fatabyyano – Јоrdan

Full Fact – Mbretëri e Bashkuar

Greece Fact Check – Greqi

Gwara Media – Ukrainë

Internews Kosova KALLXO – Kosovë

Istinomer – Serbi

Källkritikbyrån – Suedi

KOMPAS.com – Indonezi

La Silla Vacía – Kolumbi

Lead Stories – SHBA

Les Surligneurs – Francë

Lupa – Brazil

Mafindo – Indonezi

Mala Espina – Kili

MediaWise – SHBA

Metamorphosis – Maqedonia e Veriut

MyGoPen – Tajvan

Myth Detector – Gjeorgji

Newschecker – Indi

Newtral – Spanjë

Observador – Portugali

Open – Itali

Pagella Politica / Facta news – Itali

Polígrafo – Portugali

PolitiFact – SHBA

Pravda – Poloni

PressOne.PH – Filipine

Probe – Filipine

Rappler – Filipine

RMIT Lookout – Australi

Snopes – SHBA

Taiwan FactCheck Center – Tajvan

Tech4Peace – Irak

Telugu Post – Indi

The Stage Media-Liberia– Liberi

Tirto.id – Indonezi

The Journal FactCheck – Irlandë

The Logical Indian – Indi

VERA Files – Filipine

Verify – Siri

This post was originally published on this site

Продолжи со читање

  • Kamioni Mediatik Ballkanik po e nis udhëtimin e tij

    Kamioni Mediatik Ballkanik po e nis udhëtimin e tij nëpër 20 qytete në gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor: Kosovë, Bosnje dhe Hercegovinë, Mal të Zi, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi, nga shtatori deri në nëntor të vitit 2025. Ndalesa e parë është në Prizren, Kosovë, më 8 shtator, e ndjekur nga Mitrovica më 9 […]
    The post Kamioni Mediatik Ballkanik po e nis udhëtimin e tij first appeared on Metamorphosis.

  • RAPORT I BIRC: PERSPEKTIVA E REFORMAVE TË QËNDRUESHME NË KUADËR TË KLASTERIT 3 DHE KLASTERIT 1

    Autor: M-r Bardhyl Zaimi
    Sistemi arsimor në Maqedoninë e Veriut në asnjë rast duket se nuk ka arritur t’u rezistojë turbulencave të shumta politike të periudhës së tranzicionit, ndikimeve partiake dhe ndikimeve tjera që në masë të madhe kanë ulur nivelin e cilësisë. Në Maqedoninë e Veriut, nuk është arritur të krijohet një sistem koherent në fushën e arsimit që do t’i përgjigjej profesionalizimit dhe përkushtimit maksimal që e kërkon kjo fushë kaq e rëndësishme e shoqërisë. Përkundrazi, gjatë tërë kohës janë vërejtur eksperimente në politikat arsimore, zgjidhje të çastit, zgjidhje që më tepër kanë qenë improvizime se sa realisht të hyhet në një transformim cilësor të gjithanshëm që nënkupton suazë ligjore të mirëmenduar, dokumente të përpiluara nga profesionistë të fushës dhe strategji afatgjate që hapin dhe mbindërtojnë një vizion që do të ishte në përputhje me zhvillimet globale.
    Në këtë kuadër, tashmë nga ekspertët është vënë në dukje se harmonizimi i konceptit evropian, gjegjësisht ligjeve europiane në sistemin arsimor në Maqedoninë e Veriut mbetet një imperative jetik për të krijuar dinamika tjera në arsimin e lartë në drejtim të përmirësimit të cilësisë.
    Klasteri 3 që do të hapet me BE-në e vendos fokusin në konkurrencën dhe rritjen gjithëpërfshirëse. Pikërisht, në sinkron me këtë klaster, shtetet anëtare duhet të kenë kornizën ligjore, administrative dhe financiare  si dhe kapacitetet e nevojshme zbatuese për të siguruar menaxhimin e shëndoshë financiar të programeve të arsimit, trajnimit dhe komunitetit rinor. Për të siguruar përfshirje të plotë dhe të suksesshme në programet kornizë, vendet anëtare duhet të sigurojnë kapacitetet e nevojshme zbatuese në fushën e kërkimit dhe zhvillimit teknologjik, pa anashkaluar stafin adekuat.
    Në këtë kuadër, reformat në fushën e arsimit dhe kërkimit shkencor nuk janë vetëm një përparësi sektoriale, por një domosdoshmëri strategjike që ndërlidhet drejtpërdrejt me cilësinë e kapitalit njerëzor dhe aftësinë e vendit për të ndërtuar një ekonomi të qëndrueshme dhe konkurruese. Klasteri 3 përfshin kapitujt që lidhen me arsimin, kërkimin shkencor dhe kulturën (25 dhe 26), ndërsa Klasteri 1 përqendrohet në sundimin e ligjit, etikën dhe funksionimin demokratik të institucioneve. Të gjitha këto dimensione mbeten me ndikim të drejtpërdrejtë në sistemin arsimor.
    RAPORTIN E PLOTË E GJENI KËTU

  • RAPORT I BIRC: ARSIMI NË KRIZË, EKSPERTËT KËRKOJNË DEPOLITIZIM DHE REFORMA TË THELLA

    Autor: M-r Bardhyl Zaimi
    Sistemi arsimor në Maqedoninë e Veriut në asnjë rast duket se nuk ka arritur t’u rezistojë turbulencave të shumta politike të periudhës së tranzicionit, ndikimeve partiake dhe ndikimeve tjera që në masë të madhe kanë ulur nivelin e cilësisë. Në Maqedoninë e Veriut, nuk është arritur të krijohet një sistem koherent në fushën e arsimit që do t’i përgjigjej profesionalizimit dhe përkushtimit maksimal që e kërkon kjo fushë kaq e rëndësishme e shoqërisë. Përkundrazi, gjatë tërë kohës janë vërejtur eksperimente në politikat arsimore, zgjidhje të çastit, zgjidhje që më tepër kanë qenë improvizime se sa realisht të hyhet në një transformim cilësor të gjithanshëm që nënkupton suazë ligjore të mirëmenduar, dokumente të përpiluara nga profesionistë të fushës dhe strategji afatgjate që hapin dhe mbindërtojnë një vizion që do të ishte në përputhje me zhvillimet globale.
    Pas më shumë se tridhjetë vjetësh nga fillimi i tranzicionit , Maqedonia e Veriut akoma përballet me sfida të thella që lidhen me kalimin nga reforma të bazuara kryesisht në interesat politike afatshkurtra, drejt reformave të qëndrueshme dhe profesionale, të bazuara në ekspertizë. Ky proces është veçanërisht i rëndësishëm në sektorin e arsimit të lartë, ku ndikimet e politizimit dhe mungesa e vazhdimësisë kanë minuar besueshmërinë, cilësinë dhe efikasitetin e sistemit arsimor.
    Ekspertë nga fusha e arsimit kanë vënë në dukje se një nga pengesat kryesore në rrugën drejt reformave substanciale në arsimin e lartë është mungesa e një konsensusi politik të gjerë dhe të qëndrueshëm që mund të mbrojë dhe implementojë strategji afatgjata pa ndërhyrje të politikave ditore. Përvojat rajonale, siç përmendet nga ekspertët modeli i Sllovenisë, tregon se sukseset e reformave strukturore vijnë nga politikat me vazhdimësi, përfshirja e komunitetit akademik dhe mbështetja e institucioneve shtetërore gjatë një periudhe të gjatë kohore.
    Në përputhje me këto nevoja, Maqedonia e Veriut ka bërë hapa konkretë duke themeluar më 6 nëntor 2024 Trupin Nacional Koordinues për Reforma në Arsimin e Lartë, një entitet gjithëpërfshirës që bashkon përfaqësues të institucioneve shtetërore, universiteteve, biznesit dhe shoqërisë civile, me mandatin për të rikthyer cilësinë, standardizimin dhe investimet në shkencë dhe kërkim. Ky trup synon të nisë një reformë strukturore të thellë, duke përgatitur propozime konkrete për përmirësimin e sistemit arsimor gjatë 18 muajve të ardhshëm.
    Megjithatë, sfidat mbeten të mëdha. Raportet e Komisionit Evropian për vitet 2023 dhe 2024, si dhe analizat e organizatave ndërkombëtare si UNDP dhe OECD/SIGMA, evidentojnë mungesën e kapaciteteve teknike dhe njerëzore, politizimin e universiteteve dhe fragmentimin e legjislacionit, si faktorë që pengojnë konsolidimin e reformave në arsimin e lartë. Pa i tejkaluar këto barriera, vënë në pah ekspertët, Maqedonia e Veriut, do të vazhdojë të përballet me sfida në ndërtimin e institucioneve të depolitizuara, të pavarura dhe të përgjegjshme ndaj komunitetit akademik dhe shoqërisë.
    RAPORTIN E PLOTË E GJENI KËTU