“Çdo gazetar është edhe aktivist dhe çdo aktivist është edhe gazetar”
Sara Tanaskoska është një gazetare e re nga Struga. Deri para pak kohësh, ajo ka punuar në një medium ku temat lokale rrallëherë gjenin hapësirë. Jo për shkak të mungesës së interesimit, por për shkak se sistemi thjesht nuk ofronte hapësirë për këtë. “Dua të kontribuoj më shumë për komunitetin tim lokal. Deri tani nuk kam pasur mundësi që në ndonjë medium t’i trajtoj në mënyrë të thelluar temat lokale, prandaj këtë trajnim e shoh si mundësi për të fituar njohuri dhe shkathtësi për këtë”, tha ajo gjatë punëtorisë së Lokal Aktiv në Ohër.
Në një distancë prej 130 kilometrash, në Tetovë, Angel Dimovski, gazetar i ri, thotë diçka të ngjashme. “Arsyeja kryesore pse u përfshiva është se dua të kontribuoj për gazetarinë lokale dhe për zgjidhjen e problemeve në komunitet”, thotë ai. Ndërsa në Vallandovë, aktivistja Ljubica Stojanovska kishte një arsye tjetër, por plotësuese: “U përfshiva për t’i ndjekur lajmet aktuale me qëllim informimin e drejtë dhe përfaqësimin para institucioneve publike.” Tre persona, tre rajone të ndryshme, një problem i përbashkët dhe përfundimi se komunitetet lokale nuk kanë zërin e tyre.



Pikërisht ky është thelbi i projektit “Mediat e komunitetit për një shoqëri civile më të fuqishme”, të cilin e zbatojnë Instituti RESIS dhe Këshilli për Etikë në Mediat e Maqedonisë (KEMM).
Gjatë muajit qershor, RESIS dhe KEMM organizuan punëtori në tri rajone: atë Juglindor, Jugperëndimor dhe të Pollogut. Punëtoritë shërbyen për të vendosur bazat e redaksive të ardhshme të mediave të komunitetit atje ku të tilla ende nuk ekzistojnë. Ajo që punëtoritë e konfirmuan është diçka që ndoshta shumë njerëz e ndiejnë, por rrallëherë e emërtojnë: një pjesë e madhe e Maqedonisë është në rrezik të shndërrohet në “shkretëtirë mediatike”. Jo sepse nuk ka media, por sepse mediat ekzistuese nuk prodhojnë përmbajtje që burojnë nga komunitetet lokale dhe i shërbejnë interesit të tyre publik. Presioni politik dhe korporativ ndaj mediave lokale, paqëndrueshmëria e tyre financiare, të ardhurat e ulëta të gazetarëve dhe mungesa e instrumenteve për komunikim qytetar… Të gjitha këto sfida së bashku çojnë në të njëjtën pasojë: qytetarët nuk e dinë se kanë të drejtë të kërkojnë, nuk e dinë ku të kërkojnë dhe shpesh nuk e dinë as se problemi i tyre është problem.
Pjesëmarrësit e punëtorive këtë e kanë ndier në lëkurën e tyre. Përmes diskutimeve ata i paraqitën realitetet konkrete të secilit rajon. Në Rajonin e Pollogut, gazetarët dhe aktivistët folën për urbanizimin e dobët dhe ndotjen në Tetovë. Sipas tyre, ky është një rajon që shënon rrezik të shtuar nga sëmundjet malinje, por rrallëherë merr hapësirë të përshtatshme mediatike për këtë. Në Rajonin Juglindor, fokusi u vendos te deponitë jo legale dhe shkatërrimi i pyjeve me pisha, por edhe te shpërngulja “e heshtur” e të rinjve, temë për të cilën pothuajse askush nuk shkruan. Në Rajonin Jugperëndimor, pjesëmarrësit ngritën çështjet e ujit të pijshëm, deponive dhe reformës në shëndetësi.

Modeli që e promovojnë RESIS dhe KEMM, i njohur si media e komunitetit, është një përgjigje konceptuale pikërisht ndaj këtyre problemeve. Bëhet fjalë për një platformë online që funksionon si redaksi: gazetarët dhe aktivistët së bashku hulumtojnë tema lokale, i shkruajnë dhe i publikojnë ato. Por, ndryshe nga mediat klasike, çdo storje nuk përfundon vetëm me një tekst. Ajo kristalizon një kërkesë konkrete shoqërore: cili është problemi, cili organ apo institucion duhet ta zgjidhë dhe në çfarë mënyre. Kjo kërkesë pastaj bëhet bazë për një aksion avokues. Platforma e ndjek, ushtron presion dhe nuk e harron atë derisa të përmbushet. Logjika është e thjeshtë, por e fuqishme, përkatësisht se temat duhet të burojnë “nga komuniteti” dhe të hulumtohen “për komunitetin”. Në redaksi punojnë së bashku gazetarë lokalë, aktivistë qytetarë dhe të rinj, dhe këtë jo në role tradicionale. Këtu çdo gazetar është edhe aktivist dhe çdo aktivist është edhe gazetar. Gazetarët kontribuojnë përmes hulumtimit, argumentit dhe artikulimit. Aktivistët kontribuojnë përmes njohjes së mjedisit lokal, rrjeteve dhe mekanizmave për presion. Të rinjtë e sjellin të ardhmen, qëndrueshmërinë pa të cilën e gjithë kjo nuk ka kuptim.



“Besoj se përmes tregimeve gazetareske mund të nxiten ndryshime konkrete në komunitete. Më pëlqen shumë skema gazetar dhe aktivist lokal, prandaj mendoj se do të ketë ndikim të madh në zgjidhjen e problemeve që do t’i trajtojnë tekstet gazetareske”, thotë Sara Tanaskoska.
Se modeli funksionon, e dëshmojnë platformat tashmë ekzistuese: Lokal Aktiv Lindje, Lokal Aktiv Vardar dhe Lokal Aktiv Pellagonia. Që nga themelimi i tyre e deri më sot janë publikuar mbi 120 storje që identifikojnë dhe formulojnë me saktësi kërkesa lokale, ndërsa ky proces ka nxitur dhjetëra nisma të reja avokuese. Platformat vazhdimisht u rikthehen kërkesave që ende nuk janë përmbushur, ndërsa aktivistët qytetarë të përfshirë në proces hartojnë edhe dokumente të politikave, si mjete që u mundësojnë avokim më efikas para institucioneve. Paralelisht, punohet në diversifikimin e burimeve të financimit dhe hapen kanale të reja komunikimi ndërmjet redaksive dhe institucioneve kompetente për ndjekje më efikase të kërkesave lokale. Megjithatë, sfidat mbeten. Qëndrueshmëria financiare e mediave të komunitetit kërkon mbështetje edhe nga një politikë rregullatore që do të stimulojë përmbajtje të pavarura dhe do të mundësojë konsolidimin afatgjatë të sektorit.

Projekti në vitin 2026 i konsolidon këto tri platforma ekzistuese dhe njëkohësisht i zgjeron bazat në katër rajone të reja. Gjysma e dytë e vitit do të fokusohet në prodhimin e përmbajtjeve. Pjesëmarrësit vetë do t’i hulumtojnë dhe do t’i shkruajnë temat që i kanë identifikuar në punëtori, duke formuluar kërkesa të reja të komuniteteve lokale.
Ljubica Stojanovska pret që ndryshimi të jetë i prekshëm. “Pres informim të përmirësuar të qytetarëve dhe zhvillim të kapaciteteve për njohjen, përzgjedhjen dhe avokimin e temave të rëndësishme”, shton ajo. Nga ana tjetër, Angell Dimovski është edhe më i drejtpërdrejtë. “Pres që Lokal Aktiv të kontribuojë në përfshirje më të madhe të qytetarëve dhe në dukshmëri më të mirë të problemeve dhe nevojave në rajone, si dhe në zgjidhjen e tyre”, thotë ai.
Në thelb, ky është edhe qëllimi. Media më të mira, por edhe qytetarë më të informuar, të cilët e dinë se zëri i tyre mund të shndërrohet në politikë.








