Viber image 2026 06 18 17 54 31

Civika mobilitas dhe PRAGG shkëmbyen përvoja dhe njohuri nga zbatimi i programeve për mbështetjen e shoqërisë civile

Ekipi i Civika mobilitas u takua me kolegët e programit zviceran “Qytetarë dhe qytetare proaktivë” (PRAGG) në Bosnjë dhe Hercegovinë, nga 15 deri më 19 qershor 2026, në Sarajevë. Shkëmbimi i përvojave në mbështetjen e shoqërisë civile në të dyja vendet ishte në fokus të diskutimeve. Vizita ishte një mundësi e shkëlqyer për të ndarë rezultatet kryesore, sfidat dhe mësimet e nxjerra nga puna.

Aleksandar Kërzhalovski, udhëheqës i ekipit të Civika mobilitas, u ndal te rezultatet e programit gjatë periudhës 2008–2026. Duke qenë një program kryesisht i orientuar drejt granteve, ai theksoi se janë ndarë dhe zbatuar 492 grante për 395 organizata të shoqërisë civile. Duke iu referuar periudhës gjatë së cilës MCMS-ja e zbaton programin, ai theksoi se faza e parë (2014–2018) ishte më shumë e fokusuar në forcimin e kapaciteteve të organizatave qytetare, faza e dytë (2019–2022) ishte orientuar drejt përmirësimit të mjedisit për shoqërinë civile, ndërsa faza aktuale (2023–2026) drejt rritjes së angazhimit qytetar dhe besimit publik ndaj organizatave qytetare.

Çila Shçalbert (Csilla Schalbert), udhëheqëse ndërkombëtare e ekipit, më pas e prezantoi programin PRAGG, i cili është aktiv nga viti 2021 deri në vitin 2027. Fokusi është te qytetarët, veçanërisht te grupet e përjashtuara nga shoqëria, prej të cilëve pritet të marrin pjesë më aktivisht në çështjet publike, në ndikimin mbi krijimin e politikave dhe në kontributin ndaj reformave demokratike dhe ndryshimeve shoqërore në Bosnjë dhe Hercegovinë, përmes angazhimit të tyre në organizatat qytetare.

Në diskutimet që u zhvilluan pas prezantimeve hyrëse, Anja Didoviq nga KULT foli për procesin paralel të zhvillimit të kapaciteteve organizative të përfituesve të granteve gjatë zbatimit të projekteve të tyre, me qëllim që organizatat të mbeten të qëndrueshme edhe pas përfundimit të mbështetjes. Një nga temat kishte të bënte me bashkëpunimin me mediat. Nikolina Vilov Mahmutoviq nga PRAGG theksoi se temat me të cilat merren organizatat qytetare nuk janë gjithmonë tërheqëse për mediat. Gonce Jakovleska ndau përvojën e Civika mobilitas, e cila i përdor kanalet e veta të komunikimit dhe burimet e MCMS-së për t’i ndihmuar përfituesit e granteve në rritjen e dukshmërisë së tyre, ndërsa disa prej tyre tashmë po ndërtojnë në mënyrë të pavarur bashkëpunim të qëndrueshëm me mediat.

Të dy ekipet i prezantuan rezultatet e analizës PEPA (Political Economy and Policy Analysis). Petrush Tojnes, ekspert ndërkombëtar i Civika mobilitas, theksoi se PEPA nuk duhet të shihet si një raport i njëhershëm, por si proces dhe mënyrë të menduari, që përfshin analizë shumëfazore të rreziqeve, palëve të interesuara dhe kontekstit. Elementin inovativ të analizës së Civika mobilitas, përdorimin e mjeteve digjitale dhe të inteligjencës artificiale, e prezantoi Boris Ristovski. Lupka Simonoska Shulc foli për zbatimin e PEPA-s në PRAGG, duke përfshirë përdorimin e metodologjisë “power grid” për hartëzimin e palëve të interesuara, një mjet me rrënjë nga Helvetas (Helvetas), i cili mundëson një pasqyrë më të detajuar sesa modeli klasik me katër kuadrante.

Për mjedisin mundësues dhe financimin shtetëror të organizatave qytetare në Maqedoni foli Aleksandra Savevska. Ajo iu referua dispozitës në Strategjinë për bashkëpunim me shoqërinë civile (2025–2028), sipas së cilës financimi shtetëror duhet të arrijë në 30 milionë euro deri në vitin 2028. Duke i prezantuar luhatjet në financimin shtetëror të organizatave qytetare, ajo theksoi se ai është mjaft i paqëndrueshëm. Diskutimi i përfshiu edhe dobësitë e modelit, klasifikimin e paqartë përmes të cilit përcillet financimi, shumat e pamjaftueshme në raport me nevojat e sektorit dhe mungesën e mbështetjes institucionale shumëvjeçare.

Darko Dimov nga Civika mobilitas dhe Dario Jovanoviq nga CCI i prezantuan komponentët e granteve, duke filluar nga publikimi dhe promovimi i thirrjeve, e deri te raportimi, monitorimi i financave, rezultatet e të tjera.

Ekipi i Civika mobilitas pati mundësi të vizitojë disa organizata dhe partnerë të PRAGG-ut në Bosnjë dhe Hercegovinë, ndër të cilët Shoqatën e prindërve të fëmijëve me pengesa në zhvillim “Budi mi prijatelj” në Jabllanicë, organizatat nga Sarajeva “Stop mobing”, Institutin për zhvillimin e të rinjve KULT, organizatë partnere e PRAGG-ut, Bejbi Steps (Baby Steps), e cila merret me avokim, lobim dhe krijimin e politikave publike, si dhe Koalicionin për zgjedhje të lira dhe të ndershme “Pod lupa” dhe Qendrat për iniciativa qytetare (CCI), gjithashtu organizatë partnere e PRAGG-ut.

Në sesionin për dukshmëri dhe komunikim, Nikolina Vilov Mahmutoviq ndau përvojat e PRAGG-ut në ndërtimin e besimit te qytetarët përmes rrëfimit të historive, në vend të komunikimit klasik të projekteve. Nga ana tjetër, Boris Ristovski nga Civika mobilitas i prezantoi të gjitha mundësitë dhe opsionet që i ofron platforma elektronike, me qëllim komunikimin më të mirë dhe më cilësor, rritjen e dukshmërisë dhe përfitimet e ndërsjella për organizatat qytetare në vend.

Sesioni për kapitalizim e plotësoi pasqyrën e përgjithshme të programit Civika mobilitas. Kapitalizimi shihet si mënyrë për ta shndërruar përvojën e mbledhur ndër vite në njohuri strategjike të qëndrueshme dhe në trashëgimi që do të mbetet edhe pas përfundimit të programit.

Në fund, pjesa e fundit e takimit iu kushtua diskutimit për të ardhmen e shoqërisë civile në Ballkan dhe mundësive për bashkëpunim të mëtejshëm rajonal ndërmjet dy programeve.

Të dy programet e Qeverisë së Zvicrës, pavarësisht specifikave të vendeve ku zbatohen dhe kohëzgjatjes së ndërhyrjeve, treguan se sfidat e shoqërisë civile në rajon mbeten të ngjashme, ndërsa zgjidhjet janë të vlefshme për t’u shkëmbyer.

Vizita ishte pjesë e aktiviteteve të Civika mobilitas, program i zbatuar nga MCMS në partneritet me NIRAS nga Danimarka dhe FCG nga Suedia, në bashkëpunim me PRAGG.

Продолжи со читање

  • Mbështetje praktike për raportim më të lehtë financiar

    Më 30 prill 2026, në ambientet e Qendrës së Resurseve Qytetare në Shkup, ekipi i Civica Mobilitas mbajti një punëtori për raportim financiar. Punëtoria ishte e dedikuar për përfituesit e granteve partnere nga thirrja CM-PG-2. Gjithsej 19 pjesëmarrës nga11 përfituesit e granteve, përfshirë koordinatorë projektesh dhe persona përgjegjës për financat,…

  • Kontributi i organizatave të shoqërisë civile në lirinë e medias

    “Formësimi i një të ardhmeje në paqe” është mesazhi global nën të cilin festohet 3 Maji i këtij viti – Dita botërore e lirisë së shtypit, kushtuar rolit të gazetarisë në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, proceseve demokratike dhe interesit publik. Dita festohet që nga viti 1993, pas një…

  • Fuqia jonë, planeti ynë: Sektori civil prijës i ndryshimeve

    Çdo vit, 22 prilli na kujton se planeti nuk mbrohet vetëm nga premtimet madhështore, por nga puna e përditshme, vendimet, zgjidhjet praktike dhe komunitetet që e dinë se kanë fuqinë për të bërë një ndryshim. Motoja e Ditës së Tokës e këtij viti, “Fuqia jonë, planeti ynë”, është veçanërisht e…