Organizatat qytetare dhe përfaqësuesit e Qeverisë në bisedë të drejtpërdrejtë më 30 nëntor
Forumi Nacional i Civica Mobilitas, Panairi i Organizatave Qytetare, për të tretin vit me radhë i bashkon organizatat qytetare dhe Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut në dialog për tema të rëndësishme shoqërore. Forumi do të mbahet të hënën, më 30 nëntor 2026, në Klubin e Deputetëve në Shkup, me fillim në ora 9:00.
Gjatë dy viteve të kaluara, forumi u rrit gradualisht si për nga numri i pjesëmarrësve, ashtu edhe për nga temat që diskutohen. Këtë vit, forumi fokusohet që bisedat të sjellin rezultate konkrete.
Bashkëpunimi i vërtetë kërkon më shumë se komunikim të hapur. Nevojiten vullnet politik, institucione që i ndjekin zotimet e marra dhe organizata qytetare që marrin pjesë aktivisht në krijimin dhe monitorimin e politikave publike. Programi u ofron pjesëmarrësve një panel ku do të flitet për premtimet dhe arritjet e Qeverisë, si dhe një diskutim se si reformat e paralajmëruara mund të sjellin ndryshime reale për ekonominë.
Në forum do të flitet edhe për kushtet në të cilat punojnë organizatat qytetare, si korniza ligjore e përshtatshme, financimi publik transparent dhe i parashikueshëm dhe qasja e barabartë në shërbimet financiare. Vetëm kështu organizatat mund të punojnë në mënyrë të pavarur dhe t’u përgjigjen nevojave të qytetarëve.
Fjalime hyrëse në hapjen e Forumit do të mbajnë Ambasadori i Zvicrës në Maqedoninë e Veriut, NJ.SH. Christoph Sommer, dhe drejtori i QMBN-së, Aleksandar Kërzhalovski. Kryeministri Hristijan Mickoski do të mbajë fjalim dhe do të marrë pjesë në panelin kushtuar arritjeve të Qeverisë përballë premtimeve.
Programi përmban dhjetë diskutime panel, të cilat do të zhvillohen paralelisht. Në to do të marrin pjesë Vesna Janevska, ministre e Arsimit dhe Shkencës; Sasho Klekovski, minister i Shëndetësisë; Gordana Dimitrieska Koçoska, ministre e Financave; Stefan Andonovski, minister i Transformimit Digjital; Gjoko Velkovski, minister i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë; Muamet Hoxha, minister i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor; Jeton Shasivari, minister i Drejtësisë; dhe Igor Janushev, sekretar i përgjithshëm i Qeverisë.
Temat e diskutimit do të përfshijnë parandalimin në shëndetësi, reformat në arsim, të rinjtë dhe transformimin digjital, si dhe reformat për një ekonomi më rezistente. Në rend dite janë edhe cilësia e ajrit, reformat e mbikëqyrjes inspektuese lokale dhe qasja e organizatave qytetare në shërbimet financiare. Do të diskutohet edhe për mundësitë që qytetarët të marrin pjesë në punën e Kuvendit, ndërsa do të mbahet edhe një seancë e hapur e Këshillit për Bashkëpunim ndërmjet Qeverisë dhe Shoqërisë Civile.
Programin e plotë të forumit mund ta shikoni [këtu]. Për shkak të procedurave për hyrje në Klubin e Deputetëve, në ngjarje mund të hyjnë vetëm pjesëmarrësit e regjistruar paraprakisht. Paraqituni përmes formularit për regjistrim.
Forumi Nacional, Panairi i Organizatave Qytetare, edhe këtë vit organizohet nga Qendra Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar (QMBN) në bashkëpunim me Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Forumi është pjesë e programit Civica Mobilitas, të cilin QMBN e zbaton me mbështetje nga Qeveria e Zvicrës.








