Untitled design

Të rinjtë e testojnë protokollin për menaxhimin e krizave i hartuar si rezultat i tragjedisë në Koçan

Më 16 mars 2025, në klubin e natës “Puls” në Koçan, një zjarr i shkaktuar nga mjete piroteknike përfshiu brenda pak minutash të gjithë hapësirën dhe mori gjashtëdhjetë e tre jetë, duke lënë mbi njëqind persona të lënduar. Kjo është tragjedia më e dhimbshme dhe më e rëndë që i ka ndodhur Maqedonisë. Pikërisht kjo tragjedi, gjatë së cilës u dëshmua se institucioneve u nevojitet më shumë kohë për të reaguar, ndërsa komuniteti duhet të jetë më i shpejtë, ishte motivimi për projektin “Të lidhur në krizë: Të rinj që ndërtojnë qëndrueshmëri dhe bashkësi”, të cilin e zbatojnë “Të rinjtë munden” nga Shkupi dhe Supportko Koçanë, me mbështetjen e Qeverisë së Zvicrës përmes Civika mobilitas. Një nga hapat e parë konkretë ishte simulimi i një gjendjeje krize, në të cilin morën pjesë rreth njëzet të rinj.

Simulimi është faza testuese e protokollit të parë kombëtar për menaxhimin e krizave nga të rinjtë në Maqedoninë e Veriut. Qëllimi është që ky protokoll të përcaktojë rolet e qendrave rinore, organizatave qytetare dhe komunave në fazat e parandalimit, reagimit dhe mbështetjes psiko-sociale. Në këtë mënyrë, të rinjtë për herë të parë do të njihen zyrtarisht si aktorë në sistemin e mbrojtjes civile dhe të qëndrueshmërisë shoqërore. Në vend që institucionet dhe sektori civil të veprojnë secili më vete, siç ndodhi gjatë dhe pas tragjedisë në Koçanë, synimi është të krijohet një model i qëndrueshëm dhe i koordinuar, në të cilin qendrat rinore do të integrohen në planet komunale për reagim në raste krizash, ndërsa Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë dhe Qendra për Menaxhimin e Krizave do të kenë komunikim të rregullt me rrjetin e qendrave rinore. Prandaj, protokolli fillimisht u testua në kushte të kontrolluara, përmes një loje ku pjesëmarrësit luanin rolet e aktorëve realë, para se të vazhdohej me hapat e ardhshëm drejt miratimit zyrtar dhe zbatimit në një krizë të vërtetë.

Para simulimit, hulumtimi i gjendjes aktuale të qendrave rinore dhe sektorit civil zbuloi një varg sfidash të rëndësishme. Përfaqësuesit e “Të rinjtë munden”, duke iu referuar të dhënave të marra, thonë se “më shumë se gjysma e të rinjve kanë deklaruar se krizat ndikojnë negativisht në shëndetin e tyre mendor dhe në jetën sociale. Në këtë drejtim, mbështetja psikologjike u veçua si nevoja e tyre më e madhe, ndërsa ishte e dukshme edhe besimi i ulët i prindërve ndaj institucioneve”. Supportko Koçanë e sheh të njëjtin problem nga një kënd tjetër. Sipas tyre, sfida më e madhe e vërejtur është se organizatat rinore kanë dëshirë të madhe për të ndihmuar në raste krize, por u mungojnë udhëzime të qarta se si të koordinohen me institucionet. Kjo shpesh çon në veprim me vetiniciativë dhe rrjedhimisht, në veprime të rrezikshme, ndërsa institucionet e kanë të vështirë të sigurojnë informacione në kohë dhe të sakta nga terreni.

Këto gjetje ndikuan drejtpërdrejt në punën e grupit të ekspertëve gjatë përgatitjes së draft-protokollit. Sara Nikollovska nga “Të rinjtë munden” thekson se “vëmendje e veçantë iu kushtua rolit të qendrave rinore si hapësira të sigurta për mbështetje, ndarjes së qartë të roleve dhe përgjegjësive ndërmjet institucioneve, si dhe mekanizmave për mbështetje psiko-sociale dhe përfshirje të të rinjve”. Për Supportko Koçanë, këto gjetje nënkuptuan një ndryshim të plotë të qasjes ndaj hartimit të dokumentit. “Kjo na shtyu të mos hartojmë vetëm një dokument tjetër të thatë teorik, por një kornizë praktike. Udhëzuesin e përgatitëm me role të ndara qartë: dihet saktësisht kush koordinon, kush i verifikon informacionet dhe ku është kufiri ndërmjet ndihmës humanitare dhe shërbimeve profesionale të shpëtimit”, shpjegon Klaudia Nikollova nga Supportko Koçan.

Simulimi u konceptua si një lojë interaktive shoqërore, ku secili pjesëmarrës mori një rol që korrespondonte me një aktor real të protokollit – përfaqësues të komunës, të Qendrës për Menaxhimin e Krizave, të qendrës rinore, psikolog dhe aktorë të tjerë relevantë. Përmes skenarëve dhe sfidave të ndryshme, pjesëmarrësit duhej të merrnin vendime, të komunikonin ndërmjet tyre dhe të vepronin sipas hapave të propozuar në protokoll, bëjnë të ditur nga “Të rinjtë munden”. Supportko Koçan e plotësoi më tej lojën me kartela për testimin e stresit dhe skenarë realë, si rrugë të përmbytura, lidhje të ndërprera dhe panik në rrjetet sociale. Qëllimi, siç theksojnë zbatuesit e projektit, ishte që përmes lojës të shihej se si pjesëmarrësit do ta përdornin udhëzuesin në praktikë dhe si do ta përballonin presionin e marrjes së shpejtë të vendimeve.

Sfida më e madhe për pjesëmarrësit ishte koordinimi ndërmjet institucioneve të ndryshme dhe marrja e vendimeve të shpejta në kushte me informacione të kufizuara, tha Nikollovska nga “Të rinjtë munden”, duke shtuar se pjesëmarrësit kuptuan se përballimi efektiv i një krize varet nga komunikimi në kohë, besimi dhe bashkëpunimi i ndërsjellë. Klaudia Nikollova nga Supportko Koçan e përshkruan momentin më të tensionuar përmes një skene konkrete: “Situata më e tensionuar ishte kur u përballën me lajme të rreme dhe panik nga rrjetet sociale, ndërsa në të njëjtën kohë telefononin prindër të shqetësuar dhe vullnetarë që dëshironin të niseshin menjëherë për të ‘shpëtuar’. Kishte shumë pasiguri dhe një kuptim real se sa i vështirë është vendimi kur diçka duhet të shpallet e sigurt.” Pjesëmarrësit u përfshinë seriozisht në rolet e tyre, ndërsa ndjenja e përgjegjësisë dhe pasigurisë e bëri lojën shumë realiste për të gjitha palët.

Simulimi tregoi se protokolli paraqet një bazë të mirë, por njëkohësisht hapi edhe çështje për përmirësime të mëtejshme. Nga “Të rinjtë munden” theksojnë se pikërisht për këtë arsye, pas përfundimit të lojës, u organizua edhe një takim tjetër i grupit të ekspertëve, ku u shqyrtuan të gjitha vërejtjet dhe propozimet e pjesëmarrësve, ndërsa dokumenti u përmirësua më tej. “Tani e kemi të qartë se cilat procedura duhet të saktësohen më tej – për shembull, kush e jep saktësisht konfirmimin përfundimtar për sigurinë e objekteve dhe si të përgënjeshtrohen më shpejt dezinformatat para se të shkaktojnë panik masiv”, shton Nikollova nga Supportko Koçan.

Për organizatorët, vlera më e madhe e simulimit qëndron në faktin se protokolli nuk është vetëm një dokument në letër. “Më e vlefshmja ishte se protokolli nuk mbeti vetëm dokument në letër, por iu nënshtrua një testi praktik. Përmes pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë të të rinjve morëm reagime të sinqerta, propozime konkrete dhe një pasqyrë se si funksionojnë procedurat e propozuara në një dinamikë reale”, theksoi Sara Nikollovska nga “Të rinjtë munden”, duke shtuar se një nga momentet më mbresëlënëse ishte kur pjesëmarrësit kuptuan se qëllimi i mirë, në vetvete, nuk është i mjaftueshëm nëse nuk ka role të përcaktuara qartë, koordinim dhe komunikim në kohë. Përshtypje të ngjashme kanë edhe nga Supportko Koçan, ku pjesëmarrësit kuptuan se gjatë një krize më e rëndësishmja është të respektohet “zinxhiri i komandimit dhe të mos ndërmerren veprime heroike me vetiniciativë, të cilat mund ta rrezikojnë sigurinë”.

Përshtypjet e tyre nga lojërat i ndanë edhe vullnetarët që morën pjesë në testim, ndërsa përvojat e tyre treguan se sa realisht loja i përcolli presionet e një krize të vërtetë. “Më pëlqeu shumë dinamika e lojës, sepse na dha ndjesinë sikur vërtet ndodheshim në një shtab krize”, thotë Dea Andreeva, vullnetare nga Koçani. Ajo thekson se befasia më e madhe për të ishte se sa lehtë mund të krijohet panik përmes rrjeteve sociale dhe lajmeve të rreme.

Ky element i kaosit dhe marrjes së shpejtë të vendimeve i la përshtypje edhe vullnetarit Denis Bozhinov, i cili thekson se pjesa më interesante, por edhe më e tensionuar, ndodhi kur pjesëmarrësit filluan të merrnin informacione kundërthënëse nga të gjitha anët. “Duhej të vendosje brenda një sekonde se cili ishte hapi i ardhshëm”, përshkruan ai.

Pjesëmarrësit e ndjenin se vendimet e tyre kishin vërtet peshë. Për vullnetaren Mia Andreeva, përmes gabimeve dhe vendimeve të veta gjatë lojës, mund të shihej qartë se çfarë duhej të përmirësohej në udhëzues në kushte reale. “E dinim se vërejtjet tona do të ndikonin realisht në formën përfundimtare të protokollit që do të përdoret nga qendrat rinore”, thotë ajo.

Përvoja nga loja u dha vullnetarëve edhe një pasqyrë të qartë për atë që mungon në versionin aktual të protokollit. Bozhinov vlerëson se “dokumenti duhet të përmbajë një hap më të qartë për verifikimin e shpejtë të informacioneve para publikimit të tyre, me qëllim që të parandalohet përhapja e dezinformatave”. Andreeva, nga ana tjetër, thekson nevojën për një pjesë më të saktë mbi komunikimin me prindërit në situata krize, të cilët shpesh janë burimi më i madh i presionit kur shpërthen paniku.

Hapat e ardhshëm të projektit janë të përqendruar në finalizimin e protokollit kombëtar në bazë të të gjitha rekomandimeve të mbledhura, promovimin dhe përfaqësimin e tij para institucioneve relevante, ndërsa aktiviteti qendror në periudhën e ardhshme do të jetë organizimi i një simulimi të madh kombëtar për testimin e tij në një kuadër më të gjerë. Paralelisht, vazhdojnë aktivitetet që e fuqizojnë qëndrueshmërinë e të rinjve dhe bashkëpunimin ndërmjet qendrave rinore, institucioneve dhe shoqërisë civile.

Продолжи со читање

  • “Çdo gazetar është edhe aktivist dhe çdo aktivist është edhe gazetar”

    Sara Tanaskoska është një gazetare e re nga Struga. Deri para pak kohësh, ajo ka punuar në një medium ku temat lokale rrallëherë gjenin hapësirë. Jo për shkak të mungesës së interesimit, por për shkak se sistemi thjesht nuk ofronte hapësirë për këtë. “Dua të kontribuoj më shumë për komunitetin…

  • Kodi i ri etik për gazetarët: një proces që e rikthen besimin në mediat

    Në një kohë kur informacioni përhapet me një shpejtësi të pabesueshme dhe vija ndarëse midis lajmeve të verifikuara dhe dezinformimit po bëhet gjithnjë e më e paqartë, tema e gazetarisë etike po del përsëri si thelbësore për shoqërinë. Gazetaria, si zëri i publikut, mbart një përgjegjësi që është më e…

  • Na duhet vetëm një rast!

    Të rinjtë nga rajoni i Pollogut kërkojnë kushte për të qëndruar, jo arsye për t’u larguar. “Çdo mik i dytë i imi është tashmë në Gjermani. Unë ende hezitoj, dua të qëndroj, por nuk shoh ndonjë perspektivë”, thotë Arbeni, një programues 24-vjeçar nga Tetova, i cili përballet me të njëjtën…

  • Interesi publik mbi pronësinë e fshehur

    Bota ka kohë që di për ekzistencën e të ashtuquajturave kompani “guaska” ose të zbrazëta, të cilat pa një pronar të njohur dhe pa të punësuar, transferonin shuma të mëdha parash midis tyre për shërbime fiktive, me qëllim që të fshihnin gjurmët e këtyre parave, të cilat më shpesh vinin…

  • A do ta dijë më në fund Maqedonia se ku janë bursistët e saj?

    Maqedonia humbet potencialin e të rinjve çdo vit, sa madhësia e një qyteti të tërë të vogël. Vetëm në Slloveni, në vitet e fundit, mesatarisht janë larguar rreth 1,000 studentë maqedonas. Ndërsa mendjet më të mira nga shkollat tona të mesme pushtojnë amfiteatrot në Vjenë, Berlin, Lubjanë ose Amsterdam, vendi…