“Nuk na duhet edhe një aplikacion tjetër, por dikush më në fund të na dëgjojë”
Të rinjtë nga Krusheva, Kumanova dhe Tetova mes procedurave të ngadalta dhe përpjekjes së re për dialog digjital me komunat.
Në shumë komuna në mbarë Maqedoninë e Veriut, rruga nga ideja deri te ndryshimi real për të rinjtë shpesh përfundon ende pa filluar. Një përpjekje për të paraqitur një problem, disa tentativa për të gjetur institucionin e duhur dhe në fund, ndjenja se përgjigjja vonohet ose nuk vjen fare.
“Nuk na duhet edhe një aplikacion tjetër, por dikush më në fund të na dëgjojë”, tha një i ri pjesëmarrës në një punëtori në Kumanovë. Kjo fjali në vetvete mbart frustrimin, por edhe pritshmërinë se gjërat mund të ndryshojnë.
Pikërisht ky hendek ndërmjet të rinjve dhe komunave është në fokus të projektit “Zëri im në qytetin tim”, i cili zbatohet në Krushevë, Kumanovë dhe Tetovë dhe synon të hapë një kanal të ri komunikimi përmes një vegle digjitale të bazuar në inteligjencë artificiale.

Të rinjtë nga tri qytetet thonë se zakonisht e dinë ku ekziston problemi, por jo edhe ku saktësisht duhet ta paraqesin atë, e as si ta ndjekin zgjidhjen e tij. Në Krushevë, komunikimi me komunën ndonjëherë funksionon në mënyrë joformale, por kur bëhet fjalë për iniciativa zyrtare, procesi bëhet i ngadalshëm dhe i paqartë. Në Kumanovë dhe Tetovë, ndërkaq, mbizotëron ndjenja se informacionet janë vështirë të qasshme, ndërsa informata kthyese rrallë arrin.
Projektin e zbatojnë Lidhja Rinore – Krushevë, Qendra për Dialog Ndërkulturor (QDN) dhe Instituti për Zhvillim të Komunitetit – Tetovë, ndërsa të rinjtë janë të përfshirë jo vetëm si përdorues, por edhe si pjesëmarrës aktivë në dizajnimin e zgjidhjes.
Në punëtoritë për inteligjencë artificiale (IA) të mbajtura në Shkup, Kumanovë dhe Tetovë, të rinjtë folën hapur për barrierat në komunikimin me institucionet. Një pjesë e tyre pranuan se shpesh nuk dinë as nga t’ia nisin kur duan të paraqesin një problem, e as si përpunohet më tej zëri i tyre.
“Më pëlqeu që më në fund dikush pyeti se çfarë na nevojitet vërtet, e jo vetëm të na prezantojë një zgjidhje të gatshme”, thotë Zhivorad Arsiq, një nga pjesëmarrësit. “Në këtë mënyrë mund të ndikojmë realisht se si do të duket vegla, nga dizajni e deri te përmbajtja.”

Në fillim, një pjesë e të rinjve e shihnin me mosbesim idenë e përdorimit të inteligjencës artificiale në komunikimin me komunat, por me zhvillimin e diskutimeve, qëndrimi i tyre ndryshoi drejt një pranimi më të hapur se teknologjia mund ta lehtësojë dhe përshpejtojë komunikimin.
Të rinjtë nuk kërkojnë sisteme të ndërlikuara apo edhe një ueb-faqe tjetër formale. Përkundrazi, ata e imagjinojnë një vegël të thjeshtë dhe intuitiv përmes të cilit do të mund të paraqesin probleme, të marrin njoftime automatike për statusin e kërkesave të tyre, të dërgojnë fotografi ose mesazhe zanore nga terreni, por edhe të marrin ndihmë për formulimin e iniciativave të tyre.


Për ta, veçanërisht e rëndësishme është mundësia që në çdo moment të ndjekin se ku ndodhet kërkesa e tyre, në vend që ajo të mbetet e bllokuar në faza të paqarta administrative.
“Do të doja të dija se çfarë do të thotë kur na thonë se diçka është ‘në procedurë’. A po punohet për të apo thjesht qëndron diku?”, thotë Elena Serafimovska Stojçeska, një pjesëmarrëse tjetër, duke përshkruar një përvojë që shumë të tjerë e ndajnë.
Edhe pse prioritetet ndryshojnë nga qyteti në qytet, pamja e përbashkët është e qartë – të rinjtë kudo kërkojnë të njëjtën gjë: komunikim më të thjeshtë dhe ndjenjën se dikush vërtet i dëgjon.
Nga organizatat thonë se pikërisht këto takime treguan sa të gatshëm janë të rinjtë të marrin pjesë kur ndiejnë se mendimi i tyre ka peshë. Ata nuk janë vetëm përdorues të teknologjisë, por edhe bartës të ideve konkrete se si ajo mund të funksionojë në një kontekst real lokal.

Në periudhën në vijim do të punohet në integrimin e të gjitha propozimeve në zhvillimin e platformës, ndërsa është planifikuar edhe një ideaton në të cilin 45 të rinj, së bashku me përfaqësues të komunave, do ta testojnë veglën në praktikë.
“Ndjeva se mendimi ynë mund të ndikojë në diçka konkrete”, thotë një nga pjesëmarrësit.
Dhe ndoshta pikërisht ky është rezultati më i rëndësishëm i gjithë procesit: jo vetëm një vegël e re digjitale, por një hap i parë drejt ndjenjës se zëri i të rinjve më në fund mund të arrijë aty ku merren vendimet.








