28 march aspect ratio 2000 1200 1024x614 1

VENDIMMARRJE REALE – TË RINJTË ARKITEKTË TË DEMOKRACISË

Autor: Lorik Idrizi

Një ndër sfidat thelbësore të demokracisë mbetet përfshirja e të rinjve në procin e vendimmarjes dhe përgjithësisht përfshirja e tyre në jetën demokratike, institucionale dhe politike.  Në aspketin teorik, pjesëmarrja e të rinjve në vendimmarrje është një koncept kompleks dhe shumëdimensionale, që nuk duhet kuptuar si një ngjarje e pjesshme, por si një proces i vazhdueshëm, që nënkupton përfshirjen e të rinjve në vendime që ndikojnë në jetën e tyre sociale, ekonomike, kulturore, ekologjike dhe politike.

Të rinjtë si qytetari aktive

Në një studim të Anne Crowley dhe Dan Moxon “New and Innovative Forms of Youth Participation in Decision-Making Processes, i publikuar nga Këshilli i Evropës, në vitin 2017, theksohet se pjesëmarrja e të rinjve nuk kufizohet vetëm tek votimi ose kandidimi në zgjedhje, por shtrihet në një dimension më të gjerë të qytetarisë aktive.  Sipas autorëve të këtij studimi, pjesëmarrja e të rinjve ka të bëjë me të drejtën, mjetet, hapësirën dhe mundësinë për të marrë pjesë dhe për të ndikuar në vendime dhe për t’u angazhuar në veprime dhe aktivitete me qëllim të kontribuohet në ndërtimin e një shoqërie më të mirë. Pa dyshim, që kjo qasje, e bën pjesëmarrjen e të rinjve një element thelbësor të zhvillimit demokratik.

Një aspekt tjetër thelbësor i pjesëmarrjes mbetet krijimi i hapësirave ku të rinjtë mund të shprehin mendimet e tyre. Crowley dhe Moxon shprehen se pjesëmarrja e të rinjve përfshin “hapësirat” ku të rinjtë mund të shprehin mendimet dhe opinione e tyre, dhe në të njëjtën kohë mundësitë për vendimmarrësit që t’i dëgjojnë këto mendime dhe t’i marrin parasysh.

Në këtë studim, nënvizohet se pjesëmarrja ka rëndësi si për vendime që ndikojnë mbi individinin, për shembull shëndetin ose arsimin, po ashtu edhe për vendime kolektive që prekin komunitetet më të gjera, si projektet e banimit apo programet rinore. Në këtë mënyrë, pjesëmarrja e të rinjve bëhet një instrument për ndërtimin e shoqërive më demokratike, më gjithëpërfshirëse dhe më të qëndrueshme, duke integruar mendimin dhe energjinë e tyre në proceset e vendimmarrjes.

Karta e vendimmarrjes reale

Në kaudër të perspektivave për përfshirjen e të rinjve në procesin e vendimarrjes, por edhe përgjithësisht të përforcimit të rolit të të rinjve në jetën demokratike, një dokument bazë që eksploron fuqizimin e e zërit të tyre në hapësirën publike, mbetet Karta e Rishikuar Evropiane për Pjesëmarrjen e të Rinjve në Jetën Lokale dhe Rajonale, e miratuar nga Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Evropës në maj të vitit 2003 nga ana e Këshillit të Evropës. Karta mbështetet mbi përvojat e dhjetëvjeçarit të parë të zbatimit të kartës së parë të vitit 1992 dhe pasqyron nevojën për t’iu përgjigjur sfidave të reja shoqërore.

Në këtë dokument theksohet se pjesëmarrja e të rinjve nënkupton mundësi për të ndikuar realisht në vendimmarrje dhe për të marrë pjesë në aktivitete që forcojnë shoqërinë. Siç theksohet në preambulë “pjesëmarrja dhe qytetaria aktive nënkupton të kesh të drejtë, mjete, hapësirë dhe mbështetje për të ndikuar në vendimmarrje dhe për të kontribuar në ndërtimin e një shoqërie më të mirë.  Ky vizion kërkon që autoritetet lokale dhe rajonale të krijojnë struktura ku të rinjtë të mund të ushtrojnë demokracinë në praktikë, duke kontribuar në kohezionin social dhe në zhvillimin e një kulture gjithëpërfshirëse.

Një pjesë e rëndësishme e Kartës i kushtohet politikave sektoriale, të cilat prekin fusha të ndryshme të jetës së përditshme të të rinjve. Karta i udhëzon autoritetet vendore të mbështesin sportin, kulturën, jetën shoqërore dhe krijimtarinë, pasi këto konsiderohen rrugë që forcojnë kohezionin social dhe hapësira të rëndësishme për pjesëmarrje. Po aq e rëndësishme është edhe përballja me papunësinë e të rinjve, pasi mungesa e punësimit rrezikon t’i përjashtojë ata nga jeta qytetare. Dokumenti rekomandon krijimin e qendrave të punësimit, mbështetjen për sipërmarrjet e të rinjve dhe inkurajimin e iniciativave të ekonomisë sociale.

Një aspekt tjetër që theksohet në këtë  dokument është mjedisi urban dhe transporti. “Të rinjtë duhet të përfshihen në hartimin e politikave të strehimit dhe të transportit publik, duke qenë se lëvizshmëria është kusht themelor për pjesëmarrjen e tyre aktive në shoqëri”, thuhet në Kartën e Rishikuar Evropiane për Pjesëmarrjen e të Rinjve në Jetën Lokale dhe Rajonale . Po ashtu, arsimi shihet si një hapësirë ku duhet të mësohet demokracia në praktikë.  Së këndejmi nxitja e shoqatave të nxënësve dhe përfshirja e tyre në menaxhimin e shkollës konsiderohen të domosdoshme.

Karta përfshin edhe politika për mobilitetin ndërkombëtar, shkëmbimet kulturore dhe ndërtimin e një identiteti evropian të rinisë. Shëndeti dhe barazia gjinore trajtohen si fusha kyçe për mirëqenien dhe integrimin social. Ky dokument tregon një kujdes të veçantë ndaj nevojave të zonave rurale, duke kërkuar që të rinjtë aty të mos jenë të privuar nga shërbimet bazë. Gjithashtu, dokumenti vë në dukje nevojën për politika për zhvillim të qëndrueshëm, mbrojtjen e mjedisit dhe luftimin e dhunës, krimit dhe diskriminimit në të gjitha format e tij.

Një pjesë e veçantë e Kartës i është kushtuar instrumenteve që sigurojnë pjesëmarrjen e të rinjve. Këto përfshijnë trajnimin për qytetari aktive, garantimin e informacionit, përdorimin e teknologjive të komunikimit dhe promovimin e rolit të të rinjve në media.

Organizatat e të rinjve, qoftë të strukturuara ose joformale, dokumenti i vlerëson si aktorë unikë që pasqyrojnë zërin e të rinjve dhe u japin atyre hapësirë për të ushtruar pjesëmarrje reale. Për këtë arsye, rekomandohet që autoritetet vendore të ndajnë buxhete të veçanta për mbështetjen e tyre, duke respektuar parimet e bashkëmenaxhimit. Në mënyrë të ngjashme, dokumenti inkurajon pjesëmarrjen e të rinjve në organizatat joqeveritare dhe në partitë politike, si rrugë për të ndikuar vazhdimisht në proceset demokratike.

Karta vë në dukje edhe kushtet institucionale për pjesëmarrje. Këshillat e rinorë, parlamentet rinore dhe forumet rinore shihen si struktura të nevojshme për të ofruar hapësira dialogu dhe ndikimi real mbi politikat. “Këto struktura nuk janë vetëm mekanizma përfaqësimi, por edhe forume trajnimi për jetën demokratike dhe menaxhimin e çështjeve publike”, theksohet në këtë dokument.

Padyshim, Karta e Rishikuar Evropiane për Pjesëmarrjen e të Rinjve mbetet një dokument udhëzues që iu jep rëndësi jo vetëm politikave konkrete për të rinjtë, por edhe ndërtimit të një kulture demokratike gjithëpërfshirëse. Ajo nënvizon se pjesëmarrja e rinisë është një e drejtë dhe një mundësi që forcon shoqërinë demokratike, duke e parë rininë si partnerë aktivë në zhvillimin lokal dhe rajonal.

Animimi dhe fuqizimi i zërit të të rinjve

Në gjithë këtë peizazh të angazhimit të të rrinjve në jetën demokratike dhe bashkë me këtë edhe në vendimmarrje, duhet të vendosen edhe të rinjtë e Maqedonisë së Veriut, gjegjësisht përfshirja e tyre në jetën demokratike dhe në procesin e vendimarrjes në nivel lokal. Gjithsesi duke pasur parasysh përfshirjen formale dhe kufizimet në vendimarrje të të rinjve në Rajonin e Pollogut, kjo planimetri teorike dhe konceptuale, por edhe udhëzimet përmabjtësore mbeten jetike për një aninim tjetër të të rinjve në përputhje me pritjet e tyre, por edhe të imperativit për të fuqizuar zërin e tyre në jetën demokratike dhe në procesin e vendimmarrjes.

Doracaku për votuesit e rinj, i publikuar nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve i Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Misioni i OSBE-së në Shkup në vitin 2021, vë në dukje se të rinjtë mund dhe duhet të luajnë një rol kyç në formësimin dhe ndryshimin e shoqërisë ku jetojnë. “Pjesëmarrja e tyre aktive në proceset demokratike, si qytetarë të informuar dhe të përgjegjshëm, është një nga mënyrat më efektive për të ndërtuar një shoqëri më të qëndrueshme dhe demokratike. Energjia, entuziazmi dhe potenciali i tyre krijues e bëjnë zërin e të rinjve një instrument të rëndësishëm të ndryshimit, ndaj ai duhet të dëgjohet kur vendosen politika që i prekin ata”, thuhet në këtë doracak.

Sipas doracakut, pjesëmarrja politike e të rinjve nuk lidhet domosdoshmërisht me anëtarësimin në parti politike. Ajo përfshin edhe përfshirjen në vendimmarrje në nivele të ndryshme, nga ato lokale deri te ato ndërkombëtare.  Në doracak theksohet se të rinjtë mund të ndikojnë në këshillat rinorë, të kontribuojnë në përgatitjen e strategjive lokale, të votojnë apo të kandidojnë për poste vendimmarrëse. Përfshirja e tyre aktive, si deputetë, këshilltarë apo kryetarë komune, është shembulli më konkret i fuqisë së tyre për të ndikuar në proceset politike.

Votimi mbetet forma më e zakonshme e pjesëmarrjes konvencionale, dhe rritja e daljes së të rinjve përbën një mundësi reale për t’i integruar ata në jetën politike. Doracaku nënvizon se pjesëmarrja e të rinjve është një mënyrë strategjike për të forcuar demokracinë, për të garantuar që zëri i gjeneratës së re të dëgjohet dhe për të ndërtuar një shoqëri më të qëndrueshme.

Kjo analizë është financuar nga Bashkimi Evropian në kuadër të projektit “Zërat e Barazisë, Demokracisë për të Gjithë”, i zbatuar nga Instituti Ballkanik për Bashkëpunim Rajonal – BIRC Tetovë. Ky projekt është një subgrantim i marrë në kuadër të “Mbështetja e BE-së për Qendrën e Burimeve për Shoqërinë Civile – Faza 2” e financuar nga Bashkimi Evropian. Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e vetme e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian dhe të Qendrës së Burimeve për Shoqërinë Civile.

 

 

This post was originally published on this site

Продолжи со читање