SHGM dhe SPGPM: Partitë politike nuk guxojnë t’i targetojnë publikisht gazetarët dhe mediat
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë dhe Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve Mediatikë reagojnë pas deklaratës publike të sotme të kryetarit të LSDM-së, Venko Filipçe, drejtuar një gazetari të TV Alfa.
Vlerësojmë se është e papranueshme dhe e pahijshme që një kryetar partie politike të bëjë publikisht akuza të rënda për korrupsion, të shoqëruara me retorikë diskredituese ndaj gazetarëve dhe mediave. Ky nuk është rast i izoluar, por një praktikë shqetësuese në të cilën subjektet politike gjithnjë e më shpesh përpiqen të nxisin fushata dhe narrativa për njollosje ndaj gazetarëve të veçantë dhe redaksive.
Mediat nuk guxojnë të përdoren si mjet në përplasjet partiake politike. Bartja e fajit te gazetarët dhe redaksitë, si dhe etiketimi i tyre publik, nuk është qasje demokratike ndaj lirisë së shprehjes dhe rolit të mediave në shoqëri.
Nëse cilido faktor në shoqëri ka dyshime serioze për paligjshmëri apo lëshime në punën e mediave të caktuara, ato duhet t’u drejtohen institucioneve kompetente dhe të trajtohen përmes procedurave ligjore, e jo përmes fushatave publike politike kundër gazetarëve dhe mediave konkrete.
Në të kundërtën, faktorët politikë e ulin besimin ndaj mediave me veprime të tilla, ndërsa kjo nuk është në frymën e vlerave për të cilat duhet të angazhohen.
Ju bëjmë thirrje të gjitha partive politike që në të ardhmen të përmbahen nga deklarata publike që mund të nxisin presion, diskreditim ose mosbesim ndaj gazetarëve dhe punonjësve mediatikë.
Standardet ndërkombëtare tregojnë qartë se politikanët dhe funksionarët publikë duhet të tregojnë nivel më të lartë tolerance ndaj raportimit mediatik dhe të mos përdorin gjuhë nënçmuese ndaj gazetarëve.
SHGM dhe SPGPM do të vazhdojnë t’i ndjekin me kujdes raste të tilla dhe të reagojnë publikisht sa herë që gazetarët dhe mediat do të ekspozohen ndaj presionit politik ose targetimit publik.
Ky lajm u publikua fillimisht në faqen e Shoqata e gazetarëve të Maqedonisë (SHGM)


![[Aggregator] Downloaded image for imported item #46446](https://civicamobilitas.mk/wp-content/uploads/2026/03/znm-ssnm-novo-logo-1.jpg)



![[Aggregator] Downloaded image for imported item #46906](https://civicamobilitas.mk/wp-content/uploads/2026/04/iskra_document_photo_35x45mm-1.jpg)

