Jashari: Mbështetjen që e jep BE-ja në luftën kundër dezinformatave është shumë e rëndësishme
Dezinformatat nuk janë vetëm një problem mediatik, por janë një sfidë për demokracinë tonë dhe, përveç kësaj, po bëhen edhe një çështje sigurie. Për këtë arsye mbështetja që na e jep BE-ja në luftën kundër dezinformatave është shumë e rëndësishme, tha sot Bardhyl Jashari, drejtori ekzekutiv i Fondacionit “Metamorfozis”, në Konferencën me partnerët socialë dhe organizatat e shoqërisë civile nga Maqedonia e Veriut. Në kuadër të konferencës që u mbajt në “Europe House”, kishte një pjesë kushtuar sektorit civil, lirisë së fjalës dhe luftës kundër dezinformatave, ku u diskutua roli i shoqërisë civile, medias dhe institucioneve në përforcimin e proceseve demokratike dhe luftimin e përhapjes së dezinformatave, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.
Krahas Jasharit prezantime kishin edhe Ionut Sibian, zëvendës-kryetar i Komitetit për Monitorimin e Ballkanit Perëndimor pranë Komitetit Ekonomik dhe Social Evropian (EESC), Irena Ivanova nga delegacioni i Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut, Anja Bosillkova-Antovska nga Rrjeti i Zhvillimit të Shoqërisë Civile në Ballkan, si dhe Ana Petrusheva, drejtoresha e BIRN Maqedoni.
“Organizatat e shoqërisë civile shpesh sulmohen, quhen mercenarë të huaj. Ne punojmë në një mjedis armiqësor dhe nuk ka një mënyrë sistematike dhe substanciale për të marrë pjesë në aktivitetet e shoqërisë civile, e as nuk ka një model se si mund të merret pjesë. Sa i përket sektorit mediatik – ne i drejtojmë mediat tona dhe punojmë shumë, jo vetëm që të ofrojmë gazetari cilësore, por edhe që ta afirmojmë rolin e medias në një shoqëri demokratike. Mendoj se si media ne duhet ta afirmojmë dhe ta theksojmë rolin e tyre, që t’i ndihmojmë gazetarët të përshtaten me kontekstet e reja në lidhje me mënyrën e përdorimit të inteligjencës artificiale (IA), si ta përfshijnë atë në punën e tyre të përditshme, si t’i përdorin mjetet e të dhënave. Nëse jeni gazetarë profesionistë dhe nëse puna juaj është e rëndësishme, e vetmja mënyrë për ta zënë vendin tuaj në këtë zhurmë të përgjithshme është të jeni përsëri të dobishëm”, theksoi Jashari.

Duke folur për pavarësinë financiare ai theksoi se nuk ka treg për mediat, ndërsa për gazetarinë e pavarur ka presione politike.
“Do kisha thënë se ka një censurë të butë. Në rajonin tonë ka shumë media që funksionojnë me para nga bizneset dhe qeveritë. Sa i përket dezinformatave, ato nuk janë vetëm një problem mediatik, por janë një sfidë për demokracinë tonë dhe, përveç kësaj, po bëhen edhe një çështje sigurie. Një nga hulumtimet tona të fundit mbi efektet e dezinformatave nxorri në pah se mbi 60 përqind e qytetarëve e kuptojnë se cilat janë pasojat e dezinformatave, por 40 përqind nuk dinë si të përballen me to. Ato e minojnë besimin e qytetarëve tek institucionet”, theksoi Jashari.
Sipas drejtorit të Metamorfozis, BE-ja po na e tregon rrugën me Mburojën e Demokracisë (Democracy Shield), e cila është po aq e rëndësishme sa Akti i Lirisë së Medias.
“Ne duhet ta ndjekim BE-në me masa shumë konkrete, domethënë, ta përshtasim kornizën tonë mediatike, edukimin mediatik. Mbështetja që e jep BE-ja për edukimin mediatik është shumë e rëndësishme. Ne tashmë çdo ditë i ndiejmë pasojat dhe e dimë se si veprojnë ata që përhapin dezinformata dhe i dimë efektet. Dhe prandaj duhet të veprojmë, ta ndjekim BE-në. Nëse duam që qytetarët të kenë besim në institucionet shtetërore dhe në demokraci, ata duhet të kenë informacion të saktë. Kjo është e vetmja mënyrë”, theksoi Jashari.
Anja Bollsillkova-Antovska theksoi se aktorët e shoqërisë civile dhe gazetarët që merren me çështje dhe tema të ndjeshme gjithnjë e më shumë po bëhen cak i sulmeve dhe fushatave negative. Ajo theksoi se në diskursin publik gjithnjë e më shumë po përdoret retorika antigjinore me qëllim që organizata të caktuara të portretizohen si aktorë që punojnë kundër interesave kombëtare. Sipas saj, narrativa të tilla krijojnë një mjedis armiqësor për punën e organizatave të shoqërisë civile dhe mediave.
Si një problem shtesë ajo i theksoi edhe të ashtuquajturat padi strategjike kundër pjesëmarrjes publike (SLAPP), të cilat përdoren si mjet presioni ndaj gazetarëve dhe aktivistëve. Bollsillkova-Antovska paralajmëroi se vendimi i fundit kundër Investigative Reporting Lab (IRL) është shqetësues sepse vë në pikëpyetje nëse një gazetar nga një organizatë e shoqërisë civile mund të konsiderohet gazetar. Si një hap pozitiv ajo e vlerësoi formimin e një grupi pune qeveritar që do të punojë për zgjidhje ligjore për mbrojtje nga padi të tilla.
Ionut Sibian vlerësoi se miratimi i strategjive dhe iniciativave për mbështetjen e shoqërinë civile përfaqëson një hap të rëndësishëm përpara. Ai theksoi se Komisioni Evropian e njeh sektorin e katërt si çelës për mbrojtjen e vlerave evropiane.
“Bashkimi Evropian është si një shtëpi me shtyllat e saj, nëse i shembin ato shtylla çdo ditë, në fund do të shembet edhe shtëpia “, theksoi Sibian.
Ai foli edhe për rëndësinë e platformave të dialogut civil, përmes të cilave organizatat nga rajoni mund të marrin pjesë në proceset e integrimit gradual në BE. Ai tha se nevojiten edhe mekanizma më të fortë për mbrojtjen e hapësirës qytetare, për çka Komisioni Evropian tashmë po kryen një vlerësim të mundësive. Sibian paralajmëroi edhe për sfidat me financimin, sepse një pjesë e konsiderueshme e fondeve evropiane po ridedikohet për mbështetje për Ukrainën.
Irena Ivanova nga delegacioni i BE-së në Maqedoninë e Veriut theksoi se shoqëria civile dhe mediat duhet të punojnë së bashku për ta mbrojtur lirinë e fjalës dhe për t’i luftuar dezinformatat. Ajo theksoi se edhe në BE po vihet re një rënie në hapësirën qytetare, si dhe një rritje e dezinformatave dhe censurës në sektorë të caktuar.
“Ne jetojmë në shoqëri gjithnjë e më të polarizuara, prandaj edukimi mediatik është qenësor”, tha Ivanova, e cila theksoi se digjitalizimi mund të kontribuojë për një transparencë më të madhe dhe për unifikimin e zërit të organizatave të shoqërisë civile. Por, ajo vlerësoi se vendit ende i mungon një rrjet më i fortë dhe një qasje më e integruar e sektorit të shoqërisë civile.
Ana Petrusheva nga BIRN paralajmëroi se dezinformatat janë të lira dhe përhapen lehtë, sidomos në epokën digjitale.
“Sot mund të krijohen dhe ndahen qindra lajme çdo ditë, ndërsa kushdo që ka një kompjuter dhe qasje në internet mund ta prezantojë veten si gazetar”, tha ajo.
Sipas saj tregu mediatik është shumë i polarizuar, ndërsa presioni nga reklamat shpesh çon në autocensurë tek mediat, pasi redaksitë e shmangin raportimin kritik për kompanitë që i financojnë ato. Ajo theksoi se pjesa më e madhe e gazetarisë investigative në vend financohet nga donatorë, fonde këto të cilat kohët e fundit kanë shënuar rënie për shkak të rialokimit të burimeve për në Ukrainë.
“Po përballemi me sfida të mëdha dhe duhet të luftojmë në fronte të shumta”, tha Petrusheva, duke shtuar se presionet ekonomike mbi mediat janë vetëm një pjesë e një krize më të gjerë me të cilën përballet sektori mediatik.








