20260512 Фондација за интернет и општество Метаморфозис Скопје

Vizitat monitoruese e konfirmuan qëndrueshmërinë e partneriteteve dhe rezultatet e granteve

Në periudhën nga 8 deri më 21 maj, ekipi i Civika mobilitas realizoi vizita monitoruese te organizatat përfituese të granteve. Vizitat u zhvilluan në hapësirat e organizatave bartëse të projekteve, ndërsa në takime më së shpeshti morën pjesë edhe përfaqësues të organizatave partnere.

Duke pasur parasysh se pjesa më e madhe e projekteve po hyjnë në fazën përfundimtare, vizitat ishin mundësi për biseda me organizatat rreth përvojave nga zbatimi i granteve, sfidave me të cilat janë përballur, rezultateve të arritura, por edhe vlerës së partneriteteve që janë zhvilluar gjatë bashkëpunimit.

Në vizita ishte i përfshirë i gjithë ekipi i Civika mobilitas, ndërsa bisedat u zhvilluan në Shkup, Manastir, Gostivar, Kumanovë, Negotinë, Strugë, Strumicë dhe Shtip.

Përveç aspekteve administrative dhe programore, fokusi i bisedave u vendos te ndryshimet që grantet i kanë nxitur në organizata dhe komunitete, mësimet e nxjerra, iniciativat e reja që kanë dalë nga bashkëpunimi dhe mundësitë për veprim të mëtejshëm të përbashkët.

Ekipi pati mundësi të dëgjojë nga afër se si organizatat i ndërtojnë partneritetet, si përballen me sfidat lokale dhe në çfarë mënyrash projektet kontribuojnë për pjesëmarrje më të fuqishme qytetare, rrjetëzim dhe zhvillim lokal.

Një nga gjetjet më të rëndësishme nga vizitat është se partneritetet e vendosura përmes granteve të Civika Mobilitas në masë të madhe janë shndërruar në diçka më shumë se bashkëpunim formal projektor. Pothuajse të gjitha organizatat e vizituara e vlerësuan partneritetin e tyre si të suksesshëm, funksional dhe, çka është veçanërisht e rëndësishme, të qëndrueshëm edhe pas përfundimit të grantit.

Organizatat i theksuan besimin, komplementaritetin e ekspertizave dhe komunikimin e rregullt si elemente kyçe të suksesit. “Partneritetin e vlerësojmë si jashtëzakonisht të suksesshëm, funksional dhe komplementar”, thonë përfaqësuesit e HERA-s, të cilët së bashku me partnerët “Së bashku më të fuqishëm”, ESE dhe Iniciativën për të Drejtat e Grave nga Shuto Orizari kanë ndërtuar një model të avokimit të koordinuar në fushën e shëndetit publik.

Te Njësia Skaute e Poreçit “Kërste Jon” nga Struga, partneriteti mori edhe një dimension më të gjerë shoqëror: përmes punëtorive të përbashkëta, kampeve dhe aktiviteteve lokale me të rinj nga Dibra, Ohri dhe Struga, u krijuan miqësi të reja dhe bashkëpunim mes të rinjve maqedonas, shqiptarë dhe romë. “Projekti nuk kontribuoi vetëm për ngritjen e vetëdijes ekologjike, por edhe për ndërtimin e kulturës së bashkëpunimit, përgjegjësisë së përbashkët dhe angazhimit aktiv të përbashkët në komunitet”, theksuan nga organizata.

Paralelisht me ndërtimin e partneriteteve, organizatat arritën edhe rezultate konkrete, shumë prej tyre përtej asaj që fillimisht ishte planifikuar. HERA arriti ndryshime konkrete sistemore në politikat shëndetësore: u parandalua shkurtimi i mjeteve për Programin për mbrojtjen e popullatës nga HIV-i, u rritën mjetet për kontracepsion dhe abort medikamentoz, ndërsa për herë të parë pas gati dhjetë vitesh u përditësua Lista esenciale e barnave me përfshirjen e një kontraceptivi oral.

Iniciativa Qytetare e Grave Antiko nga Shkupi, përmes proceseve të avokimit, kontribuoi në vendosjen e gjashtë vauçerëve falas për fertilizim in vitro (IVF) për çifte dhe në zgjerimin e listës pozitive të barnave me terapi antikoagulante. “Ndikim i drejtpërdrejtë në politikat shëndetësore kombëtare dhe shembull i fuqishëm i avokimit efektiv qytetar”, thonë nga organizata.

Metamorfozis shënoi përparim të matshëm në transparencën e vetëqeverisjes lokale, ku hapja mesatare e komunave u rrit nga 27 për qind në vitin 2022 në 40 për qind në vitin 2025, ndërsa Komuna e Strugës me vetiniciativë kërkoi t’i bashkohet platformës mZaednica.

Pro Lokal nga Manastiri vendosi Platformën rajonale për të rinj, përmes së cilës nëntë komuna dhe dhjetë organizata qytetare bashkëpunojnë rregullisht, ndërsa një nga rezultatet konkrete është iniciativa për ndryshimin e qarkores buxhetore, e nënshkruar nga nëntë kryetarë komunash dhe e dërguar në Ministrinë e Financave.

Qendra për Komunikime Qytetare si arritjen e saj më të madhe e konsideron faktin që për herë të parë në vend janë publikuar emrat e pronarëve të vërtetë të kompanive që marrin kontrata për prokurime publike, me çka Maqedonia është radhitur ndër vendet e rralla në botë ku informacione të tilla përdoren drejtpërdrejt në luftën kundër korrupsionit.

Gjatë vizitave, organizatat ndanë edhe përvoja lidhur me dukshmërinë dhe komunikimin e aktiviteteve të tyre.

Vizitat monitoruese konfirmuan se grantet e Civika mobilitas krijojnë efekte që i tejkalojnë rezultatet e planifikuara. Organizatat i realizuan qëllimet e tyre projektore, ndërtuan partneritete të qëndrueshme, i forcuan kapacitetet, arritën ndryshime konkrete politike dhe krijuan koalicione që vazhdojnë të veprojnë në mënyrë të pavarur.

Продолжи со читање

  • Mbështetje praktike për raportim më të lehtë financiar

    Më 30 prill 2026, në ambientet e Qendrës së Resurseve Qytetare në Shkup, ekipi i Civica Mobilitas mbajti një punëtori për raportim financiar. Punëtoria ishte e dedikuar për përfituesit e granteve partnere nga thirrja CM-PG-2. Gjithsej 19 pjesëmarrës nga11 përfituesit e granteve, përfshirë koordinatorë projektesh dhe persona përgjegjës për financat,…

  • Kontributi i organizatave të shoqërisë civile në lirinë e medias

    “Formësimi i një të ardhmeje në paqe” është mesazhi global nën të cilin festohet 3 Maji i këtij viti – Dita botërore e lirisë së shtypit, kushtuar rolit të gazetarisë në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, proceseve demokratike dhe interesit publik. Dita festohet që nga viti 1993, pas një…

  • Fuqia jonë, planeti ynë: Sektori civil prijës i ndryshimeve

    Çdo vit, 22 prilli na kujton se planeti nuk mbrohet vetëm nga premtimet madhështore, por nga puna e përditshme, vendimet, zgjidhjet praktike dhe komunitetet që e dinë se kanë fuqinë për të bërë një ndryshim. Motoja e Ditës së Tokës e këtij viti, “Fuqia jonë, planeti ynë”, është veçanërisht e…

  • Dita Ndërkombëtare e Romëve përmes prizmit të shoqërisë civile

    Dita Ndërkombëtare e Romëve është një mundësi tjetër për të shqyrtuar progresin e shoqërisë në adresimin e sfidave me të cilat përballen bashkëqytetarët tanë, por është gjithashtu një mundësi për të njohur kontributin e të gjithë atyre që punojnë çdo ditë për t’i kapërcyer ato. Në këtë proces, organizatat e…

  • Takim me udhëheqësen e Sektorit të Evropës Lindore në SDC

    Më 5 mars ekipi i Civika mobilitas u takua me Severin Done-Dekart (Séverine Donne-Descartes), udhëheqëse e Sektorit të Evropës Lindore në Agjencinë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC). Ajo ishte e interesuar për sfidat në shoqërinë civile, si dhe për mundësitë që ofron programi për organizatat e shoqërisë civile në…