Inteligjenca artificiale në redaksi, besimi, transparenca dhe verifikimi
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë organizoi trajnim me temë “Inteligjenca artificiale në redaksi: besimi, transparenca dhe verifikimi”, i dedikuar për zbatimin praktik dhe etik të inteligjencës artificiale (IA) në gazetari, i cili u mbajt nga 26 deri më 28 shkurt 2026 në Shtip.
Trajnimi kishte për qëllim t’u ofrojë gazetarëve dhe redaktorëve udhëzime konkrete për përdorimin e përgjegjshëm të mjeteve gjenerative dhe të tjera të IA-së në punën redaksionale, si dhe të theksojë nevojën për verifikimin e përmbajtjeve, me qëllim ruajtjen e besimit të publikut.
Gjatë tre ditëve të punës, pjesëmarrësit së bashku me ligjëruesin Aleksandar Manasiev punuan në një atmosferë interaktive të mbushur me ushtrime praktike, analizë të rasteve reale dhe diskutime të hapura.
Theks i veçantë iu kushtua dilemave etike dhe juridike që lidhen me IA-në gjenerative, metodave për verifikimin e përmbajtjeve vizuale dhe identifikimin e materialeve “deepfake”, si dhe hartimit të udhëzuesve të brendshëm redaksionalë për përdorimin transparent të IA-së. Po ashtu, u shqyrtuan strategji për mbrojtje nga sulmet e koordinuara digjitale të nxitura nga IA dhe mekanizma për mbështetje juridike dhe teknike të gazetarëve.
U ndanë përvoja dhe qasje konkrete teknike për verifikimin e përmbajtjeve sintetike, ndërsa u diskutuan edhe kriteret redaksionale për vendimmarrje se kur një përmbajtje duhet të publikohet menjëherë dhe kur është e domosdoshme të bëhet verifikimi shtesë. Pjesëmarrësit morën udhëzime për mjetet dhe materialet falas që mund t’i përdorin në të ardhmen, të cilat mund t’i integrojnë drejtpërdrejt në proceset e tyre redaksionale.
Kryetari i SHGM-së, Mlladen Çadikovski, theksoi se çdo gazetar duhet të jetë në hap me ndryshimet teknologjike, me fokus në ruajtjen e standardeve etike të gazetarisë, ndërsa zgjidhjet praktike dhe procedurat e qarta redaksionale janë të domosdoshme për ruajtjen e profesionalizmit në kohë të ndryshimeve të shpejta teknologjike.
Katerina Jakimovska, oficere e lartë e projekteve nga Wilfried Martens Centre for European Studies, theksoi se mbështetja e iniciativave të tilla është pjesë e përkushtimit më të gjerë evropian për forcimin e qëndrueshmërisë mediatike dhe harmonizimin me praktikat më të mira, ku besimi ndërtohet përmes proceseve transparente dhe standardeve të qarta.
Daniel Braun, përfaqësues i Konrad-Adenauer-Stiftung (KAS), theksoi se investimi në njohuri dhe aftësi praktike për gazetarët paraqet investim në media cilësore dhe të përgjegjshme dhe është kyç për mbrojtjen e interesit publik në epokën digjitale.
Ngjarja u organizua nga SHGM me mbështetjen e Wilfried Martens Centre for European Studies dhe Konrad-Adenauer-Stiftung dhe ishte e hapur për gazetarë, redaktorë dhe ekspertë mediatikë të interesuar për avancimin e aftësive të tyre për punë me IA dhe për vendosjen e standardeve që do të mbrojnë praktikat profesionale gazetareske.
Foto: SHGM
Ky lajm u publikua fillimisht në faqen e Shoqata e gazetarëve të Maqedonisë (SHGM)


![[Aggregator] Downloaded image for imported item #45542](https://civicamobilitas.mk/wp-content/uploads/2026/02/4-1.jpg)
![[Aggregator] Downloaded image for imported item #45511](https://civicamobilitas.mk/wp-content/uploads/2026/03/169-31-1536x864-1-768x432.jpg)
![[Aggregator] Downloaded image for imported item #45519](https://civicamobilitas.mk/wp-content/uploads/2026/03/cover-photo-02.03.2026-768x399.jpg)
![[Aggregator] Downloaded image for imported item #45552](https://civicamobilitas.mk/wp-content/uploads/2026/02/naslovna-8-768x403.jpg)
![[Aggregator] Downloaded image for imported item #45435](https://civicamobilitas.mk/wp-content/uploads/2026/02/untitled-design-2-768x432.png)
![[Aggregator] Downloaded image for imported item #45440](https://civicamobilitas.mk/wp-content/uploads/2026/02/untitled-design-1-768x576.png)
![[Aggregator] Downloaded image for imported item #45445](https://civicamobilitas.mk/wp-content/uploads/2026/02/untitled-design-768x576.png)