Përfunduan sesionet informuese për thirrjen e re për grante partneriteti nga Civica Mobilitas
Në fund të shtatorit dhe fillim të tetorit, ekipi i Civica Mobilitas organizoi tre takime informuese të dedikuara për thirrjen e re për grante partneriteti (CM-PG-2).
Në sesionet e mbajtura në Tetovë, Strumicë dhe Shkup morën pjesë mbi 100 përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile të interesuar për të aplikuar në këtë thirrje.
“Pjesëmarrësit shtruan pyetje në lidhje me të drejtën e tyre për të aplikuar në thirrje. Gjithashtu, ata u interesuan për buxhetimin e saktë të pagave, shpenzimeve operative dhe atyre direkte në propozimet e projekteve, si dhe kërkuan sqarime për temat dhe fushat specifike që do të mbështeten përmes kësaj thirrjeje”, tha Jasmina Çaushovska nga Civica Mobilitas.



Pjesa më e madhe e sesioneve iu kushtua diskutimeve dhe përgjigjeve ndaj pyetjeve të pjesëmarrësve. Ndër të tjera, ata u interesuan edhe për mënyrën e dorëzimit të aplikimeve, plotësimin e dokumenteve të detyrueshme, angazhimin e ekspertëve dhe bashkëpunëtorëve, si dhe nëse numri i partnerëve dhe shpërndarja territoriale e aktiviteteve mund të ndikojnë në vlerësimin përfundimtar.
Pas përfundimit të sesionit informues në Tetovë, pjesëmarrësit morën pjesë në një punëtori të dedikuar për Kodin e Etikës për Organizatat e Shoqërisë Civile, e udhëhequr nga Aleksandra Savevska dhe Fanija Ivanovska.
Punëtoria ishte e përqendruar në vendosjen e një baze për sistemin e monitorimit të zbatimit të Kodit, përmes identifikimit të një numri minimal të standardeve dhe parimeve që do të ndiqen në mënyrë të strukturuar.
Me një fjalim hyrës për Kodin, vlerat thelbësore, zotimet aspirative dhe sfidat që lidhen me zbatimin e tij, si dhe idenë për krijimin e një sistemi monitorues, punëtorinë e hapi Aleksandra Savevska. Më pas, pjesa praktike u udhëhoq nga Fanija Ivanovska, e cila i udhëzoi pjesëmarrësit në identifikimin e standardeve më të rëndësishme dhe grupimin e tyre sipas niveleve të përputhshmërisë.



Secila grup shqyrtoi nga tre zotime nga Kodi dhe kishte për detyrë të identifikonte maksimumi pesë standarde që i konsideronte më relevante. Puna në grupe dha një kategorizim të qartë të standardeve bazë, të mesme dhe të avancuara që organizatat e shoqërisë civile duhet të përmbushin.
Qëndrimi i përgjithshëm i grupeve ishte se përputhshmëria duhet të ndërtohet gradualisht – duke filluar nga përmbushja e detyrimeve ligjore dhe formale bazë, përmes vendosjes së sistemeve për llogaridhënie dhe pjesëmarrje, deri në arritjen e një niveli ku organizata bëhet model për të tjerët.
Në periudhën në vijim, janë planifikuar një seri punëtorish të ngjashme, të cilat, përmes një qasjeje pjesëmarrëse dhe përfshirjes aktive të organizatave, do të kontribuojnë në përgatitjen e një sistemi për monitorimin e zbatimit të Kodit. Qëllimi është të vendoset një kornizë që do të sigurojë standarde të qarta dhe të zbatueshme.



Sesioni informues në Strumicë (më 23 shtator) dhe në Tetovë (më 25 shtator) u mbajt në zyrat e Europe House, ndërsa sesioni i fundit informues u zhvillua më 3 tetor në Shkup, në Qendrën për Burime të Shoqërisë Civile (GRC).
Thirrja për grante partneriteti është e hapur deri më 15 tetor 2025. Të gjithë të interesuarit që nuk patën mundësi të marrin pjesë në sesionet informuese, mund t’i dërgojnë pyetjet e tyre me shkrim në helpdesk@civicamobilitas.mk, më së voni deri më 6 tetor në orën 17:00. Të gjitha pyetjet dhe përgjigjet do të publikohen tre ditë para afatit të fundit të thirrjes.