Meet Up 3, 1

Të rinjtë mund dhe duan të jenë pjesë e aktiviteteve për përmirësimin e mjedisit

Më 7 tetor 2024, ekipi i Civica Mobilitas organizoi takimin e dytë midis përfituesve dhe SH.S.V Veronik Hulman, Ambasadores së Zvicrës. Në takim u prezantuan projektet e mbështetura në fushën e mjedisit dhe ndryshimeve klimatike, dhe qëllimi ishte, përveç njohjes më të detajuar, të nxitet diskutimi për sfidat me të cilat përballen organizatat gjatë zbatimit dhe të shihen mundësitë për sinergji midis tyre dhe projekteve të tjera të mbështetura nga Qeveria Zvicerane.

“Nevojitet një ndërgjegjësim më i madh tek politikanët për çështjet e lidhura me mjedisin,” theksoi Ambasadorja Hulman, ndërsa Karmeni Tenissen, zëvendës drejtor i Programit Global për Sigurinë Ushqimore në Agjencinë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) vuri në dukje se organizatat e shoqërisë civile duhet të merren me ndryshimin e mentalitetit dhe të monitorojnë zbatimin e politikave atje ku ekzistojnë.

Përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile informuan për aktivitetet aktuale që përfshijnë inovacione për punë sociale të gjelbër, proceset e kompostimit dhe mbledhjes së bio-mbeturinave, Agjendën e Gjelbër të Ballkanit Perëndimor në komuna, etj. Disa prej tyre theksuan se për ndryshimet klimatike duhet të flitet dhe të punohet më shumë në nivel lokal, por se duhet të merren parasysh kufizimet e buxheteve komunale dhe të burimeve njerëzore, veçanërisht në komunat e vogla.

Ambasadorja Hulman nxiti mendimin për krijimin e një platforme mjedisore në nivel kombëtar. Ajo u interesua për përfshirjen e të rinjve në aktivitetet për këtë temë, veçanërisht duke pasur parasysh se shpesh flitet për apatinë e tyre. Të pranishmit ranë dakord se të rinjtë duhet të jenë aktorë kyç në ndryshime. “Pavarësisht se sa të pamotivuar duken, nëse gjen qasjen e duhur, ata marrin pjesë,” tha Irina Glavinchevska nga Skuadra Skautiste Porece KRSTE JON nga Struga dhe shtoi se është e rëndësishme t’u tregohet të rinjve se zëri i tyre dëgjohet dhe vlerësohet. Përvoja të ngjashme ndau edhe Nikola Neshkoski nga Eco Logic. Sipas tij, problemi është se mësimdhënia e fëmijëve bazohet kryesisht në teori dhe pak në praktikë, ndërsa nga ana tjetër, ata marrin pjesë shumë më tepër dhe mësojnë nga praktika. “Kur të rinjtë marrin njohje, ata duan të vazhdojnë dhe të jenë aktivë,” tha ai.

Në takim morën pjesë përfaqësues të Qendrës për Aktivizëm Rinor Krik, Qendrës për Iniciativa Sociale “Shpresa”, Qendrës për Ndryshimet Klimatike – Gjevgjeli, Lëvizjes Eko-të Gjelbër-Berovo, Skuadrës Skautiste Porece KRSTE JON – Strugë, Qendrës Rajonale të Mjedisit (REC), Eco Logic dhe Qendrës Rajonale të Gjelbër Ohër.

Продолжи со читање