[Aggregator] Downloaded image for imported item #43708

SHGM kërkon reagim të menjëhershëm të institucioneve për kërcënimet ndaj gazetarit Vidinovski

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dënon ashpër sulmet serioze online, fyerjet, nënvlerësimet dhe kërcënimet me vdekje drejtuar gazetarit të Televizionit Kanal 5, Aleksandar Vidinovski, pas publikimit të videos së tij në rrjetet sociale për automjetet të parkuara në mënyrë të gabuar në trotuarin përpara objektit të Ambasadës së Republikës së Bullgarisë në Shkup.

Mesazhet me përmbajtje fyese, shoviniste dhe urrejtjeje, si dhe kërcënimet direkte për jetën (“vdekje për ju”), përbëjnë shkelje serioze të të drejtës për lirinë e shprehjes dhe kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e gazetarëve. Këto sulme kanë për qëllim ushtrimin e presionit dhe frikësimin për shkak të raportimit profesional mbi çështje me interes publik.

SHGM, përmes ekipit të saj ligjor, i ka ofruar ndihmë juridike gazetarit Aleksandar Vidinovski dhe ka dorëzuar kallëzim në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Presim që institucionet kompetente të veprojnë menjëherë, të identifikojnë autorët dhe të sigurojnë një reagim institucional të përshtatshëm, në përputhje me kompetencat ligjore.

Kujtojmë se gazetari Vidinovski ka raportuar për një problem me interes publik – parkimin e gabuar në hapësirë publike, për të cilin kanë reaguar edhe qytetarët, dhe për të cilin ka dhënë qëndrim edhe Ministria e Punëve të Brendshme. Gazetarët nuk duhet të jenë objekt i kërcënimeve, fyerjeve dhe gjuhës së urrejtjes për shkak të punës së tyre profesionale.

SHGM shpreh mbështetje të plotë dhe solidaritet me kolegun Aleksandar Vidinovski dhe bën apel tek institucionet që këto raste të dhunës online dhe gjuhës së urrejtjes ndaj gazetarëve të mos mbeten pa u ndëshkuar.

Shoqata do të vazhdojë të ndjekë me kujdes rastin dhe të përdorë të gjitha mekanizmat e disponueshëm për mbrojtjen e gazetarëve dhe punonjësve të mediave.

Ky lajm u publikua fillimisht në faqen e Shoqata e gazetarëve të Maqedonisë (SHGM)

Продолжи со читање