Organizatat e shoqërisë civile diskutuan se si t’i promovojnë më mirë arritjet e tyre
Komunikimi dhe dukshmëria e Civika mobilitas dhe organizatave të shoqërisë civile ishin tema e punëtorisë së mbajtur më 11 shkurt 2026 në Qendrën e Burimeve Qytetare.
Gjithsej 21 përfaqësues nga 20 organizata të shoqërisë civile, përfitues aktualë të granteve për partneritet (CM-PG-2), diskutuan rreth sfidave të komunikimit dhe si t’i ndjekin më lehtë rregullat për raportim të suksesshëm mbi arritjet e tyre.
Punëtorinë e hapi Darko Dimov, koordinator i programit, i cili i përkujtoi përfituesit e granteve për detyrimet e tyre nga kontrata, duke theksuar komunikimin dhe dukshmërinë si një segment të rëndësishëm për ta dhe punën e tyre. Kristina Kollozova, bashkëpunëtore kombëtare e projekteve në Ambasadën Zvicerane, gjithashtu i uroi zyrtarisht përfituesit e rinj të granteve dhe u njoftua për herë të parë me ata. Ajo foli për kontributin e Civika mobilitas në shoqërinë civile deri më tani, duke theksuar se ky grup është brezi i fundit i përfituesve të granteve të Civika mobilitas.


Për pjesën kryesore dhe më të rëndësishme të punëtorisë u kujdes ekipi për informim dhe komunikim i Civika mobilitas – Gonce Jakovleska, Boris Ristovski dhe Karolina Gjurkovska.
Përfituesit e granteve u njohën me rregullat dhe udhëzimet për renditjen e vendosjes së logos, përdorimin e hashtagjeve dhe përmendjet (mentions) në profilet e Civika mobilitas dhe Ambasadës Zvicerane, sipas të cilave do të udhëzohen kur ata raportojnë mbi aktivitetet dhe ngjarjet e realizuara të projektit. Mediat sociale si profili në FB dhe grupi në FB i Civika mobilitas u përmendën gjithashtu si një mundësi për të arritur dukshmëri më të madhe dhe një audiencë edhe më të madhe.
Ekipi i prezantoi burimet në dispozicion të përfituesve të granteve, duke përfshirë E-platformën e Civika mobilitas, e cila ofron shumë mundësi për të mbështetur përpjekjet e komunikimit të përfituesve të granteve. Folësit i inkurajuan pjesëmarrësit të përdorin në mënyrë aktive të gjitha opsionet e ofruara nga platforma, siç janë lajmet rreth organizatave të shoqërisë civile, adresarin e organizatave të shoqërisë civile, revista “Qytetarët për ndryshim” dhe të ngjashme.


Pjesëmarrësit ranë u pajtuan se një nga përshtatjet më të rëndësishme që duhet të bëhen është përqendrimi në raportimin mbi arritjet, në vend të informacionit rreth aktiviteteve. Më e rëndësishmja është që ne duhet të mësojmë se si të raportojmë mbi ndryshimet që organizatat e shoqërisë civile krijojnë në shoqëri çdo ditë përmes angazhimit qytetar.
“Punëtoria ishte shumë interaktive dhe na lejoi të përfshiheshim aktivisht në proces. Ligjëruesit ishin të qartë dhe përmbajtja u përcoll në një mënyrë të përshtatshme dhe të kuptueshme. Si përfitues i grantit të Civika mobilitas, ky trajnim dha një pamje të qartë të pritjeve të donatorit në aspektin e komunikimit dhe dukshmërisë së projekteve”, shtoi Nikolla Trajkovski, bashkëpunëtor programi në Konekt.

Çështjet e dukshmërisë, procesi i raportimit për ngjarjet, si dhe përvojat dhe komunikimi i përfituesve të granteve me median ishin pjesë e diskutimit që u hap gjatë punëtorisë. U shqyrtuan dhe u krahasuan shembuj të fotografive, duke e shpjeguar rëndësinë e fotografive cilësore të përzgjedhura mirë. Kjo është e rëndësishme jo vetëm për zbatimin me sukses të aktiviteteve të projektit të organizatave, por edhe për transmetimin e historive të mira në media rreth ndryshimeve që po bën sektori i shoqërisë civile.
“Gjatë punëtorisë mbi komunikimin dhe dukshmërinë e aktiviteteve në kuadër të projektit, sipas mendimit tim, u prezantuan të gjitha informacionet e dobishme për periudhën e ardhshme të projektit, pa vonesa shtesë që do ta kishin vështirësuar procesin e shpjegimit. Secili ligjërues ishte përgatitur në fushën e vet dhe më e rëndësishmja, ne si përfitues të granteve morëm një kanal komunikimi që do të lehtësojë zbatimin e aktiviteteve në këtë pjesë. Ajo që më pëlqeu shumë ishte diskutimi që u zhvillua midis të gjithë të pranishmëve, ku patëm mundësi të shkëmbenim mendime, sugjerime dhe ide që do t’i përdornim në të ardhmen”, tha Biljana Nasteska Kalanoska nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM).
Pjesëmarrësit gjithashtu morën më shumë informacione rreth asaj që paraqesin komunikimet në zhvillim. Jovana Gjerasimovska, konsulente për komunikim në Ambasadën Zvicerane, ua afroi përfituesve të granteve rëndësinë e këtyre komunikimeve, duke iu referuar shembujve dhe mënyrave të të menduarit që do të lehtësonin aksesin në informacion, do të stimulonin pjesëmarrje më të madhe të qytetarëve dhe ndikim më të madh në politikat publike.


Me përparimet e shpejta teknologjike dhe mundësitë e reja të komunikimit digjital, shumica e pjesëmarrësve ishin të interesuar në mënyrën e publikimit të videove, xhirimeve në mediat sociale etj. Ekipi i Civika mobilitas theksoi gjithashtu përdorimin e kujdesshëm dhe të matur të inteligjencës artificiale gjeneruese (IA), si një nga mjetet më të përdorura tani.
Civika mobilitas do të vazhdojë të mbështesë përfituesit e granteve në lehtësimin e procesit të komunikimit dhe promovimit të arritjeve në mënyrën më të mirë dhe më të përshtatshme për të arritur grupet e synuara.








![Sre]ni praznici(2)](https://civicamobilitas.mk/wp-content/uploads/2025/12/sreni-praznici2-768x432.jpg)