Impulsi qytetar #14 – pasqyrë mujore e aktiviteteve të përfituesve të granteve
Shkurt 2026
Shkurti solli një sërë aktivitetesh për përfituesit e granteve të Civika mobilitas. Nga iniciativat mjedisore dhe pjesëmarrja e të rinjve, te buxhetimi i përgjegjshëm ndaj gjinisë dhe kërkesat për kujdes shëndetësor cilësor.
Shoqata e ekologëve “Natura” nga Struga dhe Skuadra e vëzhguesve “Mirko Mileski” kanë filluar aktivitetet e projektit “Rrjeti i qytetarëve për ajër të pastër në Rajonin Jugperëndimor”. Në shkurt, ata zhvilluan takime koordinuese me përfaqësuesit e komunave Vevçan, Ohër dhe Kërçovë, ku u prezantuan objektivat e projektit – kryesisht krijimi i një Këshilli rajonal qytetar për ajrin dhe ndërtimi i një rrjeti monitorimi të ajrit që do të përfshijë shkolla, qytetarë dhe organizata lokale. Projekti parashikon instalimin e gjithsej 30 instrumente për matjen e cilësisë së ajrit në pesë komuna në rajonin Jugperëndimor, me qëllim forcimin e bashkëpunimit midis sektorit civil dhe vetëqeverisjes lokale.



Qendra për Burime Mjedisore (REC), Eko Logik dhe Florozon mbajtën një tjetër punëtori mbi ripërdorimin dhe konvertimin e mbetjeve bio për nxënësit e SHFK “Vëllazërimi”, si pjesë engjarjes në natyrë me karvanin për të demonstruar eksperimentet në shkolla.
Me karvanin, organizatat deri më tani kanë trajnuar rreth 600 nxënës dhe 30 arsimtarë nga shkollat fillore në komunat Karposh, Kisella Vodë dhe Gjorçe Petrov. Punëtoritë tregojnë se fëmijët mësojnë më mirë kur eksperimentojnë – ata krijojnë produkte të reja nga bio mbeturinat dhe disa prej tyre fillojnë të zbatojnë atë që kanë mësuar në shtëpi. Kështu, ndërgjegjësimi mjedisor nuk ndalet në klasë, por transmetohet edhe te familjet. Për publikun e gjerë, organizatat kanë përgatitur edhe një seri videosh edukative rreth mbetjeve organike dhe artikulli i tyre i ri këtë herë i kushtohet kompostimit, përfitimeve dhe efekteve të këtij procesi.



Në Berovë, Instituti i Gjelbër dhe Shoqata e Pronarëve të Pyjeve Private filluan trajnimin e intervistuesve nga ekspertë dhe kryerjen e intervistave të para mbi mbetjet bio me drejtorët e Ndërmarrjes Publike për Punë Komunale “Usluka”, Ndërmarrjes Publike Pyjet Maqedonase – dega Berovë, pemishtes më të madhe në rajonin e Maleshevisë “Malesh” dhe kompleksit kombëtar hotelier dhe ushqimor “Manastir”. Vizita në Berovë si pjesë e projektit “Zero Mbeturina Bio: në partneritet me qytetarët” filloi me një takim me kryetarin e komunës Petar Ruzhinski dhe nënshkrimin e një Memorandumi bashkëpunimi.
Në rajonin Verilindor, Qendra për Ndryshimet Klimatike dhe organizatat partnere diskutuan detyrimet ligjore, zbatimin praktik, procedurat për krijimin e qendrave të grumbullimit dhe menaxhimin e mbetjeve të ndërtimit. Diskutimi midis institucioneve, ndërmarrjeve publike dhe ekspertëve, me fokus në përmirësimin e sistemit për përzgjedhjen, grumbullimin dhe trajtimin e mbetjeve në nivel lokal dhe rajonal u zhvillua në Forumin Rajonal, pjesë e projektit “Partneritet rajonal për zbatim më të mirë të agjendës së gjelbër në nivel lokal”.



Në kuadër të projektit “Politikat rinore të përshtatura për të rinjtë”, Këshilli Rinor i Prilepit organizoi një trajnim me temë “Avokimi dhe pjesëmarrja në vendimmarrje”. Pjesëmarrësit u njohën me kornizën ligjore për pjesëmarrjen e të rinjve dhe politikat rinore (LPRPR), rolin dhe funksionimin e Këshillit Rinor Lokal, si një mekanizëm i rëndësishëm për pjesëmarrjen e të rinjve në nivel lokal .
Një punëtori krijuese-edukative kushtuar lidhjes midis blerjeve dhe shëndetit mendor u mbajt në qendrën tregtare Blis në Manastir. Pjesëmarrësit diskutuan konsumin e vetëdijshëm, vlerën emocionale të blerjeve dhe pyetjen nëse ato sjellin vërtet lumturi.
Më 27 dhe 28 shkurt, në Krushevë u mbajt një trajnim dy-ditor mbi avokimin dhe pjesëmarrjen në vendimmarrje, i organizuar nga “European Point of View”. Morën pjesë përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe anëtarë të grupeve të punës për zhvillimin e politikave lokale që punojnë drejtpërdrejt për përmirësimin e situatës së të rinjve në komunën e Novacit.



Mbi 60 gra nga zonat rurale dhe urbane nga Dellçeva, Shtipi dhe Vinica morën pjesë në punëtorinë “Avokimi për buxhetim të përgjegjshëm gjinor dhe përgatitja e iniciativave për buxhetim gjinor”, e organizuar në kuadër të projektit “Përmes aktivizmit dhe iniciativave të grave drejt komunave gjithëpërfshirëse dhe të përgjegjshme gjinore” nga “Gllasen Tekstilec”, EHO nga Shtipi dhe INI nga Vinica. Pjesëmarrësit fituan njohuri konkrete rreth buxhetimit të përgjegjshëm gjinor, rreth mekanizmave të pjesëmarrjes së qytetarëve në krijimin e politikave lokale dhe rreth metodës së përgatitjes së iniciativave për buxhet gjinor.
Me rastin e Ditës Botërore të Kancerit më 4 shkurt, e shënuar këtë vit nën moton “Të bashkuar në veçantinë tonë”, organizatat e shoqërisë civile HERA, ESE, Së bashku më të fortë dhe Iniciativa për të Drejtat e Grave nga Shuto Orizari, lëshuan një apel publik drejtuar Qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë, duke kërkuar që mbështetja financiare për skriningun e kancerit të qafës së mitrës të rritet në të paktën 35 milionë denarë në vit, të përmirësohet qasja në shërbimet gjinekologjike, të forcohet vaksinimi kundër HPV dhe të investohet në fushata të vazhdueshme edukative shëndetësore. Në këtë mënyrë, sistemi shëndetësor duhet t’i vërë njerëzit dhe nevojat e tyre reale në qendër, me fokus të veçantë tek gratë dhe grupet e cenueshme.



Iniciativa për të Drejtat e Grave nga Shuto Orizari mbajti gjithashtu një seminar konsultativ në të cilin u konfirmua se gratë dhe foshnjat rome, pavarësisht ekzistencës së programeve shtetërore parandaluese, ende përballen me pengesa serioze në aksesin për mbrojtje shëndetësore falas dhe cilësore.
Të gjitha këto nisma na tregojnë se po dëshmojmë një sektor civil dinamik dhe aktiv në të gjitha frontet dhe në të gjitha rajonet e vendit.








