Zgjedhjet janë një moment i cenueshëm kur qytetarët janë të ekspozuar ndaj manipulimeve dhe ndikimeve të jashtme
Më 19 maj, në Shkup, Fondacioni Metamorfozis në bashkëpunim me International IDEA e organizoi ngjarjen “Forcimi i rezistencës ndaj manipulimeve të informatave gjatë zgjedhjeve”, kushtuar përballjes me ndërhyrjet e huaja dhe manipulimet të informatave (FIMI), dezinformatat dhe kërcënimet ndaj integritetit zgjedhor. Ngjarja u realizua në kuadër të projektit “Përballja me Manipulimet me Informatat e Lidhura me Zgjedhjet dhe Ndikimin e Huaj”, i mbështetur nga Global Affairs Canada.
Ngjarja mblodhi përfaqësues të institucioneve, rregullatorëve, organizatave ndërkombëtare, mediave, organizatave të shoqërisë civile dhe ekspertë nga vendi dhe rajoni, me qëllim të hapjes së një dialogu strategjik për forcimin e qëndrueshmërisë së proceseve demokratike dhe zgjedhjeve ndaj dezinformatave dhe ndikimeve të koordinuara informative.
Në hapjen solemne folën Bardhyl Jashari, Drejtor Ekzekutiv i Fondacionit Metamorfozis, Kushbu Agrawal nga International IDEA, Mikael Aterog nga Ambasada e Suedisë, Vilma Dambrauskiene, Ambasadore e Lituanisë, si dhe Marija Miteva, Zëdhënëse e Qeverisë. Një fjalim online mbajti edhe Marie-Sophie Peyre nga Drejtoria e Përgjithshme për Zgjerim e Komisionit Evropian.
Në fjalën e tij, Bardhyl Jashari theksoi se zgjedhjet janë një moment veçanërisht i ndjeshëm, kur qytetarët ekspozohen ndaj manipulimeve dhe ndikimeve të jashtme, ndërsa dezinformatat synojnë të dobësojnë besimin në institucione, media dhe proceset demokratike. Ai nënvizoi se kundërshtimi i FIMI-t nuk përbën kufizim të lirisë së shprehjes, por mbrojtje të debatit demokratik të hapur dhe të informuar.
Sipas të dhënave nga një hulumtim i Fondacionit Metamorfozis, 65% e qytetarëve e njohin seriozitetin e problemit të dezinformatave, ndërsa 74% presin që institucionet të reagojnë me masa konkrete, sisteme funksionale dhe komunikim në kohë.
Marija Miteva, zëdhënëse e Qeverisë, theksoi se ndërhyrjet e huaja dhe manipulimet e informatave përbëjnë një sfidë serioze demokratike dhe të sigurisë dhe nënvizoi se Qeveria po punon për një qasje të koordinuar institucionale, duke përfshirë strategjinë e re për sigurinë kibernetike dhe formimin e një grupi pune ndërinstitucional për përballjen me fushatat dezinformuese.
Mikael Aterog nga Ambasada e Suedisë në Maqedoninë e Veriut theksoi se edhe vendi i tij nuk është imun ndaj kërcënimeve nga dezinformatat dhe se rezistenca shoqërore vihet veçanërisht në provë gjatë zgjedhjeve. Ai bëri të ditur se që nga viti 2021, Suedia ka një rrjet të përhershëm zgjedhor, të përbërë nga institucione të ndryshme që bashkëpunojnë dhe ndajnë njohuri për zhvillimin korrekt të zgjedhjeve. Gjithashtu, ai theksoi se jo vetëm institucionet, por edhe çdo qytetar mund të japë kontributin e tij në këtë proces, prandaj po punohet edhe në forcimin e ndërgjegjësimit publik për përhapjen e dezinformatave.
Në kuadër të diskutimeve u theksua gjithashtu se vendet kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndër to edhe Maqedonia e Veriut, duhet të përfshihen më aktivisht në Mburojën Demokratike Evropiane, me qëllim që së bashku të kontribuojnë në forcimin e qëndrueshmërisë demokratike në Evropë.
Në panele morën pjesë përfaqësues të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele, Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe ekspertë dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, ndër të cilat European Trust Alliance dhe European Fact-Checking Standards Network.
Bojan Mariçiç, kryetar i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, theksoi se në epokën digjitale integriteti zgjedhor nuk varet vetëm nga siguria fizike e procesit zgjedhor, por edhe nga aftësia e institucioneve për të reaguar shpejt ndaj fushatave të koordinuara dezinformuese. Sipas tij, rregullimi i pamjaftueshëm i hapësirës online dhe koordinimi i dobët institucional përbëjnë dobësi serioze që shfrytëzohen nga kërcënimet hibride.
Goran Rizaov nga Fondacioni Metamorfozis theksoi se ndikimi i huaj keqdashës më së shpeshti i shfrytëzon dobësitë ekzistuese në sistem – besimin e ulët në institucione, polarizimin politik, edukimin e dobët mediatik dhe platformat sociale të parregulluara – duke krijuar kështu një mjedis të favorshëm për përhapjen e dezinformatave.
Në pjesën e dytë të ngjarjes, ekspertë ndërkombëtarë diskutuan për përvojat evropiane dhe mekanizmat për përballjen me dezinformatat dhe kërcënimet hibride. Rob van Beek nga European Trust Alliance foli për rolin e inteligjencës artificiale dhe rëndësinë e lidhjes së vendeve të Ballkanit Perëndimor me nismat evropiane për edukimin mediatik dhe qëndrueshmërinë demokratike. Mindaugas Lašas nga Ministria e Punëve të Jashtme e Lituanisë ndau përvojat e Lituanisë në përballjen me “kërcënimet joushtarake”, si dezinformatat dhe sulmet kibernetike, ndërkaq, Clémence Longlait nga Rrjeti Evropian i Standardeve për Verifikimin e Fakteve foli për nevojën e mekanizmave për reagim të shpejtë dhe për mbështetjen e verifikuesve të fakteve në situata krize.
Ngjarja përfundoi me një punëtori praktike dhe simulim të një sulmi informativ gjatë zgjedhjeve – simulimi i parë i këtij lloji i organizuar në vend – ku përfaqësues të shoqërisë civile punuan mbi skenarë për vlerësimin e shpejtë të dëmit, komunikimin me publikun dhe koordinimin me institucionet në kushte të një krize dezinformuese.
This post was originally published on this site




![[Aggregator] Downloaded image for imported item #47766](https://civicamobilitas.mk/wp-content/uploads/2026/05/1-1-768x1024-1.png)
![[Aggregator] Downloaded image for imported item #47643](https://civicamobilitas.mk/wp-content/uploads/2026/05/664379689_4466484023566232_6325096334864092486_n-768x470.jpg)
![[Aggregator] Downloaded image for imported item #47629](https://civicamobilitas.mk/wp-content/uploads/2026/05/Ali-Pajaziti.webp)
