Iluzioni i përparimit
Të enjten e kaluar, pata nderin të dekorohem me urdhërin Chevalier de l’Ordre National du Mérite nga Republika e Francës. Këtë vlerësim e mora për punën time në pluralizmin mediatik, luftën kundër dezinformimit dhe angazhimin për një transformim digjital të përgjegjshëm. E pranova me mirënjohje dhe përulësi. Në çastin kur medalja m’u vendos në kraharor, reflektova për gjithë punën e bërë bashkë me kolegët e mi, mendova për sukseset, por pasi kaloi manifestimi, kaluan emocionet dhe serish nisa me punë, të lexoj lajmet e ditës, përnjëherë u gjeta duke pyetur veten se sa në të vërtetë ka ndryshuar Maqedonia e Veriut në tridhjetë vitet e fundit?
Ndonjëherë duket sikur kemi mësuar ta ngatërrojmë lëvizjen e thjeshtë përpara me përparimin. Qasjen në internet, platformat dhe aplikacionet e reja, veglat e ndryshme digjitale, inteligjencën artificiale, telefonat e mençur që i përdorim përditë i paraqesim si prova se po ecim përpara. Megjithatë, përvoja e përditshme tregon diçka tjetër. I ashtuquajturi transformim ynë digjital ende duket i paplotë, i brishtë dhe shpesh thellësisht zhgënjyes. Shërbimet bazë elektronike vazhdojnë të jenë të ngadalta, të fragmentuara dhe pa nevojë të vështira për t’i përdorë. Në teknologji, përparimi nuk përcaktohet vetëm nga shpejtësia e zhvillimit te teknologjisë dhe inovacionit, por nga fakti nëse këto shpikje dhe inovacione zbatohen në mënyrë kuptimplote, ashtu që të përmirësojnë jetën e përditshme të njerëzve.
Kur pjesa tjetër e botës lëviz me shpejtësi të jashtëzakonshme, të qëndrosh në vend dhe ta quash këtë përparim gradual nuk mjafton. Në një botë të tillë, të ecësh shumë ngadalë mund të nënkuptojë të mbetesh pas.
Por problemi shkon përtej teknologjisë. Ajo që më shqetëson edhe më shumë është gjendja e indit tonë shoqëror. Kohezioni social në Maqedoninë e Veriut duket gjithnjë e më i brishtë. Gjuha e urrejtjes nuk është më diçka margjinale, e rastësishme apo e fshehur në skajet e diskursit publik. Ajo është gati e normalizuar, e thurur në komunikimin e përditshëm, veçanërisht online. Gjuha e urrejtjes dhe tensionet e tjera shoqërore e ndëretnike jo vetëm që vazhdojnë të jenë të pranishme, por shpeshherë forcohen dhe amplifikohen edhe nga dezinformatat, të cilat ushqejnë frikë, paragjykime dhe përçarje. Në të njëjtën kohë, po dëshmojmë një gërryerje të kujdesshme dhe të vazhdueshme të frymës së Marrëveshjes Kornizë të Ohrit. Parimet që duhej të siguronin stabilitet, bashkëjetesë dhe dinjitet në një demokraci shumetnike, shumë shpesh trajtohen si të negociueshme, të pakëndshme për tu trajtuar apo thjeshtë dytësore.
Ndoshta ajo që dhemb më së shumti është fakti se diskursi ynë politik mbetet i bllokuar në të njëjtat modele të vjetra. Ende dëgjojmë versione të së njëjtës narrativë të lodhur: “Shqiptarët kërkojnë; maqedonasit nuk japin.” Ky nuk është dialog demokratik. Është qorrsokak politik. Kjo i redukton të drejtat në transaksione, barazinë në pazare dhe qytetarinë në një garë me rezultat që nuk sjell asnjë vlerë apo kualitet. Shumë shpesh, në vend se t’u përgjigjen kërkesave legjitime demokratike, aktorët politikë fshihen pas manovrave legaliste, duke kërkuar justifikime procedurale për të mos vepruar. Ka një lloj kreativiteti në këtë shmangie, por nuk është kreativiteti i udhëheqjes demokratike. Është kreativiteti i ikjes nga përgjegjësia.
Prandaj gjendja sot më rëndon kaq shumë. Sot, më 6 prill 2026, studentët do të dalin sërish në rrugë. Ata po kërkojnë që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, diçka që nuk është jashtë ligjit, nuk është kundër Kushtetutës dhe nuk është ndonjë shpikje radikale. Ata po kërkojnë një të drejtë që tashmë ka bazë ligjore dhe kushtetuese. E megjithatë, edhe një herë, reagimi i institucioneve duket se nuk është si ta bëjnë këtë të drejtë reale, por si ta vonojnë, kufizojnë apo mohojnë përmes boshllëqeve burokratike.
Për këdo që ka kujtesë, kjo është thellësisht shqetësuese. Kjo sjell jehonën e momenteve që nuk do të duhej t’i rijetonim kurrë. Na kujton ndërhyrjen brutale policore kundër Universitetit të Tetovës në vitin 1994. Sjell ndër mend protestat studentore në Prishtinë në vitin 1997, kur të rinjtë e dëbuar nga universiteti nga regjimi i atëhershëm shtypës në Serbi kërkonin të kthehen. Po ashtu kujton protestat e po atij viti nga studentët maqedonas kundër ligjëratave në gjuhën shqipe në Akademinë Pedagogjike. Fatmirësisht, sot nuk jemi në rrethanat e errëta të asaj kohe, por mbetet alarmante që ende ndeshemi me të njëjtën mendësi që dikur prodhoi ato përplasje; dhe për një shoqëri që pretendon se ka ecur përpara, fakti që këto çështje vazhdojnë të shfaqen, edhe në një formë më pak të rrezikshme se në vitet ’90, duhet parë si shenjë regresi e jo si një devijim i parëndësishëm. Tani jemi në vitin 2026. Vetë fakti që studentët ende duhet të protestojnë për të drejta që tashmë janë të përfshira në rendin tonë ligjor, duhet të na shqetësojë të gjithëve. Duhet të na detyrojë të kuptojmë se demokracia nuk bëhet reale thjesht sepse ne e shpallim, i besojmë, e festojmë apo e shkruajmë në ligj.
Ka edhe një prirje tjetër shqetësuese që duhet emërtuar qartë. Disa përpiqen t’i zhvlerësojnë kërkesat demokratike duke thënë se kjo çështje është e vjetër, se nuk është zgjidhur nga qeveritë e mëparshme, apo se ekziston prej shumë kohësh për t’u konsideruar urgjente sot. Kjo logjikë e keqkupton rrënjësisht mënyrën se si evoluojnë shtetet. Institucionet bartin tensione të pazgjidhura për vite me radhë. Sistemet grumbullojnë presion. Ajo që dikur mund të dukej si një aspiratë e largët apo e vështirë, me kalimin e kohës mund të shndërrohet në një domosdoshmëri të pamohueshme strukturore, ndërkohë ligjet piqen, institucionet zhvillohen, kërkesat dhe pritjet publike rriten. Një shoqëri nuk qëndron në vend, edhe kur politika përpiqet ta ngrijë atë.
Në këtë kuptim, fakti që kjo çështje nuk është zgjidhur para dhjetë vitesh nuk e bën atë të vjetruar. E bën të vonuar. Ligji për Përdorimin e Gjuhëve, së bashku me kuadrin më të gjerë kushtetues dhe ligjor, e ka ndryshuar terrenin. Shoqëria ka ndryshuar gjithashtu. Studentët e sotëm nuk po kërkojnë një favor nga historia. Ata po e afirmojnë një realitet ligjor dhe demokratik, koha e të cilit ka ardhur plotësisht. Përparimi politik shpesh funksionon pikërisht kështu. Për një kohë të gjatë, ai duket i padukshëm, madje i ngrirë, e më pas papritur arrihet një pikë kthese dhe ajo që dikur dukej opsionale bëhet çështje legjitimiteti. Askush nuk do e kishte vënë në dyshim nevojën e një ilaçi të ri vetëm pse sëmundja është e vjetër dhe ka mbetur e pashëruar për një kohë të gjatë. Në të njëjtën mënyrë, nuk duhet të diskreditohet kërkesa demokratike e sotme vetëm sepse sistemit iu desh shumë kohë për t’u bërë gati ta përmbushë.
Prandaj i mbështes studentët që do të protestojnë sot. I mbështes jo vetëm për shkak të çështjes konkrete që po ngrenë, por sepse ata përfaqësojnë diçka më të madhe dhe thellësisht të rëndësishme. Ata përfaqësojnë një brez që ende beson se ka të drejtë të kërkojë llogaridhënie, drejtësi dhe trajtim të barabartë. Ata na kujtojnë se demokracia nuk varet vetëm nga institucionet, por edhe nga qytetarët që janë të gatshëm të flasin kur heshtja do të ishte më e lehtë.
Demokracia nuk mund të mbijetojë si një ushtrim thjesht legalist. Ajo nuk mund të mbijetojë nëse ata që janë në pushtet e shohin ligjin si një terren pengesash që duhet anashkaluar, e jo si një zotim për t’u respektuar. Ajo funksionon vetëm kur udhëheqësit janë të gatshëm të dëgjojnë, të kuptojnë dhe të shërbejnë. Ajo funksionon kur shumica nuk përpiqet të dominojë pakicën. Ajo funksionon kur të drejtat e një komuniteti nuk trajtohen si humbje për një tjetër. Ajo funksionon kur kundërshtimi përballet me dialog e jo me dyshim, dhe kur të rinjtë që ngrenë zërin nuk zhvlerësohen menjëherë, nuk etiketohen dhe nuk paraqiten si instrumente të dikujt tjetër.
Spiralja e heshtjes është një nga rreziqet më të mëdha me të cilat mund të përballet çdo shoqëri. Në momentin kur njerëzit fillojnë të ndiejnë se të flasësh është e kotë, e rrezikshme apo e vetmuar, hapësira për demokraci fillon të ngushtohet. Unë dhe kolegët e mi në Metamorphosis kemi kaluar dekada duke u përpjekur t’i rezistojmë asaj heshtjeje. Nuk është punë e lehtë. Shpesh është rraskapitëse. Por është e domosdoshme dhe ne nuk do të dorëzohemi.
Marja e këtij dekorimi nga Franca ishte një nder jashtëzakonisht i madh për mua. Por nderimet ndikojnë edhe në thellimin e përgjegjësisë. Ato të detyrojnë të reflektosh jo vetëm mbi atë që është arritur, por edhe mbi punët që na presin. Dhe kur e shoh vendin ku jetoj, nuk mund t’ia lejoj vetes rehatinë e iluzionit. Përparimi duhet të jetë real në jetën e qytetarëve. Duhet të ndihet në institucione, në të drejta, në dinjitet dhe në përvojën e përditshme të drejtësisë. Përndryshe, ai mbetet vetëm iluzion dhe nuk është asnjëfarë përparimi.
This post was originally published on this site







