DSC

“Sektori civil ndihmon në ngushtimin e hendekut midis institucioneve dhe popullit”

Asnjë qeveri, sado e fortë të jetë, nuk mund të sjellë ndryshime e vetme. Dhe asnjë shoqëri civile, sado e zhvilluar, nuk mund ta përmbushë rolin e saj pa institucione të hapura, transparente dhe të gatshme për dialog”, tha kryeministri Hristijan Mickoski në hapjen e Forumit kombëtar – Panairi i organizatave të shoqërisë civile të organizuar nga Civika mobilitas dhe Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut më 26 nëntor 2025 në Klubin e deputetëve në Shkup.

Kryeministri Mickoski përcolli vizionin e Qeverisë për sektorin e shoqërisë civile si një sektor të fortë, të pavarur, profesional dhe të qëndrueshëm, që është një partner i vërtetë në krijimin dhe zbatimin e politikave shtetërore. “Një sektor që forcon demokracinë, mbron të drejtat e qytetarëve, monitoron punën e institucioneve dhe ndihmon në mbylljen e hendekut midis institucioneve dhe njerëzve”, shtoi ai.

Pjesëmarrësit u pritën nga Ambasadori i Zvicrës, SH.T. Kristof Somer. “Në thelb të çdo demokracie funksionale është një shoqëri civile e fortë. Ajo lidh njerëzit me vendimmarrësit duke avokuar për ndryshime të orientuara drejt qytetarëve, duke u dhënë zë atyre që përndryshe mund të mos dëgjoheshin dhe duke monitoruar performancën e institucioneve shtetërore në aspektin e aksesit dhe cilësisë së shërbimeve publike, si dhe përdorimit efikas dhe transparent të buxhetit të shtetit”, tha ai. Sipas Ambasadorit Somer, organizatat e shoqërisë civile lindin nga nevojat dhe aspiratat e komuniteteve të tyre. “Ato shpesh janë një burim zgjidhjesh inovative që mund të avancohen dhe të zbatohen për të përmirësuar politikat dhe shërbimet në shumë sektorë. Në një botë gjithnjë e më të fragmentuar dhe të polarizuar, ato avokojnë për liritë themelore dhe mund të luajnë një rol të vlefshëm integrues”, shtoi ai.

Aleksandar Krzhallovski, drejtor e MCMS-së dhe lider i ekipit të Civika mobilitas u përqendrua në besimin dhe bashkëpunimin në përgjithësi dhe arritjet e organizatave qytetare. Ai i theksoi nivelet e mosbesimit në shoqëri dhe nevojën nga njohja e ndërsjellë dhe përmirësimin e bashkëpunimit të cilët do ta ngrenin besimin në gjithë shoqërinë. “Bashkëpunimi gjithmonë jep rezultatet më të mira në planin afatgjatë. Por nuk është pa kushte, por me kontrolle dhe reagime”, tha ai, duke shtuar se një nga rolet e organizatave të shoqërisë civile është pikërisht kjo, të kontribuojnë me propozime dhe të bashkëpunojnë për zgjidhje më të mira për Qeverinë për të gjithë. “Besoj se do të bini dakord që Qeveria dhe organizatat e shoqërisë civile kanë nevojë për njëra-tjetrën, sepse vetëm përmes bashkëpunimit të vërtetë shoqëria mund të ecë drejt prosperitetit të qëndrueshëm”, theksoi Krzhallovski.

Në Forumin kombëtar – Panairin e organizatave të shoqërisë civile, i cili mbështetet nga Qeveria e Zvicrës si pjesë e Civika mobilitas, morën pjesë 250 përfaqësues të institucioneve dhe organizatave të shoqërisë civile. Programi i eventit përfshinte debate dhe diskutime mbi tema të ndryshme: arsim dhe shkencë, politika sociale, demografi dhe të rinj, mjedis, shëndetësi, digjitalizim, qeverisje e mirë, vetëqeverisje lokale dhe mjedis mundësues. Pjesë e programit ishte edhe seanca e Këshillit për bashkëpunim midis Qeverisë dhe shoqërisë civile. Përveç kësaj, 35 organizata të shoqërisë civile u prezantuan në seksionin e ekspozitës, shumica prej tyre në mënyrë digjitale.

Panelit kushtuar arsimit dhe shkencës iu drejtua ministrja Vesna Janevska, e moderuar nga Gordan Georgiev, nga Forumi për Politika të Arsyeshme, i cili hapi disa tema kyçe për krijimin e një reforme gjithëpërfshirëse, cilësore dhe afatgjatë të qëndrueshme në arsim me përfshirjen e organizatave të shoqërisë civile.

Ministrja Janevska theksoi se sektori i shoqërisë civile mbetet një partner kyç në proceset e reformës dhe se ministria mbetet “plotësisht e hapur për bashkëpunim”. Ajo tha se takohet shpesh me organizatat e shoqërisë civile dhe se kontributi i tyre është shumë i rëndësishëm në përmirësimin e rregullimit ligjor. “Kjo mënyrë pune do të vazhdojë, sepse sektori i shoqërisë civile është i pari që vëren sfidat dhe për këtë arsye gjithmonë ka propozime më të shumta dhe më të qëndrueshme që mund të integrohen në politikat e ministrisë”, shtoi ajo.

Janevska njoftoi se strategjia e re e arsimit do t’i japë përparësi mësimdhënies me një turn të vetëm dhe mësimdhënies me ditë të plotë. “Kjo është një nga pikat tona kryesore. Qëllimi është vazhdimësia dhe ndryshimi sistemik, jo vetëm një qasje projektesh”, tha ajo. Përveç kësaj, përfshirja mbetet një përparësi kryesore. Ligji i ri planifikon qendra burimesh komunale, të cilat do të ofrojnë mbështetje për shkollat dhe familjet. Disa nga qendrat janë rinovuar tashmë dhe janë funksionale dhe kjo do të vazhdojë me pjesën tjetër.

Lidhur me arsimin e lartë, ministrja Janevska informoi pjesëmarrësit se Ligji për arsimin e lartë, së bashku me dy ligje të tjera sistemike, do të publikohen në ENER rreth 25 dhjetorit, pas çka do të vijojnë diskutime publike në të gjashtë universitetet shtetërore përpara se t’i përcillet Parlamentit. “Ne po i forcojmë kriteret për përzgjedhjen për titujt akademikë. Nëse kërkojmë standarde më të larta, do t’i motivojmë kandidatët të investojnë më shumë”, tha Janevska, duke njoftuar gjithashtu rritjen e investimeve në shkencë.

E pyetur nga përfaqësuesit e shoqërisë civile, ministrja konfirmoi se arsimi dual vazhdon të zhvillohet, me një plan për të hapur qendrën e tetë rajonale në rajonin e Vardarit. Programet po zhvillohen së bashku me Qendrën për Arsim të Mesëm Profesional. Njoftime dhe shtesa në programin e gjimnazit, për të cilin tashmë është ofruar një version draft me dy drejtime. Nga ana tjetër, njohuritë financiare tashmë janë futur si lëndë e detyrueshme në disa shkolla të mesme dhe shkolla profesionale.

Pjesëmarrësit u interesuan gjithashtu për kriteret e përzgjedhjes së organizatave pjesëmarrëse në konsultime, nevojën që mësuesit të njohin fëmijët viktima të dhunës në familje dhe ofruan bashkëpunim me trajnimin e stafit mësimdhënës, pas së cilës Janeska theksoi se ishte e gatshme për dialog dhe përmirësim të materialeve. Në këtë kontekst, u propozua edhe një ide për një aplikacion mësimor celular bazuar në modelin Duolingo, i cili u mbështet unanimisht nga organizatat e shoqërisë civile dhe ministrja. Çështja e të ashtuquajturve “fëmijë fantazmë”, pra nxënës që nuk janë formalisht në sistem, për të cilën Janeska u përgjigj: “Më në fund, kemi një program ku mund t’i përfshijmë të gjithë.”

Pjesëmarrësit e Forumit kombëtar patën interes të madh për çështjet që lidhen me politikën sociale, demografinë dhe të rinjtë, të cilat u prezantuan nga Gjoko Vellkovski, zëvendësministër në këtë ministri, dhe seanca u moderua nga Emilia Gjeroska nga Pro Lokal nga Manastiri.

Ai iu referua të gjitha fushave ku vepron ministria. Lidhur me shërbimet sociale, Vellkovski vuri në dukje se duke përfshirë ofruesit e shërbimeve të licencuara dhe duke thelluar bashkëpunimin me sektorin civil, ministria ofron kujdes në shtëpi, ndihmë personale, qendra ditore, shtëpi të vogla në grupe dhe një gamë shërbimesh inovative që janë më afër nevojave reale të qytetarëve. “Një projekt monitorimi dhe vlerësimi po zbatohet gjithashtu në partneritet me Komisionin Evropian, me fokus në përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së shërbimeve”, tha ai.

Përfaqësuesit e OQ u interesuan se si mund të përshpejtohet procesi i licencimit të organizatave të shoqërisë civile, i cili ndonjëherë zgjat deri në një vit. Gjatë kësaj kohe, duhet të paguhen detyrimet e ndërmarra nga organizatat, të cilat arrijnë deri në 15,000 euro. Zëvendësministri theksoi se po e shqyrtojnë sistemin dhe se po zhvillohen diskutime për ndryshimin e rregullores aktuale. Ato do t’u mundësojnë të gjithë palëve të interesuara të përfshihen në diskutime në mënyrë që të krijohet një dokument që do të përmbushë të gjitha nevojat. Vellkovski tha se e vlerësojnë shumë punën e ofruesve të shërbimeve dhe se i ndiejnë komentet e tyre si një detyrim.

Disa nga pyetjet lidheshin me funksionimin e qendrave rinore dhe shkeljen e ligjit nga komunat që nuk i krijojnë ato dhe dëbimin e të rinjve nga vendet e tyre të banimit. Sipas Vellkovskit, paga nuk është më një faktor kyç në vendimin për dëbim, por sistemi në të cilin funksionojnë të rinjtë. “Sistemi përfshin shumë elemente: kopshtin, jetën kulturore, qasjen në shërbime, etj. Ne duhet të përpiqemi ta ndërtojmë sistemin dhe ta respektojmë atë”, tha ai dhe shprehu gatishmërinë e tij për të përdorur mjetet e organizatave të shoqërisë civile. Në këtë kuptim, ata do të përdorin edhe analizën e Pro Lokal mbi punën e qendrave rinore dhe në bashkëpunim me organizatat rinore planifikojnë të bëjnë ndryshime në Ligjin për të rinjtë që të jetë funksional. “Le t’i formulojmë ndryshimet së bashku në mënyrë që Ligji të jetë funksional, sepse nuk kemi nevojë për një tjetër”, tha ai.

Panel diskutimi kushtuar mjedisit jetësor u diskutuan sfidat kryesore në sektor, siç janë menaxhimi i mbeturinave, harmonizimi me politikat evropiane dhe problemet e furnizimit me ujë. Folën Ana Karanfillova Maznevska, kryetare e Sektorit të mbeturinave, Biljana Petkovska, kryetare e Sektorit të mjedisit jetësor dhe Lindita Shaqiri, shefe e sektorit të BE-së. Paneli u moderua nga Bojana Stanojevska Pecurovska nga Qendra për Ndryshimet Klimatike.

Pecurovska ngriti çështjen e mbledhjes së mbeturinave në kohë nga Ndërmarrja publike “Higjiena komunale” – Shkup nga qershori deri në tetor. Karanfillova Maznevska theksoi se megjithëse ministria nxjerr rregulloret, mbikëqyrja mbi kompanitë e shërbimeve publike është përgjegjësi e inspektorëve lokal. Ajo shtoi se ministria rregullisht vë në dukje mospërputhjet dhe planifikon të informojë Qeverinë për mangësitë e vërejtura, si dhe se po përgatiten aktivitete për të futur një sistem të përzgjedhjes primare të mbeturinave, një proces që, siç tha ajo, “edhe vendet e BE-së e filluan të njëjtin, vetëm 30 vjet para nesh”.

Lidhur me cilësinë e raporteve të vlerësimit të ndikimit në mjedis, Biljana Petkoska theksoi se procedurat janë të rregulluara në mënyrë strikte me ligj dhe se po përgatiten ndryshime edhe për raportet. Shaqiri theksoi se sektori po punon intensivisht në Kapitullin 27 dhe harmonizimin e legjislacionit. “Kapitulli mjedisor është një nga më të gjerat, por edhe më i shtrenjti. Po punojmë në harmonizimin e ligjeve, në bashkëpunim me publikun dhe sektorin civil”, shtoi ajo. Ligji për mjedisin jetësor duhet të miratohet në vitin 2026.

Përfaqësuesit nga tre sektorët informuan gjithashtu se janë duke u realizuar disa projekte të financuara nga BE-ja, si dhe një projekt i mbështetur nga Qeveria e Zvicrës për menaxhimin e burimeve ujore. Pyetjet e pjesëmarrësve lidheshin me problemet me furnizimin me ujë në disa vendbanime në Kratovë, për të cilat u sqarua se sistemi lokal menaxhohet nga një kompani private. Qytetarët u interesuan edhe për gjendjen e procedurës për shpalljen e Liqenit të Ohrit monument natyror.

Përfaqësuesit e ministrisë theksuan se sistemi i e-Qeveria siguron koordinim midis të gjithë sektorëve të prekur dhe njoftuan se do t’u dërgonin përgjigje me shkrim organizatave të shoqërisë civile për disa nga pyetjet për të cilat kërkohej informacion shtesë.

Pjesë e Forumit – Panairit Kombëtar të Organizatave të Shoqërisë Civile ishte edhe seanca e Këshillit për bashkëpunim midis Qeverisë dhe Shoqërisë civile. Në të mori pjesë edhe Sekretari i përgjithshëm, Igor Janushev.

“Një nga parimet mbi bazën e të cilave Qeveria punon për të përmirësuar bashkëpunimin dhe marrëdhëniet me organizatat e shoqërisë civile është parimi i hapjes dhe transparencës, si instrumente të nevojshme për ndërtimin e barazisë para ligjit dhe llogaridhënies së vendimmarrësve. Qeveria ka demonstruar qasjen e saj të hapur dhe të ndershme për përfshirjen e organizatave të shoqërisë civile në proceset e krijimit të politikave publike, pikërisht përmes rivendosjes së një Këshilli për bashkëpunim midis Qeverisë dhe shoqërisë civile, i pavarur, përfaqësues dhe efektiv”, vuri në dukje Janushev.

Anëtarët e Këshillit diskutuan çështjet aktuale që lidhen me mjedisin mundësues për organizatat e shoqërisë civile (Ligji për shoqatat dhe fondacionet, financimi shtetëror i organizatave të shoqërisë civile, përdorimi i Regjistrit të Vetëm Elektronik Kombëtar të Rregulloreve ENER, etj.). Përfaqësues të Këshillit u emëruan gjithashtu në Grupin e punës për ndryshimet në Ligjin për shoqatat dhe fondacionet. Si anëtare, Këshilli emëroi Nikica Kusinikova nga Konekt dhe si zëvendës anëtare, Emilia Gjeroska nga Pro Lokal nga Manastiri.

Çështjet kushtuar mjedisit mundësues në të cilin veprojnë organizatat e shoqërisë civile u diskutuan në panelin me të njëjtin emër me Aleksandra Cvetanovskën, Këshilltare speciale e Ministrit të Drejtësisë, të moderuar nga Viktor Mirçevski nga Konekt.

Cvetanovska tha se Ministria e Drejtësisë është gjithmonë e hapur për bashkëpunim, jo vetëm deklarativisht, por edhe në mënyrë substanciale duke përfshirë organizatat e shoqërisë civile në grupet e punës për ndryshime ose krijimin e ligjeve të reja. “Në ministri, ne gjithmonë dëgjojmë zërin dhe ekspertizën e organizatave të shoqërisë civile”, tha ajo.

Ajo informoi se po punohet për përgatitjen e Ligjit të ri për shoqatat dhe fondacionet (LSHF) dhe se një grup pune me përfaqësues nga organizatat e shoqërisë civile është i përfshirë në proces. Ligji pritet të finalizohet deri në fund të janarit. Paralelisht, do të organizohen disa diskutime publike rajonale mbi draftin e zgjidhjes në mënyrë që të përfshihet një numër më i madh i organizatave të shoqërisë civile.

“Në këtë moment, po diskutojmë hapur strukturën e financimit shtetëror, duke përcaktuar fushat me interes publik dhe aktivitetet ekonomike të OQ. Të gjitha pjesët e tjera të LSHF do të trajtohen në takimet e ardhshme. Përzgjedhja e komisionit për vlerësimin e propozimeve të projekteve do të rregullohet në mënyrë të veçantë qartë”, tha Cvetanovska. Sipas saj, ligji nuk do të përfshijë një përqindje për financimin e OQ.

Zëvendësministri i Shëndetësisë Jovica Andovski dhe Drejtori i Fondit për Sigurim Shëndetësor Sasho Klekovski folën në panelin për shëndetësi, ndërsa paneli u moderua nga Andrej Senih nga “Së bashku më të fuqishëm”.

“Sistemi ka nevojë për njohuritë tuaja”, u tha Andovski të pranishmëve. Ai theksoi se sistemi nuk mund të ndërtohet pa hapje, transparencë dhe përfshirje aktive. Ai u tha organizatave të shoqërisë civile se panelet dhe konsultimet publike janë një “hapësirë për zgjidhje” dhe se ekspertiza e organizatave është e nevojshme për një sistem më të mirë të kujdesit shëndetësor.

Duke iu përgjigjur pyetjes në lidhje me rritjen e përqindjes së kontributeve për sigurimin shëndetësor, drejtori Klekovski theksoi se niveli aktual i kontributeve është i pamjaftueshëm për mbrojtjen shëndetësor që presin qytetarët. Ai bëri një krahasim, duke theksuar se Maqedonia është ndër të fundit në Evropë sa i përket ndarjeve për kokë banori.

“Një nga prioritetet tona kryesore duhet të jetë parandalimi”, tha Klekovski. Ai njoftoi gjithashtu se programi kombëtar i diabetit do të transferohet nga Ministria e Shëndetësisë te Fondi në vitin 2027. Duke folur për parandalimin, Borjan Pavlovski nga shoqata ESE paralajmëroi për mbulimin e ulët të depistimit të kancerit të qafës së mitrës prej rreth 30% në tre vjet. Andovski u përgjigj se, së bashku me OBSH-në, po punohet për të ridizajnuar plotësisht programet e depistimit, por se mbulimi më i lartë kërkon më shumë fonde, infrastrukturë më të mirë dhe mbështetje aktive në thirrjen e grave. Pjesëmarrësit ranë dakord që programet e parandalimit duhet të marrin një buxhet më të lartë çdo vit.

Pjesëmarrësit u interesuan gjithashtu për sigurimin e reagentëve për skanimet PET për kancerin e prostatës, futjen e terapisë HIV në Fond për të siguruar kujdes afatgjatë dhe të qëndrueshëm, mungesën e shërbimeve gjinekologjike në zonat rurale dhe mundësinë e ekipeve mobile; shërbimet e rehabilitimit dhe përmirësimin e modelit të mjekëve dhe infermierëve mobilë, si dhe rinovimin e klinikave të vjetra ambulatore ekzistuese, por jo funksionale, në zonat rurale.

Andovski njoftoi se Strategjia shëndetësore po planifikon një riorganizim që mund të sjellë zgjidhje të reja sepse shërbimet mobile, pra programi i mëparshëm me 100 mjekë mobilë, nuk ekzistojnë më. Në diskutim u përmend edhe Qendra e Rehabilitimit, për të cilën Andovski informoi se pavarësisht diskutimeve të grupeve të punës, nuk janë parashikuar fonde në buxhetin për vitin e ardhshëm për një qendër të tillë. Përfaqësuesit nga Hera dhe HOPS kërkuan sqarime nëse buxheti për vitin 2026 planifikon të rrisë fondet për parandalimin e shëndetit, si dhe nëse do të zhvillohet një program kombëtar për zvogëlimin e dëmit, duke përfshirë masa të synuara për të miturit, sepse, siç thotë Blagorodna Koceva Simjanov nga HOPS, shteti ende nuk ka një qasje sistematike ndaj tyre. Andovski përsëri theksoi nevojën për punë të koordinuar me organizatat e shoqërisë civile, e cila duhet të ndihmojë në krijimin e një “shablloni të përbashkët për zërat e buxhetit” që mund të kalojë me sukses në Ministrinë e Financave.

Çështjet e qeverisjes së mirë u diskutuan në një panel me zëvendëskryeministrin Arben Fetai, të moderuar nga Snezhana Kamilovska Trpovska nga MCMS.

Në hyrje të diskutimit, ajo iu referua të dhënave nga Raporti i ri i Vlerësimit të korrupsionit për vitin 2025, i cili tregon një rritje të presionit për korrupsion dhe përfshirjes në korrupsion krahasuar me vitin 2023 me 5 pikë përqindjeje. Përveç kësaj, ndjeshmëria ndaj korrupsionit është rritur, kështu që 45% e qytetarëve janë të gatshëm të pranojnë ose të japin ryshfet në rrethana të caktuara, që tani është në nivelin më të lartë që nga viti 2014. Ka një rënie të optimizmit midis qytetarëve për zhdukjen e korrupsionit. Vetëm 33.2% besojnë se korrupsioni mund të reduktohet ose zhduket, ndërsa dy të tretat (66.6%) besojnë se kjo është e pamundur.

Zëvendëskryetari Fetai iu referua arritjeve në këtë fushë, duke theksuar mekanizmin e monitorimit të strategjisë së transparencës dhe njoftoi përgatitjen e strategjisë së re, regjistrit shtetëror të pasurive të paluajtshme dhe regjistrit të automjeteve, përgatitjen e strategjisë së re kundër korrupsionit, etj. “Organizatat e shoqërisë civile nuk duhet të jenë ekrani i demokracisë, por zemra e saj. Kur ngrini zërin, nuk jeni kundër Qeverisë, por për qytetarët. Qytetarët marrin shërbime më të mira dhe ne fitojmë legjitimitet për të vazhduar. Kritikoni – kërkoni llogaridhënie. Kërkoni transparencë çdo ditë. Jam i lumtur t’ju mbështes”, tha ai.

Duke folur për ndryshimet në Kodin Penal, Fetai njoftoi se një Kod i ri Penal pritet të miratohet deri në fund të vitit dhe të jetë plotësisht i harmonizuar me ligjin e BE-së. Në këtë kontekst, ai iu referua sistemit gjyqësor dhe tha se “pa vendime gjyqësore, lufta kundër korrupsionit është një iluzion”. Ai beson se tragjedia me zjarrin në Koçan e ka zgjuar sistemin ligjor dhe se përveç viktimave të Koçanit, një zgjidhje është e nevojshme edhe për tragjeditë e tjera që kanë ndodhur në vend, siç është “ Durmo turs”, “Spitali modular”, “Besa Trans”, etj.

Kur u pyet se cilat janë tre mësimet për ndryshime sistemike që nxorëm pas tragjedisë në Koçanë dhe të cilat shteti është i përgatitur të ndërmarrë për të parandaluar tragjeditë e ardhshme, Fetai tha se këto do të ishin sanksione të përshtatshme për autorët e krimeve, funksionimi i institucioneve të tjera të lidhura, siç janë inspektoratet dhe funksionimi i sistemit të denoncuesve.

Lidhur me punën e Komisionit Shtetëror të Regjistrimit të Pronave, Fetai u bëri thirrje organizatave të shoqërisë civile të bëjnë presion për një punë më transparente të komisionit.

Në panelin kushtuar digjitalizimit, pjesëmarrësve iu drejtua Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, ndërsa diskutimi u moderua nga  Mila Josifovska Danilovska nga Metamorfozis.

Andonovski theksoi në fjalimin e tij se digjitalizimi si një transformim strategjik nuk është vetëm një proces teknologjik, por një ndryshim themelor në mënyrën se si funksionon shteti dhe ofrohen shërbimet publike. “Gjatë një viti e gjysmë të kaluar, ne kemi treguar se një tranzicion digjital i suksesshëm është i mundur vetëm përmes bashkëpunimit të ngushtë dhe të hapur midis institucioneve dhe organizatave të shoqërisë civile”, tha ai.

Sipas Ministrit, bashkëpunimi me OQ është një histori partneriteti afatgjatë, ku së bashku me lëvizje të shpejta dhe efikase dhe me fokus në zgjidhje, mund të arrihet më shumë.

Duke folur për inteligjencën artificiale, Andonovski tha: “Qëllimi im nuk është ta rregulloj shumë inteligjencën artificiale, veçanërisht pasi aktualisht nuk e kemi atë për përdorim në Maqedoni nga një perspektivë formale. Padyshim, na duhet një kornizë fleksibile për zhvillimin etik dhe përdorimin e sigurt të IA-së.”

Lidhur me bashkëpunimin e ardhshëm me organizatat e shoqërisë civile, Andonovski theksoi se ata planifikojnë të përfshijnë organizatat e shoqërisë civile si partnerë të barabartë në konsorciumet e ardhshme evropiane. “Vetëm përmes një qasjeje partneriteti, dialogu të hapur dhe veprimeve të përbashkëta mund të krijojmë shërbime digjitale që janë me cilësi të lartë, gjithëpërfshirëse dhe të sigurta për të gjithë qytetarët”, tha Andonovski.

Në panelin “Vetëqeverisja lokale” krahas Ministrit të Vetëqeverisjes lokale Zlatko Perinski, folën edhe kryetarët Aleksandar Stojkoski (Gjorçe Petrov), Sonja Stamenkova (Makedonska Kamenica), Fisnik Mela (Dibër) dhe u moderua nga German Filkov nga Qendra për Komunikime Qytetare.

Ministri Perinski theksoi se sektori i shoqërisë civile është një “aleat kyç për komuna më efikase dhe gjithëpërfshirëse”, duke theksuar se qëllimi është që ekspertiza e tyre të bëhet pjesë integrale e Qendrës së Burimeve të sapokrijuar. Ai i nxiti organizatat të bashkëpunojnë në mënyrë aktive me autoritetet lokale, duke theksuar se buxhetet tani janë forcuar më tej (rifreskuar) dhe një pjesë e fondeve janë drejtuar drejt të mirave kapitalee. Perinski shpalli formimin një bazë ekspertësh që do të ndihmojnë bashkitë me zgjidhje konkrete, veçanërisht komunat e vogla me burime të kufizuara.

Kryetarja e Komunës së Makedonska Kamenicës, Sonja Stamenkova vuri në dukje se komuna ende mban epitetin “komuna më e pasur”, por kjo do të thotë edhe detyrime të shtuara. Ajo theksoi se tashmë ka organizata aktive të shoqërisë civile që përdorin me sukses fondet evropiane dhe komuna planifikon financim të veçantë (ndarje të veçantë të fondeve) për organizatat e shoqërisë civile dhe klubet sportive.

Fisnik Mela, kryetar i Komunës së Dibrës, theksoi se përvoja e tij si ish-këshilltar në komunë e ndihmon në krijimin e kritereve transparente për financimin e shoqatave. Ai theksoi rolin e Info Qendrën rinore, e cila ofron mbështetje për startup-et dhe iniciativat e projekteve në bashkëpunim me shoqatat.

Aleksandar Stojkoski, kryetari i komunës Gjorçe Petrov, tha se në dy vitet e fundit komuna ka futur praktika të reja, duke përfshirë thirrjet publike për financim. Ai gjithashtu njoftoi ndryshime në rregulloret për klubet sportive. Stojkoski beson se ekzistenca e një regjistri kombëtar të projekteve dhe organizatave do të lejonte një transparencë më të madhe: “Duhet të ketë një bazë të dhënash të centralizuar në mënyrë që të shohim se kush ka punuar për çfarë deri më tani . Në mandatin e ardhshëm, fokusi im do të jetë në arsim dhe fëmijë”, shtoi ai, duke u bërë thirrje organizatave të bashkëpunojnë më ngushtë.

Filkov vlerësoi se ideja e një regjistri kombëtar mund të forcojë më tej bashkëpunimin midis organizatave dhe komunave.

Pjesëmarrësit theksuan gjithashtu se është e nevojshme të forcohet roli i bashkësive lokale. Stamenkova theksoi se qytetarët shpesh kërkojnë zgjidhje për mikro-problemet direkt nga kryetari i komunës, por meqenëse kjo nuk mund të funksionojë në atë mënyrë, përmes bashkësive lokale aktive këto procese do të përmirësohen dhe problemet do të kanalizohen. Në Makedonska Kamenicë, tashmë po punohet për të zgjedhur një përbërje të përzier dhe të balancuar gjinore të kryetarëve të bashkësive lokale.

Fisnik Mela shtoi se në Dibër, bashkësitë lokale janë riaktivizuar, por paralajmëroi se gjithmonë ekziston rreziku i konfliktit të interesit. Ministri Perinski ishte i vendosur që bashkësitë lokale nuk do të bëhen subjekte ligjore: “Ato njihen në Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale, por nuk kanë një formë ligjore dhe sipas mendimit tim nuk duhet të kenë një të tillë, sepse kjo do ta vështirësonte funksionimin e komunave.”

Përfaqësueset e organizatave theksuan shembuj të suksesshëm të bashkëpunimit me autoritetet lokale. Savka Todorovska theksoi komunat Gjorçe Petrov dhe Qendër, me të cilat ata zbatuan programe të përbashkëta për mbështetje ligjore dhe psiko-sociale falas. Gjuner Nebiu nga “Antiko” propozoi që qeveria lokale të krijojë një mekanizëm që do të lidhë 80 gra sipërmarrëse me sektorin e biznesit.

Paneli përfundoi me një mesazh të përbashkët se partneriteti i vërtetë midis bashkive dhe sektorit të shoqërisë civile është një parakusht për zhvillimin e demokracisë lokale dhe shërbime më të mira për qytetarët.

Forumi Kombëtar – Panairi i organizatave të shoqërisë civile konfirmoi rolin e tij si një platformë e rëndësishme për dialog, shkëmbim idesh dhe krijim të përbashkët zgjidhjesh. Përmes diskutimeve të hapura, pyetjeve dhe rekomandimeve, pjesëmarrësit demonstruan forcën e partneritetit midis institucioneve shtetërore dhe sektorit të shoqërisë civile.

Ngjarja tregoi se organizatat e shoqërisë civile nuk janë vetëm korrigjuese të institucioneve, por edhe politikëbërëse, bartëse të njohurive dhe nxitëse të ndryshimeve shoqërore. Nga ana tjetër, institucionet konfirmuan gatishmërinë e tyre për bashkëpunim më të madh, llogaridhënie dhe përfshirje të ekspertizës së organizatave në miratimin e politikave me interes publik.

Vetëm nëpërmjet respektit të ndërsjellë, dialogut të vazhdueshëm dhe partneritetit të vërtetë, shteti dhe organizatat e shoqërisë civile mund të ndërtojnë shërbime më efikase, institucione më demokratike dhe një cilësi më të mirë jetese për të gjithë qytetarët.

Civika mobilitas do të vazhdojë të krijojë hapësira ku zëri i qytetarëve dëgjohet, vlerësohet dhe transformohet në politika publike të qëndrueshme.

📣 Заврши Националниот форум – Саем на граѓански организации, што Цивика мобилитас втора година по ред го организира…

Posted by Civica Mobilitas on Friday, November 28, 2025

Продолжи со читање

  • Kur kursimet bëhen përgjegjësi politike

    “Kursimet në nivel shtetëror nuk nënkuptojnë heqjen dorë nga shpenzimet, por përkundrazi racionalizimin e tyre dhe drejtimin e tyre drejt politikave që krijojnë vlerë të shtuar – arsim, kujdes shëndetësor, infrastrukturë dhe inovacion”, thotë Bllagica Petreski, drejtoreshë ekzekutive e Finance Think dhe kështu shpjegon në mënyrë koncize thelbin e financave…

  • Për çka flasin kandidatët në zgjedhjet lokale 2025? #6

    PËRMBLEDHJË JAVORE #6 [20-26 tetor 2025] Edhe pas përfundimit të procesit zgjedhor, zgjedhjet vazhduan të diktojnë axhendën mediatike. Edhe pse numri i publikimeve ishte pak më i ulët se në javët paraprake, interesi publik mbeti i lartë. Me më shumë se 4 400 tekste mediatike dhe 560 postime në rrjetet…

  • Bashkëpunimi midis organizatave qytetare dhe sektorit të biznesit sjell shumë përfitime të ndërsjella

    “Arsyeja pse të gjithë duam të bashkëpunojmë është sepse të gjithë duam të përfitojmë. Pavarësisht nëse vini nga sektori i biznesit apo nga sektori qytetar, duhet të filloni të zhvilloni një kuptim më kompleks të përfitimeve të ndërsjella”, tha Simon Forrester, eksperti ndërkombëtar i Civica mobilitas, pjesëmarrësve të punëtorisë “Forcimi…

  • Për çfarë po flasin kandidatët në zgjedhjet lokale 2025? #5

    RISHIKIM JAVOR #5 [13 – 17 tetor 2025] Në javën e fundit para heshtjes zgjedhore, pati rritje të dukshme të aktiviteteve dhe mobilizim të ri në mediat me mbi 3.000 artikuj dhe 240 postime në rrjetet sociale, me një rritje të qartë të angazhimit drejt fundit të javës. Fushata hyri…