Storija 2
|

„Një të ardhme më e mirë dhe më e sigurt për mua dhe fëmijët e mi”

Nuk ka kohë të gabuar për të bërë ndryshime, në jetën tonë personale, në komunitet apo në shoqërinë në të cilën jetojmë. Njerëzit që janë të gatshëm për këtë i pranojnë më lehtë sfidat dhe e kuptojnë mundësinë. Pikërisht si bashkëbiseduesja jonë, përvoja e së cilës po e ndajmë.

E.A., është një grua e re, nënë e vetme e tre fëmijëve, e cila përballet çdo ditë me sfidat dhe kërkon zgjidhje. E takova në kurset profesionale të kozmetikës për gratë nga Tetova. “Duhet të luftoj, për veten time dhe për tre fëmijët e mi, të cilëve duhet t’u siguroj një të ardhme më të mirë dhe më të sigurt”, thotë ajo. Stabiliteti dhe siguria financiare të E.A. duken më të sigurta pasi u përfshi në kurset që organizon Iniciativa Civile e Grave ANTIKO, të mbështetur nga Qeveria e Zvicrës përmes Civika Mobilitas. Ajo mori informacion për kurset nga organizatat e shoqërisë civile, u regjistrua dhe u përfshi në grupin që filloi mësimin më 25 shtator 2024. Kurset janë falas për pjesëmarrësit dhe u mundësojnë atyre të fitojnë aftësi që do t’i lehtësojnë përfshirjen e tyre në tregun e punës dhe do të forcojnë pavarësinë e tyre ekonomike.

“Ky kurs është një mundësi e madhe për mua dhe prandaj e mora shumë seriozisht,” thotë ajo. Bisedojmë ndërsa ajo dhe të tjera vajza të përfshira në kurs praktikojnë depilimin e duarve dhe rritjen e thonjve. Koha për praktikimin e aftësive të mësuara është e çmuar dhe prandaj nuk ndërpritet me punë ndërsa flet. Edhe pse programi i kursit ofron të mësuarit e shumë aftësive, E.A. tashmë e di se çfarë dëshiron. “Në të ardhmen, e shoh veten të punës me thonjë, prandaj më shumë dua të mësoj për procesin dhe mënyrën e prodhimit të tyre. Sigurisht, po mësoj edhe aftësitë e tjera që na ofrojnë trajneret mikpritës dhe të përkushtuar Liljana Dimovska dhe Sanja Dimitrievska nga saloni kozmetik “Madam” në Tetovë,” thotë ajo.

Të dy trajneret thonë se “nxënëset” e tyre tregojnë një potencial të veçantë dhe progres në zotërimin e aftësive. “Për ne ishte befasuese dhe ende është suksesi me të cilin i kanë zotëruar teknikat e punës me thonjë, të cilat janë më të ndërlikuara dhe më të vështira për t’u mësuar. Sigurisht, secila prej tyre ka afinitet ndaj shërbimeve të veçanta kozmetike, si trajtime për fytyrë dhe kujdes të lëkurës, masazhet, depilimi etj.,” thonë ato.

Duke folur për përparimin e E.A. dhe vizionin e saj për biznesin e vet, trajnerët thanë se e këshilluan se nga të fillojë. “Duke e pasur parasysh situatën e saj nga njëra anë dhe dëshirën e madhe nga ana tjetër, ne i rekomanduam të fillojë me materiale që nuk kushtojnë shumë, por megjithatë janë të mira për të filluar me këtë punë,” tregon Sanja Dimitrievska. E.A. nuk nguroi të bëjë hapat e ardhshëm për të realizuar planin e saj. I siguroi materialet dhe pajisjet për t’u përgatitur të fillojë punë të pavarur menjëherë pas përfundimit të kursit. “Vajzat e tjera në kurs janë më të reja dhe mund të mendojnë akoma për planet e tyre, por unë nuk kam kohë për të pritur. Tani është momenti të bëj hapat vendimtarë dhe prandaj, atë që e mësoj në mësime, vazhdoj ta praktikoj në shtëpi,” tha ajo.

Të organizosh kohën e një nëne të vetme me tre fëmijë, si në rastin e E.A.-së, është një sfidë e vërtetë. Kjo në masë të madhe e kufizon zgjedhjen e vendit të punës. “Nuk mund të punoj me orar të plotë 8-orësh, thjesht nuk mund ta organizoj vetë, me tre fëmijët e mi të vegjël, 14, 10 vjeç dhe 2 vjeç e gjysmë. Prandaj, e shoh këtë kurs si përgjigje në nevojat e mia. Do të punoj vetë, në hapësirën time me orarin tim të punës të përshtatur në nevojat dhe kujdesin e fëmijëve tanë,” tregon ajo.

E.A. është me të vërtetë frymëzuese. Ajo rrezaton dëshirë dhe motivim të fortë. “Ky kurs mund ta ndryshojë jetën time dhe jetën e tre fëmijëve të mitur, të sigurojë një të ardhme më të mirë dhe më të sigurt. Jam mirënjohëse për mundësinë dhe e lumtur që ka njerëz që organizojnë dhe mbështesin aktivitete të tilla.”

Ne u përshëndetëm në largim, ajo me ëndrrën e saj që po ecën me hap të sigurt drejt realizimit, ne, të përfshirë në të me dëshirë të fortë që të realizohet dhe gatishmëri për t’i ndihmuar në këtë. Shpresojmë që këto histori do të frymëzojnë edhe shumë bashkëqytetarët tanë që së bashku do t’i bëjnë ndryshimet në jetët e tyre dhe në shoqërinë në të cilën jetojmë.

“Zëri dhe pjesëmarrja e grave dhe të rinjve në: Krijimi i politikave publike dhe një mjedis mbështetës për angazhimin e qytetarëve” është projekt i Iniciativës Qytetare të Grave ANTIKO nga Shkupi, i zbatuar në partneritet me Shoqatën “Gjithmonë Bashkëjetesë” nga fshati Kanatlarci dhe Shoqata për Arsim dhe Kulturë “Adrion” nga Zhelinë.

Продолжи со читање