[Aggregator] Downloaded image for imported item #43720

SHGM kërkon veprim urgjent për kallëzimin për sulme online ndaj “Slloboden Peçat”

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) ka dërguar kërkesë për urgjencë lidhur me rrjedhën e procedurës pas kallëzimit të paraqitur për një sulm të koordinuar botësh ndaj profileve në Instagram të mediumit “Slloboden Peçat”, drejtuar pikës kombëtare fokale, z. Muhamed Ismaili, ndihmës i ministrit në Departamentin për Marrëdhënie me Publikun dhe Çështje Strategjike pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Kjo kërkesë vjen pas kallëzimit formal që SHGM e paraqiti më 15 nëntor 2025 në Sektorin për Kriminalitet Kompjuterik dhe Forenzikë Digjitale pranë MPB-së, për shkak të dyshimeve për keqpërdorim të koordinuar të rrjetit social Instagram, me qëllim pengimin e punës së mediumit dhe kufizimin e dukshmërisë së përmbajtjeve të tij.

Bëhet fjalë për një sulm të koordinuar botësh ndaj profileve zyrtare në Instagram të “Slloboden Peçat”, gjatë të cilit janë regjistruar ndërveprime masive të dyshimta (komente, pëlqime dhe kërkesa për ndjekje), rënie drastike e shtrirjes së publikimeve dhe dyshim i bazuar për kufizim algoritmik të dukshmërisë (i ashtuquajturi “shadow ban”). Për shkak të vazhdimësisë së sulmeve, redaksia u detyrua që përkohësisht t’i mbyllë (t’i bëjë private) disa nga profilet, me qëllim mbrojtjeje.

Gjatë periudhës së deritanishme, SHGM ka siguruar mbështetje institucionale dhe juridike për mediumin dhe ka informuar institucionin kompetent për vazhdimin e sulmit dhe pasojat ndaj punës së redaksisë.

Me kërkesën e fundit, SHGM nga MPB ka kërkuar informacione se në cilën fazë ndodhet hetimi, çfarë hapash janë ndërmarrë nga shërbimet kompetente, nëse po kryhen verifikime për ndonjë lidhje të mundshme të aktiviteteve me subjekte nga Republika e Maqedonisë së Veriut, si dhe nëse është iniciuar komunikim me kompaninë Meta / Instagram përmes mekanizmave ekzistues të bashkëpunimit ndërkombëtar.

SHGM rikujton se sulmet e koordinuara online ndaj mediave përbëjnë rrezik serioz për lirinë e shprehjes dhe një formë indirekte presioni ndaj punës gazetareske, prandaj është e domosdoshme reagimi i shpejtë institucional.

Shoqata i inkurajon gazetarët dhe punonjësit e mediave që të raportojnë të gjitha kërcënimet, presionet dhe sulmet, përfshirë edhe sulmet online, përmes platformës SafeJournalists.net ose drejtpërdrejt te SHGM, me qëllim reagim në kohë, mbrojtje institucionale dhe evidentim publik të rasteve të tilla.

Ky lajm u publikua fillimisht në faqen e Shoqata e gazetarëve të Maqedonisë (SHGM)

Продолжи со читање