м март

Klikimet, Paratë dhe Ndikimi: Rolet dhe Përgjegjësitë e Mediave Online në Zgjedhje

Është e nevojshme të forcohet transparenca dhe mbikëqyrja e reklamimit të paguar politik në mediat online gjatë fushatës zgjedhore. Kjo është premisa bazë nga e cila filloi zbatimi i projektit “Paratë, Mediat dhe Zgjedhje në Maqedoninë e Veriut”, të cilin e zbaton Fondacioni Ndërkombëtar për Sisteme Zgjedhore (IFES) së bashku me Fondacionin Metamorfozis. E si kulminacion i zbatimit të aktiviteteve të projektit, më 4 dhe 5 mars 2025, në Shkup, u mbajt konferenca ndërkombëtare “Klikimet, Paratë dhe Ndikimi: Rolet dhe Përgjegjësitë e Mediave Online në Zgjedhje.”

Joana Kozma, Drejtoreshë e Zyrës së IFES-it në Maqedoninë e Veriut, në fjalën e saj hyrëse theksoi se qëllimi i kësaj ngjarjeje është ta lehtësojë shkëmbimin e praktikave të mira ndërkombëtare dhe rregulloreve për mbikëqyrjen e fushatave politike dhe mediave online gjatë zgjedhjeve, si dhe të shihet, nëse disa nga ato praktika mund të inkorporohen në praktikën kombëtare dhe kornizën ligjore të vendit.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Drejtori Ekzekutiv i Fondacionit Metamorfozis, Bardhyl Jashari, theksoi se gjatë zbatimit janë identifikuar zbrazëtirat dhe dobësitë kritike në reklamimin e paguar politik në mediat online gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare.

Në kuadër të sesionit “Numërimi mbrapsht deri në zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut: Si të forcohet transparenca dhe mbikëqyrja e reklamimit të paguar politik gjatë fushatës mediatike, duke përfshirë edhe në portalet e internetit”, u diskutua mbi mënyrat e mundshme për të përmirësuar mbikëqyrjen, raportimin dhe transparencën e portaleve në internet gjatë zgjedhjeve – një rishikim i sfidave aktuale rregullatore, etike dhe praktike në lidhje me zgjedhjet e ardhshme.

Maksim Acevski, kryerevizori shtetëror në Entin Shtetëror të Revizionit, theksoi se institucioni shpenzon burime të vlefshme njerëzore dhe para për monitorimin e procesit zgjedhor, të cilin e monitoron vazhdimisht një sektor i tërë i përbërë nga revizorë të autorizuar.

“Me vite kemi thënë se ka nevojë për ndryshime të Kodit Zgjedhor, të cili e miratojnë aktorët politikë pa u konsultuar me ne” – theksoi Acevski. Sipas tij, kjo fushë duhet të rregullohet, veçanërisht në pjesën e portaleve në internet, duhet të përcaktohen kritere për shpërndarjen e mjeteve, si dhe të rregullohet më tej politika ndëshkuese.

Drejtori i Agjencisë për Shërbime Audio dhe Audiovizuale Mediatike, Zoran Trajçevski, në prezantimin e tij përsëriti se ASHAAM-i konsideron se nuk duhet të ketë reklamim të paguar politik nga buxheti i shtetit. Ai foli edhe për tendencën për të ridrejtuar fushatat zgjedhore në rrjetet sociale. Ai tha se gjatë zgjedhjeve presidenciale është vërejtur se bartësit e funksioneve publike dhe kandidatët kanë përdorur profilet e tyre në Facebook për kryer fushatë të hapur, me transmetime të drejtpërdrejta, fjalime, fotografi dhe video të takimeve të tyre me qytetarët.

“Kështu ata mobilizuan një numër më të madh mbështetësish dhe fituan më shumë shikues. Zhvillimi i fushatës në rrjetet sociale në vendin tonë nuk është fare i rregulluar”, shtoi Trajçevski.

Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski në këtë ngjarje theksoi se kjo ministri ka marrë njërën nga kompetencat që ka të bëjë me politikat në fushën mediatike.

“Portalet janë në numër shumë më të madh në krahasim me mediat tradicionale, edhe pse shumë prej tyre janë fantazmë. Përgatitja e Ligjit për Mediat është në fazë të avancuar, dhe pres që së shpejti ai të gjendet në seancë të qeverisë, dhe më pas në Kuvend”, tha ministri.

Ditën e dytë të konferencës e hapi Zëvendësambasadori i Ambasadës Britanike në Shkup, Daniel Filler, me fjalë nderi.

“Është e rëndësishme të nxjerrim mësime nga çdo cikël zgjedhor si një hap i radhës për të përmirësuar integritetin e zgjedhjeve të ardhshme. “Projekti “Paratë, Mediat dhe Zgjedhjet”, i financuar nga Mbretëria e Bashkuar, ofron prova dhe propozime për një mbikëqyrje të përmirësuar të shpenzimeve publike në fushatën zgjedhore në internet dhe rolin e mediave në formësimin e diskursit publik” – tha Filler.

Pasoi sesioni “Monitorimi i reklamave të paguara politike: rolet institucionale dhe kushtet e ndryshueshme në epokën dinamike digjitale”, ku u diskutua për praktikat (dhe sfidat) kombëtare dhe ndërkombëtare në mbikëqyrjen e reklamimit të paguar politik dhe sigurimin e harmonizimit, veçanërisht në lidhje me fushatën online gjatë zgjedhjeve. Folës ishin Emilija Janevska, shefe e Sektorit për Çështje Programore të Agjencisë për Shërbime Audio dhe Audiovizuale Mediatike, Magnus Oman, Drejtor i Zyrës Rajonale të IFES-it për Evropën dhe këshilltar i lartë për financimin politik, si dhe Noemi Arcidiacono nga Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR). Sesioni u moderua nga Dançe Danillovska-Bajdevska, Drejtore e programeve në Fondacionin Metamorfozis.

Në sesionin e fundit të konferencës “Mjetet dhe metodologjitë për monitorimin dhe raportimin etik të mediave online”, folësit Sam Power, ekspert ndërkombëtar për financimin politik dhe partiak, Universiteti i Bristolit dhe Biljana Georgievska, Drejtoreshë Ekzekutive e Këshillit për Etikë në Media në Maqedoni, diskutuan për aplikimin e mjeteve dhe metodologjive për monitorimin dhe raportimin e aktiviteteve të mediave online gjatë zgjedhjeve. Sesioni hapi një diskutim mbi praktikat e mira, zgjidhjet teknologjike (duke përfshirë edhe përdorimin e IA-së) dhe qasjet rregullatore për të siguruar transparencë, llogaridhënie dhe saktësi në mbikëqyrjen e mediave digjitale. Sesioni u moderua nga Zllatko Simonovski nga Fondacioni Ndërkombëtar për Sisteme Zgjedhore (IFES).

Mbi 70 pjesëmarrës dhe 12 folës të pranishëm në konferencën dyditore “Klikimet, Paratë dhe Ndikimi: “Rolet dhe Përgjegjësitë e Mediave Online në Zgjedhje” diskutuan për mënyrat se si portalet online gjatë zgjedhjeve dhe në një kohë të rritjes së fushatave digjitale dhe ndikimi i tyre mund të kontribuojnë në raportimin etik dhe të drejtë për kandidatët dhe partitë pjesëmarrëse në zgjedhje, me ç’rast dolën përfundimet e mëposhtme:

  • Nuk ka ligje konkrete që e rregullojnë reklamimin politik në internet, prandaj ka nevojë të bëhet rregullimi ligjor i kësaj fushe duke i dhënë kompetenca një institucioni apo organi të caktuar.
  • Derisa të arrihen zgjidhjet konkrete ligjore, është e dëshirueshme të krijohen mekanizma për zbatimin dhe monitorimin e përmbajtjeve të dëmshme përmes bashkëpunimit me organizatat e shoqërisë civile dhe mjeteve digjitale.
  • Duhen urgjentisht kritere që do të garantojnë se paratë e shtetit për fushatat zgjedhore do të përfundojnë në portale të besueshme.

Ekzistojnë praktika të mira ndërkombëtare që mund të ndihmojnë në rregullimin e punës së portaleve online dhe në përgjithësi në financimin dhe raportimin për paratë e shpenzuara në fushatat zgjedhore, duke i përfshirë edhe mjetet e inteligjencës artificiale.

  • Vëmendje duhet t’i kushtohet edhe pronësisë së portaleve online, pasi kjo shpesh mund të zbulojë një lidhje të padukshme midis partive dhe përmbajtjes favorizuese që publikohet.

Konferenca “Klikimet, Paratë dhe Ndikimi: Rolet dhe Përgjegjësitë e Mediave Online në Zgjedhje” u organizua në kuadër të projektit “Paratë, Mediat dhe Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut”, të financuar nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar me mbështetjen e Ambasadës Britanike në Shkup.

This post was originally published on this site

Продолжи со читање

  • Kamioni Mediatik Ballkanik po e nis udhëtimin e tij

    Kamioni Mediatik Ballkanik po e nis udhëtimin e tij nëpër 20 qytete në gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor: Kosovë, Bosnje dhe Hercegovinë, Mal të Zi, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi, nga shtatori deri në nëntor të vitit 2025. Ndalesa e parë është në Prizren, Kosovë, më 8 shtator, e ndjekur nga Mitrovica më 9 […]
    The post Kamioni Mediatik Ballkanik po e nis udhëtimin e tij first appeared on Metamorphosis.

  • RAPORT I BIRC: PERSPEKTIVA E REFORMAVE TË QËNDRUESHME NË KUADËR TË KLASTERIT 3 DHE KLASTERIT 1

    Autor: M-r Bardhyl Zaimi
    Sistemi arsimor në Maqedoninë e Veriut në asnjë rast duket se nuk ka arritur t’u rezistojë turbulencave të shumta politike të periudhës së tranzicionit, ndikimeve partiake dhe ndikimeve tjera që në masë të madhe kanë ulur nivelin e cilësisë. Në Maqedoninë e Veriut, nuk është arritur të krijohet një sistem koherent në fushën e arsimit që do t’i përgjigjej profesionalizimit dhe përkushtimit maksimal që e kërkon kjo fushë kaq e rëndësishme e shoqërisë. Përkundrazi, gjatë tërë kohës janë vërejtur eksperimente në politikat arsimore, zgjidhje të çastit, zgjidhje që më tepër kanë qenë improvizime se sa realisht të hyhet në një transformim cilësor të gjithanshëm që nënkupton suazë ligjore të mirëmenduar, dokumente të përpiluara nga profesionistë të fushës dhe strategji afatgjate që hapin dhe mbindërtojnë një vizion që do të ishte në përputhje me zhvillimet globale.
    Në këtë kuadër, tashmë nga ekspertët është vënë në dukje se harmonizimi i konceptit evropian, gjegjësisht ligjeve europiane në sistemin arsimor në Maqedoninë e Veriut mbetet një imperative jetik për të krijuar dinamika tjera në arsimin e lartë në drejtim të përmirësimit të cilësisë.
    Klasteri 3 që do të hapet me BE-në e vendos fokusin në konkurrencën dhe rritjen gjithëpërfshirëse. Pikërisht, në sinkron me këtë klaster, shtetet anëtare duhet të kenë kornizën ligjore, administrative dhe financiare  si dhe kapacitetet e nevojshme zbatuese për të siguruar menaxhimin e shëndoshë financiar të programeve të arsimit, trajnimit dhe komunitetit rinor. Për të siguruar përfshirje të plotë dhe të suksesshme në programet kornizë, vendet anëtare duhet të sigurojnë kapacitetet e nevojshme zbatuese në fushën e kërkimit dhe zhvillimit teknologjik, pa anashkaluar stafin adekuat.
    Në këtë kuadër, reformat në fushën e arsimit dhe kërkimit shkencor nuk janë vetëm një përparësi sektoriale, por një domosdoshmëri strategjike që ndërlidhet drejtpërdrejt me cilësinë e kapitalit njerëzor dhe aftësinë e vendit për të ndërtuar një ekonomi të qëndrueshme dhe konkurruese. Klasteri 3 përfshin kapitujt që lidhen me arsimin, kërkimin shkencor dhe kulturën (25 dhe 26), ndërsa Klasteri 1 përqendrohet në sundimin e ligjit, etikën dhe funksionimin demokratik të institucioneve. Të gjitha këto dimensione mbeten me ndikim të drejtpërdrejtë në sistemin arsimor.
    RAPORTIN E PLOTË E GJENI KËTU

  • RAPORT I BIRC: ARSIMI NË KRIZË, EKSPERTËT KËRKOJNË DEPOLITIZIM DHE REFORMA TË THELLA

    Autor: M-r Bardhyl Zaimi
    Sistemi arsimor në Maqedoninë e Veriut në asnjë rast duket se nuk ka arritur t’u rezistojë turbulencave të shumta politike të periudhës së tranzicionit, ndikimeve partiake dhe ndikimeve tjera që në masë të madhe kanë ulur nivelin e cilësisë. Në Maqedoninë e Veriut, nuk është arritur të krijohet një sistem koherent në fushën e arsimit që do t’i përgjigjej profesionalizimit dhe përkushtimit maksimal që e kërkon kjo fushë kaq e rëndësishme e shoqërisë. Përkundrazi, gjatë tërë kohës janë vërejtur eksperimente në politikat arsimore, zgjidhje të çastit, zgjidhje që më tepër kanë qenë improvizime se sa realisht të hyhet në një transformim cilësor të gjithanshëm që nënkupton suazë ligjore të mirëmenduar, dokumente të përpiluara nga profesionistë të fushës dhe strategji afatgjate që hapin dhe mbindërtojnë një vizion që do të ishte në përputhje me zhvillimet globale.
    Pas më shumë se tridhjetë vjetësh nga fillimi i tranzicionit , Maqedonia e Veriut akoma përballet me sfida të thella që lidhen me kalimin nga reforma të bazuara kryesisht në interesat politike afatshkurtra, drejt reformave të qëndrueshme dhe profesionale, të bazuara në ekspertizë. Ky proces është veçanërisht i rëndësishëm në sektorin e arsimit të lartë, ku ndikimet e politizimit dhe mungesa e vazhdimësisë kanë minuar besueshmërinë, cilësinë dhe efikasitetin e sistemit arsimor.
    Ekspertë nga fusha e arsimit kanë vënë në dukje se një nga pengesat kryesore në rrugën drejt reformave substanciale në arsimin e lartë është mungesa e një konsensusi politik të gjerë dhe të qëndrueshëm që mund të mbrojë dhe implementojë strategji afatgjata pa ndërhyrje të politikave ditore. Përvojat rajonale, siç përmendet nga ekspertët modeli i Sllovenisë, tregon se sukseset e reformave strukturore vijnë nga politikat me vazhdimësi, përfshirja e komunitetit akademik dhe mbështetja e institucioneve shtetërore gjatë një periudhe të gjatë kohore.
    Në përputhje me këto nevoja, Maqedonia e Veriut ka bërë hapa konkretë duke themeluar më 6 nëntor 2024 Trupin Nacional Koordinues për Reforma në Arsimin e Lartë, një entitet gjithëpërfshirës që bashkon përfaqësues të institucioneve shtetërore, universiteteve, biznesit dhe shoqërisë civile, me mandatin për të rikthyer cilësinë, standardizimin dhe investimet në shkencë dhe kërkim. Ky trup synon të nisë një reformë strukturore të thellë, duke përgatitur propozime konkrete për përmirësimin e sistemit arsimor gjatë 18 muajve të ardhshëm.
    Megjithatë, sfidat mbeten të mëdha. Raportet e Komisionit Evropian për vitet 2023 dhe 2024, si dhe analizat e organizatave ndërkombëtare si UNDP dhe OECD/SIGMA, evidentojnë mungesën e kapaciteteve teknike dhe njerëzore, politizimin e universiteteve dhe fragmentimin e legjislacionit, si faktorë që pengojnë konsolidimin e reformave në arsimin e lartë. Pa i tejkaluar këto barriera, vënë në pah ekspertët, Maqedonia e Veriut, do të vazhdojë të përballet me sfida në ndërtimin e institucioneve të depolitizuara, të pavarura dhe të përgjegjshme ndaj komunitetit akademik dhe shoqërisë.
    RAPORTIN E PLOTË E GJENI KËTU