“E-shoqëri: Transformimi i vërtetë digjital nuk ka vlerë nëse qytetarët vazhdojnë të presin radhë para sporteleve për shërbime” – Portalb
Integriteti është kusht për një transformim të vërtetë digjital , i cili nuk ka vlerë nëse qytetarët vazhdojnë të presin radhë para sporteleve për shërbime. Ishte kjo vetëm një nga pikat e prezantuara në edicionin e 21 të Konferencës Ndërkombëtare për e-Shoqëri, që u mbajt sot me temë “Integriteti në thelb të transformimit digjital”, transmeton Portalb.mk.
Ky event i organizuar nga Fondacioni “Metamorfozis” e bashkoi komunitetin e ekspertëve vendas dhe atyre ndërkombëtar, institucionet dhe përfaqësuesit diplomatikë, për t’i shqyrtuar sfidat dhe mundësitë të cilat i sjell epoka e re digjitale.
Konferencën e sivjetme e hapi drejtori ekzekutiv i “Metamorfozis”, Bardhyl Jashari, i cili theksoi se transformimi digjital nuk duhet kuptuar vetëm si një proces teknologjik, por si një ndryshim thelbësor shoqëror në të cilin një rol kyç luan integriteti.
“Kur e zgjodhëm temën e kësaj konference ne kishim parasysh tre dimensione. I pari, integriteti institucional. I dyti është qasja njerëzore ndaj inteligjencës artificiale (IA). Ne duhet ta pyesim veten: a janë dizajnuar këto sisteme tduke i marrë në konsideratë të drejtat e njeriut? Apo shndërrohen në kuti të zeza? Integriteti në IA do të thotë transparencë dhe algoritme të drejta. Dimensioni i tretë është integriteti njerëzor, rezistenca e qytetarëve ndaj dezinformatave dhe aftësia për të menduar në mënyrë kritike. Transformimi digjital duhet të nënkuptojë jetë më të mirë, shërbime pa pritur rradhë dhe pa frikë nga keqpërdorimi i të dhënave dhe pa hapa të pafund byrokratike. Nëse nuk e arrijmë këtë, atëherë nuk kemi transformuar asgjë, thjesht kemi shtuar një shtresë digjitale mbi joefikasitetin,” theksoi drejtori Jashari në fjalën e tij hyrëse.

Ai u bëri një thirrje të qartë institucioneve, komunitetit ndërkombëtar dhe shoqërisë civile, që së bashku të ndërtojnë një shoqëri digjitale në të cilën teknologjia i shërben dinjitetit njerëzor ndërsa integriteti është parim udhëheqës në çdo reformë.
“Thirrja ime e sotme drejtuar institucioneve: T’i shndërrojmë strategjitë në reforma konkrete. Të punojmë së bashku, t’i hapim dyert për partneritet të vërtetë dhe t’i bëjmë shërbimet funksionale për qytetarët. Për komunitetin ndërkombëtar: Vazhdoni të na mbani në standarde të larta. Na ndihmoni të integrohemi në mekanizma si Democracy Shield, jo si pranues pasivë, por si partnerë aktivë. Na mbështetni në mirëmbajtjen, përdorimin dhe përhapjen, jo vetëm të ekspertizës, por edhe të potencialit demokratik ndërtimin e të cilit në sektorin civil e keni ndihmuar ju. Për shoqërinë civile: Të vazhdojmë të përfshihemi në krijimin e politikave. T’i edukojmë dhe t’i informojmë qytetarët për teknologjinë, sfidat dhe përfitimet. Të jemi rojtarë të integritetit. Të kujdesemi që kur të kthehemi në këtë epokë digjitale të mos shohim vetëm se kemi blerë kompjuterë apo smartfonë të rinj. Të shohim se kemi ndërtuar një shoqëri ku teknologjia i shërben dinjitetit njerëzor, ku shërbimet janë efikase dhe ku integriteti nuk është vetëm një qëllim, por parim udhëheqës në gjithçka që bëjmë,” përfundoi Jashari.
Andonovski: Pa integritet, transformimi digjital mund të bëhet mjet për diskriminim
Ministri i transformimit digjital, Stefan Andonovski, në fjalimin e tij theksoi se transformimi digjital është një ndryshim i thellë shoqëror që do të sjellë mundësi të reja për qytetarët dhe bizneset, por vetëm nëse bazohet në sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut.
“Transformimi digjital është një ndryshim i thellë shoqëror, i cili mund të sjellë shërbime më efikase për qytetarët dhe mundësi të reja për të bërë biznes. Por, pa sundimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave të njeriut ai mund të shndërrohet në mjet për diskriminim dhe manipulim. E nevojshme është që të ndërtojmë një shoqëri digjitale moderne, të sigurt dhe gjithëpërfshirëse, e cila do t’u shërbejë qytetarëve. Integriteti i institucioneve është i rëndësishëm dhe duhet të jetë në shërbim të qytetarëve dhe kompanive. Sipas shifrave të fundit numri i qytetarëve që përdorin portalin e-shërbime është rritur, shërbim ky që u mundëson atyre t’i realizojnë shërbimet përmes smartfonit të tyre pa pritur radhë në sportel,” theksoi Andonovski.

Ai shtoi se përgjegjësit në ministri po punojnë për Wi-Fi zona pa pagesë.
“Ato nuk duhet të jenë privilegj, por e drejtë e të gjithë qytetarëve në vend. Përveç kësaj, më shumë se 35 institucione janë të lidhura dhe shkëmbejnë dokumente pa letra. Një aspekt tjetër është IA e përgjegjshme. IA sjell potencial të madh dhe rreziqe për privatësinë, diskriminimin, manipulimin me informacionin. Ne po punojmë në projekte pilot, javën e ardhshme do ta kemi portalin data.gov.mk, i cili do të përdorë një chatbot që do t’i plasojë informacionet më lehtë. IA pa një strategji të qartë i ekspozon qytetarët ndaj rreziqeve. Prandaj, po krijojmë një kornizë dhe udhëzime të harmonizuara me standardet. Në këtë konferencë mund të flasim për këto çështje. Kur flasim për integritetin të rëndësishme janë tri gjëra– qytetarë të sigurt, institucione të qasshme dhe inovacione të kahëzuara. Kjo duhet të bëhet realitet në mënyrë që qytetarët të ndiejnë përfitime nga ndryshimet që po i bëjmë. Për këtë na nevojitet partneriteti me të gjithë ju, si edhe me partnerët ndërkombëtarë,” theksoi Andonovski, i cili e falënderoi “Metamorfozis” që këtë temë nuk e lë në margjina, por i jep rëndësi të madhe dhe e vendos atë në qendër.
Ben Nupnau: Maqedonia mund të jetë lidere në transformimin digjital
Zëvendësambasadori i delegacionit të BE-së, Ben Nupnau, përkujtoi se integriteti dhe të drejtat e njeriut janë kyçe për një transformim të suksesshëm digjital dhe se Maqedonia tashmë po merr pjesë në mënyrë aktive në iniciativat evropiane në këtë fushë.
“Duhet të kemi një infrastrukturë të fortë – siguri kibernetike dhe edukim mediatik. Duhet të harmonizohemi me standardet evropiane, të harmonizohemi me idealet e BE-së. Qytetarët kanë përfitime nga këto politika, ndërsa Maqedonia përmes projektit ‘Vezillka’ është anëtare aktive e Rrjetit Evropian për IA.
“Do vazhdojmë të punojmë me ju për problemet me dezinformatat. Shtetet jashtë BE-së mund t’i aplikojnë mjetet me të cilat do të ruhet siguria e informacionit. Duke i përdorur burimet Maqedonia mund të jetë lidere në transformimin digjital. Po punojmë së bashku për ta siguruar hapësirën digjitale dhe për mbrojtje nga ndikimet e dëmshme,” theksoi Nupnau.

Le Rigoleur: Është përgjegjësi kolektive që transformimi digjital të zhvillohet në mënyrë etike
Ambasadori i Francës, Christophe Le Rigoleur, përkujtoi se lufta kundër dezinformatave është një nga prioritetet kryesore të politikës së jashtme franceze.
“Tema e integritetit është e lidhur me respektimin e të drejtave të njeriut në të gjitha shoqëritë. Kjo është një konferencë vjetore e “Metamorfozis”, në të cilën flitet për tema relevante. Sot ne po flasim për mbrojtjen e qytetarëve në Internet, po flasim për sfidat që burojnë nga transformimi digjital. Që transformimi digjital të jetë i suksesshëm dhe që të nxisë rritjen ekonomike këto përpjekje duhet të përparojnë edhe më shumë. Kjo temë na kujton se transformimi digjital është një mjet që duhet ta përdorim me përgjegjësi. Në nivel global Franca është thellësisht e përfshirë në hapësirën digjitale të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe do të vazhdojë ta mbështesë Maqedoninë e Veriut“, tha Le Rigoleur në fjalimin e tij para të pranishmëve.

Bakel: Integriteti i informacionit është bazë e demokracisë
Këshilltarja për stabilitet rajonal e Ambasadës së Mbretërisë së Holandës, Jantine Bakel paralajmëroi se bota është e mbushur me dezinformata nga aktorë vendas dhe të huaj, gjë që shkakton erozion të integritetit të informacionit dhe prandaj, sipas saj, është e rëndësishme që informacionet mbi të cilat ne ndërtojmë mendime të jenë të besueshme.
“Për këtë arsye Holanda u jep mbështetje organizatave në luftën kundër dezinformatave. Shumë gazetarë i përforcuan kapacitetet e tyre, të njohin, dokumentojnë dhe raportojnë për ndikimin e huaj. Kështu ata u ndihmojnë qytetarëve ta kuptojnë këtë luftë dhe ta zvogëlojnë dëmin. Strategjitë e suksesshme që zbatohen këtu mund të jenë të dobishme edhe për ne. Ne besojmë se transformimi digjital duhet t’i shërbejë shoqërisë, e jo anasjelltas. Sistemet digjitale i transformojnë administratat, shëndetësinë, arsimin dhe sigurinë. Kur punojnë në mënyrë etike ato i fuqizojnë qytetarët, në të kundërtën i zvogëlojnë vlerat demokratike. Mosdiskriminimi duhet të jetë në thelb të çdo vendimi. Qytetarët duhet ta dinë se si përdoren të dhënat e tyre. Në Holandë të drejtat e njeriut i shohim si diçka për të cilën nuk diskutohet, qeveritë duhet të tregojnë se teknologjia digjitale përdoret me përgjegjësi. Holanda mbetet e përkushtuar të punojë me ju për këtë temë të rëndësishme,” tha Bakel.

Sa reni rezistent ndaj ndikimeve antidemokratike?
Përmes një kuizi interaktiv të pranishmit në këtë event kontrolluan sa janë rezistent ndaj ndikimeve antidemokratike. Pyetjet i përfshinë burimet më të shpeshta të informimit, besimin në teoritë e konspiracionit dhe qëndrimet ndaj ndryshimeve klimatike.
“Sipas hulumtimeve të “Metamorfozis” qytetarët më shpesh informohen përmes kontakteve personale dhe televizionit. Është shqetësues fakti që një numër i konsiderueshëm i të anketuarve besojnë se ekziston një ‘grup sekret’ që i kontrollon ngjarjet globale, përfshirë këtu luftërat, gjë që tregon për një përhapje të gjerë të teorive të konspiracionit. Edhe më alarmante është se një pjesë e qytetarëve mendojnë se ndryshimet klimatike janë një trillim, gjë që e pasqyron ndikimin e dezinformatave në perceptimin publik,” tha Despina Kovaçevska, specialiste për media në “Metamorfozis”.
Siç theksoi ajo, inkurajuese është që qytetarët e pranojnë se dezinformatat janë një problem serioz edhe pse e pranojnë edhe se e kanë të vështirë që t’i dallojnë ato.
“Shumica e qytetarëve presin që Qeveria të ndërmarrë masa për mbrojtjen nga dezinformatat dhe të sigurojë integritet në hapësirën publike. Në këtë drejtim, ne si “Metamorfozis” kemi përgatitur një udhërrëfyes për mbrojtjen e demokracisë nga kërcënimet e dezinformatave, i cili kërkon veprim të koordinuar të të gjithë aktorëve. Në këtë kuptim kyçe është edhe mbështetja financiare, sepse aktorët antidemokratikë kanë në dispozicion burime të konsiderueshme. Qëllimi ynë është që të veprojmë së bashku në mënyrë strategjike dhe, në fund, të sigurojmë një strategji rajonale të Ballkanit Perëndimor për bashkëpunim më të fortë kundër këtyre ndikimeve,” theksoi Kovaçevska.
Në kuadër të konferencës e-Shoqëri do të ndahet çmimi “Ilija Zhupanoski”.
Çmimi në fjalë ndahet për kontribute të shquara në gazetarinë profesionale, etikën e medias dhe raportimin me interes publik në Maqedoni. Kjo ceremoni nderon individët dhe mediat që promovojnë integritetin, transparencën dhe llogaridhënien në sferën e medias.
Ceremonia zyrtare e ndarjes së çmimeve do të organizohet në sesionin përmbyllës të konferencës, ndërsa ngjarja do të udhëhiqet nga Elida Zylbeari, kryeredaktore e Portalbit, dhe Biljana Georgievska, drejtore ekzekutive e Këshillit të Etikës së Medias të Maqedonisë.
Agjenda e plotë është këtu, ndërsa konferencën mund ta ndiqni drejtpërdrejt linkun vijues: https://e-society.mk/.
Gjithçka që ndodhi në Konferencën E-shoqëri në vitin e kaluar i gjeni në lajmet e mëposhtme.
Link deri tek origjinalit: E-shoqëri: Transformimi i vërtetë digjital nuk ka vlerë nëse qytetarët vazhdojnë të presin radhë para sporteleve për shërbime – Portalb
The post “E-shoqëri: Transformimi i vërtetë digjital nuk ka vlerë nëse qytetarët vazhdojnë të presin radhë para sporteleve për shërbime” – Portalb first appeared on Metamorphosis.
This post was originally published on this site







