Organizatat qytetare kërkuan angazhim më të madh nga pushteti për financimin shtetëror
“Ne nuk jemi pesimistë, ne jemi realistë të dëshpëruar!”, tha Selmin Nesimoski nga shoqata Të rinjtë për interes publik nga Dibra, me çka e pasqyroi pjesën më të madhe të diskutimit në Forumin tematik të sotëm të Civica mobilitas me titull: “Financimi shtetëror për qëndrueshmëri më të madhe të organizatave qytetare”.
“Lufta për mbijetesë e bën të pamundur punën e sektorit civil”, tha në fjalën e saj përshëndetëse Kristina Kolozova nga Ambasada zvicerane në vend. Ajo theksoi se detyra parësore e sektorit është të jetë vëzhgues i punës së institucioneve shtetërore, të korrigjojë dhe vë në dukje parregullsitë apo lëshimet dhe natyrisht të ofrojë zgjidhje që do të përfitojnë konstituentët e tyre – qytetarët.

Sipas Aleksandar Krzhalovskit, Lider kombëtar i ekipit të Civica mobilitas dhe drejtor i MCMS, mbështetja për organizatat qytetare në Maqedoni pas më shumë se 10 vjet debat ka arritur mezi 10 milionë euro. “Për krahasim, përkrahja shtetërore e organizatave qytetare në Serbi është 120 milionë euro, në Kroaci 230 milionë euro dhe në Slloveni 300 milionë euro”, tha ai, duke shtuar se qeveria, me Strategjinë për bashkëpunim me dhe zhvillimin e sektorit civil u angazhua që mbështetja të jetë 30 milionë euro këtë vit”. Në vend që të rriten, organizatat qytetare po përballen me rënie të financimit shtetëror.
Përkundër fjalëve të bukura për kreativitetin dhe inovacionin e organizatave qytetare, sekretari shtetëror në Ministrinë e sistemit politik dhe marrëdhënieve ndër komunitetet, Rami Qerimi, nuk i ka bindur pjesëmarrësit në Forumin tematik se Qeveria i konsideron si partnerë. Ai theksoi se Ministria ka bërë përgatitje për shpalljen e thirrjes publike për financimin e OQ dhe aktiviteteve të tyre në fushat për të cilat është përgjegjëse dhe kërkoi mirëkuptim për situatën aktuale e cila është e mbushur me kriza të ndryshme. “Ju inkurajoj të trokisni në çdo derë për të shprehur idetë tuaja dhe për të kërkuar fonde për projektet tuaja krijuese”, tha ai.
Vesna Tasevska, ndihmës udhëheqëse e Sektorit për analizë dhe koordinim të politikave, në Sekretariatin e përgjithshëm të Qeverisë, iu referua praktikës aktuale të ndarjes së financave shtetërore për organizatat qytetare. Ajo theksoi se në periudhën nga viti 2008 deri në vitin 2020, shteti ka ndarë gati 3 milionë euro për projekte të OQ. Sa për krahasim, në të njëjtën periudhë Civica mobilitas siguroi 20 milionë euro për të mbështetur organizatat e shoqërisë civile.
Liljana Jonoski, anëtare e Grupit punues për reformën e sistemit të financimit shtetëror të OQ theksoi se qëndrueshmëria financiare e OQ duhet të jetë bazë për ndërtimin e një shoqërie civile stabile dhe konstruktive. “Nuk presim dhe nuk duhet të financohemi plotësisht nga shteti, por jemi larg asaj 1/3 që është premtim i qeverisë dhe standard botëror”, tha ajo, duke shtuar se fondet po rriten falë presionit të sektor. Sipas saj, ka një përmirësim të transparencës dhe është mirë që organizatat janë përfshirë në krijimin e programit mbështetës. Mirëpo, nuk mund të mos jemi të zhgënjyer që proceset po shkojnë prapa dhe në vend që të rrisim buxhetin për OQ, tani kemi 0 denarë në të”, tha Jonoski.

Për Bojan Jovanovskin, drejtor ekzekutiv i Hera-s, është më e përshtatshme të flitet për financimin e shtetit sepse organizatat janë larg nga të qenit të qëndrueshme. “Nuk kemi dëgjuar për angazhime konkrete nga organet shtetërore”, tha ai, duke shtuar se për shkak të shkurtimeve financiare, disa organizata do të duhet të riorganizohen, disa mund edhe mund të shuhen.
Sipas Dimitar Ilçovit nga organizata “Misla”, financimi nuk është adekuat me përqindjen e të punësuarve në këtë sektor që me punësim të rregullt dhe të rastësishëm arrin 2%, kurse përkrahja është shumë nën 1%. Dushko Hristov nga Banka për ushqim shprehu dyshime për paanshmërinë në ndarjen e mjeteve shtetërore. “Ne duhet t’i themi gjërat me një emër të vërtetë nëse duam që gjërat të ndryshojnë,” tha ai.
Të pranishmit folën edhe për fondin e bashkëfinancimit, qëndrimin ndaj organizatave lokale dhe financimin nga komunat. “Nuk kemi para për punësim, kemi problem të mbulojmë shpenzimet e zyrës – a duhet të shuhemi?”, pyeti Mustafa Sidov nga “Svetla idnina” nga Koçana. Krizat me të cilat përballet bota dhe vendi ynë nuk duhet të jenë alibi për financimin shtetëror të OQ. “Pyetja është, a dëshiron vërtet qeveria të dëgjojë zgjidhjet e ofruara nga OQ?” pyeti Andrei Senih nga “Bashkë më të fuqishëm”, “dhe pse atëherë të krijohet përshtypja se ata janë plotësisht injorantë ndaj nesh?” shtoi ai. Ai sugjeroi që vëzhgimet e sotme dhe pakënaqësitë e artikuluara t’i përcillen zyrtarisht Qeverisë dhe organizatat e shoqërisë civile të shqyrtojnë nëse është koha për një protestë të artikuluar.
Përmirësimi i sistemit të financimit shtetëror është një nga prioritetet e shoqërisë civile dhe sipas Programit të punës së Qeverisë së RMV për periudhën 2022-2024, është prioritet edhe i pushtetit ekzekutiv në vend. Megjithatë, ristrukturimet e fundit dhe shkurtimet buxhetore për OQ nuk konfirmojnë angazhimin e Qeverisë për të përmirësuar sistemin shtetëror të financimit të organizatave qytetare.

Forumi Tematik i Civica mobilitas ofron një hapësirë për diskutim ndërmjet përfaqësuesve të organizatave të shoqërisë civile, institucioneve në nivel kombëtar ose lokal dhe të gjithë aktorëve të tjerë të rëndësishëm në zgjidhjen e çështjeve që trajtohen.
Civica mobilitas është një program mbështetës i shoqërisë civile i Ambasadës zvicerane, i zbatuar nga NIRAS nga Danimarka, Qendra Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar (MCMS) dhe FCG nga Suedia.
