Sredba za vmrezuvanje
|

Impulsi qytetar #8: pasqyrë mujore e aktiviteteve të përfituesve të granteve

Gusht 2025

Në frymën e angazhimit rinor kaloi edhe gushti. Me aksione kreative të gjelbra dhe hapa konkretë në terren, grantistët e Civika mobilitas çdo ditë i prezantuan sfidat, por edhe zgjidhjet për një komunitet më të mirë për të gjithë ne.

Mbeturinat u bënë art! Eko aksioni rinor bashkoi nëntë komuna dhe nëntë organizata qytetare në një mision urban për një ambient më të pastër nëpër rrugët e Bitollës. Më shumë se 30 të rinj mbledhën shishe dhe mbeturina, krijuan poezi ekologjike dhe xhiruan video e më pas, në Qendrën Rinore, të gjitha objektet e vjetra i transformuan në vepra praktike artistike: llamba nga kavanoza, vazo dekorative dhe arka nga shishe. Dita përfundoi me montimin e videove dhe një mesazh të fortë: “Edhe ti mund t’i japësh një jetë të re asaj që mendon se është mbeturinë!” Aksioni ishte pjesë e projektit “Politikat rinore sipas masës së të rinjve”, nga Pro Lokal dhe partnerët, realizuar me mbështetje nga Qeveria e Zvicrës përmes programit Civika mobilitas. Si një nga masat e Platformës rajonale për të rinjtë, aksioni i bashkoi organizatat dhe komunat në misionin për një Pellagoni më të pastër, më të bukur dhe më të qëndrueshme.

Ndërkohë, në Malin Sharr po mësohej si të parandalohet zjarri në pyje. Qendra për Ndryshimet Klimatike dhe Eko Action – Tetovë, në bashkëpunim me Parkun Kombëtar Mali Sharr, organizuan një trajnim për parandalimin e zjarreve në pyje. Trajnimi i bashkoi përfaqësuesit nga institucionet, sektori qytetar dhe aktivistë lokalë.  Pjesëmarrësit u njohën me historinë dhe shkaqet më të zakonshme të zjarreve në pyje, strategjitë për parandalimin e tyre, punën praktike me mjete, procedurat e sigurisë dhe protokollet e evakuimit, dhe në fund u realizua edhe një simulim i shuarjes së zjarrit. Ngjarja u realizua në kuadër të projektit “Partneriteti rajonal për një zbatim më të mirë të Agjendës së gjelbër në nivel lokal”, mbështetur nga Qeveria e Zvicrës përmes Civika mobilitas.

Nga aspekti i menaxhimit të mbetjeve, veçanërisht të mbetjeve organike, organizatat Qendra për Burime në Mjedis (REC), Eko Logik dhe Florozon publikuan artikullin “Çfarë paraqet mbetja organike dge pse është e rëndësishme ta selektojmë”. Në të theksohet: “Në Maqedoninë e Veriut, mbetjet organike përbëjnë deri në 40–50% të mbetjeve totale që përfundojnë në deponi, që tregon për praninë e saj të theksuar.” Mbetjet organike nuk janë “plehra”, por një burim që mund të shfrytëzohet për prodhimin e kompostit, biogazit dhe krijimin e vendeve të reja të gjelbra të punës. Artikulli është pjesë e projektit “Aktivizmi qytetar për realizimin e ekonomisë qarkore në menaxhimin e mbetjeve organike”, mbështetur nga Civika mobilitas përmes Qeverisë së Zvicrës.

Nga ana tjetër, Qendra për Aktivizëm Rinor (CMA) KRIK pyet: “Si ndikon ndotja dhe ndryshimet klimatike te të rinjtë në Maqedoninë e Veriut?” Përgjigjja, e bazuar në një analizë të kryer së bashku me Qendrën për Iniciativa Sociale (CSI) “Shpresa” dhe Shoqatën e Punëtorëve Social të Maqedonisë (SHPSM), tregon për një ndikim serioz në shëndetin, zakonet dhe cilësinë e jetës së të rinjve, duke filluar nga cilësia e ajrit deri te mungesa e hapësirave të gjelbra. Analiza është pjesë e projektit “BAGJ – Bashkë për avokim të gjelbër për mbrojtjen e mjedisit”, mbështetur nga Qeveria e Zvicrës përmes Civika mobilitas.

Në një drejtim tjetër, por ende e lidhur me të rinjtë dhe të ardhmen e tyre, në Kërçovë, Iniciativa Qytetare E Grave (IQG) Antiko, së bashku me organizatat “Gjithmonë bashkëjetesë” dhe “Adrion”, në mënyrë solemne i dorëzoi certifikatat për gratë që përfunduan me sukses trajnimin për manikyr, pedikurë dhe grimin. Trajnimi është pjesë e projektit “Zëri dhe pjesëmarrja e grave dhe të rinjtë në krijimin e politikave publike dhe mjedisi mundësues për pjesëmarrje qytetare”, mbështetur nga Civika mobilitas përmes Qeverisë së Zvicrës. Qëllimi është t’u mundësohet grave realizimi profesional dhe qasje më të lehtë në tregun e punës.

Gushti ishte muaji në të cilin të rinjtë, organizatat qytetare dhe institucionet treguan së bashku se angazhimi, kreativiteti dhe vendosmëria mund ta bëjnë komunitetin tonë më të mirë dhe më të qëndrueshëm për të gjithë.

Продолжи со читање