Impulsi qytetar #2: Pasqyra mujore e aktiviteteve të përfituesve të granteve
Në shkurt, organizatat e mbështetura nga Civica mobilitas vazhduan me aktivitetet e tyre në fusha të ndryshme si arsimi, mjedisi, digjitalizimi dhe barazia gjinore.
Shoqata për emancipim, solidaritet dhe barazi të grave (ESE) më 4 shkurt, Ditën Botërore të Kancerit, i dërgoi apel Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ministrinë e Shëndetësisë që të rrisin mbështetjen për programet parandaluese për zbulimin e hershëm dhe parandalimin e kancerit. ESE po punon për përmirësimin e depistimit të kancerit të qafës së mitrës në kuadër të projektit “Të drejtat e avancuara shëndetësore të vajzave, grave dhe grupeve të cenueshme.” Ata kërkojnë rritje urgjente të mjeteve për skrining në minimum prej 35 milionë denarë në vit.
Në dy intervista të realizuara nga Instituti Ballkanik për Bashkëpunim Rajonal (BIRC) në kuadër të projektit “Avokimi për zhvillim gjithëpërfshirës”, Petar Atanasov , ish-zëvendësministër i Arsimit dhe Shkencës, dhe Veli Kreci, profesor ordinar në Fakultetin e Shkencave Sociale dhe drejtor ekzekutiv i Institutit Max van der Shtul, folën për reformat në arsim dhe Procesin e Bolonjës. Atanasov bëri thirrje për reforma urgjente në arsim dhe shkencë, ndërsa sipas Veli Krecit, RMV duhet të ndjekë standardet arsimore evropiane dhe të harmonizojë politikat e saj arsimore në mënyrë që të mos mbetet prapa në proceset globale të arsimit dhe shkencës.



Në ndërkohë, Forumi për Politika Sensibile dhe organizatat partnere kanë përgatitur një Studim mbi legjislacionin që ka të bëjë me arsimin me propozime për ndryshime politikash dhe rekomandime. Konkluzionet në këtë studim nxorën në pah sfidat në tema si: bashkëpunimi ndër-sektorial, lëvizshmëria, njohja e kualifikimeve, emigrimi masiv i personelit të kualifikuar, por edhe rikthimi i tyre në vend.
Pothuajse 30% e të rinjve nuk i regjistrojnë dhe nuk i ndjekin shpenzimet e tyre në baza mujore. Në një shkallë nga 1 deri në 5, ata e vlerësojnë arsimimin e tyre financiar me 3.4. Këtë e ka treguar hulumtimi i përgatitur nga Promo Idea, Kruna dhe Novus, i cili është pjesë e projektit “Rrjeti rinor për edukim financiar të Juglindjes”. Rezultatet tregojnë se të rinjtë kanë një nevojë të shtuar për të përvetësuar aftësi dhe njohuri për financat.
Ka filluar matja e hapjes së 81 komunave përmes Indeksit të Hapjes të realizuar nga Fondacioni Metamorfozis dhe Koalicioni Rural. Në janar dhe shkurt, organizatat filluan edhe me mbështetje e mentorim on-line në nëntë komuna, ku vegla digjitale mCommunity është duke u implementuar ose është planifikuar të zbatohet. Ndër komunat e para që e kanë fituar këtë mundësi janë komunat e: Koçanit, Kriva Pallankës, Vallandovës, Aerodromit, Demir Hisarit, Gostivarit, Negotinës, Strugës dhe Shtipit. Qëllimi përfundimtar i këtij aktiviteti janë nëpunësit publikë të trajnuar të cilët do të jenë në gjendje të punojnë në mënyrë të pavarur në përmirësimin e vazhdueshëm të hapjes së komunave të tyre.



Përfituesit e granteve të përkushtuar ndaj barazisë gjinore dhe përfshirjes sociale ndanë gjithashtu informacione të rëndësishme. Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut ka publikuar një infografik nga monitorimi i veprimeve të Komisionit për Mbrojtjen dhe Parandalimin e Diskriminimit, me fokus në diskriminimin e grave nga komunitetet e margjinalizuara. Nga data 1 korrik deri më 30 shtator 2024 janë paraqitur 107 ankesa, nga të cilat 42 nga gra. Nga këto, në 4 raste Komisioni konstatoi diskriminim. Monitorimi është pjesë e projektit “Barazia tani – Forcimi i komuniteteve të margjinalizuara për përfshirje sociale dhe mos diskriminim”, të zbatuar nga UNHCR në partneritet me HOPS dhe Koalicionin Margjinat.
Për të zbuluar problemet me të cilat ballafaqohen personat me aftësi të kufizuara dhe familjet e tyre në objektet mjekësore dhe institucionale, Shoqata e personave me paralizë cerebrale dhe aftësi të tjera të kufizuara – Veles, në partneritet me Poraka Negotinë dhe Eko-Jeta nga Kavadari, kanë nisur një hulumtim përmes një ankete anonime të opinionit publik. Pyetësori është ende i hapur për t’u plotësuar, dhe përgjigjet tuaja do të ndihmojnë për të kuptuar situatat me të cilat përballen këta njerëz. Hulumtimi është pjesë e projektit “Përballimi me sfidat dhe stigmatizimi”.
Qendra për Ndryshimet Klimatike, me tetë partnerë të tjerë, vazhdoi me punëtori për forcimin e kapaciteteve për zbatimin më të mirë të Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, këtë herë në Ohër. Qytetarët e komunave të rajonit jugperëndimor diskutuan për problemet që e pengojnë zbatimin e Agjendës së Gjelbër. Punëtoria e fundit rajonale, në të cilën morën pjesë përfaqësues nga komunat dhe sektori i shoqërisë civile nga rajoni i Pollogut, u mbajt më 25 shkurt në Tetovë. Vizitë edukative në Bllata e Bellçishtit e realizoi Ekoturizmi Ohër për nxënësit e SHFK “Shën Klimenti i Ohrit” – Ohër dhe QRSHFK “Vanço Pitosheski” – Ohër. Qëllimi i vizitës në Bllatën e Bellçishtit dhe qendrën e vizitorëve ishte ngritja e ndërgjegjësimit për rëndësinë e ekosistemeve kënetore dhe biodiversitetit në mjedisin tonë.



Një tjetër punëtori interaktive u mbajt , kësaj radhe me 20 nxënës të Shkollës Fillore “Krume Kepeski” nga Komuna e Kisella Vodës, me projektin “Aktivizëm civil për realizimin e ekonomisë qarkore në menaxhimin e mbeturinave organike” i zbatuar nga Qendra për Burime Mjedisore (REC), Eko Logik dhe Florozon. Kjo iniciativë, e mbështetur nga Qeveria e Zvicrës përmes Civica mobilitas, u mundësoi të rinjve të mësojnë për rëndësinë e menaxhimit të mbetjeve bio dhe transformimin e tyre në produkte të dobishme.
Së fundi, Kodi i Organizatave të Shoqërisë Civile fitoi një tjetër nënshkrues në shkurt. Më 18 shkurt, “Glasen Tekstilec” iu bashkua Kodit të Organizatave të Shoqërisë Civile , të përgatitur nga Qendra Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar (QMBN), i cili ka për qëllim të forcojë sistemin e vetë rregullimit dhe të kontribuojë në profesionalizëm dhe llogaridhënie më të madhe.