Bashkëpunimi midis sektorit të shoqërisë civile dhe komunave do të ndihmojë në ndërtimin e një qeverisjeje lokale transparente
Takimi i rrjetëzimit i Civica mobilitas i këtij viti (25-27 qershor 2025) i mbajtur në Gjevgjeli, mblodhi rreth 80 përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile nga i gjithë vendi. Takimi iu kushtua promovimit të bashkëpunimit dhe formulimit të propozimeve të përbashkëta për përmirësimin e demokracisë lokale, veçanërisht në pritje të zgjedhjeve të ardhshme lokale. Fokusi ishte gjithashtu në mundësinë e ripërtëritjes së Platformës qytetare si mekanizëm për bashkimin e sektorit të shoqërisë civile dhe forcimin e zërit të tij në krijimin e politikave publike. Përveç kolegëve nga sektori, pjesëmarrësit në takim patën mundësinë të diskutonin me Ambasadoren e Zvicrës, SH.S. Veronik Ulman , ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zllatko Perinski dhe zëvendësdrejtoresha e Bashkësisë së Njësive të Vetëqeverisjes Lokale (ZELS) Ardita Dema Mehmeti.
Aleksandar Krzhalovski , udhëheqës i ekipit të Civica mobilitas, e theksoi rëndësinë e angazhimit kolektiv dhe e paralajmëroi procesin e “kapitalizimit” të programit më të madh të mbështetjes së shoqërisë civile që Qeveria Zvicerane e ka mbështetur për gati dy dekada.



Pjesëmarrësit diskutuan rreth Këshillit për bashkëpunim dhe zhvillim të sektorit civil, si një mekanizëm kyç për dialogun institucional. Nikica Kusinikova, kryetare e Këshillit dhe drejtore ekzekutive e Konekt, theksoi se Këshilli është i rëndësishëm, megjithëse shpesh injorohet. Sipas saj, ai duhet të shërbejë si një mjet i përhershëm për avokim, dhe jo vetëm në momente krize. “Unë nuk përfaqësoj vetëm organizatën time në Këshill – por të gjithë sektorin. Dua që informacioni në lidhje me punën e Këshillit të arrijë te sa më shumë organizata të jetë e mundur dhe që secila prej tyre të ketë mundësinë të përfshihet”, theksoi Kusinikova, duke folur për afrimin me organizatat e shoqërisë civile dhe rritjen e transparencës. Valentina Veliçkovska, anëtare e Këshillit nga Qendra e Burimeve Qytetare, e quajti Këshillin një “urë” midis organizatave dhe institucioneve, duke vënë në dukje se, sipas hulumtimeve të fundit, 56% e organizatave të shoqërisë civile e njohin atë si të rëndësishëm. Pjesëmarrësit sugjeruan përmirësimin e komunikimit përmes buletineve mujore dhe rritjen e llogaridhënies së Këshillit.



Takimi i Rrjetëzimit hapi një diskutim mbi mundësitë e krijimit të një platforme për organizatat e shoqërisë civile. “Apelet gjithnjë e më të shpeshta për solidaritet në sektorin e shoqërisë civile dhe nevoja për mbështetje të ndërsjellë na motivuan të hapnim çështjen e ndërtimit të një platforme në këtë forum të organizatave të shoqërisë civile”, tha Gonce Jakovleska nga Civica mobilitas. Përvojat e Platformës Qytetare të Maqedonisë (PQM), e cila u themelua në vitin 2004, u ndanë me të pranishmit. Igor Tasevski nga Qendra për Iniciativa Qytetare (CGI-Prilep) dhe Lulzim Haziri nga Asociacioni për Iniciativë Demokratike (ADI-Gostivar) si nikoqirë të Sekretariatit të GPM-së i prezantoi përvojat dhe arritjet nga periudha aktive e Platformës, duke theksuar rolin e saj në koordinim, avokim dhe rritjen e kapaciteteve të organizatave të shoqërisë civile. “Platforma ishte një nxitës i rëndësishëm për transparencë, qeverisje të mirë dhe dialog demokratik dhe shumë nga rezultatet e arritura janë ende një bazë e rëndësishme për funksionimin e OQ sot”, tha Tasevski. “Pavarësisht ekzistencës së rrjeteve të shumta tematike që punojnë në çështje të ndryshme si lufta kundër korrupsionit, varfërisë, sundimi i ligjit dhe liritë e medias, Maqedonisë i mungon një zë i vetëm i unifikuar dhe i qartë i të gjithë shoqërisë civile. Pikërisht kjo është sfida kryesore që duhet ta zgjidhim – të krijojmë një platformë që do t’i bashkojë të gjithë këta zëra të ndryshëm në një front të fortë dhe koherent, me qëllim avokimin dhe ndikimin më efektiv”, tha Haziri nga ADI. Shoqatat civile në nivel rajonal, përmes prizmit të funksionimit të Rrjetit Ballkanik për Zhvillimin e Shoqërisë Civile (BCSDN), u prezantuan nga Anja Bosilkova -Antovska. Ajo iu referua disa platformave të tjera aktive nga rajoni dhe më gjerë.



Lidhur me një nga çështjet kryesore të shoqërisë civile, besimin, pjesëmarrësit patën mundësinë të dëgjonin rezultatet e një ankete të kryer nga Civica mobilitas, prezantuar nga Fanija Ivanovska nga MCMS. Petrush Toines u kujtoi përfituesve të granteve të PEPA (analiza politiko-ekonomike dhe e pushtetit) dhe atë që u bë në takimin e mëparshëm.
Përfaqësuesja e UNDP-së, Lejla Nebiu dhe përfaqësuesja e NDI-së, Bllagorodna Shopova, folën rreth projekteve që po zbatojnë me komunat. Nebiu prezantoi projektin për forcimin e këshillave komunale, ndërsa Shopova foli për projektin “Komunitetet e udhëhequra nga integriteti“. Pjesëmarrësit theksuan se institucionalizimi i dialogut, financimi transparent dhe përfshirja e qytetarëve janë baza për qeverisje lokale efikase. Përfituesit e granteve gjithashtu ndanë përvojat e tyre me qeverisjen lokale: Sabina Fakiq nga Qendra për Komunikime Qytetare, Marjan Glavinçevski nga IPO “Krste Jon Struga”, Marjana Jançevska nga Metamorfozis, Ivana C. Stojçeva nga SHH “Nëna” Kumanovë.



Për vetëqeverisjen lokale dhe shoqërinë civile diskutuan gjithashtu edhe ministri i Vetëqeverisjes Lokale Zllatko Perinski, Ambasadorja Ulman dhe zëvendësdrejtoresha e BNJVL-së, Dema Mehmeti. Ministri iu referua ndryshimeve të planifikuara në Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale, digjitalizimit, futjes së platformave të unifikuara në internet për komunat dhe krijimit të indeksit të zhvillimit komunal. Ai theksoi përfshirjen e OQ përmes paraqitjes së iniciativave brenda Këshillit të komunave. “Për shkak të pragut të lartë prej 10%, propozimet dhe iniciativat nga qytetarët merren shumë rrallë në konsideratë. Kjo është arsyeja pse vendosëm ta ulim atë prag në 5%”, tha Perinski dhe shtoi se propozimi për ta bërë punën e këshillit të detyrueshme publike është një përgjigje ndaj një iniciative nga sektori civil.



Duke iu referuar shembullit të Zvicrës, Ambasadorja Ulman tha se decentralizimi sjell demokraci dhe se ajo beson se bashkëpunimi midis OQ dhe autoriteteve lokale është i nevojshëm. “Ne mendojmë se është më mirë të organizohemi së bashku për të ndikuar dhe për të gjetur zgjidhje për problemet. Ky dialog është me rëndësi thelbësore, demokracia nuk funksionon pa dialog. Demokracia kërkon lidhje”, tha ajo. “Decentralizimi fiskal është pika jonë më e vështirë”, tha Dema-Mehmeti, duke folur për komunat. “Jam e kënaqur me faktin që forumet e komunitetit janë njohur dhe do të jenë pjesë e Ligjit të ri për Vetëqeverisjen Lokale. BNJVL punoi në institucionalizim dhe jemi mirënjohës ndaj Ambasadës Zvicerane që na dha një mjet të tillë. Shpresoj që në të ardhmen do të jemi në gjendje të ndihmojmë së bashku në zbatimin e këtyre forumeve”, tha ajo dhe shprehu gatishmërinë për të punuar së bashku për kriteret për financimin e OQ në nivel lokal.



Pjesëmarrësit që iu bashkuan diskutimit e theksuan shpërndarjen e pabarabartë të fondeve buxhetore midis klubeve sportive dhe organizatave të shoqërisë civile (Roberto Parizov nga Eko-Jeta), si dhe nevojën për investime më të mëdha në zhvillimin rajonal dhe kushte më të mira jetese në zonat rurale (Liljana Jonoski nga Koalicioni Rural). Takimi përfundoi me mesazhin se vetëm përmes bashkëpunimit, dialogut të hapur dhe aktiviteteve të koordinuara mund të arrihen ndryshime të qëndrueshme dhe të ndërtohet një demokraci lokale më gjithëpërfshirëse dhe e përgjegjshme.