Financimi shtetëror për Organizatat e Shoqërisë Civile

Financimi shtetëror është një nga parakushtet kryesore për qëndrueshmërinë dhe funksionimin efektiv të organizatave të shoqërisë civile, andaj paraqet prioritet të Civica Mobilitas që pason angazhimet shumëvjeçare të MCMS-së dhe organizatave të tjera të shoqërisë civile. Edhe pse avokimi rezultoi me formulime të mira në dokumentet strategjike për bashkëpunim dhe zhvillim të shoqërisë civile, zbatimi i tyre i plotë ende mungon.

Për dallim nga vendet e zhvilluara demokratike, ku mbështetja financiare për organizatat e shoqërisë civile sigurohet kryesisht përmes buxheteve shtetërore, në Maqedoni ekziston një hendek midis mbështetjes deklarative dhe vullnetit real politik për vendosjen e një sistemi të qëndrueshëm dhe funksional të financimit shtetëror. Zhvillimi i një modeli transparent dhe llogaridhënës të mbështetjes publike është i domosdoshëm për ruajtjen e rëndësisë së sektorit civil dhe për nxitjen e pjesëmarrjes së tij aktive në zgjidhjen e çështjeve të rëndësishme shoqërore.

Njëkohësisht, kjo mbështetje nënkupton edhe përgjegjësi të shtuar nga organizatat e shoqërisë civile, përmes transparencës më të madhe, llogaridhënies, komunikimit të qartë të rezultateve dhe praktikimit të demokracisë së brendshme dhe parimeve të qeverisjes së mirë, veçanërisht duke pasur parasysh se analizat tregojnë përkushtim të pamjaftueshëm ndaj këtyre aspekteve dhe një llogaridhënie dominuese kryesisht ndaj donatorëve, e pastaj ndaj institucioneve, publikut dhe bazës së tyre (konstituentëve).

Këtu mund t’i gjeni të gjitha produktet, të dedikuara dhe të përdorura në avokimin për rritjen e financimit shtetëror. Qëllimi ynë është që kjo të bazohet në dëshmi të cilat do të rrisin kredibilitetin, bindshmërinë dhe ndikimin e iniciativave avokuese, ndaj vendimmarrësve por edhe ndaj vetë organizatave të shoqërisë civile.

Shpresojmë që këto materiale do t’ju inkurajojnë dhe mbështesin në përpjekjet e përbashkëta për ndërtimin e një sektori civil më të qëndrueshëm, transparent dhe me ndikim.