Lajme nga organizatat qytetare

  • Qasja e përbashkët dhe komunikimet strategjike duhet të jenë shtyllë ndaj luftës kundër dezinformimit

    Ndërtimi i urave të bashkëpunimit. Shkëmbimi i mësimeve nga përvojat e ndryshme me lajmet e rreme dashakeqe. Krijimi i platformave strategjike. Domosdoshmëria e të vepruarit në mënyrë strategjike. Janë disa nga konkluzionet kryesore të sesionit të dytë me titull: “Pasqyrë gjeopolitike e kërcënimeve të informacionit- leksione të mësuara nga Europa të ndara me Ballkanin perëndimor”, që u zhvillua në kuadër të konferencës ndërkombëtare në Shkup, me fokus verifikimin e fakteve, shkruan Portalb.mk.
    Martha Turnbull, drejtoreshë e Qendrës Europiane të Ekselencës, Finlandë, në fjalën e saj tha se në dekadën e fundit qendra e cila përfaqëson ka realizuar fushata të shumta në luftën kundër dezinformimit.
    “Shohim aktorë të ndryshëm që ndajnë lajme të rreme, disa prej tyre vinë nga jashtë, disa janë brenda shteteve. Rusia mbetet ende aktori kryesor në rajonin euroatlantik, por shohim edhe aktor nga Kina. Shohim rritje të kërcënimeve. Kemi raste kur rusët krijojnë qendra në vendin tuaj dhe pastaj reagojnë. Po bëhet sfidë e rëndë që ti luftojmë këto aktivitete. Prandaj, duhet ndërgjegjësim, detektim, mbledhje të të dhënave, etj. I domosdoshëm është edukimi mediatik, për parandalimin e keqinformimit dhe kontrollin e mediave sociale. Duhet të punojmë, të ndajmë informacion dhe të mbrohemi në mënyrë të sinkronizuar”, tha Turnbull.
    Sipas Bodin Verhoek, nga Divizioni për diplomaci publike- NATO, kemi kërcënime të dëmshme, përmbajtje manipulative, koordinim dhe manipulim me qëllim.
    “Ne nënvizojmë cilave informata duhet t’u japim përgjigje dhe reagojmë. NATO dhe aleatët do të vazhdojnë të bashkëpunojnë më njëra tjetrën, për t’u kundërvënë me kohë. Konceptin strategjik e kemi edhe në kinezisht edhe në rusisht, që të jenë të pranishëm edhe për audiencën që e flasin të njëjtën gjuhë. Ne nëse nuk e tregojmë storjen tonë, të tjerët do e thonë për ne. Kemi lansuar fushatë në Ukrainë, e përkrahim në kontinuitet.
    Askush nuk mund të veprojë vet. Edhe ne kemi shumë partnerë. Është e rëndësishme që kemi këtë konferencë sot, për të shkëmbyer leksionet e mësuara, për ta ndihmuar njëri tjetrin”, theksoi Verhoek, duke shtuar se komunikimet strategjike duhet të jenë shtyllë ndaj luftës kundër dezinformimit.
    Sanda Svetoka, eksperte e lartë, NATO StratCom, Letoni, në fjalën e saj veçoi përvojat nga analiza e saj.
    “Çdoherë kemi qenë në cakun e Rusisë, por kjo na ka dhënë shumë mësime se si të merremi me këto çështje. Kemi mbledhur një bazë njohurish për taktikat e rusëve dhe çfarë taktika përdorin në rajon.
    Shkëmbim të rregullt të informacioneve rreth vepruesve negativ. Zhvilluam një bazë të mirë për narrativat e armiqve. Nga viti 2020 filluam të fokusohemi jo vetëm te aktivitetet e rusëve por edhe të kinezëve në rajon. Ndarja e informacionet është kryesore. Synimet e armiqve janë të ngjashme për secilin vend. Idea është të koordinohemi për t’i kundërshtuar.
    Sipas Katarina Klingova, bashkëpunëtore e lartë, GLOBSEC, Sllovaki, krijimi i rezistencës është proces, kjo është diçka që duhet të ndihmohet edhe nga shteti edhe nga shoqëria civile.
    “OJQ-të mund të bëjnë punën më të madhe, janë më fleksibile, kanë platforma të ndryshme dhe bashkëpunim. Duhet bashkëpunim i të gjithë akterëve shtetëror. Duhet të krijojmë hapësirë, ekspertët ta ndajnë përvojën e tyre. Disa e bëjnë, por disa nuk kanë hapësirë.
    “Ndajmë informacione, që kreatorët e politikës mund ndërtojnë politika. Duhet nxjerrë leksione, për të analizuar mësimet dhe për t’i ndarë të njëjtat. Mirëkuptimi është tejet i rëndësishëm. Pastaj vijon fleksibiliteti dhe multidisiplina”, theksoi Laura Jasper – Analiste Strategjike, HCSS, Holandë.
    “Dezinformatat e rusëve duan ta argumentojnë okupimin e tyre dhe të prezantohen si mbrojtës. Vazhdojnë këto retorika edhe sot. Duhet të fokusohemi në vende që janë target i Rusisës. Të analizohen narrativat e Rusisë, të ndjekim teknologjitë me të cilat ndahen informacionet malinje, të krijohen rrjete dhe bashkëpunime të organizatave për vërtetimin e fakteve. Pushtetet duhet të bashkëpunojnë gjithashtu, dhe të bllokojnë këto porosi që kërcenojnë sigurinë publike. Nuk është qëllimi vetëm të detektohen kanalet e lajmeve të rreme por edhe të dënohen të njëjtit, edhe pse është e vështirë”, tha mes tjerash, Sonya Dimitrova-Martinyuk – Redaktore, StopFake, Ukrainë.
    Verifikues faktesh, gazetarë, studiues, politikëbërës dhe drejtues të shoqërisë civile nga i gjithë Ballkani Perëndimor dhe Evropa sot dhe nesër në Shkup, në kuadër të konferencës ndërkombëtare të organizuar nga Fondacioni Metamorfozis do të ndajnë përvojat e tyre dhe mësimet nga lufta kundër dezinformimit si dhe do punojnë në krijimin e një rrjeti që do jetë platformë që do sfidojë lajmet e rreme dashakeqe dhe do edukojë opinionin se si të mbrohet nga të njejtat.

  • Harmonizim urgjent i kornizës rregullative në Ballkan me Ligjin për Shërbime Digjitale, qenësor për luftën kundër dezinformatave

    Mungesa e mekanizmave ligjorë dhe institucionalë për mbrojtjen e hapësirës digjitale në Ballkan e bën rajonin të prekshëm ndaj manipulimeve, dezinformatave dhe ndikimeve të huaja. E përderisa Bashkimi Evropian me Ligjin për Shërbime Digjitale (DSA) vendos rregulla të qarta për transparencë dhe llogaridhënie më të madhe të platformave online, vendet e rajonit ende nuk kanë një kornizë të tillë rregullative, transmeton Portalb.mk.
    Lufta kolektive kundër dezinformatave nuk ka të bëjë vetëm me korrigjimin e të pavërtetave. Ajo fokusohet në ruajtjen e shoqërive tona demokratike në të cilat qytetarët marrin vendime dhe debatojnë duke u bazuar në argumente. Lufta fokusohet në përforcimin e edukimit mediatik në të gjitha nivelet, me çka shoqëritë bëhen më rezistente ndaj ndikimeve dhe ndërhyrjeve të jashtme. Sot verifikimi i fakteve është nën sulm, e bashkë me këtë edhe demokracia. Kjo u theksua sot në konferencën me titull “Bashkë për të vërtetën: Qasje gjithëpërfshirëse e gjithë shoqërisë për mbrojtjen e demokracisë”, e cila po mbahet në Shkup nën organizimin e Fondacionit Metamorfozis, ndërsa me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Verifikimit të Fakteve, 2 Prill.
    Konferencën e hapi Ben Nupnau, zëvendës ambasador i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut, pastaj foli Stefan Mundges, Koordinator i Rrjetit Evropian për Standardet e Verifikimit të Fakteve (EFCSN), si dhe drejtori i Fondacionit Metamorfozis, Bardhyl Jashari.
    “Metamorfozis është një shembull në Maqedoni dhe më gjerë për luftën kundër dezinformatave. Ju me punën tuaj luftoni kundër cenimit të vlerave demokratike. Në BE kemi mekanizma për t’i luftuar dezinformatat me Ligjin për Shërbime Digjitale dhe Ligjin për Lirinë e Medias. Platformat online që i kemi janë transparente dhe përmes tyre përhapet gazetaria e pavarur. Ne jemi me ju kur bëhet fjalë për një mbrojtje më të madhe të gazetarëve dhe verifikuesve të fakteve. Kjo konferencë është një mundësi për t’i shkëmbyer praktikat dhe për t’i përforcuar përpjekjet tona për ruajtjen e demokracisë dhe të mediave të pavarura”, tha Nupnau, zëvendës ambasador i Delegacionit të Bashkimit Evropian në vendin tonë.
    Foto: Vanço Xhambaski
    Stefan Mundges, Koordinatori i Rrjetit Evropian për Standardet e Verifikimit të Fakteve (EFCSN) theksoi se përforcimi i demokracisë dhe vazhdimi i luftës kundër përhapjes së dezinformatave është detyrë e të gjithëve.
    “T’ju gënjejnë dhe t’ju manipulojnë, do të thotë të mos jeni të lirë. Po takohemi këtu në një kohë krize. Verifikimi i fakteve është nën sulm, e me këtë edhe demokracia. Këto sulme vijnë nga Lindja, por po fillojnë të vijnë edhe nga Perëndimi. Presioni politik nga SHBA po bën që kompanitë e mëdha amerikane të teknologjisë të tërhiqen nga lufta kundër dezinformatave. Programi i “Meta”-s nuk është i përkryer, por është programi më i mirë për verifikimin e fakteve në një rrjet të madh social. Ai nuk e heq përmbajtjen, por e verifikon vërtetësinë. Rreth 95% e përdoruesve që i shohin këto etiketime nuk klikojnë në postim, sepse nuk duan të shohin përmbajtje të rrejshme. Nëse “Meta” i jep fund verifikimit të fakteve Evropa do të jetë më e cenueshme, ndërsa do të ketë edhe zvogëlim të të ardhurave të verifikuesve të fakteve. “Меta“ nuk është e vetmja që po tërhiqet, por edhe “TikTok”-u, “Microsoft”-i, “Google”, thekson Mundges.
    Foto: Vanço Xhambaski
    Ai shtoi se verifikuesit e fakteve janë nën sulm në Ballkanin Perëndimor dhe se ndaj tyre ka bastisje dhe hetime të pabaza dhe se situata nuk është e mirë. Mundges e theksoi kontrollin policor në zyrat e organizatës së shoqërisë civile CRTA nga Serbia, e cila është gjithashtu anëtare e EFCSN-së.
    “Çfarë mund të ndryshojmë? Verifikuesit e fakteve nuk do të zhduken, ne kemi një projekt të madh me të cilin do të punojmë për ta përforcuar rrjetin tonë pan-evropian për të gjithë aktorët relevant, sepse puna e verifikuesve të fakteve është me vlerë dhe do vazhdojë të funksionojë pavarësisht nga ndikimi politik”, shtoi Mundges.
    Drejtori Ekzekutiv i Fondacionit Metamorfozis, Bardhyl Jashari, foli për nevojën e harmonizimit urgjent të kornizës rregullative të vendeve të Ballkanit me parimet e Ligjit për Shërbime Digjitale.
    “Vendet e Ballkanit Perëndimor ende nuk kanë mekanizma mbojtëse institucionale për mbrojtjen e të drejtave të njerëzve në internet. Për dallim nga BE-ja ne nuk përfitojmë nga mbrojtja që e ofron Ligji për Shërbime Digjitale, edhe pse të gjithë ne jetojmë në të njëjtën hapësirë ​​digjitale. Kjo krijon një hendek të rrezikshëm në sigurinë dhe integritetin e internetit në Evropë. Prandaj kërkojmë harmonizim urgjent të kornizës rregullative të vendeve të Ballkanit me parimet e Ligjit për Shërbime Digjitale dhe krijimin e një kornize rajonale të fuqishme për integritetin e informacionit”, tha Jashari.
    Ai theksoi se qytetarët nga Ballkani Perëndimor janë më të ekspozuar ndaj përmbajtjeve të dëmshme dhe të paligjshme në internet dhe se dezinformatat janë kudo – ato depërtojnë në diskursin politik, e minojnë besimin dhe e shtrembërojnë realitetin.
    “Ndërkohë platformat e mediave sociale, e sidomos të ashtuquajturat platforma të mëdha online, vazhdojnë të përfitojnë nga algoritmet dhe i amplifikojnë mosmarrëveshjet dhe dezinformatat, edhe pse në masë të madhe janë të papërgjegjshme në rajonin tonë”, shtoi Jashari.
    Foto: Vanço Xhambaski
    Përmes një video adresimi në këtë Konferencë mori pjesë edhe Soren Liborius, këshilltar kryesor në Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS).
    “Dezinformatat janë një problem qenësor me të cilin ne duhet të vazhdojmë të përballemi. Në vitin 2015, krerët e shteteve anëtare të BE-së dhe qeverive ranë dakord se duhej bërë diçka për të luftuar dezinformatat nga Rusia. Pastaj vijoi fillimi i luftës në Dombas, si dhe ndodhën të gjitha aktivitetet që çuan deri në agresionin e sotëm dhe për këtë arsye u vendos se duhej të themelohet një ekip për luftë kundër përpjekjeve aktuale të Rusisë për përhapjen e dezinformatave. ЕЕАС ka një platformë publike në të cilën ne i komunikojmë gjetjet tona për publikun, tendencat e pranishme, si dhe si janë të lidhura ato me zhvillimet politike. Ne kemi përgatitur edhe një metodologji tonën. Në platformën euvsdisinfo.eu kemi një bazë të të dhënave në të cilën ka qasje publiku, ka edhe shembuj se si pala ruse bën përhapjen e dezinformatave”, tha Liborius.
    Raporti i EEAS mbi kërcënimet nga manipulimet e huaja dhe ndërhyrjet në informim u prezantua nga analistja e të dhënave Chiara Pacenti, e cila foli për FIMI dhe kërcënimin në nivel global. Ajo theksoi se Ukraina është objektivi kryesor kur bëhet fjalë për sulmet ruse FIMI, të cilat kanë për qëllim t’i dobësojnë lidhjet perëndimore, NATO-n, BE-në, G7-ën.
    Konferenca e sotme ndërkombëtare gjithëditore fokusohet te kërcënimet nga dezinformatat, manipulimet dhe ndërhyrjet e huaja (FIMI), integriteti zgjedhor, verifikimi i fakteve dhe bashkëpunimi ndërsektorial. Në Tiranë në mbrëmje do të mbahet forumi “Demokracia është e rëndësishme – faktet janë të rëndësishme” e organizuar nga qendra “Faktoje”. Forumi do ta theksojë peizazhin e verifikimit të fakteve në Shqipëri, bashkëpunimin rajonal dhe do të nderojë ekselencën gazetareske me çmimin Fatos Baxhaku.

  • Konferenca përmbyllëse e Programit për Aktivizëm Digjital

    Më 28 mars 2025 u mbajt konferenca përmbyllëse e Programit për Aktivizëm Digjital. Konferenca u mbajt në Varshavë të Polonisë, me pjesëmarrjen e mbi 100 aktivistëve civilë, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe ekspertë në fushën e digjitalizimit dhe përdorimit të mjeteve inovative. Programi për Aktivizëm Digjital ishte një projekt trevjeçar i TechSoup Global, kurse Fondacioni Metamorfozis ishte partner në zbatimin e aktiviteteve në Maqedoninë e Veriut, Serbi dhe Kosovë.
    Përmes Programit për Aktivizëm Digjital, u zbatuan 18 grante për mbështetjen e shoqërisë civile në Maqedoninë e Veriut, Serbi dhe Kosovë, më shumë se 100 pjesëmarrës ishin pjesë e trajnimeve për sigurinë kibernetike, vizualizimin e të dhënave, ndërtimin e komuniteteve dhe komunikimin me publikun, si dhe njohjen dhe parandalimin e dezinformatave. Në kuadër të Programit për Aktivizëm Digjital u mbajtën dy edicione të konferencës ndërkombëtare Megafon, ku rreth 15 pjesëmarrës nga Ballkani Perëndimor patën mundësinë të njihen, të rrjetëzohen dhe të mësojnë nga ekspertë të fushës së inteligjencës artificiale, teknikave të komunikimit dhe parandalimit të dezinformatave. U përgatitën dhe u shpallën 47 video të shkurtra mbi temat e edukimit mediatik, të dhënave të hapura, sigurisë kibernetike dhe higjienës kibernetike, si dhe inteligjencës artificiale.
    Programi për Aktivizëm Digjital kishte për qëllim rritjen e kapaciteteve të organizatave të shoqërisë civile nga Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Kosova, përmes njohjes me mjetet teknologjike inovative për punë, trajnimeve për sigurinë kibernetike dhe njohjes së dezinformatave, mentorimit që synon drejtpërdrejt nevojat specifike të organizatave dhe ndërtimin e rrjeteve mbështetëse.

  • DOKUMENTAR / SHËRBIMET SEKRETE NËN LUPË: SA TRANSPARENTE ËSHTË SEKTORI I SIGURISË NË MAQEDONINË E VERIUT?

    “Sektori i sigurisë është sinonim i fshehtësisë. Operacione sekrete, shërbime sekrete, përgjime sekrete, agjentë sekretë. Transparenca në këtë sektor konsiderohet si një oksimoron, ndërsa llogaridhënia – një mision i pamundur.”
    Kështu fillon dokumentari i Institutit BIRC, i realizuar me mbështetjen e Qendrës së Gjenevës për Menaxhimin e Sektorit të Sigurisë – DCAF, ku trajtohen reformat e sektorit të sigurisë dhe ndikimi i tyre në zhvillimin e përgjithshëm demokratik të shtetit.
    [embedded content]

    Muret e fshehtësisë që rrethojnë sektorin e sigurisë janë ndërtuar në emër të sigurisë kombëtare. Opinioni nuk kishte asnjë qasje në informacionet për të mos rrezikuar sigurinë e shtetit. Kjo gjendje ishte veçanërisht e theksuar gjatë Luftës së Ftohtë. Pas viteve ‘90, me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik dhe valën e demokratizimit që përfshiu botën, këto mure pjesërisht u shembën. Kjo çoi në zbulimin e një sërë skandalesh për të cilat publiku më parë nuk kishte asnjë informacion.
    Mbikëqyrja e sektorit të sigurisë është jashtëzakonisht e rëndësishme
    Metodi Hadzhi-Janev, ekspert për çështje të sigurisë dhe profesor universitar, është i angazhuar nga DCAF, ku zhvillon trajnime dhe punëtori për përfaqësuesit e organizatave qytetare dhe mediave. Qëllimi është të nxisë një mbikëqyrje efektive qytetare mbi inteligjencën dhe sigurinë. Ai është gjithashtu pjesë e C3I, një organizatë që ka zhvilluar tregues për matjen e suksesit të sektorit të inteligjencës dhe sigurisë, me fokus në transparencën, llogaridhënien dhe efektivitetin.
    “Në shtetet demokratike, mbikëqyrja e sektorit të sigurisë është thelbësore sepse ky sektor akumulon një fuqi të madhe, që nuk e ka asnjë institucion tjetër. Për të parandaluar abuzimet me këtë fuqi, nevojitet mbikëqyrje që vepron si një korrektues dhe e drejton në rrugën e duhur”, thotë Hadzhi-Janev.
    Abuzimet në sektorin e sigurisë kanë nxjerrë në pah nevojën për një mbikëqyrje më efektive, duke e vendosur këtë temë si një parakusht kyç për funksionimin normal të një shteti. Megjithatë, kjo mbikëqyrje nuk është detyrë e lehtë.
    “Pengesat për mbikëqyrje ndryshojnë midis shoqërive dhe mund të pasqyrojnë faktorë kulturorë, historikë ose politikë”, thekson Hadzhi-Janev.
    Janë të nevojshme baza ligjore për kontrollin e shërbimeve
    Sektori i sigurisë në Maqedoninë e Veriut ka kaluar nëpër disa reforma që kanë krijuar një kornizë për funksionimin demokratik dhe mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve. Legjislacioni aktual ofron hapësirë për një mbikëqyrje më të mirë dhe më shumë transparencë, por reformat kërkojnë një proces të vazhdueshëm dhe gjithëpërfshirës me pjesëmarrjen e të gjithë aktorëve relevantë.
    “Janë të nevojshme baza ligjore për kontrollin e shërbimeve. Ligjet aktuale nuk janë të këqija, por problemi qëndron tek zbatimi i tyre. Marrja e certifikatave të sigurisë është shumë e vështirë, madje edhe për ata që kanë autorizim për mbikëqyrje. Gjithashtu, duhet të edukohen punonjësit e shërbimeve që ata i nënshtrohen kontrollit dhe se duhet të jenë të përgjegjshëm,” thotë Iskra Koroveshovska, redaktore në TV Alfa.
    Megjithë përparimin, sektori i sigurisë në Maqedoninë e Veriut mbetet i mbështjellë me fshehtësi, ashtu si në rajon dhe më gjerë, ku siguria kombëtare shpesh ka përparësi ndaj të drejtave të njeriut.
    “Shërbimet tona janë pjesërisht të hapura – kanë faqe interneti, raporte vjetore dhe njëfarë komunikimi me publikun. Agjencia e Inteligjencës, për shembull, ofron informacione mbi aktivitetet e saj. Por, krahasuar me MI5 dhe MI6 në Mbretërinë e Bashkuar, ku ka një qasje më të hapur dhe mekanizma për përfshirjen e qytetarëve, ne jemi ende shumë prapa,” thotë Aleksandar Stojanovski, autor i një studimi mbi transparencën dhe llogaridhënien e shërbimeve sekrete britanike, maqedonase dhe sllovene, i realizuar brenda programit të DCAF për reformat në sektorin e inteligjencës.
    Mbikëqyrja efektive është çelësi për më shumë transparencë dhe llogaridhënie
    Pa mbikëqyrje cilësore, fshehtësia në sektorin e sigurisë mund të bëhet shqetësuese, veçanërisht në kohë konfliktesh globale që rrisin kërcënimet për sigurinë. Mbikëqyrja efektive është çelësi për më shumë transparencë dhe llogaridhënie, por kërkon hapa konkretë.
    “Së pari, duhet të rritet ndërgjegjësimi dhe më pas të ndërtohen kapacitetet. Debati duhet të shpjegojë pse transparenca është e rëndësishme dhe cilat janë përfitimet e saj për sigurinë kombëtare”, thotë profesori Hadzhi-Janev.
    Stojanovski, nga ana tjetër, thekson se “mediat kanë njëfarë kapaciteti për të ndjekur punën e shërbimeve, por ai duhet të rritet. Sektori civil, ndërkohë, është ende i kufizuar në këtë fushë.”
    Kuvendi dhe qeveria luajnë një rol të rëndësishëm në mbikëqyrje, por organizatat qytetare dhe mediat janë po aq të rëndësishme për mbikëqyrjen e pavarur. Transparenca nënkupton hapje dhe qasje, ndërsa llogaridhënia kërkon mekanizma të përgjegjësisë.
    “Indikatorët janë rezultat i një procesi të gjerë me punëtori dhe analiza. Ato ndihmojnë në rritjen e transparencës dhe uljen e dyshimeve të publikut, duke siguruar njëkohësisht efikasitet në punën e shërbimeve”, thotë Hadzhi-Janev.
    Efektiviteti i mbikëqyrjes qytetare varet nga kapaciteti i mediave dhe organizatave joqeveritare. Në Maqedoninë e Veriut, pak media kanë burime për analiza të thella, ndërsa organizatat qytetare nuk janë mjaftueshëm të specializuara.
    Një nga pjesëmarrëset e këtyre trajnimeve është edhe Koroveshovska. Ajo thotë: “Mediat kanë një kapacitet minimal për mbikëqyrje. Pas 20 vitesh punë, vetëm vitin e kaluar, përmes trajnimeve të DCAF, mësova se si të mbuloja punën e shërbimeve sekrete. Kjo tregon sa shumë na mungojnë gazetarët e edukuar në këtë fushë.”
    (Dokumentari është realizuar në prill të vitit 2024)

  • Besimi në shoqërinë civile – qëndrimet e qytetarëve

    Qendra Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar (MCMS) kreu një anketë të rregullt mbi besimin në shoqërinë civile. Në vitin 2024, indeksi i besimit të shoqërisë civile arriti në 42.9%, që paraqet një rënie prej 8.2 pikë përqindje krahasuar me vitin 2021. Besimi në organizatat e shoqërisë civile është 38.4%, me dallime…

  • Bashkohuni me ne në ngjarjet për Ditën Ndërkombëtare të Verifikimit të Fakteve në Shkup dhe Tiranë!

    🎯 Bashkohuni me ne në Shkup dhe Tiranë më 2 prill për Ditën Ndërkombëtare të Verifikimit të Fakteve!
    🗓️ 2 prill 2025 | Shkup dhe Tiranë
    #TogetherForTruthFaktet Kanë Rëndësi në Mbrojtjen e Demokracisë
    🧩 Për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Verifikimit të Fakteve, Rrjeti Kundër Dezinformimit në Ballkan (ADN-Balkans) ju fton t’u bashkoheni dy ngjarjeve rajonale që do të mbahen në Shkup dhe Tiranë, duke mbledhur verifikues faktesh, gazetarë, studiues, politikëbërës, dhe drejtues të shoqërisë civile nga i gjithë Ballkani Perëndimor dhe Evropa.
    🔹 SHKUP | 10:00–16:30 | 📍 Hoteli “Holiday Inn”
    Agjenda gjendet në këtë link
    Konferencë ndërkombëtare gjithëditore e organizuar nga Fondacioni Metamorfozis, që do të fokusohet në kërcënimet e dezinformimit, manipulimin dhe ndërhyrjen e huaj në informacion (FIMI), integritetin e zgjedhjeve, verifikimin e fakteve dhe bashkëpunimin ndërsektorial.
    🔹 TIRANË | 17:00–19:00 | 📍 Destil
    Një forum mbrëmjeje i organizuar nga QENDRA Faktoje, që do të prezantojë peizazhin e verifikimit të fakteve në Shqipëri, bashkëpunimin rajonal dhe do të nderojë përsosmërinë gazetareske me Çmimin Fatos Baxhaku.
    💬 Çfarë të Pritni

    Vështrimet më të fundit nga Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm (EEAS) mbi kërcënimet e manipulimit dhe ndërhyrjes së huaj në informacion (FIMI)
    Analizë e ndikimit gjeopolitik të dezinformimit mbi marrëdhëniet NATO-BE-Ballkani Perëndimor
    Përvojat rajonale mbi integritetin e zgjedhjeve, përgjegjësinë e platformave dhe moderimin e përmbajtjeve
    Mjetet dhe qasjet për ndërtimin qëndrueshmërisë shoqërore ndaj manipulimit online
    Ceremonia e ndarjes së çmimit për të njohur përsosmërinë e gazetarisë investiguese në Shqipëri
    Mundësi për bashkëpunim ndërkufitar, rrjetëzim dhe shkëmbim

    🎙️ Folësit e dalluar
    📍 Konferenca e Shkupit

    Ben Nupnau – Zëvendës Shef i Delegacionit, Bashkimi Evropian në Maqedoninë e Veriut
    Manon Janssen – Zëvendës Ambasadore e Mbretërisë së Holandës në Maqedoninë e Veriut
    Stephan Mündges – Koordinator, Rrjeti Evropian i Standardeve për Verifikimin e Fakteve (EFCSN)
    Bardhyl Jashari, Drejtor Ekzekutiv, Fondacioni Metamorfozis, Maqedoni e Veriut
    Chiara Pacenti – Analiste e të dhënave, EEAS
    Martha Turnbull – Drejtoreshë, Qendra e Ekselencës Hybrid, Finlandë
    Beaudine Verhoek – Divizioni i Diplomacisë Publike i NATO-s
    Sanda Svetoka – Eksperte e Lartë, NATO StratCom, Letoni
    Katarina Klingova – Bashkëpunëtore e Lartë, GLOBSEC, Sllovaki
    Laura Jasper – Analiste Strategjike, HCSS, Holandë
    Sonya Dimitrova-Martinyuk – Redaktore, StopFake, Ukrainë
    Ioana Cosma – Drejtoreshë Vendi, IFES
    Tamara Brankoviq – Zëvendës Drejtore e Programeve, CRTA, Serbi
    Bardhi Bakija – Drejtor Ekzekutiv, Sbunker, Kosovë
    Biljana Georgievska – Drejtoreshë Ekzekutive e Këshillit për Etikë në Media të Maqedonisë
    Emilija Petreska-Kamenjarova – Zëvendës Shefe e Programeve – Agjencia për Shërbime Audio dhe Audiovizuale Mediatike e Republikës së Maqedonisë së Veriut
    Ruurd Oosterwoud – Themelues dhe CEO, DROG, Holandë
    Jona Plumbi – Gazetare, Faktoje, Shqipëri
    Maida Çulahoviq – Eksperte për media dhe politika digjitale, “Why Not”” (“Pse jo”), Bosnje dhe Hercegovinë
    Naço Strigulev – Gazetar, Blue Link, Bullgari
    Despina Kovaçevska – Specialiste për monitorimin e mediave – Fondacioni Metamorfozis, Maqedonia e VeriutMaja Sever – Presidente e Federatës Evropiane të Gazetarëve
    Marko Milosavljeviq – Profesor, Universiteti i Lubjanës, Slloveni
    Rasha Nedeljkov – Drejtor i programeve, CRTA, Serbi
    Goran Rizaov – Menaxher i Programeve Mediatike – Fondacioni Metamorfozis, Maqedoni e Veriut

    📍 Konferenca e Tiranës

    Klodiana Kapo – Drejtoreshë Ekzekutive, QENDRA Faktoje, Shqipëri
    Bardhyl Jashari, Drejtor Ekzekutiv, Fondacioni Metamorfozis, Maqedoni e Veriut
    Coral Garcia – Maldita.es, Spanjë
    Enzo Panizio – Pagella Politica, Itali
    Silvio Gonzato – Ambasador, Delegacioni i BE-së në Shqipëri

    🎉 Përfshin ceremoninë e ndarjes së çmimit “Fatos Baxhaku” për gazetarinë investiguese dhe një koktej për rrjetëzim.
    ✨ Bëhuni pjesë e lëvizjes rajonale për integritetin e informacionit.
    Të mbështesim së bashku të vërtetën – përtej kufijve, përtej sektorëve dhe anembanë Evropës.
    📲 [LINKU]#TogetherForTruth #FactCheckingDay #ADNBalkans #DemocracyMatters #InfoIntegrity

  • Metamorfozis shpall konkurs për çmimin vjetor ILIJA ZHUPANOSKI

    Fondacioni për Internet dhe Shoqëri – “Metamorfozis”, për të dytin vit radhazi, shpall
    KONKURS
    Për çmimin vjetor “Ilija Zhupanoski” për gazetarët, organizatat e shoqërisë civile dhe individët që kontribuojnë në përballjen me dezinformatat në vend.
    Do të ndahen dy çmime vjetore në kategoritë e mëposhtme:
    A. Punimi më i mirë gazetaresk, gjegjësisht profesional i përgatitur nga organizatat e shoqërisë civile dhe individët , i cili mund të jetë në lidhje me:

    verifikime komplekse të fakteve për të ekspozuar dezinformatat e përhapura në diskursin publik;
    verifikime të fakteve me qëllim të ekspozimit të serive të dezinformatave të ngjashme ose të lidhura tematikisht në diskursin publik;
    analiza të problemit të dezinformatave ose të segmenteve tematike apo të tjera të kësaj dukurie me rekomandime për tejkalimin e tij;
    analiza të tendencave të ardhshme në fushën e dezinformatave dhe pritshmëritë për llojet dhe tendencat e mundshme të dezinformimit në të ardhmen (pre-bunking);
    punime profesionale/analitike/hulumtime, gjetje që e avancojnë përballjen me dezinformatat;
    storje hulumtuese për origjinën dhe/ose lëvizjen/përhapjen e dezinformatave në sferën publike dhe pasojat e tyre;
    analiza të pasojave të shkaktuara nga dezinformatat shumë të dëmshme dhe dëmet që priten prej tyre në të ardhmen;
    zbulimin e narrativeve dhe veprimeve dezinformuese të pranishme në rajon dhe në Evropë, të cilat kanë shtrirje (ose tendencë për të arritur shtrirje) për të shkaktuar dëm në Maqedoninë e Veriut; dhe
    punime të tjera profesionale dhe gazetareske në fushën e përballjes me dezinformatat.

    B. Përmbajtja multimediale edukative e përgatitur nga të rinjtë e moshës nga 18 deri në 28 vjeç, ku teknologjitë e informacionit dhe komunikimit janë përdorur në mënyrë kreative dhe inovative, për të arritur tek të rinjtë dhe për t’i edukuar ata për të forcuar rezistencën ndaj dezinformatave.
    Të drejtë pjesëmarrjeje kanë të gjithë ata që kanë krijuar dhe publikuar material autorial (individualisht ose në grup, nga kategoritë nën A. dhe B. të shënuara në Konkurs) në një gazetë, në televizion ose në portale në internet gjatë periudhës nga 1 nëntori 2024 deri më 1 tetor 2025.
    Në konkurs, autorët mund të aplikojnë edhe me një seri përmbajtjesh të ndërlidhura, por që kanë të bëjnë me një temë konkrete. Me aplikimin në Konkurs, autori pranon që punimi i tij të ribotohet në Përmbledhjen e punimeve, e cila është një botim i veçantë elektronik, të cilën do ta përgatisë Metamorfozis, pas përfundimit të Konkursit.
    Materialet e dorëzuara do të shqyrtohen nga një komision i përbërë nga përfaqësues relevantë të mediave dhe sferës publike.
    Gjatë vlerësimit të materialeve, përparësi do t’u jepet atyre materialeve të cilat:

    I referohen dezinformatave që kanë kapacitet të lartë për të shkaktuar dëme në shoqëri;
    Ekspozojnë dezinformata që kanë të bëjnë me interesin e gjerë publik, gjegjësisht prekin një numër të madh të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut;
    I shtojnë njohuritë ose arrijnë në njohuri të reja për problemin e dukurisë së dezinformimit dhe ofrojnë zgjidhje për trajtimin e këtij problemi; dhe
    Kanë një qasje kreative, bashkëkohore, efektive dhe novatore në prezantimin e gjetjeve për publikun e gjerë.

    Konkursi është i hapur deri më 1 tetor 2025. Aplikimet duhet të dorëzohen në info@metamorphosis.org.mk me shënimin: Për çmimin vjetor “Ilija Zhupanoski” për gazetarët, organizatat e shoqërisë civile dhe individët që kontribuojnë në përballjen me dezinformatat në vend.
    Çmimi për kategorinë e parë “Punimi më i mirë gazetaresk, gjegjësisht profesional” është 2.000 euro në kundërvlerë në denarë.
    Çmimi për kategorinë e dytë “Përmbajtje multimediale edukative e përgatitur nga të rinjtë e moshës nga 18 deri në 28 vjeç,” është 1.000 euro në kundërvlerë në denarë.
    Punonjësit e Fondacionit “Metamorfozis” nuk kanë të drejtë të marrin pjesë në Konkurs. Gjithashtu, në Konkurs nuk kanë të drejtë të marrin pjesë as bashkëpunëtorët e jashtëm të “Metamorfozis” me materiale të cilat kanë qenë/janë përgatitur dhe publikuar në kuadër të projekteve që i realizon “Metamorfozis”.
    Aplikimi përbëhet nga:
    Formulari i plotësuar për kategorinë përkatëse (në dispozicion të bashkëngjitura).
    A formulari i aplikimitB formulari i aplikimit

    Për informacione dhe pyetje shtesë, na kontaktoni me e-mail në info@metamorphosis.org.mk me shënimin: “Çmimi vjetor “Ilija Zhupanoski” për gazetarët, organizatat e shoqërisë civile dhe individët që kontribuojnë në përballjen me dezinformatat në vend” më së voni deri më 1 shtator 2025.

  • Ngushëllime për personat që humbën jetën tragjikisht nga zjarri në “diskotekën” në Koçan dhe kërkesë për hetim gjithëpërfshirës, të plotë, të paanshëm dhe jopartiak të lëndës

    Platforma e organizatave të shoqërisë civile për luftë kundër korrupsionit shpreh ngushëllime të thella për qytetarët e vrarë tragjikisht nga zjarri në “diskotekën” në Koçan dhe shpreh urimet e sinqerta për shërim sa më të shpejtë të të lënduarve.
    Zjarri në Koçan është vetëm i fundit nga një seri ngjarjesh që tregojnë se korrupsioni vret. Për fat të keq, pas rastit në Llaskarc, rastit të “Besa Trans”, zjarri në spitalin modular në Tetovë, duhej të ndodhte edhe zjarri në “diskotekën” në Koçan në mënyrë që të kujtohej përsëri se korrupsioni sistematik prej dekadash merr jetë.
    Platforma ndjek nga afër procedurat në rastin e zjarrit në Koçan dhe sugjeron se më e pakta që duhet të sigurohet tani është një hetim gjithëpërfshirës, i plotë, i paanshëm dhe mbipartiak. Kërkojmë që hetimi të kryhet në mënyrë të përgjegjshme dhe transparente dhe për të, të raportojnë ata që janë ligjërisht kompetentë për ta bërë këtë.
    Në këtë pikë, përgjegjësia është thelbësore dhe askush nuk duhet të përjashtohet prej saj, pavarësisht nëse apo cilës parti i përkasin, cilës përkatësi fetare apo etnike, dhe pavarësisht nëse janë ish-funksionarë apo funksionarë aktualë. Derisa të krijojmë një sistem në të cilin njerëzit e duhur me integritet janë në pozicionet e duhura, nuk duhet të heqim dorë.
    Në ekzistencën e deritanishme prej një dekade të platformës së organizatave të shoqërisë civile për luftë kundër korrupsionit vazhdimisht reagojmë dhe kërkojmë ndryshime në segmente të ndryshme të sistemit, të cilat nëse do të ishin pranuar, do të kishin parandaluar pikërisht ngjarje të tilla. Nevojiten ndryshime sistematike që do të demonstrojnë se ekziston një vullnet dhe angazhim i vërtetë për një luftë pa kompromis kundër korrupsionit nga të gjithë palët e interesuara, dhe veçanërisht ato kompetente. Për fat të keq, praktika ka treguar vazhdimisht se dëshira për pasurim personal ka qenë gjithmonë mbi dëshirën për të krijuar një sistem në të cilin rregullat dhe procedurat do të respektohen në mënyrë të barabartë nga të gjithë, në të gjitha nivelet e shoqërisë.
    Duke marrë parasysh shpalljen e ditëve të zisë, Platforma do të përmbahet nga komentet e mëtejshme për rastin konkret për momentin, por njoftojmë se gjatë javës së ardhshme do të organizojmë një konferencë për shtyp në të cilën do të shpallim kërkesat tona specifike që presim të zbatohen nga autoritetet kompetente dhe këtë do ta vëzhgojmë në mënyrë që të fillojë një luftë kolektive pa kompromis kundër korrupsionit.
    Mbështetur nga:Shoqata Estima, Manastir

  • AHMED QAZIMI: QEVERIA KËTË VIT KA NDARË DYFISH MË SHUMË MJETE PËR SHKENCË

    Në një intervistë në kuadër të projektit “Përfaqësim për zhvillim inkluziv”, i mbështetur nga Civica Mobilitas, udhëheqësi i Sektorit për Arsimin e Lartë në MASH, Ahmed Qazimi, gjerësisht shpalon përpjekjet e Ministrisë së Arsimit për përafrimin e politikave arsimore me standardet europiane. Ai thotë se Qeveria është e vendosur të rrisë investimet në zhvillimin e veprimtarisë kërkimore-shkencore dhe, në këtë drejtim, në buxhetin për vitin 2025 janë parashikuar 680 milionë denarë për shkencë, krahasuar me vitin e kaluar, kur për këtë qëllim ishin ndarë 380 milionë denarë. “Ky trend i rritjes së buxhetit për shkencë do të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme”, thotë ai. Qazimi thotë se Ministria e Arsimit po punon aktivisht për të rritur ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e Procesit të Bolonjës përmes një qasjeje shumëdimensionale, ndërkohë që sinergjinë ndërsektoriale e sheh jo vetëm në drejtim të rritjes së efikasitetin institucional, por gjithashtu edhe në forcimin e karakterit demokratik të politikave publike. Sa i përket njohjes së kualifikimeve të arsimit të lartë në Ballkanin Perëndimor, ai thotë se shumë shpejt do të fillojë zbatimi i Marrëveshjes për Njohjen Automatike të Kualifikimeve Akademike, dhe më vonë edhe i kualifikimeve profesionale pas anëtarësimit të vendit në BE.
     
    Në procesin e negociatave për anëtarësim në BE është edhe Klasteri 3, i cili përmban kapituj që kanë të bëjnë me reformat e nevojshme për harmonizimin e sistemit tonë arsimor me atë evropian. Çfarë mund të bëni ju në këtë drejtim?
    Ahmed Qazimi: Procesi i anëtarësimit në BE kërkon përafrimin e politikave arsimore me standardet evropiane, dhe Klasteri 3 është kyç në këtë drejtim. Ministria e Arsimit dhe Shkencës po punon aktivisht në reformat që përfshijnë përmirësimin e cilësisë së programeve mësimore, digjitalizimin e arsimit, rritjen e mobilitetit të studentëve dhe stafit akademik, si dhe njohjen e kualifikimeve brenda Hapësirës Evropiane të Arsimit të Lartë.
    Në këtë kontekst, do të vazhdojmë me zbatimin e Kornizës Evropiane të Kualifikimeve, avancimin e shkollave profesionale dhe përmirësimin e financimit të kërkimeve shkencore. Gjithashtu, do të forcojmë bashkëpunimin me universitetet në vendet anëtare të BE-së për të mundësuar një konkurrencë më të madhe dhe njohjen e diplomave tona në Evropë.
    Qëllimi ynë është të krijojmë një sistem arsimor që do t’i përgatisë të rinjtë për një pjesëmarrje të suksesshme në tregun e punës dhe do të sigurojë standarde më të larta në të gjitha nivelet e arsimit.
    Si të binden autoritetet dhe publiku për nevojën e një metodologjie ndërsektoriale të qasjes, me fokus të veçantë në vlerat themelore si e drejta për të studiuar, e drejta për të punuar dhe e drejta për një administratë të mirë?
    Ahmed Qazimi: Hulumtimet tregojnë se sinergjia ndërsektoriale jo vetëm që rrit efikasitetin institucional, por gjithashtu forcon karakterin demokratik të politikave publike, duke mundësuar një zhvillim gjithëpërfshirës dhe holistik të shoqërisë.
    Në këtë kontekst, komunikimi me publikun dhe palët e interesuara duhet të jetë transformues, dhe jo vetëm informues. Kjo nënkupton përdorimin e qasjeve multimodale – nga konferencat me ekspertë dhe debatet publike deri te platformat digjitale interaktive – me qëllim krijimin e një vetëdije kolektive për vlerat dhe implikimet e kësaj qasjeje.
    Për më tepër, zbatimi i pilot projekteve në institucionet arsimore dhe administrative të zgjedhura në mënyrë strategjike do të mundësojë demonstrimin empirik të përfitimeve të metodologjisë ndërsektoriale, duke rritur ndjeshëm besimin mes publikut dhe vendimmarrësve.
    Qasja ndërsektoriale nuk duhet parë si një metodologji alternative, por si një domosdoshmëri strategjike në qeverisjen moderne, ku të gjithë segmentet e shoqërisë punojnë në koordinim për arritjen e qëllimeve të përbashkëta të zhvillimit.
    A zbatohet siç duhet Procesi i Bolonjës dhe sa e ofron vlerën e tij themelore – mobilitetin?
    Ahmed Qazimi: Zbatimi i Procesit të Bolonjës në Maqedoni është një proces i vazhdueshëm dhe dinamik, i cili zhvillohet me përkushtim të plotë për harmonizimin me standardet evropiane në arsimin e lartë. Janë ndërmarrë reforma për standardizimin e programeve studimore, sistemin e krediteve (ECTS) dhe zbatimin e mësimdhënies të bazuar në rezultate, të cilat përfaqësojnë parimet themelore të sistemit të Bolonjës.
    Mobiliteti, si një nga shtyllat kryesore të këtij procesi, mbështetet institucionalisht përmes mekanizmave si Erasmus+, marrëveshjeve dypalëshe dhe iniciativave rajonale. Ky mobilitet realizohet pa pengesa dhe çdo vit një numër i madh studentësh, pedagogësh dhe studiuesish nga universitetet tona bëhen pjesë e projekteve dhe programeve të ndryshme të mobilitetit në universitete të shumta në Evropë dhe anasjelltas. Megjithatë, gjithmonë ekziston mundësia për ta përmirësuar më tej këtë nivel të mobilitetit.
    Ministria e Arsimit dhe Shkencës po punon në eliminimin e pengesave administrative dhe të gjitha llojeve të tjera të barrierave me qëllim rritjen e numrit të studentëve që marrin pjesë në programet e mobilitetit, edhe atë permes këtyre masave:
    Përmirësimi i kuadrit ligjor – rishikimi i rregulloreve për të lehtësuar mobilitetin akademik dhe për të rritur transparencën në njohjen e periudhave studimore dhe diplomave.
    Mbështetje financiare – sigurimi i bursave më të mëdha për mobilitet përmes fondeve kombëtare dhe ndërkombëtare.
    Mbështetje për institucionet – inkurajimi i universiteteve për të krijuar programe studimore fleksibile që mundësojnë më shumë ndërveprim me institucionet akademike evropiane.
    Fuqizimi i bashkëpunimit me universitetet e huaja – nënshkrimi i marrëveshjeve të reja për shkëmbim dhe krijimi i kushteve për tërheqjen e studentëve të huaj në vendin tonë.
    Besojmë se përmes një qasjeje sistematike dhe zbatimit të përkushtuar të këtyre masave, mobiliteti do të bëhet një përfitim real për çdo student dhe profesor në Maqedoni.
    Si do ta rrisni ndërgjegjësimin profesional dhe të publikut më të gjerë për rëndësinë e Procesit të Bolonjës?

    Ahmed Qazimi: Ministria e Arsimit dhe Shkencës po punon aktivisht për të rritur ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e Procesit të Bolonjës përmes një qasjeje shumëdimensionale që përfshin komunitetin akademik, studentët dhe publikun e gjerë.
    Brenda universiteteve, organizohen në mënyrë sistematike forume strategjike, diskutime në panele dhe punëtori, ku profesorët universitarë, studentët dhe ekspertët përkatës zhvillojnë dialog konstruktiv mbi sfidat dhe mundësitë që ofron Procesi i Bolonjës. Këto aktivitete shërbejnë si platforma për shkëmbimin e praktikave më të mira evropiane dhe përshtatjen e modeleve të suksesshme në sistemin tonë arsimor.
    Paralelisht, Ministria po forcon transparencën dhe llogaridhënien përmes krijimit të burimeve digjitale që sqarojnë procedurat për mobilitetin akademik, njohjen e krediteve dhe diplomave.
    Në bashkëpunim me organizata ndërkombëtare dhe institucione akademike evropiane, Ministria zbaton vazhdimisht iniciativa për forcimin e bashkëpunimit ndëruniversitar dhe nxitjen e mobilitetit të studentëve dhe pedagogëve. Përmes programeve Erasmus+, CEEPUS dhe marrëveshjeve dypalëshe, një numër gjithnjë e më i madh i studentëve dhe stafit akademik kanë mundësinë të zgjerojnë horizontet e tyre akademike dhe kërkimore brenda hapësirës evropiane të arsimit.
    Në nivel nacional, Ministria zhvillon rregullisht konsultime të strukturuara me organizatat studentore, stafin akademik dhe odat ekonomike, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit mbi rëndësinë e parimeve të Bolonjës dhe rolin e tyre në krijimin e një force punëtore të aftë dhe konkurruese.
    Përmes këtyre masave, Ministria siguron që Procesi i Bolonjës të mos mbetet thjesht një mekanizëm formal, por të shndërrohet në një instrument thelbësor për përmirësimin e cilësisë së arsimit të lartë dhe rritjen e atraktivitetit të tij në nivel evropian dhe ndërkombëtar.
    Pse në rajon ende kemi barriera administrative për sa i përket njohjes së diplomave? Çfarë duhet bërë për t’i eliminuar ato?
    Ahmed Qazimi: Sa i përket njohjes së diplomave, qofshin ato kualifikime të arsimit të lartë (cikli i parë, i dytë dhe i tretë), apo kualifikime të fituara në arsimin e mesëm ose fillor, nuk ka barriera administrative, por këto janë procedura të rregulluara në përputhje me ligjet, aktet nënligjore dhe rregulloret tona.
    Të gjithë e dimë se vendi ynë synon digjitalizimin, gjë që automatikisht nënkupton lehtësimin e të gjitha shërbimeve për qytetarët tanë dhe ata të huaj. Sa i përket njohjes së kualifikimeve të arsimit të lartë në Ballkanin Perëndimor, shumë shpejt do të fillojë zbatimi i Marrëveshjes për Njohjen Automatike të Kualifikimeve Akademike, dhe më vonë edhe i kualifikimeve profesionale pas anëtarësimit të vendit tonë në BE, prej të cilave vijnë shumica e aplikimeve të paraqitura në portalin tonë.
    Kemi mijëra qytetarë që aktivisht kërkojnë punë, por nga ana tjetër, ka mungesë kuadri për mbi 10 mijë vende të lira pune. A i përgjigjet sistemi ynë arsimor nevojave të tregut të punës?
    Ahmed Qazimi: Ministria e Arsimit dhe Shkencës po ndërmerr hapa aktivë për një përshtatje më efikase të sistemit arsimor me dinamikën e tregut të punës.
    Në këtë drejtim, në bashkëpunim me odat ekonomike, punëdhënësit dhe institucionet e arsimit të lartë, po punohet në mënyrë të vazhdueshme dhe sistematike për modernizimin e programeve mësimore, futjen e arsimit dual si dhe promovimin e programeve studimore dhe trajnimeve që përputhen me nevojat reale të ekonomisë.
    Për të identifikuar profesionet kryesore dhe mungesën e kuadrove, kryhen rregullisht analiza mbi gjendjen e tregut të punës, në bazë të të cilave përshtaten kuotat e regjistrimit në shkollat profesionale dhe universitetet. Vëmendje e veçantë i kushtohet zhvillimit të sektorit të IT-së, shkencave teknike, profesioneve mjekësore si dhe kualifikimeve në industrinë artizanale dhe prodhuese, ku mungesa e fuqisë punëtore është më e theksuar.
    Gjithashtu, po punohet në zgjerimin e arsimit dual, i cili u mundëson nxënësve dhe studentëve të fitojnë aftësi praktike përmes pjesëmarrjes direkte në proceset e punës në kompani. Përmes forcimit të këtyre partneriteteve, të rinjtë fitojnë kompetenca të rëndësishme që rrisin ndjeshëm konkurrueshmërinë e tyre në tregun e punës.
    Ministria po investon gjithashtu në përmirësimin sistematik të orientimit profesional të nxënësve, me qëllim që të rinjtë të kenë një pamje të qartë mbi mundësitë reale në tregun e punës dhe perspektivat që ofrojnë profilet e ndryshme arsimore, që në fazën e arsimit të mesëm.
    Vendi ndan më pak se 1% të BPV-së për shkencën dhe zhvillimin inovativ. Si reflekton kjo në zhvillimin e përgjithshëm?
    Ahmed Qazimi: Investimi në shkencë dhe zhvillimin inovativ përbën një nga sfidat kryesore strukturore për qëndrueshmërinë afatgjatë të përparimit ekonomik dhe shoqëror. Qeveria është e vendosur të rrisë investimet në zhvillimin e veprimtarisë kërkimore-shkencore dhe, në këtë drejtim, në buxhetin për vitin 2025 janë parashikuar 680 milionë denarë për shkencë, krahasuar me vitin e kaluar, kur për këtë qëllim ishin ndarë 380 milionë denarë. Ky trend i rritjes së buxhetit për shkencën do të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme.

    Teksti është zhvilluar në kuadër të projektit “Përfaqësim për zhvillim gjithëpërfshirës”, i mbështetur financiarisht nga Qeveria e Zvicrës përmes programit Civica Mobilitas.
    Përmbajtja e këtij teksti është përgjegjësi e vetme e Forumit për Politika të Arsyeshme, IOHN dhe BIRC dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se pasqyron pikëpamjet e Qeverisë së Zvicrës, Civica Mobilitas ose organizatave të saj zbatuese.

  • Digjitalizimi i administratës publike në kontekstin e integrimit evropian – avantazhet dhe sfidat

    Me ftesë të Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, Milla Josifovska Danillovska, Menaxhere e programeve në Fondacionin Metamorfozis ishte folëse në tryezën e rrumbullakët me temën: “Digjitalizimi i administratës publike në kontekstin e integrimit evropian – avantazhet dhe sfidat” që u mbajt më 6 mars 2025 në Shkup.
    Së bashku me Stanisllav Vasillkovskin nga Ministria e Transformimit Digjital dhe Valentin Fetaxhokoskin nga Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Josifovska Danillovska dha një pasqyrë të gjendjes së digjitalizimit të administratës publike në Republikën e Maqedonisë së Veriut, nga perspektiva e sektorit civil dhe institucioneve shtetërore.

    Burimi: Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut
    Sfidat kryesore në transformimin digjital
    Josifovska Danillovska në prezantimin e saj theksoi se digjitalizimi nuk duhet parë vetëm si pjesë e procesit të integrimit evropian, por si një reformë themelore që do të sjellë përmirësimin e shërbimeve publike dhe rritjen e cilësisë së jetës së qytetarëve. Ajo vuri në dukje se e re Plani i Rritjes së BE-së përcakton detyrime dhe afate konkrete në fushën e digjitalizimit, të cilat shteti duhet t’i përmbushë për të siguruar progres të vazhdueshëm.
    Josifovska Danillovska theksoi se sigurina kibernetike është një nga sfidat më të mëdha që kërkon, ndër të tjera, harmonizimin e legjislacionit me Direktivën NIS2, si dhe formimin dhe operacionalizimin e CERT-ve kombëtare dhe qeveritare në përputhje me standardet e BE-së, në mënyrë që të mundësohet një nivel i lartë i sigurisë kibernetike për mbrojtjen gjithëpërfshirëse dhe zhvillimin e mëtejshëm të shoqërisë.
    Po ashtu, ajo theksoi se është i nevojshëm harmonizimi me Rregulloren për Identitetin Digjital të BE-së dhe eIDAS2, si dhe zbatimi i një sistemi të vetëm të menaxhimit të dokumenteve në të gjitha institucionet shtetërore. Josifovska Danillovska shtoi se pa ndërveprueshmëri (interoperabilitet), edukim digjital dhe shërbime elektronike funksionale, transformimi digjital nuk do të japë rezultate reale. Theks i veçantë u vu në rëndësinë e nevojës për Portofolin e Identitetit Digjital në përputhje me standardet e BE-së dhe nevojat e qytetarëve, me synimin për qasje të sigurt, të shpejtë dhe të unifikuar në shërbimet elektronike publike dhe private, duke lehtësuar njohjen ndërkufitare të dokumenteve digjitale dhe duke rritur besimin, sigurinë dhe efikasitetin në transaksionet digjitale të qytetarëve.

    Burimi: Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut
    Edukimi digjital dhe të dhënat e hapura – faktorë kyç për digjitalizim të suksesshëm
    Josifovska Danillovska theksoi se edukimi digjital është një nga parakushtet për një transformim të suksesshëm digjital. Pa qytetarë dhe administratë publike me edukim digjital, digjitalizimi nuk do të japë rezultate efektive. Ajo theksoi se është e nevojshme qasje strategjike ndaj edukimi digjital, përmes arsimit formal dhe joformal, aktivitete edukative të përshtatura dhe fushatave masive për ngritjen e vetëdijes, në mënyrë që qytetarët t’i kuptojnë dhe t’i shfrytëzojnë përfitimet e digjitalizimit.
    Lidhur me futjen në përdorim të zgjidhjeve të bazuara në inteligjencën artificiale në ofrimin e shërbimeve publike, Metamorfozis kreu një hulumtim mbi ndikimin e inteligjencës artificiale në të drejtat e njeriut, duke analizuar rregulloret dhe standardet etike evropiane dhe ndërkombëtare. Josifovska Danillovska theksoi se para aplikimit të inteligjencës artificiale në sektorin publik, është e nevojshme të vendosen strategji dhe politika të qarta që do të sigurojnë që teknologjia të mos ndikojë negativisht në të drejtat e njeriut, sidomos gjatë vendimmarrjes së automatizuar. Ajo gjithashtu foli për rëndësinë e harmonizimit me Ligjin e BE-së për Inteligjencën Artificiale, miratimin e standardeve etike për krijimin dhe përdorimin e inteligjencës artificiale, si dhe nënshkrimin dhe ratifikimin e Konventës Kornizë të Këshillit të Evropës për IA-në dhe të Drejtat e Njeriut, Demokracinë dhe Sundimin e Ligjit.
    Përveç kësaj, ajo e theksoi rëndësinë e të dhënave të hapura për një transformim të suksesshëm digjital. Të dhënat e hapura nuk janë të rëndësishme vetëm për shkak të transparencës, por edhe për faktin se sistemet e bazuara në inteligjencën artificiale përmirësohen vetëm nëse kanë qasje në informatat dhe të dhënat përkatëse. Në këtë drejtim, ajo theksoi se është e nevojshme të miratohet dhe të zbatohet Ligji për të Dhënat e Hapura dhe Ripërdorimin e të Dhënave në Sektorin Publik në përputhje me Direktivën e BE-së për të Dhënat e Hapura (2019/1024/BE).
    “Të gjitha këto procese i prekin drejtpërdrejt qytetarët. Prandaj, konsiderojmë se institucionet duhet të jenë të hapura për bashkëpunim me sektorin e shoqërisë civile, i cili ofron ekspertizë në mbështetjen e reformave dhe qasje për kategori të ndryshme qytetarësh – që nga faza e hartimit të politikave dhe zgjidhjeve, e deri te zbatimi dhe vlerësimi i tyre. Vetëm në këtë mënyrë mund të ndërtojmë një ekosistem të fuqizuar digjitalisht që i shërben vërtet qytetarëve” – përfundoi Josifovska Danillovska.

Нема повеќе содржини

Нема повеќе содржини