Untitled design 11.png

Qasja e përbashkët dhe komunikimet strategjike duhet të jenë shtyllë ndaj luftës kundër dezinformimit

Ndërtimi i urave të bashkëpunimit. Shkëmbimi i mësimeve nga përvojat e ndryshme me lajmet e rreme dashakeqe. Krijimi i platformave strategjike. Domosdoshmëria e të vepruarit në mënyrë strategjike. Janë disa nga konkluzionet kryesore të sesionit të dytë me titull: “Pasqyrë gjeopolitike e kërcënimeve të informacionit- leksione të mësuara nga Europa të ndara me Ballkanin perëndimor”, që u zhvillua në kuadër të konferencës ndërkombëtare në Shkup, me fokus verifikimin e fakteve, shkruan Portalb.mk.

Martha Turnbull, drejtoreshë e Qendrës Europiane të Ekselencës, Finlandë, në fjalën e saj tha se në dekadën e fundit qendra e cila përfaqëson ka realizuar fushata të shumta në luftën kundër dezinformimit.

“Shohim aktorë të ndryshëm që ndajnë lajme të rreme, disa prej tyre vinë nga jashtë, disa janë brenda shteteve. Rusia mbetet ende aktori kryesor në rajonin euroatlantik, por shohim edhe aktor nga Kina. Shohim rritje të kërcënimeve. Kemi raste kur rusët krijojnë qendra në vendin tuaj dhe pastaj reagojnë. Po bëhet sfidë e rëndë që ti luftojmë këto aktivitete. Prandaj, duhet ndërgjegjësim, detektim, mbledhje të të dhënave, etj. I domosdoshëm është edukimi mediatik, për parandalimin e keqinformimit dhe kontrollin e mediave sociale. Duhet të punojmë, të ndajmë informacion dhe të mbrohemi në mënyrë të sinkronizuar”, tha Turnbull.

Sipas Bodin Verhoek, nga Divizioni për diplomaci publike- NATO, kemi kërcënime të dëmshme, përmbajtje manipulative, koordinim dhe manipulim me qëllim.

“Ne nënvizojmë cilave informata duhet t’u japim përgjigje dhe reagojmë. NATO dhe aleatët do të vazhdojnë të bashkëpunojnë më njëra tjetrën, për t’u kundërvënë me kohë. Konceptin strategjik e kemi edhe në kinezisht edhe në rusisht, që të jenë të pranishëm edhe për audiencën që e flasin të njëjtën gjuhë. Ne nëse nuk e tregojmë storjen tonë, të tjerët do e thonë për ne. Kemi lansuar fushatë në Ukrainë, e përkrahim në kontinuitet.

Askush nuk mund të veprojë vet. Edhe ne kemi shumë partnerë. Është e rëndësishme që kemi këtë konferencë sot, për të shkëmbyer leksionet e mësuara, për ta ndihmuar njëri tjetrin”, theksoi Verhoek, duke shtuar se komunikimet strategjike duhet të jenë shtyllë ndaj luftës kundër dezinformimit.

Sanda Svetoka, eksperte e lartë, NATO StratCom, Letoni, në fjalën e saj veçoi përvojat nga analiza e saj.

“Çdoherë kemi qenë në cakun e Rusisë, por kjo na ka dhënë shumë mësime se si të merremi me këto çështje. Kemi mbledhur një bazë njohurish për taktikat e rusëve dhe çfarë taktika përdorin në rajon.

Shkëmbim të rregullt të informacioneve rreth vepruesve negativ. Zhvilluam një bazë të mirë për narrativat e armiqve. Nga viti 2020 filluam të fokusohemi jo vetëm te aktivitetet e rusëve por edhe të kinezëve në rajon. Ndarja e informacionet është kryesore. Synimet e armiqve janë të ngjashme për secilin vend. Idea është të koordinohemi për t’i kundërshtuar.

Sipas Katarina Klingova, bashkëpunëtore e lartë, GLOBSEC, Sllovaki, krijimi i rezistencës është proces, kjo është diçka që duhet të ndihmohet edhe nga shteti edhe nga shoqëria civile.

“OJQ-të mund të bëjnë punën më të madhe, janë më fleksibile, kanë platforma të ndryshme dhe bashkëpunim. Duhet bashkëpunim i të gjithë akterëve shtetëror. Duhet të krijojmë hapësirë, ekspertët ta ndajnë përvojën e tyre. Disa e bëjnë, por disa nuk kanë hapësirë.

“Ndajmë informacione, që kreatorët e politikës mund ndërtojnë politika. Duhet nxjerrë leksione, për të analizuar mësimet dhe për t’i ndarë të njëjtat. Mirëkuptimi është tejet i rëndësishëm. Pastaj vijon fleksibiliteti dhe multidisiplina”, theksoi Laura Jasper – Analiste Strategjike, HCSS, Holandë.

“Dezinformatat e rusëve duan ta argumentojnë okupimin e tyre dhe të prezantohen si mbrojtës. Vazhdojnë këto retorika edhe sot. Duhet të fokusohemi në vende që janë target i Rusisës. Të analizohen narrativat e Rusisë, të ndjekim teknologjitë me të cilat ndahen informacionet malinje, të krijohen rrjete dhe bashkëpunime të organizatave për vërtetimin e fakteve. Pushtetet duhet të bashkëpunojnë gjithashtu, dhe të bllokojnë këto porosi që kërcenojnë sigurinë publike. Nuk është qëllimi vetëm të detektohen kanalet e lajmeve të rreme por edhe të dënohen të njëjtit, edhe pse është e vështirë”, tha mes tjerash, Sonya Dimitrova-Martinyuk – Redaktore, StopFake, Ukrainë.

Verifikues faktesh, gazetarë, studiues, politikëbërës dhe drejtues të shoqërisë civile nga i gjithë Ballkani Perëndimor dhe Evropa sot dhe nesër në Shkup, në kuadër të konferencës ndërkombëtare të organizuar nga Fondacioni Metamorfozis do të ndajnë përvojat e tyre dhe mësimet nga lufta kundër dezinformimit si dhe do punojnë në krijimin e një rrjeti që do jetë platformë që do sfidojë lajmet e rreme dashakeqe dhe do edukojë opinionin se si të mbrohet nga të njejtat.

This post was originally published on this site

Продолжи со читање