
Продолжи со читање

MASH PRANON NISMËN NGA PROJEKTI “PËRFAQËSIM PËR ZHVILLIM GJITHËPËRFSHIRËS”: THEMELON REGJISTRIN E BURSISTËVE
Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, njoftoi krijimin e një regjistri qendror digjital për të gjithë studentët e mbështetur me bursa nga shteti që studiojnë ose kanë studiuar jashtë vendit. Regjistri do të mundësojë ndjekje më efikase të statusit të tyre akademik dhe profesional. Sipas Janevskës, qëllimi është përfshirja më efikase e tyre në tregun vendor të punës dhe në institucionet kërkimore-shkencore.
“Qëllimi është ta shfrytëzojmë potencialin e tyre dhe t’i lidhim me kompanitë dhe universitetet në vend. Me këtë regjistër do të dimë nëse studentët janë kthyer, nëse kanë diplomuar dhe ku janë të angazhuar”, deklaroi Janevska.
Ky regjistër është një nga rekomandimet kyçe të përfshira në analizën e Forumit për Politika të Arsyeshme (FRP) “Rrjet i ndërlikuar: për nevojën e lidhjes së arsimit, shkencës dhe ekonomisë së bazuar në njohuri”, të publikuar në vitin 2024. Në analizë theksohet mungesa e kornizës ligjore dhe institucionale për ndjekje sistematike të kuadrove që arsimohen jashtë vendit. Dokumenti bën thirrje për ndryshime në Ligjin për arsimin e lartë, me qëllim krijimin e bazës ligjore për një sistem informativ që do të përfshinte profilin e plotë akademik dhe kontaktet e studentëve shqiptarë që studiojnë jashtë shtetit.
Sipas Janevskës, regjistri do të jetë vullnetar sa i përket dukshmërisë publike të profileve, duke mundësuar që studentët të identifikohen nga institucionet e interesuara, përfshirë universitetet, odat ekonomike dhe qendrat kërkimore.
Janë përcaktuar gjithashtu obligimet e bursistëve pas diplomimit: ata do të duhet të punojnë në Maqedoninë e Veriut dyfish më gjatë se kohëzgjatja e studimeve të tyre. Nëse brenda gjashtë muajve nga kthimi nuk u ofrohet punë e përshtatshme, obligimi shfuqizohet. Për ata që gjejnë punë jashtë vendit, lejohet qëndrim i përkohshëm deri në maksimum tre vjet, pas së cilës duhet të kthehen ose të kthejnë fondet e marra.
“Nëse vendosin të mos kthehen në vend, do të duhet t’i kthejnë fondet e paguara nga Ministria, më së voni dy vjet pas përfundimit të studimeve. Në të kaluarën kërkohej kthimi i dhjetëfishit të shumës, gjë që ishte e pazbatueshme”, theksoi Janevska, duke shtuar se rreth 50% e 400 bursistëve të deritanishëm tashmë janë kthyer dhe janë të angazhuar në sektorin privat.
Konkurset për bursat e reja për vitin akademik 2025/2026 tashmë janë shpallur. Financimi përfshin deri në 40.000 dollarë amerikanë për tarifat shkollore në universitetet e listës së Shangait, si dhe shpenzime shtesë për jetesë, akomodim dhe transport.
Përveç regjistrit, analiza e FRP-së propozon edhe futjen e subvencioneve për kompanitë që punësojnë të kthyerit nga jashtë me kualifikime deficitare. Propozimi parasheh përfshirjen e ministrive për punë, ekonomi dhe financa në krijimin e masave për të nxitur angazhimin e kuadrove të kualifikuara – qofshin ata nga diaspora apo ekspertë të huaj – me qëllim përmirësimin e konkurrueshmërisë së ekonomisë vendore.
Me këto hapa, autoritetet përpiqen të kapërcejnë mangësitë e programeve të mëparshme, kur mungesa e koordinimit dhe baza ligjore lejonte që disa bursistë të qëndronin përgjithmonë jashtë vendit, pa i kthyer burimet publike të investuara.
Ndryshe, analiza “Rrjet i ndërlikuar: për nevojën e lidhjes së arsimit, shkencës dhe ekonomisë së bazuar në njohuri” është realizuar në kuadër të projektit “Përfaqësim për zhvillim gjithëpërfshirës”, i zbatuar nga tre organizata partnere – Forumi për Politika të Arsyeshme, Instituti për Studime Shoqërore dhe Humane (IOHN-S) dhe Instituti Ballkanik për Bashkëpunim Rajonal (BIRC).
Projekti, i mbështetur financiarisht nga Qeveria e Zvicrës përmes programit Civica Mobilitas, synon rritjen e ndërgjegjësimit të opinionit profesional dhe të gjerë për zbatimin konsekuent të Procesit të Bolonjës, veçanërisht për vlerën e tij thelbësore – mobilitetin, përmes ndryshimeve në Ligjin për arsimin e lartë. Qëllimi kryesor është të kontribuojë për arsim të lartë më cilësor dhe më të mirë, të integruar thellë në rrjedhat ekonomike vendore dhe ndërkombëtare, ku kërkimi dhe shkenca do të përkthehen në sektorin real dhe do të jenë pjesë e pandashme e krijimit të politikave publike. Kështu, studentët e suksesshëm do të gjenin strehë akademike dhe ekonomike të qëndrueshme, duke kontribuar edhe në zvogëlimin e largimit të trurit.
Teksti është zhvilluar në kuadër të projektit “Përfaqësim për zhvillim gjithëpërfshirës”, i mbështetur financiarisht nga Qeveria e Zvicrës përmes programit Civica Mobilitas.
Përmbajtja e këtij teksti është përgjegjësi e vetme e Forumit për Politika të Arsyeshme, IOHN dhe BIRC dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se pasqyron pikëpamjet e Qeverisë së Zvicrës, Civica Mobilitas ose organizatave të saj zbatuese.

Transformimi digjital i Kuvendit të RMV-së: Shoqëria civile si partner kyç në ndërtimin e një parlamenti modern
Profesorë universitarë, ekspertë nga shoqëria civile dhe njohës të procesit të digjitalizimit nga vendet europiane kanë debatuar në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në lidhje me Strategjinë e transformimit digjital të parlamentit. Në panel diskutimin me titull: “Parlamenti 2.0 – Ndryshimi, lidershipi, kapaciteti dhe përfshirja”, ekspertët kanë ndarë mendimet e tyre për një Strategji digjitale sa më efikase drejt synimit për një parlament sa më modern, shkruan Portalb.mk.
Milla Josifovska Danillovska, nga Fondacioni Metamorfozis në prezantimi e saj u fokusua në rëndësinë e përfshirjes së sektorit të shoqërisë civile në krijimin e mjeteve digjitale për parlamentin.
Sipas saj, përfshirja shoqërisë civile në krijimin e mjeteve digjitale për parlamentin është thelbësore për ndërtimin e një procesi të hapur, transparent dhe gjithëpërfshirës.
“Vlera e pjesëmarrjes së shoqërisë civile në këtë proces është e shumëfishtë. Shoqëria civile mund të ndihmojë në kapërcimin e hendekut midis institucioneve dhe qytetarëve. Promovimi i proceseve transparente dhe mjeteve digjitale që nuk dëmtojnë të drejtat dhe liritë e njeriut. Forcimi i besimit në Parlament duke sjellë zgjidhjet digjitale më afër qytetarëve. Inovacionet, shoqëria civile, veçanërisht ato që punojnë në fushën e teknologjisë, të dhënave të hapura, të drejtave digjitale ose politikave publike, shpesh sjellin zgjidhje dhe dizajne inovative që synojnë përdoruesit final. Kështu që, përfshirja e tyre ka vlerë të shtuar në krijimin e zgjidhjeve inovative që janë të lehta, relevante, të dobishme dhe të përshtatura për përdorim nga qytetarët”, tha Josifovska Danillovska.
Boban Stojanoski, zëvendës-sekretar i përgjithshëm i kuvendit theksoi se Strategjia paraqet hap të rëndësishëm në transformimin e kuvendit.
“Temë e rëndësishme. Një hap kyç në transformimin e kuvendit. Presim ndihmën e ekspertëve për të të Strategjinë sa më moderne, që do të jetë në dobi të kuvendit. Vizioni ynë është të krijojmë kuvend modern. Nevoja del nga dinamika e punëve në parlament. Synojmë avancimin e e-parlamentit, ueb faqes së kuvendit, avancimin e strukturës souftuerike, si dhe avancimin e internetit. Digjitalizimi do të lehtësojë komunikimin brenda institucional”, tha Stojanoski.
Për t’i ndarë përvojat e suksesshmë, në panel prezantoi edhe Karl Morten Koppel, nga Estonia, respektivisht nga sektori i TIK-ut, Parlamenti i Estonisë.
“Digital first, do të thotë te keni proces gjithëpërfshirës, i cili përdoruesve do u jep rezultate të shpejta. Është me rëndësi të mbeteni të pëkushtuar. Pse digjitalja është më e mirë. Sepse, është më e shpejtë. Siç merrni informacione ashtu edhe mund të ofroni informacione interesante që do rrisin efikasitetin. Më herët, letra ishte efikase, procesi realizohej me mesenxher. Por, kohërat kanë ndryshuar. Kemi elektronikën, kemi rrjetin dhe kjo e lehtëson komunikimin”, tha mes tjerash Koppel.
Ai foli edhe për risitë e reja në kuvendin e Estonisë, “Novitet në kuvendin e Estonisë është AI (Intelegjenca Artificiale). Është e mirë në gjenerimin e ideve. E përdorim për instruksione dhe këshilla. Ndonjëherë mund të merrni përgjigje jo të mira. Të mos frikësoheni nga AI, për momentin është “i shoqërueshëm. Aplikojeni”, theksoi Koppel.
Profesori universitar Boro Jakimovski vendosi theksin mbi kapacitetet akademike që mund t’i ofrojnë ekspertët vendor.
“Arsimi i lartë, institucionet shkencore dhe ekspertët kanë kapital që shteti duhet ta shfrytëzojë dhe të investojë në të njëjtin. Maqedonia e Veriut ka një nivel të mirë, dhe kjo falë inxhinierëve që dalin nga ky shtet. Është e madhë mundësia që mund të ofrojnë institucionet, AI është shumë i rëndësishëm. Ka mundësi për avancimin e bashkëpunimit mes institucioneve dhe akademive, për t’i dalë në ndihmë shoqërisë dhe shtetit”, tha profesori Jakimovski.
Irena Bojaxhievska nga Qendra për Menaxhimin me Ndryshime, tha se Strategjia e re duhet të ofrojë vendime për lehtësimin e punës, si të shërbimit në kuvend ashtu edhe deputetëve.
“Është e rëndësishme të mapohet nevoja e punonjësve dhe deputetëve. Është mirë kur dëgjojmë shembuj të suksesshëm, por duhet të shohim ku jemi sot, dhe pas një kohë, kur do kemi finalizuar strategjinë, të themi ja ku kemi mbërri”, tha Bojaxhievska.
Ndryshe, kryeparlamentari Afrim Gashi, në fjalimin e tij hyrës theksoi se transformimi digjital paraqet një realizim konkret të vizionit për kuvend të hapur, efikas dhe të besueshëm.
Kujtojmë se, gjatë vitit 2024, në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, Maqedonia e Veriut në fushën e digjitalizimit u vlerësua se përkundër disa përparimeve, përpjekjet për digjitalizim janë ende në faza të hershme dhe kanë shumë mangësi. Pavarësisht përparimeve në infrastrukturën e internetit dhe 5G, administrata dhe sektori i sigurisë kibernetike kërkojnë digjitalizim dhe forcim.
Link deri tekst origjinalit: Transformimi digjital i Kuvendit të RMV-së: Shoqëria civile si partner kyç në ndërtimin e një parlamenti modern – Portalb

U mbajt trajnimi i dytë për siguri kibernetike për organizatat e shoqërisë civile
Më 7 maj të vitit 2025, Fondacioni Metamorfozis mbajti një trajnim njëditor për përmirësimin e e sigurisë kibernetike në organizatat e shoqërisë civile. Trajnimi ishte i dedikuar për organizatat e shoqërisë civile që punojnë në mënyrë aktive me kategoritë e cenueshme të qytetarëve dhe përballen me rreziqe të shtuara në hapësirën digjitale.
Pesëmbëdhjetë përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile patën mundësinë të mësonin rreth konceptit të gjurmëve digjitale, rëndësisë së mbrojtjes nga viruset, krijimit dhe mirëmbajtjes së fjalëkalimeve të forta, përdorimit të menaxherëve të fjalëkalimeve, si dhe këshilla praktike për forcimin e sigurisë kibernetike dhe zhvillimin e shprehive për higjienë të rregullt kibernetike.
Kjo trajnim është pjesë e projektit “MburojaKibernetike: “Qytetarë të Fuqizuar për Rezistencë Kibernetike”, i cili ka për qëllim të rrisë ndërgjegjësimin dhe rezistencën e qytetarëve dhe të organizatave ndaj kërcënimeve kibernetike, përmes edukimit, informimit publik dhe burimeve praktike. Projekti parashikon tre trajnime të këtilla, i pari prej të cilëve u mbajt më 9 prill, ndërsa trajnimi i fundit, i treti, do të mbahet më 4 qershor. Përveç trajnimeve, në kuadër të projektit do të prodhohen edhe podkaste dhe video për të përmirësuar vetëdijen e publikut dhe për të kuptuar rëndësinë e sigurisë kibernetike.
Qëllimi i projektit është të theksojë rëndësinë e higjienës së rregullt kibernetike dhe trajtimit efektiv të kërcënimeve kibernetike si p.sh. “phishing”-u, inxhinieria sociale, softuerët keqdashës (malware), vjedhja e të dhënave personale dhe të tjera. Përmes përpjekjeve bashkëpunuese, projekti synon të sigurojë që këtyre temave do t’u kushtohet vëmendje, burime dhe reagime adekuate për t’u përballë me sfidat që i sjell epoka digjitale.
Projekti “MburojaKibernetike: Qytetarë të Fuqizuar për Rezistencë Kibernetike mbështetet nga një grant nga Ndërhyrja Kombëtare e projektit rajonal “SMART Balkans – Shoqëria Civile për një Ballkan Perëndimor të Lidhur)” i zbatuar nga Qendra për Promovimin e Shoqërisë Civile (Centar za promociju civilnog društva – CPCD), dhe i mbështetur nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM), dhe me mbështetje financiare nga Ministria e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Norvegjisë.

Të rinjtë, etika dhe inteligjenca artificiale: Metamorfozis në përgatitje të sesionit studimor në Strasburg
Fundjavën e kaluar, Fondacioni Metamorfozis mori pjesë aktive në përgatitjet për sesionin studimor “Open your AIs”, i cili do të mbahet në qershor në Qendrën Rinore Evropiane në Strasburg, nën patronazhin e Këshillit të Evropës.
Ky sesion studimor paraqet një mundësi për të rinjtë për t’i eksploruar çështjet kyçe që lidhen me etikën dhe përdorimin e përgjegjshëm të inteligjencës artificiale. Përmes shkëmbimit të ideve, diskutimeve dhe aktiviteteve praktike, pjesëmarrësit do të krijojnë mjete, strategji dhe rekomandime që mund t’i zbatojnë drejtpërdrejt në punën e organizatave rinore.
Një seancë studimore organizohet në kuadër të programit Youth for Democracy në bashkëpunim me Connect International me partnerin Curiosite Centre de Formation dhe ekspertizën e Fondacionit Metamorfozis.
Mezi presim të takojmë 20 liderë të rinj nga e gjithë Evropa dhe së bashku të kontribuojmë në ndërtimin e një të ardhmeje digjitale më gjithëpërfshirëse dhe të drejtë, të bazuar në mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Thirrja për pjesëmarrje është e hapur deri më 9 maj. Më shumë informacion mund ka të gjeni në këtë link.

Vlerësim i reformave të Ligjit për Media të Maqedonisë së Veriut – Një hap i pjesshëm drejt standardeve evropiane
Maqedonia e Veriut po i nënshtrohet reformave në legjislacionin e saj për mediat, duke synuar përafrimin me standardet e Bashkimit Evropian (BE). Fondacioni Metamorfozis e mirëpret iniciativën e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për të harmonizuar legjislacionin kombëtar të mediave me standardet evropiane, veçanërisht në kontekstin e Kapitullit 23 të legjislacionit të BE-së dhe Ligjit Evropian për Lirinë e Medias (LELM). Megjithëse ndryshimet e propozuara në Ligjin për Media mund të përfaqësojnë një hap në drejtimin e duhur duke e zgjeruar kornizën rregullatore për të përfshirë mediat online, ato ngrenë shqetësime se për shkak se trajtojnë vetëm pjesërisht çështjet sistemore në mjedisin mediatik dhe nuk përputhen mjaftueshëm me dispozitat e LELM-së. Prandaj, ne bëjmë thirrje për një proces reformash gjithëpërfshirëse, inkluzive që ka për qëllim miratimin e një Ligji të ri për Mediat që i pasqyron plotësisht normat evropiane dhe garanton mbrojtjen e lirisë së mediave, pavarësinë redaktuese dhe të drejtat e gazetarëve.Për më tepër, megjithëse një ligj krejtësisht i ri për mediat ishte hartuar tashmë me ndihmën e ekspertëve të BE-së gjatë viteve të kaluara, për arsye të panjohura dhe pa dhënë shpjegime publike, Qeveria zgjodhi vetëm ta ndryshojë ligjin e vjetër ekzistues duke adresuar vetëm një pjesë të çështjeve kontestuese, në vend që të propozojë ligjin e ri gjithëpërfshirës.Ky dokument i qëndrimit i vlerëson ndryshimet e propozuara, duke nënvizuar si përparimet ashtu edhe sfidat e vazhdueshme, dhe ofron rekomandime për të siguruar lirinë gjithëpërfshirëse të mediave dhe përafrimin me direktivat e BE-së.

Thirrje për pjesëmarrësit që të na bashkohen në sesionin tonë studimor “Open your AIs” në Strasburg
A jeni duke punuar në një organizatë rinore dhe jeni të interesuar për përdorimin etik të mjeteve të Inteligjencës Artificiale (IA)? Dëshironi të eksploroni se si IA-ja ndikon në pjesëmarrjen e të rinjve, të drejtat e njeriut dhe demokracinë?
Bashkohuni në sesionin studimor “Open your AIs” dhe bëhuni pjesë e një komuniteti të rinjve që sjellin ndryshime, të gatshëm për të përballuar të ardhmen e inteligjencës artificiale me një qasje kritike dhe të bazuar në të drejtat.
Sesioni i studimit është një hapësirë ku pjesëmarrësit mund të eksplorojnë sfidat kryesore që lidhen me inteligjencën artificiale, të shkëmbejnë ide dhe të bashkëkrijojnë mjete praktike, strategji ose rekomandime që mund të mbështesin drejtpërdrejt punën e tyre në organizatat rinore. Sesioni studimor i organizuar në kuadër të Programit Të Rinjtë për Demokracinë në bashkëpunim me “Connet International” në partneritet me “Curiosite Centre de Formation” dhe ekspertizën e Fondacionit Metamorfozis.
Ne jemi në kërkim të 20 pjesëmarrësve nga të gjitha shtetet anëtare të Këshillit të Evropës.
Duke marrë pjesë, ju do të:
Rritni kapacitetin digjital të organizatës suaj – Mësoni se si të vlerësoni në mënyrë kritike dhe të integroni me përgjegjësi mjetet e AI-së në punën dhe projektet tuaja të përditshme.
Eksploroni anën etike të AI-së – Reflektoni mbi përfitimet, rreziqet dhe dilemat etike që sjell inteligjenca artificiale dhe se si ato ndikojnë tek të rinjtë dhe shoqëritë tona.
Nxisni biseda kuptimplote – Merrni mjete dhe strategji praktike për të sjellë etikën e AI-së në programet tuaja dhe për të angazhuar të rinjtë në formësimin e së ardhmes së tyre digjitale.
Kuptoni politikat digjitale që kanë rëndësi – Zgjeroni njohuritë tuaja mbi Ligjin e AI-së të BE-së, Konventën e Ai-së të Këshillit të Evropës dhe mënyrat se si organizatat rinore si e juaja mund të kontribuojnë në qeverisjen gjithëpërfshirëse dhe të drejtë të AI-së.
Kur?
Dita e mbërritjes 22 qershor 2025
Dita e nisjes 28 qershor 2025
Ku?
Në objektin e Këshillit të Evropës të quajtur Qendra Evropiane Rinore në Strasburg, Francë.
Kush?
Jeni midis 18 dhe 30 vjeç?
Jeni anëtar i një organizate rinore apo punonjës me të rinjtë?
A jeni banor në një nga shtetet anëtare të Këshillit të Evropës?
Dëshironi të mësoni më shumë rreth politikave digjitale dhe rinore të Sektorit të Rinisë të Këshillit të Evropës?
Doni të kuptoni më mirë se si Inteligjenca Artificiale po ndikon në jetën e të rinjve?
A jeni të interesuar për qasjet etike, të bazuara në të drejtat e njeriut ndaj teknologjisë?
Atëherë, aplikoni për sesioni studimor deri më 9 maj 2025 përmes këtë formulari.
Shpenzimet?
Akomodimi, ushqimi, shpenzimet për vizë, si dhe shpenzimet e udhëtimit dhe të qëndrimit mbulohen nga Departamenti i të Rinjve i Këshillit të Evropës.
Kontributi i pjesëmarrësve do të jetë një tarifë prej 50 euro, të cilat do t’u kërkohet ta transferojnë nëpërmjet transferimit bankar në llogarinë e “Connect International” të paktën 3 javë përpara fillimit të sesionit studimor.
Afatet e procesit të aplikimit:
Afati i fundit për aplikim: 9 maj 2025
Informimi mbi statusin e aplikimit tuaj: 15 maj 2025
Linku i thirrjes origjinale: Call for participants to join our study session “Open your AIs” in Strasbourg | Connect INTERNATIONAL