Qytetarët për ndryshim #16
JANAR - MARS 2024
Mirëserdhët në numrin e ri të revistës Civica mobilitas, “Qytetarët për ndryshim #16”, lajmëtar i programit për mbështetjen e shoqërisë civile të mbështetur nga Qeveria e Zvicrës, por edhe lajmëtar i gjithë shoqërisë civile.
Pas një pauze gati një vjeçare, po i rikthehemi temave dhe nismave që e formësojnë shoqërinë tonë. Ky numër është i mbushur me histori frymëzuese të angazhimit qytetar dhe pjesëmarrjes qytetare kushtuar sfidave mjedisore, të drejtave të grave, arsimit dhe më shumë.
Në një kohë të krizës mjedisore në rritje, Maqedonia po përballet me sfida serioze si ndotja e ajrit, menaxhimi joadekuat i mbeturinave dhe ndryshimet klimatike. Në këtë numër do të lexoni për konferencën e organizuar nga Instituti për Studime të Komunikimit, ku ekspertë dhe aktivistë diskutuan për rëndësinë e komunikimit efektiv mjedisor dhe rolin e qytetarëve në ruajtjen e natyrës. Gjithashtu, i lëmë hapësirë Deklaratës për mbrojtjen aktive të mjedisit dhe zbutjen e ndryshimeve klimatike, e cila është nënshkruar nga kryetarët e komunave të vendit.
Marshi tradicional i 8 Marsit këtë vit u zhvillua me moton “Të drejtat e grave nuk janë të negociueshme”. Aktivistët bënë thirrje për veprim për të avancuar shëndetin, arsimimin dhe të drejtat ekonomike të grave. Ata i theksuan tetë vija të kuqe që i përshkruajnë ndryshimet e kërkuara, duke përfshirë pagën e barabartë për punë të barabartë dhe një zgjidhje sistematike për aksesin në lejen e paguar të lehonisë për gratë fermere.
Nevoja që arsimi i lartë të integrohet në flukset ekonomike të shtetit u diskutua gjatë forumit tematik “Pamje e dendur: për nevojën e rrjetëzimit të arsimit, shkencës dhe ekonomisë së bazuar në inovacion”. Ekspertë dhe përfaqësues nga sektori akademik dhe të biznesit diskutuan për nevojën e rrjetëzimit të arsimit, shkencës dhe ekonomisë së bazuar në inovacion.
Ky numër i referohet edhe nismës për rrjetëzimin e organizatave që ofrojnë shërbime sociale, punëtori për nxënësit e shkollave të mesme për dhunën e bashkëmoshatarëve, aksionin për monitorimin e qendrave të votimit dhe aksesin e tyre për personat me aftësi të kufizuara etj.
Ne besojmë se kemi ofruar një larmi përmbajtjesh që i plotëson interesat e lexuesve tanë. Ato i pasqyrojnë përpjekjet e organizatave të shoqërisë civile për të përmirësuar shoqërinë tonë dhe tregojnë se ndryshimet janë të mundshme.
Edhe ju mund të kontribuoni në edicionet e ardhshme të “Qytetarët për ndryshim”. Na shkruani dhe na dërgoni informacione për aktivitetet dhe arritjet tuaja, histori interesante për përdoruesit tuaj ose iniciativat që keni nisur. Le t’i ndajmë informacionet sepse ia vlen kur të arrijnë atje ku duhet.
Lexim të këndshëm!