Qytetarët për ndryshim #15
TETOR - DHJETOR 2022
Ky është numri i fundit i revistës “Qytetarët për ndryshim”, lajmëtar i Civica mobilitas, por edhe lajmëtar i gjithë shoqërisë civile. Për të qenë më konkret, ky është numri i fundit i kësaj faze të Civica mobilitas dhe në këtë format në të cilin i kemi prezantuar aktivitetet dhe arritjet e organizatave të shoqërisë civile në katër vitet e fundit.
Siç edhe premtuam, në fokus të interesit ishin qytetarët si shfrytëzues të shërbimeve të organizatave qytetare, por edhe si iniciatorë dhe pjesëmarrës në ndryshimet shoqërore. Ne kemi publikuar 360 informacione rreth tyre në “Qytetarët për ndryshim”. Nëse i vlerësojmë aktivitetet dhe arritjet në bazë të postimeve, do të thoshim se ato kishin të bënin më së shumti me angazhimin apo aktivizmin qytetar, të cilit i kushtuam 133 artikuj. Menjëherë pas janë ato që kanë të bëjnë me pjesëmarrjen qytetare, ose gjithsej 98 tekste. Revista iu përgjigj në mënyrën e vet një prej krizave më dramatike shëndetësore, pra pandemisë së shkaktuar nga Covid-19. Aktivitetet e organizatave qytetare lidhur me të ishin pjesë e disa edicioneve të revistës, dhe një iu kushtua tërësisht atyre.
Civica Mobilitas ka 12 vjet që mbështet organizatat e shoqërisë civile dhe zhvillimin e tyre. Rezultati i kësaj është forcimi i organizatave, jo vetëm financiarisht, por edhe në njohuritë dhe aftësitë e tyre, në zërin dhe në betejën e tyre për t‘u pyetur dhe dëgjuar, për të qenë pjesë thelbësore e diskutimeve dhe e krijimit të politikave në shtet. Ishte dhe është ende një nga programet më domethënëse për këtë mbështetje. Në tre fazat e zbatimit, gjithsej 324 organizata kanë marrë 463 grante dhe vetëm në fazën e fundit, me 149 grante, 130 organizata janë bërë pjesë e familjes së madhe të grantmarrësve. Por Civica mobilitas nuk është një komunitet ekskluziv dhe programi përpiqet të arrijë te të gjithë qytetarët dhe organizatat qytetare, për të ndarë informacionin dhe njohuritë që krijohen gjatë zbatimit të tij. Kjo është arsyeja pse ne jemi të hapur për të gjitha organizatat, për të gjithë aktorët e shoqërisë civile që do të na mundësojnë të forcojmë pjesëmarrjen qytetare, të përmirësojmë bashkëpunimin, të ndërtojmë marrëdhënie me konstituentët tanë dhe ta bëjmë mjedisin në të cilin operojmë më të mirë për punë.
“Qytetarët për ndryshim” i Civica mobilitas do të vazhdojë në fazën e re, e cila do të nisë më 1 prill 2023. Në të, revista do të kalojë drejt qëndrueshmërisë më të madhe, që do të thotë përfshirje shumë më e madhe e aktivistëve civilë në krijimin e teksteve. Ekipi i Civica mobilitas do të jetë këtu për të lehtësuar atë tranzicion dhe që revista të mbetet pjesë e mozaikut me të cilin Ambasada Zvicerane ka mbështetur shoqërinë civile prej 12 vitesh dhe që nuk është vetëm financiar, por edhe përmbajtësor dhe thelbësor dhe ajo mbështetje jo vetëm që e forcoi sektorin, por edhe e bëri atë më të zhurmshëm dhe më të dukshëm. Kjo është mbyllja e një faze, por edhe një thirrje për të gjithë kolegët që në fazën e re të jenë pjesë e “Qytetarët për ndryshim”.
T’i ndajmë informacionet sepse ato vlejnë atëherë kur do të arrijnë atje ku nevojitet.
Lexim të këndshëm!