Dita Botërore e Luftës Kundër Kancerit: vetëm 10 për qind e grave të përfshira në skriningun për kancerin e qafës së mitrës
Edhe pse kanceri i qafës së mitrës është një nga sëmundjet malinje të rralla që mund të parandalohet pothuajse plotësisht, në Maqedoninë e Veriut çdo vit sëmuren rreth 200 gra, ndërsa nga 40 deri në 60 gra humbin jetën nga kjo sëmundje. Alarmues është fakti se në vitin 2024, përmes skriningut të organizuar, u përfshinë vetëm rreth 10% e grupit të synuar të grave, shumë më poshtë se pragu minimal i nevojshëm për parandalim efektiv.
Me rastin e 4 Shkurtit – Ditës Botërore të Luftës Kundër Kancerit, e cila këtë vit shënohet nën moton “Të bashkuar në unikitetin tonë”, theksojmë nevojën që sistemi shëndetësor t’i vendosë njerëzit dhe nevojat e tyre reale në qendër të kujdesit shëndetësor, me fokus të veçantë te gratë dhe grupet vulnerabël.


Analizat dhe përvojat nga terreni tregojnë se kujdesi shëndetësor parandalues nuk është prioritet në politikat shëndetësore. Buxheti për programet parandaluese prej vitesh stagnon dhe nuk e ndjek rritjen e kostove dhe inflacionin – në vitin 2025 ishte 672,5 milionë denarë, ndërsa për vitin 2026 planifikohen 677 milionë denarë. Njëkohësisht, për skriningun e sëmundjeve malinje ndahen vetëm 23 milionë denarë në vit, një shumë që ka mbetur e pandryshuar prej vitesh dhe duhet të mbulojë katër sëmundje të ndryshme malinje.
Veçanërisht shqetësuese është gjendja me skriningun për kancerin e qafës së mitrës. Programi, i prezantuar që në vitin 2012, disponon vetëm 11 milionë denarë në vit, gjë që nuk mundëson mbulim dhe cilësi të përshtatshme. Mungesa e gjinekologëve në rreth 40 komuna, funksionimi i kufizuar i ambulancës gjinekologjike mobile dhe barrierat administrative e vështirësojnë më tej qasjen e grave në parandalimin në kohë.
Ndërkohë që shumë vende të Bashkimit Evropian po i afrohen eliminimit të kancerit të qafës së mitrës si problem i shëndetit publik, tek ne kjo sëmundje vazhdon të marrë jetë që mund të shpëtohen. Një skrining efektiv dhe i financuar në mënyrë adekuate, së bashku me mbulim të lartë të vaksinimit kundër HPV-së te vajzat dhe djemtë, janë masa kyçe për parandalimin e këtyre statistikave dëshpëruese.


Prandaj, i bëjmë thirrje Qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë që urgjentisht të rrisin mbështetjen financiare për skriningun e kancerit të qafës së mitrës në të paktën 35 milionë denarë në vit, të sigurojnë qasje më të mirë në shërbimet gjinekologjike, të forcojnë vaksinimin kundër HPV-së dhe të investojnë në fushata edukative shëndetësore të vazhdueshme dhe gjithëpërfshirëse.
Parandalimi shpëton jetë. Investimi në zbulimin e hershëm nuk është shpenzim, por investim – si në shëndetin e grave dhe grupeve vulnerabël, ashtu edhe në qëndrueshmërinë e të gjithë sistemit shëndetësor.
Puna në fushën e përmirësimit të skriningut të kancerit të qafës së mitrës është realizuar në kuadër të projektit “Të drejta shëndetësore të përmirësuara për vajzat, gratë dhe grupet vulnerabël”. Projekti zbatohet nga organizatat partnere HERA – Shoqata për Edukim dhe Hulumtim Shëndetësor, Shoqata për Emancipim, Solidaritet dhe Barazi të Grave – ESE, Shoqata për Mbështetjen e Personave që Jetojnë me HIV – Së Bashku Më të Fortë dhe Shoqata Iniciativa për të Drejtat e Grave nga Shutka, me mbështetje nga Qeveria e Zvicrës përmes Civica Mobilitas.
Lidhje drejt publikimit me gjetjet e organizatave qytetare.
Përmbajtja e këtij njoftimi është përgjegjësi e vetme e HERA – Shoqata për Edukim dhe Hulumtim Shëndetësor, Shoqata për Emancipim, Solidaritet dhe Barazi të Grave – ESE, Shoqata për Mbështetjen e Personave që Jetojnë me HIV – Së Bashku Më të Fortë dhe Shoqata Iniciativa për të Drejtat e Grave nga Shutka dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se pasqyron pikëpamjet e Qeverisë së Zvicrës, Civica Mobilitas apo organizatave që e zbatojnë.






![Sre]ni praznici(2)](https://civicamobilitas.mk/wp-content/uploads/2025/12/sreni-praznici2-768x432.jpg)

