Komunat më të vogla udhëheqin në transparencë: veglat digjitale e forcojnë besimin midis qytetarëve dhe qeverisjes lokale
A është vërtetë e hapur ndaj jush komuna ku jetoni? Indeksi i hapjes 2025 i përgjigjet kësaj pyetjeje, duke zbuluar se disa nga komunat më të vogla janë ndër shembujt më të mirë të transparencës dhe llogaridhënies.
Në krye të listës janë Kriva Pallanka (71%), Berova (69%) dhe Demir Hisari (68%), ndërsa më të mbyllurat janë Demir Kapija (8%), Sopishti (10%) dhe Llozova (13%). Edhe pse në vitin 2025 u regjistrua një rritje në hapjen mesatare të komunave me 3 pikë përqindjeje (40% në vitin 2025 krahasuar me 37% në vitin 2024), është e qartë se kjo është një hapje modeste dhe sfida të mëdha në arritjen e saj.

Këto gjetje u prezantuan nga Fondacioni Metamorfozis, Koalicioni rural dhe Qendra për Inovacion Social “Blink 42-21” në forumin tematik “Komuna e hapur – komunitet aktiv”, i cili u mbajt më 24 shtator në Shkup, me mbështetjen e Qeverisë së Zvicrës përmes Civika mobilitas.
“Forcimi i besimit në qeverisjen lokale përmes transparencës është çelësi për frenimin e korrupsionit në nivel lokal”, tha Dançe Danilovska-Bajdevska, drejtoreshë programi në Fondacionin Metamorfozis. Ajo shpjegoi se Indeksi i hapjes mat jo vetëm transparencën, por edhe aksesin, konsultimin me qytetarët, integritetin dhe efikasitetin e qeverisjes lokale. “Nëse transparenca duhet të jetë më e lartë për të parandaluar korrupsionin, ne besojmë se duhet ta bëjmë këtë përmes veglave digjitale dhe transformimit”, vuri në dukje ajo.
Projekti “Transformimi digjital në nivel lokal (DIGILOC) – Një komunitet gjithëpërfshirës për rezistencë ndaj korrupsionit” ofroi mbështetje mentorimi për nëntë komuna: Kriva Pallankë, Koçanë, Shtip, Aerodrom, Demir Hisar, Strugë, Vallandovë, Negotinë dhe Gostivar. Rezultatet tregojnë se kjo çoi në një përmirësim të transparencës nga 2% në 13%.


“Në kuadër të procesit të mbështetjes me mentorim, patëm tre deri në katër takime gjatë një jave në janar dhe shkurt 2025, dhe u përfshinë mbi 20 nëpunës. Qëllimi ynë ishte të përfshijmë nga një komunë në secilin rajon planifikimi. Ne punuam me komunat që shprehën gatishmërinë e tyre për t’u angazhuar në proces, dhe në fillim ishin tetë, ndërsa komuna e Shtipit u përfshi shtesë, gjë që ishte një kënaqësi për ne [GJ1] . Ne jemi të hapur për të gjitha komunat që duan të angazhohen në këtë proces të mbështetjes me mentorim”, tha Liljana Jonoski, kryetare e Koalicionit rural.
Sipas saj, burimet njerëzore janë një sfidë e madhe për shumicën e komunave, por është gjithashtu e rëndësishme se sa prej tyre janë të përkushtuara, prandaj është e nevojshme të punohet në motivim, përmirësimin e koordinimit dhe komunikimit të brendshëm dhe veçanërisht ndërgjegjësimin.

Indeksi i vitit 2025 tregon se hapja nuk varet nga madhësia e komunës, por nga angazhimi dhe iniciativa e administratës lokale. Rezultatet më të larta këtë vit i morën Koçani dhe Kriva Pallanka, ndërsa rezultatin më të ulët e mori Demir Kapija, e cila nuk kishte një ueb faqe funksionale gjatë periudhës së monitorimit. Rezultatet krahasuar me vitin 2024 tregojnë se ka pasur pak përparim në hapjen e komunave, por gjithashtu tregojnë qartë nevojën për punë dhe bashkëpunim të vazhdueshëm.
“Ne kemi krijuar një praktikë për ta bërë të dukshme se si shpenzohet çdo denar nga arka komunale në baza mujore. Ne organizojmë dëgjime publike, konsultime, forume për qytetarët që të marrin pjesë drejtpërdrejt në vendimmarrje, takime ku i njohim qytetarët me projektet e planifikuara dhe gjithashtu kemi komunikim elektronik përmes të cilit qytetarët mund të përcjellin drejtpërdrejt problemet dhe vërejtjet e tyre”, thotë Zvonko Pekevski , kryetar i komunës së Berovës, një nga tre komunat më të hapura.
“Nuk ka kuptim të flasim për teknologji të tjera si inteligjenca artificiale, kur komunat përballen me problemet më themelore, siç janë qasja në internet, pajisjet më moderne etj. Nuk mund të arrijmë rritje të besimit vetëm duke publikuar fushata online në media. Derisa të dalim në terren, të vizitojmë komunën, të hapim dialogun – ballë për ballë dhe të dëgjojmë mendimet e qytetarëve drejtpërdrejt, atëherë është e pakuptimtë të mbajmë si një forum tematik ashtu edhe këtë diskutim”, thotë Aleksandar Jovanovski, koordinator projekti në Qendrën për Inovacione Sociale “Blink 42-21”.


Një nga instrumentet më të fuqishme për rritjen e transparencës është platforma digjitale “ mZaednica“. E filluar si pilot projekt në vitin 2018 në komunën e Karposhit, sot funksionon në 11 komuna, përfshirë Vallandovën, Aerodromin, Demir Hisarin, Strugën dhe të tjera. Kjo platformë shumë funksionale u lejon qytetarëve të digjitalizojnë të gjitha shërbimet publike (subvencione, aplikime për bursa, aplikime për ndihmë sociale, etj.).
Qytetarët përmes përmes “mZaednica“ u kanë adresuar komunave më së shumti pyetje lidhur me infrastrukturën komunale (23%), parqet dhe gjelbërimin (17%), ndriçimin publik (13%), si dhe mbeturinat dhe pastërtinë. Ky kanal komunikimi lejon që komentet të arrijnë drejtpërdrejt tek autoritetet në shërbimet komunale, shkurton kohën e komunikimit dhe rrit mundësitë për zgjidhjen e problemeve.
Një shembull i mirë është komuna e Karposhit, ku numri i përdoruesve të regjistruar tejkalon 7,000 ose mbi 10% të popullsisë dhe aplikacioni lejon qasje më të lehtë në shërbimet komunale, veçanërisht përmes telefonave celularë. Në komunën e Vallandovës, qytetarët përdorin “mZaednica“ për të raportuar probleme, sugjerime dhe për të aplikuar për subvencione, si dhe për të marrë pjesë në krijimin e buxhetit vjetor. Deri më tani, janë marrë rreth 30 raporte për probleme infrastrukturore, 20 ide të propozuara dhe mbi 150 kërkesa për thirrje për subvencione. Komuna e Aerodromit, nga ana tjetër, ka marrë mbi 2,500 propozime dhe raporte, më së shpeshti për rregullimin e sipërfaqeve publike, mirëmbajtjen e gjelbërimit, ndriçimin publik, problemet e infrastrukturës dhe propozime për përmirësimin e trafikut.

Duke filluar nga ky vit, qytetarët e Strugës, Demir Hisarit dhe Negotinës kanë qasje në “mZaednica“. Igor Damjanovski, drejtues i departamentit të menaxhimit të burimeve njerëzore në komunën e Demir Hisarit dhe përdorues i mZaednica, theksoi për veglën se “digjitalizimi i komunave është me përparësi të jashtëzakonshme, i cili është treguar të jetë veçanërisht i rëndësishëm gjatë periudhës së Covid-19”. Duke iu bashkuar mZaednica, komuna e Demir Hisarit u ka mundësuar qytetarëve të kontribuojnë për një komunitet më të mirë, të jenë pjesë e aktiviteteve të komunës dhe të arrijnë komunikim të dyanshëm me komunën. Qytetarët e komunës së Demir Hisarit deri më tani kanë krijuar 30 profile dhe kanë paraqitur rreth 10 propozime për probleme të infrastrukturës dhe shërbimeve. Mjeti mZaednica ofron lehtësim jo vetëm për qytetarët në marrjen e shërbimeve, por edhe për administratën në ofrimin e tyre.
“Jemi shumë të kënaqur që në një vit dhe vetëm me një cikël mentorimi, kemi parë që ato komuna që janë pjesë e mZaednica tregojnë rezultate më të mëdha. Përfitimi më i madh nga projekti i mbështetur nga Civica mobilitas, janë konsultime dhe anketa publike. Çdo nëpunës që është përgjegjës për këtë çështje në komunë mund të krijojë një anketë mbi çdo çështje me interes publik.
Duhet të jemi të vetëdijshëm se sa kushton zhvillimi i kësaj teknologjie. Falë projektit, ne po e ofrojmë “mZaednica“ për përdorim nga komunat falas. Këto teknologji kushtojnë para dhe duhet të mirëmbahen, të përditësohen dhe të shtohen funksionalitete të reja, të gjitha në mënyrë që ta bëjnë punën e nëpunësve më të lehtë. Dhe mendoj se nuk jemi mjaft të vetëdijshëm se po u japim komunave këtë lloj vegle “në pjatë”, me të cilin gjenerohen të dhëna në kohë reale”, shton Jovanovski.
Forumi “Komunë e hapur – komunitet aktiv” ishte një platformë për dialog të hapur midis qytetarëve, institucioneve dhe sektorit të shoqërisë civile, ku u dëgjuan sfidat dhe zgjidhjet, por edhe u përcoll mesazhi se ndërgjegjësimi për transparencën nuk është një proces që përfundohet përmes një aktiviteti të vetëm, por një përpjekje e vazhdueshme. Për të ndërtuar besimin, për të rritur llogaridhënien dhe për të zvogëluar korrupsionin në nivel lokal, nevojitet bashkëpunimi, digjitalizimi dhe komunikimi i drejtpërdrejtë. Vegla “mZaednica“ është një shembull se si teknologjia mund ta mundësojë këtë ndryshim, t’i sjellë qytetarët më afër institucioneve dhe të krijojë kushte për qeverisje lokale më të hapur, më të përgjegjshme dhe gjithëpërfshirëse.